Tirana Observer: “Ermal Mamaqi shpall sfidën e hapur me Big Brother, sot fton Damianon në emision” plus 9 more |
- Ermal Mamaqi shpall sfidën e hapur me Big Brother, sot fton Damianon në emision
- Shef Renato zbulon pjatat e preferuara të politikanëve, ҫfarë hanë Nano, Rama, Basha dhe…
- Kivanc Tatlıtug lë xhirimet dhe i nënshtrohet operacionit
- Nga Edi Rama/ Pse më trishtoi pamja gjysëm e zbrazët e bulevardit sot
- Varësia nga kafeja: A me të vërtetë njerëzit konsumojnë kafe me tepri?
- Majlinda Bregu: Pse isha në protestë dhe mesazhi që i dhanë sot demokratët Bashës
- Varoufakis: Greqia do bëhet një protektorat i ngjashëm me Kosovën
- A u dhunua Arbana Xharra nga këto qëndrime?
- Mediat botërore për dhunën ndaj Arbana Xharrës
- Rrëfimi rrëqethës i Artur Lekbellos: Ju tregoj sëmundjen e rrallë
Ermal Mamaqi shpall sfidën e hapur me Big Brother, sot fton Damianon në emision Posted: 13 May 2017 09:32 AM PDT
Nëse Big Brother ndiqet, atëherë Ermal Mamaqi fton në program një nga banorët e Big Brother dhe madje më të përfolurin, i cili doli nga shtëpia për shkelje rregullash javën e kaluar duke shkaktuar zemëratë te një pjesë e publikut që simpatizonte lojën e tij dhe nëse ata e kanë pasur me të vërtetë kur shpreheshin "pa ty, nuk shihet BB", do e gjejnë Damianon te "Xing me Ermalin". Një gjetje absolutisht shumë inteligjente nga ana Ermalit, që nuk do realizohej nëse ai do kishte ndonjë paragjykim për personazhet e emisioneve rivale, por ja që nuk është kështu dhe sonte, Ermali do jetë më konkurrues me spektaklin e Arbana Osmanit. E sigurisht që edhe Damiano do ketë shumë për të thënë.
|
Shef Renato zbulon pjatat e preferuara të politikanëve, ҫfarë hanë Nano, Rama, Basha dhe… Posted: 13 May 2017 09:26 AM PDT
Megjithatë, në ndonjë rast, nuk i refuzon ftesat publike, me ndonjë shkëputje të vogël si e kësaj here, kur ka qenë i ftuar te programi i ri "Mos i fol shoferit" nga Rudina Dembacaj. Duke ndarë me publikun disa prej sekreteve të punës në restoranin "Umami", Renato ka zbuluar edhe disa nga recetat e preferuara të politikanëve shqiptarë, ndër të cilët edhe Kryeministri Rama, kryetari i PD-së, Lulzim Basha apo ish-lideri i së majtës, Fatos Nano. I pyetur si i ka marrëdhëniet me VIP-at, Renato thotë se del shumë rrallë t'i takojë, por nuk heziton të zbulojë ҫfarë preferojnë më shumë të hanë: "Kryeministri ha lehtë, do gjëra peshku, nuk do gjëra me yndyrë, nuk do dhjamëra, nuk do mish të rëndë, do gjëra të lehta deri në detaje" – tregon shefi duke iu referuar Kryeministrit Rama. Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha ka një sekret tjetër: "Basha vdes për burgery, nuk ka ditë që të mos hajë burgery-n e restorantit. Nëse nuk arrin të vijë në restorant, e ha në zyrë, por nuk ka ditë që të mos hajë burgery-n e restorantit." Ndërsa i preferuari me politikanëve, ai për të cilin "vdes" Renato, është Fatos Nano: "Ai është i madh, për Zotin…. Ai s'e ka problem, ma lë mua në dorë, bëj ca të duash më thotë…" – rrëfen Renato për Nanon, i cili e viziton shpesh kuzhinën e shefit.
|
Kivanc Tatlıtug lë xhirimet dhe i nënshtrohet operacionit Posted: 13 May 2017 09:15 AM PDT Aktori i njohur turk, Kivanc Tatlıtug, i cili po vijon me xhirimet e serialit "Cesur ve Guzel", me aktoren e njohur Tuba Buyukustun, i ka ndërprerë xhirimet për disa ditë për shkak të një ndërhyrjeje të domosdoshme. Rreth një vit e gjysmë më parë, aktori dëmtoi gjurin në një lojë basketbolli dhe iu desh të bënte një operacion pas dëmtimit. Së fundi, Tatlıtug ka pasur nevojë edhe për një ndërhyrje tjetër për shkak të dëmtimit të kërceve nga mbilodhja, shkruajnë mediat turke. Pasi doli nga spitali, Tatlıtug tha se ndihet shumë më mirë dhe pas pak ditësh, do të rikthehet në fushën e xhirimeve: “Kisha nevojë për një operacion të vogël pas të parit dhe tani jamë shumë mirë. Së shpejti, do t'i rikthehem grupit të punës…" – tha ai për mediat. |
Nga Edi Rama/ Pse më trishtoi pamja gjysëm e zbrazët e bulevardit sot Posted: 13 May 2017 09:13 AM PDT SHËNIMI I DITËS Nga Edi Rama Të gjithë demokratëve të zakonshëm, që e duan Shqipërinë njësoj si unë, si ne të tjerët, që s’jemi votues të Partisë Demokratike, kam dëshirë t’u them vëllazërisht sot: Mos u ligshtoni! Pamja gjysëm e zbrazët e bulevardit sot, më trishtoi edhe mua, jo më ju! Më trishtoi sepse, pavarësisht se jam kundërshtar natyral i PD-së, nuk ndjehem aspak mirë që një parti e madhe shqiptare, është katandisur sot në një fantazëm të jetës sonë politike, në arratinë e saj prej zgjedhjeve për parlamentin e ri. Më trishtoi sepse, pavarësisht se as e kam votuar e as kam për ta votuar ndonjëherë PD-në, nuk ndjehem aspak mirë që votuesit e saj kanë mbetur sot jetimë të një republike fantazëm. E cila u premtohet, si oazi i një jete ku rafsha mos u vrafsha, ku të gjitha problemet e kësaj toke, janë të zgjidhura si me magji. Më trishtoi sepse, nuk arrij dot as ta imagjinoj, se si një grusht njerëzish, më saktë dy burra, njëri i tmerruar nga drejtësia e tjetri i lemerisur nga zgjedhjet, ta asgjesojnë një forcë historike si PD-ja, për interesat e tyre krejt vetjake. Po më shumë akoma më trishtuan edhe dy fraza ilustruese të kësaj pamjeje, që flet më shumë se 1000 fjalë për katandinë e PD-së! E para ishte fraza e liderit historik, kthyer tanimë në një fantazëm digjitale: 600 mijë vetë në bulevard! E dyta ishte fraza e kryetarit që s’u bë dot lider, kthyer tanimë në një rob i gënjeshtrave të veta: 600 mijë vetë në bulevard! A ka nevojë për t’i dëgjuar më shumë, që të kuptosh se ose u ka dalë vetja krejt nga kontrolli, prej frikës së drejtësisë së re që po troket dhe lemerisë nga 18 qershori që po afron, ose pastaj tallen pa asnjë skrupull me vetë demokratët e zakonshëm, me hallet, problemet, nevojat e shpresat e tyre! Nuk e di as vetë cila nga këto të dyja është e vërteta, mbase të dyja bashkë, por një gjë është e sigurtë: Lidershipi i PD-së nuk ka më asnjë lidhje me bazën e PD-së, asnjë lidhje me ata që e kanë votuar PD-në zgjedhjet e shkuara dhe që do ta votonin prapë, nëse PD-ja nuk do të arratisej jashtë sistemit demokratik, në rrugën qorre të bojkotit të turpshëm të takimit me popullin sovran në zgjedhjet parlamentare. Përralla pa asnjë kufi dhe cinizëm pa asnjë cak, siç po tregohen e manifestohen prej lidershipit të PD-së sot, nuk janë dëgjuar e as parë qysh nga koha e rënies së komunizmit në këtë vend. Por sidoqoftë, dua t’u them demokratëve të zakonshëm, atyre që kanë njëqind e një arsye për të protestuar, njëqind e një motive për t’u ndjerë jo mirë me qeverinë tonë, njëqind e një shembuj për të treguar mbi çfarë ne nuk kemi ditur të bëjmë më mirë apo thjesht kemi bërë gabim: Unë mbase nuk e zëvendësoj dot kurrë boshllëkun që ka lënë brenda jush, arratisja e PD-së në drejtim të paditur! Ne mbase nuk arrijmë dot kurrë të ndajmë të njëjtat bindje, të njëjtat sfida, të njëjtin drejtim politik në rrugën e të ardhmes. Por me siguri, unë dhe ju, kemi sot shumë më tepër gjëra të përbashkëta, se sa ju me ata që janë ngujuar në bunkerin prej plastmasi në bulevard, nga frika e drejtësisë! Unë dhe ju, duam Vetingun për të pastruar drejtësinë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar. Unë dhe ju duam një Shqipëri që nuk lufton me miqtë e partnerët e saj ndërkombëtarë, për interesat e disa politikanëve të korruptuar, që janë kapur me thonj pas pantallonave të gjykatësve e prokurorëve të korruptuar. Unë dhe ju duam të hapim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë dhe ju duam që ekonomia të rritet më shumë e më shpejt, duke çliruar me çdo kusht drejtësinë, për të thithur më shumë investime, dhe duke fuqizuar më tej arsimin profesional, për të pasur krah pune më të kualifikuar në ekonomi. Unë dhe ju duam që çdo shtëpi të legalizohet, çdo biznes të paguajë taksat në bazë të fitimit, çdo fëmijë të ketë një shkollë të denjë dhe çdo i sëmurë të marrë shërbimin shëndetësor që meriton. Unë dhe ju, në fund të fundit, duam të shohim nga e ardhmja dhe të ndërtojmë të ardhmen në këtë vend, ndërkohë që dy udhëheqësit tuaj, duan ta pengojnë rrugën drejt të ardhmes, për të shpëtuar nga drejtësia gjykatësit e prokurorët që ju kanë mbytur juve, po njësoj si edhe socialistët e zakonshëm, për 27 vjet me radhë… Nuk ju bëj thirrje të bëheni pjesë e Partisë Socialiste, po të bëhemi bashkë në 18 qershor! Për të hapur një faqe të re në historinë e Shqipërisë që duam, me shtet, punë, mirëqenie. Nëse Partia Demokratike e shpërfilli votën tuaj, Shqipërisë i duhet edhe vota juaj! Për të ngritur më lart flamurin kuqezi të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, duke bërë shtetin tonë dhe duke e bërë Shqipërinë edhe më të respektuar nga fqinjët e nga bota ku jetojmë. Bëhuni bashkë me mua në 18 qershor dhe unë ju jap fjalën se nuk do të pendoheni, por do të ndjeheni edhe ju pjesë e vendimit të parë që do të marrë parlamenti i ri, menjëherë pas formimit të qeverisë së re: Zhbllokimi i Vetingut dhe fillimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi! Respekt për të gjithë ju, pavarësisht kundërshtive që keni ndaj meje e qeverisë sot, dhe pavarësisht nëse do të bashkoheni apo jo me mua në takimin historik të 18 qershorit. Dhe mos e harroni, 18 qershori nuk është tanimë as për mua, as për ju, po për gjithë Shqipërinë! |
Varësia nga kafeja: A me të vërtetë njerëzit konsumojnë kafe me tepri? Posted: 13 May 2017 08:35 AM PDT Zyrtarët amerikanë po hetojnë sigurinë e kafeinës në ushqime të gatshme dhe pije energjike, të shqetësuar mbi "ndikimin kumulativ" të stimulantit, i cili po i shtohet një numri gjithnjë e më të madh produktesh ushqimore. A është shoqëria jonë e ushqyer me kafe dhe çaj tepër e varur nga droga më e pëlqyer e planetit? Ibriku zien, aroma përhapet në dhomë dhe kjo është gjëja e parë që na prek qiellza në mëngjes. Është një ritual pa të cilin një ditë pune mund të jetë e tmerrshme. Dhe kjo është çfarë mendojnë miliona njerëz. Kafeina është, sipas një reviste shkencore, "droga psikoaktive" më popullore në planet. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 90 për qind e të rriturve e përdorin atë çdo ditë. Por tashmë edhe SHBA-ja, atdheu i "Coca Cola", "Starbucks" dhe pijes energjike "5-hours", po vë në pikëpyetje mençurinë e shtimit të kafesë tek ushqimet e përditshme si vaferat, farat e lulediellit apo çamçakëzët. Në një deklaratë, Agjencia Amerikane Për Ushqimet dhe Ilaçet (FDA) vuri në dukje "shembullin e pakëndshëm" të një prodhuesi çamçakëzësh, që nxori në shitje pako me tetë çamçakëzë, ku secili prej tyre përmbante aq kafeinë sa një gjysmë filxhani kafe. Për rrjedhojë të deklaratës, kompania "Wrigley" tha se do të "pezullojë" prodhimin e këtij lloji çamçakëzi. Agjencia po sheh gjithashtu edhe pije energjike me përmbajtje të lartë kafeine dhe thotë se është e shqetësuar mbi "impaktin kumulativ" të shtimit të nxitësve te produktet. Sipas administratës amerikane të shërbimeve për abuzimet me substancat dhe shëndetit mendor, numri i njerëzve që kërkojnë ndihmë në urgjencë pasi kanë konsumuar pije energjike, është dyfishuar në më shumë se 20 mijë vetë në vitin 2011. Gjithsesi, industria e pijeve energjike thonë se produktet e tyre janë të sigurta dhe këmbëngulin se nuk ka prova për ndonjë pasojë të dëmshme. Ka pasur raste të dokumentuara të overdozave fatale të shkaktuara nga "toksikimi me kafeinë", megjithëse këto janë shumë të rralla. Shkencëtarët në Universitetin "Johns Hopkins", që studiojnë cilësitë e kafeinës që shkaktojnë varësi, kanë zbuluar se heqja dorë nga kafeja mbart simptoma të tilla si shenja lodhje, dhimbje koke, vështirësi në përqendrim, dhimbje muskujsh dhe të përziera. Por nuk ka asnjë lloj konsensusi shkencor që të thotë se përdorimi i kafeinës është i dëmshëm. Një studim i fundit nga Shkolla e Shëndetit Publik në Harvard, sugjeron që "konsumimi i kafesë nuk ka asnjë pasojë negative serioze në shëndet" dhe se po të pish deri në gjashtë filxhanë në ditë (kafe amerikane) "nuk ka asnjë rritje rreziku për vdekje nga asnjë shkak i mundshëm". Në masa të moderuara, kafeina mund të ketë disa efekte pozitive. Kërkimet e ndryshme sugjerojnë se konsumimi i kafesë mund të sjellë reduktim të rrezikut për kancerin e prostatës dhe kancerin e gjirit. Një studim i fundit argumentoi se pirja e kafesë dhe çajit shoqërohet me një normë më të ulët rreziku për diabetin e tipit 2. Për rrjedhojë, FDA-ja ka premtuar se do të punojë për të përcaktuar se cili është niveli i duhur i konsumit të kafeinës. Lëvizja e agjencisë është mikpritur nga ata që kanë frikë se kafeina ka zënë tepër hapësirë në jetët tona, duke u shfaqur shpesh në produkte ku nuk pritet të jetë. "Shumë njerëz thjesht nuk janë të ndërgjegjshëm sesa shumë kafeinë po konsumojnë", thotë Lynne Goldman, dekane e Shkollës për Shëndetin Publik në Universitetin "George Washington". Për rrjedhojë, thotë ajo, ata mund të krijojnë në mënyrë të pandërgjegjshme probleme për veten, të tilla si pagjumësi, mungesë tretjeje dhe presion të lartë gjaku. Është veçanërisht shqetësuese për prindërit, të cilët mund të mos e kenë të lehtë të rregullojnë nivelin e konsumit të kafeinës nga fëmijët. Por të sfidosh hegjemoninë e kafeinës mund të jetë një detyrë e vështirë në një planet që konsumon 120 mijë tonë nga kjo substancë çdo vit. Në Finlandë, vendi më i kafeinizuar i botës, një i rritur konsumon mesatarisht 400 mg nga kjo drogë çdo ditë, e barabartë me katër apo pesë filxhanë kafeje, dhe e barabartë me limitin maksimal të rekomanduar nga Agjencia Britanike për Standardet Ushqimore. "Ne mendojmë se kur përdoret në mënyrë të moderuar, kafeina nuk sjell asnjë rrezik", thotë Sanna Kiuru, një zyrtar i lartë tek "Evira", agjencia e sigurisë ushqimore të Finlandës. "Në përgjithësi janë të rriturit ata që pinë kafe, jo fëmijët. Për ne niveli i konsumit është i moderuar." Por edhe të dashurit e mëdhenj të kafesë, finlandezët, janë shqetësuar nga rritja e fortë e pranisë së stimulantit në trupin e tyre. "Ne kemi qenë të shqetësuar mbi rritjen e pranisë së kafeinës në ushqime të ndryshme", thotë Kiuri. Pijet energjike me kafeinë të shumtë në Finlandë janë detyruar të mbajnë etiketa paralajmëruese, një praktikë që do të shtrihet në të gjithë Bashkimin Europian nga viti 2014. "Për shumicën e konsumatorëve të kafeinës, përfitimi kryesor është që duke nxitur vëmendjen, ndihmon të bësh më shumë punë. Kjo është ajo çfarë e bën të veçantë kafeinën mes substancave që përdoren për kënaqësi", thotë Stephen Braun, autor i një libri mbi alkoolin dhe kafeinën. "Joshja jonë nga kafeja është se ajo na ndihmon të fitojmë para", shton ai. "Ajo që e dallon nga drogat e tjera është se përdoret si një mjet për të përmirësuar produktivitetin, jo për kënaqësi, si kanabisi, apo si një relaksues, si alkooli." Analogjia më e afërt ndoshta është gjethja e kokas, e cila përtypet nga punëtorët për t'u dhënë atyre energji shtesë në vende si Peruja dhe Bolivia. Nuk është rastësi, beson Braun, që popullariteti i kafeinës shpërtheu në Europë në shfaqjen e revolucionit industrial, kur gara për produktivitet gjithnjë e më të lartë u përshpejtua. Shumë nga mendjet krijuese të historisë janë lidhur gjithashtu me disa tregime me të vërtetë epike mbi konsumimin e kafeinës. Sipas një biografi, shkrimtari francez Balzak pinte deri në 50 kafe në ditë. "Nëse nuk do të ishte për kafenë, nuk do të mund të shkruash dhe nëse nuk mund të shkruash, atëherë nuk mund të jetosh", tha ai në një rast. Për shtatë vjet, regjisori David Lynch konsumoi të njëjtën darkë në Los Anxhelos çdo ditë, duke pirë deri në shtatë filxhanë me kafe të ëmbëlsuar "me shumë sheqer", në një stil jetese që garantonte "shumë ide të mira". Ludvig van Bethoven thuhej se me durim të jashtëzakonshëm numëronte 60 kokrra kafeje për filxhan kur e përgatiste atë. Ndoshta tregimi më i mirëpublikuar i kohëve të fundit mbi konsumimin e tepërt të kafeinës është ai i këngëtarit Robbie Williams, për të cilin thuhet se konsumonte 36 filxhanë ekspres kopjo dhe 20 kanoçe pije energjike çdo ditë. "Në fakt pirja e kafesë kthehet në një detyrë rutinë, po aq sa edhe cilësitë nxitëse të kafeinës, ato që e bëjnë procesin kaq të rëndësishëm", thotë Mason Currey, autor i një libri me titull "Rituale të përditshme: Si punojnë artistët". "Shumë artisë përdorin procesin e bërjes së kafesë si një rrugë drejt procesit krijues", shton ai. "Duhet të krijosh kushtet e përshtatshme mendore për të bërë këtë lloj pune dhe rituali i përgatitjes siguron përqendrimin." Por përpjekjet për të ndaluar përhapjen e kësaj substance historikisht kanë rezultuar të pafrytshme. Më 1911-n, qeveria e SHBA-së hodhi në gjyq "Coca Cola"-n për arsye se besonte se kafeina në pijet e saj ishte "e dëmshme për shëndetin", por kompania triumfoi nëpër gjykata. Një nga problemet në përpjekjet për të rregulluar këtë substancë, thotë Braun, është se ajo ndikon te njerëz të ndryshëm në mënyra të ndryshme – njerëzit kanë psikologji dhe metabolizëm të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe kjo gjë e bën të vështirë përcaktimin e një limiti maksimal sigurie që të mund të funksionojë për çdokënd. "Si përfundim, duhet të bëhesh shkencëtar i vetvetes – nuk ka një alternativë për eksperimentim mbi veten", thotë ai. Shumica e njerëzve e kanë kuptuar vetë se sa shumë, sa pak çaj apo kafe mund t'i lejojnë vetes. Por kritikët thonë se kjo nuk vlen për rastet e pijeve energjike dhe ushqimeve të përbëra me kafeinë, efektet e të cilave argumentohet se janë më të vështira për t'u gjykuar nga vetë njerëzit. Gjithsesi, sado fitimprurëse të jenë këto produkte për prodhuesit e vet, Currey dyshon se ato kurrë nuk do të marrin mistikën që kanë filxhanët e kafesë apo çajit. "Ka diçka që nuk është fare speciale në këto produktet e reja", thotë ai. "Po të blesh një pije energjike në një dyqan mallrash të lirë, nuk e ka kurrsesi klimën e shijimit të një filxhani kafeje. Unë nuk mund të imagjinoj biografët e artistëve dhe shkrimtarëve të së ardhmes duke përshkruar konsumimin e pijeve energjike me të njëjtën dashuri siç është përshkruar konsumimi i kafesë nga artistët e së shkuarës." Sa e shëndetshme është kafeja juaj? Në anën pozitive, kafeja njihet se është një produkt përplot me antioksidantë, të cilat ndalojnë molekulat e tjera që të oksidohen dhe të prodhojnë radikalë të lirë. Gratë që pinë dy apo më shumë kafe në ditë kanë më pak gjasa të hyjnë në depresion, arsyetojnë disa studime. Gjithsesi, ka studime që kanë vënë re një lidhje mes konsumit të lartë të kafeinës dhe nivelit të lartë të kolesterolit apo presionit të lartë të gjakut. Kafeina sipas pijes Pija Kafeina (mg) Sasia Kafe 77-150 170g Çaj 40-80 142g Coca-Cola 34.5 340g Pepsi 38 340g Red Bull 80 235g Burimi: ARIZONA STATE UNIVERSITY Konsumuesit më të mëdhenj të kafesë në botë për banor në vit Finlanda: 12 kg Norvegjia: 9.9 kg Islanda: 9 kg Danimarka: 8.7 kg Holanda: 8.4 kg Suedia: 8.2 kg Zvicra: 7.9 kg Belgjika: 6.8 kg Kanadaja: 6.5 kg Bosnja dhe Hercegovina: 6.2 kg |
Majlinda Bregu: Pse isha në protestë dhe mesazhi që i dhanë sot demokratët Bashës Posted: 13 May 2017 08:13 AM PDT Nga Majlinda Bregu Shumëkush më pyeste a isha në protestë sot. Po! Për bindjen time dhe forcën e një zakoni që nuk dua ta harroj kurrë. I thashë vetes se pavarësisht fajit të madh të mospjesëmarrjes në zgjedhje, vend për të protestuar ka që ç'ke me atë punë. Kundër kësaj qeverie dhe të keqes që e ndeshim çdo ditë, ka vend për të protestuar gjithmonë. Ka vend për të protestuar kundër papunësisë që po pranohet si sëmundje kronike e pakurueshme; kundër arritjeve imagjinare që në fakt janë dështime reale të qeverisë që në katër vjet i ndau shqiptarët në të nënës e të njerkës. Ka arsye për tu revoltuar kundër krimit me pushtet e atij qe shkatërroi familje si në luftë, krimit të rrugës që hyn deri në shtëpi. Ka vend për të protestuar se të rinjtë më shumë dëgjojnë historitë e shokëve që i mbyt hashashi dhe ligjëratat e pafundme me hashash, sesa flasin për dashuritë e njëri tjetrit apo dëgjojnë fjalë dashurie për këtë vend. Ka njëmijë arsye që shqiptarët të duan të mos qeverisen më nga ky pushtet i kthyer në fatalitet (edhe për fajin tonë) dhe nga këta që sot janë kthyer si oborrtarë të një mbretërie të dhuruar madje dhe qeshin me ne! Por më ndjeni, kjo e sotmja, boshllëqet e bulevardit sot, janë një mesazh i qartë për të gjithë ata që duan të shohin e të dëgjojnë me sytë e veshët e demokratëve që sot janë më shumë se kurrë vetëm. PD nuk mund të simulojë revoltën që nuk e udhëheq dot, sepse Republika Imagjinare në një luftë imagjinare me një maxhorancë që është reale dhe e rrezikshme, nuk funksionon. PD nuk mund të flasë me vete dhe të jetojë e mbyllur në një çadër ku vetë flet e vetë dëgjon! Sot nevoja për rindërtimin e PD-së doli në pah në sytë e shumë njerëzve dhe çdo ditë që kalon do ta bëjë më ulëritëse. Është një nevojë e PD-së, por është më shumë akoma një nevojë e Shqipërisë! Shqipëria pa PD, është një shtëpi pa dritare! I jam bashkuar PD-së si një Parti që e krijuan njerëzit, jo iluzionet, liria për të folur dhe jo frika për të menduar, nevoja për të ndryshuar jo ikja nga e ardhmja. Sot duhet të kthehemi kokëulur tek njerëzit. Nëse nuk duam që në vend të fantazisë së Republikës së Re të kemi një Mbretëri të Re ne realitetin e vrazhdë ku me duart tona po lejojmë një presidencializëm turk, duhet të shohim të vërtetën dhe jo te mbyllim sytë duke imagjinuar se ne bulevard kishim gjys milioni njerëz! Besoj tek kjo Parti e forca e saj për ndryshim,sepse besoj tek të gjithë ata që erdhën sot nga larg, por dhe tek ata demokratë që na qëndruan larg. Shumë më larg se më 18 shkurt. S'kanë faj! Fajin e kemi ne! Ne që nuk dallojmë qëllimet nga interesat dhe interesat nga frikërat! E kam thënë se e besoj. Sali Berisha është Një dhe nuk mund të përsëritet, as mund te kopjohet. Kjo parti ka nevoje për vizion dhe udhëheqje, jo për predikime për atë që nuk do të vijë asnjëherë. Por sot burra e gra që s'kanë ç'të ndajnë me njëri tjetrin më shumë se dëshirën e vullnetin e përbashkët dhe të patjetërsueshëm për të rindërtuar PD-në, është e udhës të mishërojnë në lidershipin e PD-së, shpirtin e atyre që erdhën në Bulevard për të shembur Republikën e vjetër dhe u kthyen duarbosh në varfërinë, braktisjen, harresën në të cilën jetojnë të përçmuar e dhunuar nga kjo qeveri e vjetër. Te cilën, po e rinojmë me vjetërsinë e padurueshme të fantazisë infantile që vetëm program nuk është! |
Varoufakis: Greqia do bëhet një protektorat i ngjashëm me Kosovën Posted: 13 May 2017 07:43 AM PDT Ish-ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis parashikon se Greqia do të bëhet një protektorat i ngjashëm me Kosovën “Ne do të bëhemi si Kosova. Një protektorat i administruar nga një punonjës i Bashkimit Evropian. ATM-të kanë euro, por produkti i vetëm që ato nxjerrin është njeriu i ri. Kjo është e ardhmja që tentohet me saktësi matematike në Greqi”, tha ish-ministri i Financave në një intervistë për SKAI. “Nuk ka asnjë marrëveshje të re, por ka kapitullim të ri. Tsakalotos nuk bëri marrëveshje. Pasi u firmos në verën e vitit 2015 memorandumi, në paragrafin e parë u shkruajt se qeveria greke është e angazhuar për të rënë dakord me institucionet kreditore, duke pranuar më një farë mënyre të jetë skllave e tyre”, shtoi Varoufakis. Ish-ministri i Financave këmbëngul se e vetmja zgjidhje për vendin është reduktimi i borxhit duke thënë se “ne i fituam zgjedhjet për shkak se Samaras nuk e mbylli dot Memorandumin e Dytë, pasi nuk mund ta bënte këtë me një borxh të paqëndrueshëm”. Varoufakis thotë se qeveria e parë e SYRIZA-s ishte një “mundësi e artë për t’u përplasur dyshen Shable-Lagarde dhe për t’u thënë se ose do të na nxirrni jashtë eurozonës me kosto politike ose do të pranoni propozimet që ishin të pranueshme nga Merkel dhe kjo mund të bëhej me shkëmbim të borxhit ose debt swaps”, thekson ish-ministri. |
A u dhunua Arbana Xharra nga këto qëndrime? Posted: 13 May 2017 07:38 AM PDT Ish-gazetarja e njohur kosovare, Arbana Xharra, e cila së fundi është angazhuar në politikë, duke u bërë pjesë e PDK-së, është dhunuar barbarisht nga persona ende të paidentifikuar në Prishtinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01.00 pas mesnate në një parking në afërsi të shtëpisë së saj, ndërsa Xharra kthehej nga Tirana, ku ishte e ftuar në emisionin "Oktapod" në Vizion Plus. Si pasojë e dhunës fizike ajo ka marrë plagë dhe është dërguar në spitalin e Prishtinës. Gjendja shëndetësore paraqitet e mirë dhe pas marrjes së mjekimit është larguar. Policia mbërriti në vendngjarje pas informacionit të marrë për sulmin. Hetimet për të zbuluar autorët e tij vazhdojnë, por ende nuk ka asnjë person të ndaluar. Motivet gjithashtu janë të panjohura. Por, pak orë përpara sulmit, Xharra bërëi disa deklarata të forta në studion e "Oktapod": ajo dënoi ashpër axhendën islamike të Erdoganit në Kosovë. Xharra shpjegoi edhe se përse nuk iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, madje duke e quajtur atë sekt politik. Xharra deklaroi gjithashtu se vihet re një rritje e ndikimit rus në rajon. Ish-kryeredaktorja e të përditshmes "Zëri", ka qenë fituese e çmimit ndërkombëtar prestigjioz për "Gra të Guximshme", që jepet nga sekretari amerikan i Shtetit. Për qëndrimet e saj kritike, ndaj saj janë bërë edhe kërcënime për jetën nga ekstremistët. Intervista e plotë të Xharrës me Turjan Hyskën në Oktapod:
|
Mediat botërore për dhunën ndaj Arbana Xharrës Posted: 13 May 2017 06:54 AM PDT Sulmi ndaj Arbana Xharrës nga persona ende të panjohur, ka pasur jehonë edhe në mediat botërore. Agjencia britanike e lajmeve Reuters shkruan se gazetarja e njohur, e cila së fundi iu bashkëngjit një partie politike, të cilën e kishte kritikuar për një kohë të gjatë, është rrahur të shtunën në një parking veturash në afërsi të apartamentit të saj. Arbana Xharra ishte kryeredaktore e gazetës "Zëri" para bashkimit me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë më të madhe në vend, citon Reuters, sipas të cilit burime pranë partisë kanë bërë të ditur se ajo kishte planifikuar që të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare muajin e ardhshëm. Xharra ishte e njohur për shkrime që akuzonin zyrtarët në PDK dhe parti të tjera për korrupsion dhe nepotizëm, shkruan agjencia britanike, e cila kujton se sulmi ndaj Xharrës është dënuar nga liderët e Kosovës dhe atyre të partive politike. Edhe agjencia e lajmeve amerikane AP i ka kushtuar vëmendje sulmit të Arbana Xharrës. AP shkruan se Xharra është rrahur natën e kaluar dhe se motivet e sulmit ende nuk dihen, ndërkohë që policia është duke hetuar rastin. Media e njohur amerikane thekson se Xharra është nderuar në vitin 2015 me çmimin e Departamentit të Shtetit International Women of Courage Award dhe se ajo ka qenë e njohur për shkrimet e saj kundër korrupsionit, ekstremistëve islamikë dhe politikës. |
Rrëfimi rrëqethës i Artur Lekbellos: Ju tregoj sëmundjen e rrallë Posted: 13 May 2017 05:11 AM PDT Maksimalja që mund të jetosh me këtë sëmundje është tri vjet, por unë kam arritur në vitin e pestë. Shpresoj që Zoti të jetë me mua në vazhdimësi". Një rrëfim rrëqethës, që askush nuk do të donte ta tregonte. Por, Artur Lekbello, ish-lojtari i njohur i Kombëtares shqiptare dhe Tiranës në vitet '80-'90, ka ende forcë. 51-vjeçari ka folur dje për mediat greke rreth problemit të rëndë që ka me shëndetin. Teksa falënderoi veteranët e Arisit të Selanikut, që i ndodhen pranë në këto çaste, Lekbello theksoi se po merr shumë forcë nga mbështetja e tifozëve. Klubi selanikas, ku ish-mbrojtësi luajti për katër sezone dhe la gjurmë të paharruara, ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese, për të mbledhur sa më shumë para të jetë e mundur, në mënyrë që Lekbello të kurohet në një nga klinikat e specializuara.
SËMUNDJA "Së pari, dua t'i falënderoj të gjithë veteranët e klubit të Arisit, që ndërmorën këtë nismë për të zhvilluar një ndeshje miqësore për mua dhe të më ndihmojnë. Kam një sëmundje, ku maksimalja që mund të jetosh është 3 vjet, por falë Zotit unë kam arritur në vitin e pestë. Pasi kuptova për sëmundjen që kisha, fëmijët e mi e morën në dorë këtë situatë dhe bënë disa kërkime jashtë Greqisë. Për fat të mirë, ndodhet një klinikë e specializuar në Gjermani dhe një në Amerikë, që janë shumë të përparuara për sa i përket kësaj sëmundjeje", thotë fillimisht Lekbello. Mirëpo, problemin e tij nuk e dinë shumë njerëz dhe Arturi mundohet ta shpjegojë hollësisht. "Unë nuk doja që kjo çështje të merrte përmasa të tilla, pasi doja të bëja luftën time. Prita se mos ndoshta sëmundja do të ndalonte vetvetiu, pra nëse do të reagonte organizmi im. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot. Sëmundja quhet 'pamjaftueshmëri muskujsh'. Ajo fillon nga duart ose këmbët", tregon ish-futbollisti i Arsit të Selanikut. MBËSHTETJA Jeton prej vitesh në Selanik të Greqisë dhe natyrisht ka bërë shumë miq, jo thjesht për periudhën 1991-1998, kur ka luajtur tek Aris, por edhe për natyrën e tij. Arturi ka qenë një idhull për tifozët verdhezi, prandaj dhe sensibilizimi për të është i gjithanshëm. "Që kur u bë publike sëmundja, shumë shokë më kanë marrë në telefon dhe më qëndrojnë pranë. Kjo më jep forcë të madhe për të vazhduar betejën. Këtë gjë e ndiej nëpërmjet fjalëve të ngrohta dhe urimeve që më japin, pasi janë forca ime për të vazhduar", ka përfunduar Lekbello./Panorama Sport |
You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |