Tirana Observer: “Berisha: E vërteta e marrëdhënies sime me Metën” plus 9 more |
- Berisha: E vërteta e marrëdhënies sime me Metën
- Berisha: Përse i thashë Topallit “e deklasuar”, ç’mendoj për Selamin dhe Bregun
- Euro në nivelin më të ulët të 10 viteve
- Këshilli i Qarkut promovon rajonin e Tiranës, turistë të huaj në “takim me traditën” te Pazari i Ri
- 10 herë kampion boksi, ky është boksieri që u plagos me armë në Shkodër
- Merret vendimi: Eda Zari dënohet me 6 muaj burg!
- Protesta e opozitës, më 13 maj në bulevard
- Xhenxhefili 10 mijë herë më i mirë se kimioterapia për të luftuar kancerin
- Basha sulmon edhe ambasadorët për Kavajën: Bënin vetëm deklarata
- “Tani që shpirtin ma grabitën” – Cikël poetik nga Sokrat Habilaj
| Berisha: E vërteta e marrëdhënies sime me Metën Posted: 06 May 2017 09:09 AM PDT Ish-kryeministri, Sali Berisha në një intervistë të dhënë për emisionin "Kjo Javë" të gazetares, Nisida Tufa në "News 24" ka komentuar zgjedhjen e Ilir Metës në postin e Presidentit të Republikës duke dhënë detaje edhe rreth raporteve personale mes tyre. Zoti Berisha ne kemi Presidentin e ri të Republikës në Shqipëri, i cili ishte dhe nuk ishte surprizë për shqiptarët në momentin që u zgjodh, por mungoi mendimi juaj. Sa herë lakohet emri juaj, zoti Meta është gjithnjë dashamirës, pse mungoi mendimi juaj për Presidentin e ri. Pse kjo? Unë mendoj se Presidenti i ri u zgjodh në një moment thellimi krize. E kam theksuar dhe e theksoj nuk kishte opozita pretendime për postin e Presidentit, por vendi kishte më nevojë se kurrë për një proces në zgjedhjen e Presidentit, siç është bërë katër vite më parë me zgjedhjen e Nishanit, pa patur probleme të tilla madhore krize. Në mendimin tim ka pasur prej kohësh një marrëveshje të vendosur që postin e Presidentit ta kishte LSI-ja, ndonëse pranoj që mazhoranca i kishte votat dhe mundësitë për ta zgjedhur Presidentin dhe opozita e sigurt, nuk kishte pretendime për postin e Presidentit. Por, këtë vit, më shumë se kurrë ky proces duhet të ofrohej si një proces negocimi, dialogu për të bërë një hap real më tej në zgjedhjen e krizës. Në këtë kontekst, unë e kam shprehur se kjo zgjedhje vetëm sa thellon më tej krizën dhe për mua kjo përbën një problem serioz. Ju jeni shprehur menjëherë pas zgjedhjes së Presidentit me një status në Facebook, se është në lartësinë apo ngritjen në përgjegjësi përpara eleminimit të zotit Meta… Ekzakt! Sepse, 4 vite me radhë, sidomos 3 të parat, Edi Rama bëri një betejë të paimagjinueshme për eliminimin e Ilir Metës në të gjitha mënyrat, me qëllimin e vetëm për të marrë LSI, e cila për hir të së vërtetës i nxjerr Edi Ramës telashe shumë të mëdha. Pasi dështoi në këtë përpjeke, e vërteta është se Meta ia ktheu reston çdo ditë atij, nuk la rast pa e goditur për çështjet më madhore, qoftë për reformën në drejtësi qoftë dhe për vështrimin e krizës, të cilën ai e parandjente, që një krizë e thellë po duket në horizont dhe kërkonte zgjidhjen e saj. Pra, nuk ka qenë një marrëdhënie e lumtur mes tyre, ka patur divergjenca? Rama mendon se duke e çuar President do mundë të shtrijë tentakulat e tij mbi aleatin më të vogël LSI. Ta shohim, koha është përpara. Doja t'ju pyesja edhe për marrëdhënien tuaj me zotin Meta, cila është ajo? Marrëdhëniet e mia me të, janë marrëdhëniet që janë midis një opozitari dhe një qeveritari. Të tilla janë. Por kjo, as për zotin Meta, as për zotin Rama po të ishte, nuk më pengon mua asnjëherë të vlerësoj çdo hap pozitiv të bërë me transparencë. Zoti Meta gjatë drejtimit të Parlamentit është përpjekur të krijojë hapësirat, në kundërshtim me vullnetin e PS, t'i krijojë opozitës hapësirat e nevojshme në parlament. Ka pasur një debat lidhur me kohën që më jepet për të folur. Edi Rama nuk e njeh parlamentin. Ai njeh vetëm veten e tij. Shkaku më kryesor që ai përfundoi jashtë parlamentit, ne dolëm me vendim kurse ai kishte një muaj e gjysëm që nuk shkelte më në parlament, ishte vetja e tij. Sepse nëse kryeministri vjen në Parlament dhe flet përçart, dhe flet jo për një temë të caktuar por flet çdo gjë dhe vjell vrer vetëm ndaj opozitës, i krijon opozitës të gjitha mundësitë t'ja kthejë dyfish atij. Ne nuk hezituam për ta bërë këtë. Nga ana tjetër, Meta ndërhyri vendosmërisht në një moment kritik për votimin e neneve të Kushtetutës. Bëri një gabim fatal mbrapa, kur votoi ligjet në kundërshtim me Kushtetutën, por Kushtetutën ne nuk po e votonim, dhe i qëndroi edhe ai presioneve, pasi ato nene që kërkonin të votoheshin kishin për qëllim ta shpallnin Edi Ramën monark të drejtësisë shqiptare, çka me kushtetutë nuk është, e ka marrë me ligje por të jesh e sigurtë që shqiptarët edhe atë do ia heqin.
|
| Berisha: Përse i thashë Topallit “e deklasuar”, ç’mendoj për Selamin dhe Bregun Posted: 06 May 2017 09:07 AM PDT Ish-kryeministri, Sali Berisha në një intervistë të dhënë për emisionin "Kjo Javë" të gazetares, Nisida Tufa në "News 24" ka komentuar sot zërat kritikë brenda PD-së, si Jozefina Topalli, Eduard Selami dhe Majlinda Bregu që i kanë kërkuar Bashës t'i japë fund vendimit për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Përqendrohemi pak edhe tek zërat kundër te PD siç është zonja Topalli, zonja Bregu apo dhe zoti Selami. E kanë kritikuar kryetarin e PD se nuk ka mbledhur forumet drejtuese prej kohësh. Madje zoti Selami arriti tha se kur ishte Berisha nuk ndodhte kjo. Për shkak të një pozicioni që kam, nuk ndërhyjë absolutisht në debatin e brendshëm të partisë. Ajo që mendoj se ka një vlerë shumë të madhe është që të ketë hapësira që secili të shprehë mendimin e tij përndryshe partia humbet karakterin demokratik të saj. Po pra po a është gabim mos mbledhja e grupit parlamentar të PD? Kryetari mund ta kishte mbledhur, vetëm se vendimin për bojkotin e parlamentit e ka marrë grupi parlamentar i PD. Ky vendim ishte i detyruar nga lëvizja, nga revolucioni që filloi. Unë i mirëkuptoj kritikët tanë pse u larguam nga parlamenti, shumë e drejtë se s'mund të themi që nuk është. Por problemi është se revolucioni që nisi dhe që vazhdon pa ndërprerje, ata të cilët po vazhdojnë dhe po e bëjnë nuk e shihnin, nuk e përtypnin dot praninë tonë në parlament me kundërshtarët tanë. Ne jemi në çadër dhe bulevard, parlamenti për ne ka marrë fund thonin. Kështu që në këtë kontekst nuk ishte ky një vendim i vullnetshëm por një vendim i diktuar nga revolucioni. Ndaj dhe them që një herë e udhëheq ndërsa herën tjetër të udhëheq ai ty. Në mbledhjen e grupit parlamentar si i patë reagimet? Secili aty shprehu mendimin e vet por përveç mendimeve të njohura, mbështetja ka qenë totale për linjën që po ndiqet. Në mbledhje e quajtët zonjën Topalli "e deklasuar". Ishte një shaka e imja ajo!
|
| Euro në nivelin më të ulët të 10 viteve Posted: 06 May 2017 08:11 AM PDT Euro ka prekur këtë javë nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit duke u këmbyer në tregun shqiptar me 134.5 lekë. Edhe pse në tregjet ndërkombëtare monedha e përbashkët europiane është forcuar me 2.5%, e ndikuar nga pritshmëritë e sondazheve për zgjedhjen e Macron si president në Francë, në Shqipëri është duke ndodhur efekti i kundërt, raporton Tv Klan. Qarkullimi në sasi të mëdha i euros ka dhënë këtë efekt në kursin e këmbimit që prej tremujorit të fundit të vitit që shkoi, ndërsa vetë banka Qendrore ka nisur hartimin e një plani masash për reduktimin e përdorimit të saj. Dollari amerikan ka rënë po ashtu me 4 pikë, duke bërë që leku të fitojë terren ndaj të gjitha valutave. |
| Këshilli i Qarkut promovon rajonin e Tiranës, turistë të huaj në “takim me traditën” te Pazari i Ri Posted: 06 May 2017 07:27 AM PDT Nëse mendoni se janë valltarë, gaboheni! Nëse mendoni se janë vendas, jo…! Pas tyre fshihet tradita dhe kultura e një kombi tjetër! Pazari i Ri pasditen e 4 Majit u shndërrua në një arenë të vërtet spektakli. Të shohësh një franceze që ia merr pogonishtes apo një spanjolle që kërcen vallen e Tropojës është vërtet mbresëlënëse. Nathalie Cauqil, Marie Pascale dhe Marie Formaux nga Franca, Julieta Souza dhe Juliana Lorenzoni nga Brazili, Simona Jovic nga Serbia, Anne Myntti nga Finlanda, Olalla Moya, Marta Cuevas nga Spanja dhe Heather Serginia nga SHBA, erdhën për disa orë në Tiranë për të mësuar vallet tona tradicionale me qëllim përqafimin e kulturës dhe traditës së bukur Shqiptare. Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës vlerësoi këtë nismë e cila është risi për vendin tonë, por një traditë në shumë qytete evropiane. "Me skuadrën e institucionit të Këshillit të Qarkut Tiranë i sollëm ata në epiqendrën më të re të Tiranës, në sheshin e "Pazarit të Ri", duke shndërruar pasditen e 4 Majit në një eksperiencë unike për shpërndarjen e vlerave tradicionale, kulturore të Rajonit të Tiranës, përtej kufijve. Nuk do ta besoni që në këtë organizim, në mënyrë spontane, për rreth 3 orë, u bënë pjesë edhe të rinj e të reja qytetarë të ndryshëm në një atmosferë fantastike, nën shoqërimin e solistëve të baletit Gencit dhe Helgës, balerinëve të Shkollës së Baletit dhe instrumentistëve popullorë. Për Edlirën, mjeshtren e kostumeve popullore kemi një falënderim të veçantë për ekspon me vlerë që ju bashkua eventit", theksoi Dalipi. Ai shtoi se këto evente i shërbejnë promovimit të bashkisë dhe rajonit të Tiranes për të cilin institucioni i Këshillit të Qarkut është shumë i fokusuar. Kreu i Qarkut, Aldrin Dalipi bashkë me nënkryetarin e Bashkisë Tiranë përshëndetën turistët e huaj duke vlerësuar Tiranën që sot ka mundësi të jashtëzakonshme si kurrë më parë për evente të tilla, pasi pazari ri e më pas Sheshin "Skënderbej", etj. do jenë atraksione fantastike për një Tiranë që tashmë ka kaluar kufijtë duke fluturuar shumë lart. |
| 10 herë kampion boksi, ky është boksieri që u plagos me armë në Shkodër Posted: 06 May 2017 07:15 AM PDT Ndaj boksierit të Vllaznisë Nelson Hysa, është kryer një atentat ku boksieri ka mbetur i plagosur me dy plumba. Ngjarja e rëndë ka ndodhur tek Dervishbeg në qytetin e Shkodrës ku dy persona me motor kanë qëlluar me armë zjarri ndaj boksierit. Burime pranë boksierit bëjnë me dije se Hysa është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën. Nelson Hysa është qëlluar me armë sapo ka dalë nga berberi. Boksieri i peshave të rënda të Vllaznisë Nelson Hysa është një nga figurat e njohura të sportit në vend. Ai është shpallur 10 herë kampion i Shqipërisë. Ai gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit "Mexico Guerreros" që merr pjesë në Ligën gjysmëprofesioniste WSV. |
| Merret vendimi: Eda Zari dënohet me 6 muaj burg! Posted: 06 May 2017 06:17 AM PDT Çështjet e pronësisë janë bërë shpesh shkak për grindje, apo përplasja mes pjesëtarëve të një familje në realitetin shqiptar. Duket se këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar edhe këngëtarja e njohur e muzikës Jazz, Eda Zari. Disa vite më parë lajmi se Eda Zari ka dhunuar fizikisht të ëmën, bëri buje. Shkak janë bërë konfliktet e pronësisë, të cilat kanë krijuar hendekun e shëmtuar mes një nëne dhe një bije. Nëna e saj e ka akuzuar të këngëtaren se e ka keqtrajtuar fizikisht. Arsyeja kanë qenë disa falsifikime që Eda ka bërë në dokumentet e pronave të familjes, duke falsifikuar firmën e të ëmës. Zhane Zari, ka paditur vajzën e saj për dhunën e ushtruar, dhe sipas Bluetooth gjykata ka marrë vendimin për ta dënuar këngëtaren e Jazz-it me 6 muaj burg. Vuajtja e dënimit të pandehurës do të fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi. |
| Protesta e opozitës, më 13 maj në bulevard Posted: 06 May 2017 05:28 AM PDT Zyrtarisht Partia Demokratike lajmëroi që në 7 maj nuk do të ketë protestë në Kavajë, por ajo bëri thirrje për një tjetër protestë masive që do të mbahet të shtunën e 13 majit në Tiranë. "Në manifestimin e më të madh që Shqipëria ndonjëherë ka njohur, të forcës së vendosur paqësore, por të pathyeshme të qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për themelin e republikës së re", deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha. Basha tha në fjalimin e tij në çadrën para Kryeministrisë se anulimi i zgjedhjeve në Kavajë ishte rezultat i bashkimit qytetar, sipas tij. "Tërheqja nga Kavaja nuk është dhuratë, as lëmoshë, por tërheqje e detyruar nga refuzimi masiv i kavajasve për t'u keqpërdorur ditën e dielë dhe sprapseje e detyruar nga projektimi i bashkimit me të madh qytetar të shqiptarëve, të qytetarëve, që ishte bërë gati të marshonte drejt Kavajës, të çlironte Kavajën dhe nga Kavaja të niste çlirimin e republikës së re anembanë Shqipërisë", deklaroi ai. Opozita vijon të mos tërhiqet nga kushti i saj se zgjidhja vjen nga një qeveri teknike. |
| Xhenxhefili 10 mijë herë më i mirë se kimioterapia për të luftuar kancerin Posted: 06 May 2017 04:08 AM PDT Xhenxhefili është një bimë shumë e dobishme. Ai tashmë nuk përdoret vetëm në kuzhinë si erëz, lëng ose vaj, por si një ilaç për inflamacion, dhimbjen barkut, stomakut, humbjen e oreksit etj. Por një studim rreth xhenxhefilit do të tërheqë edhe më shumë vëmendjen për të, për shkak të efekteve të fuqishme mbi kancerin. Jo vetëm kaq por është zbuluar se është më efektiv sesa kimioterapia. Sipas një studimi të bërë nga Universiteti Shtetëror i Gjeorgjisë ekstrakti i xhenxhefil është në gjendje të zvogëlojë madhësinë e tumorit të prostatës tek minjtë me 56%. Studiuesit thanë se ai shkatërroi qelizat kancerogjene duke lënë vetëm qelizat e shëndetshme. Kjo e bën atë të ndryshme nga kimioterapia e cila nuk e bën selektimin e qelizave, që do të thotë se ato mund ta dëmtojnë pacientin duke i shkaktuar efekte anësore. |
| Basha sulmon edhe ambasadorët për Kavajën: Bënin vetëm deklarata Posted: 06 May 2017 04:07 AM PDT Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot, pas tërheqjes së Kryeministrit për të zhvilluar zgjedhjet lokale në Kavajë se atje ishte bërë gjithçka për një masakër elektorale duke filluar që nga caktimi i kandidatëve e deri tek votimi. “Në një vend kaq të dashur si Kavaja me një kontribut të shquar në historinë tonë 27-vjeçare të demokracisë, krimi vuri përfaqësuesin e vet më ogurzi atje, Elvis Rroshim, që pas betejave ligjore, më në fund u detyrua të tërhiqej; ku kreu i PS-së vendosi bashkëshorten e tij, e cila më në fund u detyrua të tërhiqej dhe ku ish-kryebashkiaku, vendosi të kandidonte mëkëmbësin e tij! Pra, gjithçka ishte përgatitur për votime fasadë, njerëzit ishin kërcënuar dhe bandat brenda pushtetit kishin bërë gjithçka për një masakër elektorale në Kavajë. Këto i dinë socialistët në Kavajë, madje edhe përfaqësuesit e vendeve të huaja këtu në Tiranë. Askush nuk kishte ndërmend të bënte asgjë, – tha Basha. Kreu i PD-së nuk la pa shigjetuar edhe ambasadorët: “As Edi Rama nuk kishte ndërmend të tërhiqte nga ky projekt, ambasadat u kufizuan me deklarata dhe nganjëherë pa deklarata fare, qytetarët ulën kokën para krimit…Asgjë nuk kishte për të ndodhur, por gjithçka u përmbys sepse e vetmja forcë që mund ta ndalë, i vetmi faktor që mund të përballet dhe fitoi përballë krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit me krim, jeni ju, shqiptarët e bashkuar dhe të vendosur që nuk do të kthehen nga kjo rrugë e fitores në Kavajë dhe në gjithë Shqipërinë.” |
| “Tani që shpirtin ma grabitën” – Cikël poetik nga Sokrat Habilaj Posted: 06 May 2017 02:55 AM PDT Cikël poetik nga Sokrat Habilaj 1-GRIMCAT TONA Po, ne jemi mijëra grimca të ndara, Dhe kur në pluhur bëhemi harresë. Sërish e nisim ndarjen nga e para, Grimcat që mbeten ndajmë në mes.
Ca grimca s'dihet ku ikën si malle. Në dashuri, zënë peng nga të tjerë. Ca grimca me kohë janë në varre, Po emri ynë nuk është në mermer.
Ca grimca të tjera i ka lodhë udha, Qafën thefshin, si duam në portë. Se janë imazhe grash që si putha, A imazhe burrash! Për ty flas kot!
Ulemi të dy përball si pas një lufte, Të shohim sa gjëra i kemi mangët. Po s'të pyes për grimcat që humbe, E ty në gulçe loti, të kthehen fjalët.
Pastaj zgjat dorën tek ty, si fshehur, Ti shikimin fshehur, mbi mua tretë. Unë jam grimca që të kam mbetur, E ti e vetmja grimcë, në një skelet.
2-DUKE NDJEKUR TY Duhet të di gjithçka, në detaj, Për avionët, lartësitë e frikën. Sa kohë që atje, diku në skaj, Është një grua që si mall ikën.
Për trenat që harbohen si kuaj, E malin e shqyejnë me dalldi. Sa kohë që pas xhamit, e huaj, Është një grua, ikur në arrati.
Dhe të njomë cepin e shamisë, Në ëndrra që e mundin burrin. Sa kohë në trenin që u gremisë, Është një grua që ma heqë trurin.
Të di për sëmundjet, gjithçka, Kur vijnë papritur, nëpër natë. Sa kohë që pranë teje, në krah, Është një grua që thua s'dihat.
Për qelizat dhe për indet e butë, E që duhet me frymë të preken. Sa kohë duke u lutur:-Më puth! Është një grua që rivretë veten.
Pastaj të gjej ku shfaqen plagët, Në pore, në gjinj. Ah jo në gjinj! Sa kohë që, ndërsa si ule armët, Është një grua që s'fle në brinjë.
Dhe kur frikën ta kem lënë pas, A ankthet që i kisha në mendje. Të flak tej çarçafët, të të rivras, Të prish gjumin se më çmende!
3-MOTRAT Si imazhe yjesh enden në eter, Po katër heqin dorë nga vetja. E kjo në jetë ndodhë njëherë, Ditën që martohet e pesta!
Në pasqyrë, nuk rrinë gjatë, Druhen njëlloj, njëra e tjetra. Druhen se mos bëhen shkak, E nuk ndrin sa duhet e pesta.
Natën e fundit,grisin shpirtin, Bëjnë modele flokësh në letra. Shpikin të kuq, rimel shpikin, Të zbukurohet vetëm e pesta.
Kur të gjithë sytë shohin atë, Të katër motrat ndihen të qeta. E njëra prej tyre dëgjon një zë, Po ti, kur do bëhesh "e pesta"?
Ajo në çast kthehet në ëndërr, Thotë ca fjalë, jo aq të thjeshta: -Atë ditë që ti, do jesh dhëndër, Atë ditë, unë do jem "e pesta"!
4-BALADË PËR ATA QË S'U VRANË NË LUFTË Mund të vriteshim vite më parë, Para një muaji, a ndoshta dhe dje. Ata që pas nesh mbetën të gjallë, Me kohë do na mbulonin me dhè.
Mund të vriteshim sapo nisi lufta, Para një çasti mund të ishte fundi. E s'do bënim as sherre e zhurma, Si grinden ata që si mori plumbi.
As të ikurit s'i nxirrnim nga dheu, Kur të ndenjurat ndjenin dridhjet. As edhe brinjët që varri i mprehu, Si kthenim në gozhdë për karriget.
As punët s'linim për ndere të kota, Që për ta, të vinim lule në mermer. As pyesnim për fjalët që thotë bota, Fundja vdekja e di vetë se kë merr.
As si zamkë s'do bëheshim të butë, As për poste s'do t'i shisnim gratë. Ne mund të vriteshim dhe në luftë, Po u vranë të tjerë, ne s'patëm fat.
5-TANI QË SHPIRTIN MA GRABITËT Ju po rrëmbeni çfarë gjeni nga unë, Fjalët e pathëna e ëndrrat e trishta. Edhe pse po më ktheni në një cung, S'lutem:-Mos m'i merrni të gjitha!
Vargjet e bërë për shpirtra të tjerë, Rimat ku kam fshehur tërë mallet. M'i shkulët egër, e më latë djerrë, Sërish s'lutem:-Të paktën vargjet!
Unë s'pyeta:- Pse m'i pretë degët? E as për dhimbjet e mia s'bëra zë. Se përgjigjen tuaj e dija më herët, -Gjithçka është jona, ti s'ke asgjë!
Po kur të më vijë çasti për të ikur, Dhe pjesë të mia do t'i shoh tek ju. Ashtu gjysmak do çohem papritur: -I vdekuri nuk mund të iki kështu!
E do pyes ju që më bëtë shumëfish, Ndërsa pas, më ndiqni në heshtje. -Vërtet ndoshta jeta ime, juaja ish' Më thoni:-E kujt është kjo vdekje?
E nga supet ku më mbani do zbres, Me dënesat tuaja, pa fund do luaj. Ju ma vodhët shpirtin, pjesë-pjesë, Ndërsa tani jam unë në mortin tuaj! |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





