“Sulm kibernetik në spitalet e Britanisë” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Sulm kibernetik në spitalet e Britanisë” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Sulm kibernetik në spitalet e Britanisë

Posted: 12 May 2017 09:07 AM PDT

Spitalet në gjithë Britaninë u detyruan të anulonin takimet, pasi pësuan një sulm të dyshuar kibernetik. Spitalet në Londër, në veriperëndim të Anglisë dhe në pjesë të tjera të vendit raportuan probleme me sistemet e tyre kompjuterike. "Ooops, dosjet e juaja janë të koduara", është mesazhi që është shfaqur në ekranet e kompjuterëve në Shërbimin e Shëndetit Kombëtar të Britanisë. Për të rikthyer qasjen në kompjuterë, është kërkuar të paguhet. Agjencia Kombëtare për Krim tha se është e njoftuar me raportet, por nuk dha më shumë detaje. Rastet emergjente janë referuar në spitale të paprekura.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjykata në Baku urdhëron bllokimin e ueb-faqes së REL-it

Posted: 12 May 2017 08:43 AM PDT

Një gjykatë në Azerbajxhan urdhëroi bllokimin e disa ueb-faqeve të pavarura, përfshirë edhe atë të shërbimit azer të Radios Evropa e Lirë. Gjykata e Qarkut në Baku tha se kërkesa e Ministritsë së Transportit, Komunikimeve dhe Teknologjisë së Lartë, për bllokimin e qasjes në ueb-faqe, duhet të përmbushet. Përveç ueb-faqes së shërbimit azer, ndalesa prek edhe gazetën Azadliq, televizionin Meydan dhe dy programe televizive në internet. Ministria ka kufizuar qasjen në këto ueb-faqe qysh më 27 mars, me udhëzim të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, e cila ka thënë se ato paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Azerbajxhanit. Prokuroria ka thënë se ueb-faqet kanë "përmbajtje që promovon dhunë, urrejtje, ose ekstremizëm". Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, tha se veprimi i Ministrisë është përpjekje "për censurë të hapur, me qëllim frikësimin e shtypit të pavarur". Sipas Kent, kjo nuk tregon asgjë tjetër pos "përbuzjes së të drejtave themelore dhe konventave ndërkombëtare".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Xhaferi: Zgjedhja ime është fillimi i fundit të krizës politike

Posted: 12 May 2017 08:15 AM PDT

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, shfaqi shpresën së presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, do t'i japë mandatin për formimin e qeversë liderit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, por shtoi se qeveria mund të zgjidhet edhe pa të, me propozim të shumicës parlamentare. Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Xhaferi tha se shkuarja e VMRO DPMNE-së në opozitë është realitet dhe se zgjedhja e tij në krye të parlamentit është fillimi i fundit të krizës politike. "Zgjedhja e kryetarit të kuvendit është pikëfillimi i përfundimit të kësaj krize politike, e cila ka arritur kulmin me hyrjen e qytetarëve në Parlament, më 27 prill. Mendoj se ky ka qenë kulmi i seriozitetit të situatës dhe se të gjithë jemi vetëdijesuar si bartës të funksioneve politike dhe shtetërore", tha Xhaferi. I pyetur nëse pret që Ivanov sërish të bëjë përpjekje për të shmangur dorëzimin te Zaevi të mandatit për formimin e qeverisë së re, Xhaferi tha se dëshron që Ivanov ta bëjë atë brenda kohës së përcaktuar me Kushtetutë, por nuk e përjashtoi edhe të kundërtën. "Në atë rast, qeveria mund të zgjidhet me propozim të shumicës së deputetëve", tha Xhaferi dhe shtoi se është i gatshëm edhe për këtë variant. "Duhet të jem i gatshëm për çdo variant si kryetar i parlamentit dhe, brenda kompetencave që kam, të veproj me kërkesën e shumicës së deputetëve", tha Xhaferi. Sipas tij, zgjedhja e qeverisë me kërkesën e shumicës parlamentare është tërësisht legjitime, sepse, siç tha, Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës parashohin juridiksionin e parlamentit për zgjiedhjen e qeverisë dhe asnjë institucion tjetër nuk mund ta parandalojë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

As Qeveria e ardhshme nuk mund t’iu ikë Demarkacionit dhe Asociacionit

Posted: 12 May 2017 07:30 AM PDT

Pavarësisht mospajtimeve të mëdha ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, që çoi drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe shpalljes së zgjedhjeve të reja të parakohshme, problemet me të cilat vendi do të vazhdojë të përballet, thonë njohës të rrethanave, do të jenë pothuaj të njëjta. Sipas tyre mosmiratimi dhe mosprocedimi i çështjeve të rëndësishme, siç ishte ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, i ka dhënë fundin koalicionit qeverisës që, siç thonë ata, nuk ka funksionuar siç duhet. Zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë u shpallën nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi për t'u mbajtur më 11 qershor, një ditë pasi Qeveria nuk i mbijetoi një mocioni mosbesimi të ngritur nga partitë në opozitë. Mocionit iu bashkua edhe partneri në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas analistit Ramush Tahiri pretendon ta marrë "udhëheqjen e Qeverisë" dhe, sipas tij, "proceset e rëndësishme për vendin t'i çojë përpara'. "Llogaritjet e PDK-së janë se me zgjedhje të parakohshme në këtë moment mund ta forcojë pozicionin e vet dhe mund ta marrë edhe pozitën e kryeministrit me disa parti më të vogla satelite", tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë. Një analist tjetër në Kosovë, Ismail Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se "lidershipi i deritashëm në vend nuk i është qasur siç duhet çështjeve të rëndësishme", por sipas tij, 'sjellja e njërit partner në koalicion ngreh pikëpyetje të shumta'. "Mosmarrëveshjet mund të jenë shpërfaqur në mënyrë të heshtur, mund të ketë pasur edhe shtyrje bërrylash brenda për brenda Qeverisë. Por ajo çka ndodhi, që është e paprecedentë, është bashkëngjitja në unison mocionit të opozitës nga partneri kryesor i koalicionit", tha Hasani. Rënia e Qeverisë e ka vënë Kosovën përpara sfidave meqë, siç thonë njohësit e rrethanave politike, 'Qeveria e ardhshme duhet të vihet përballë konsolidimit të vendit'. Analisti Ramush Tahiri thotë se reformat në drejtësi por edhe përmbushja e obligimeve për liberalizim të vizave, si dhe procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, janë sfidat e të ardhmes. "Ligji dhe rendi, luftimi i krimit dhe korrupsionit këto janë çështjet që e bëjnë shtetin të funksionojë si shtet dhe që tranzicionin ta kalojë më lehtë. Sfidë kryesore është përshpejtimi i proceseve euro-atlantike ose euro-integruese të Kosovës dhe gjithashtu zhvillimi ekonomik. Ne kemi një rritje ekonomike, por nuk kemi investime të huaja", tha Tahiri. Për njohësin e rrethanave politike në vend, Ismajl Hasani, qeverisja e ardhshme duhet të merret seriozisht me çështjen e Demarkacionit dhe pastaj edhe me çështjet e tjera të rëndësishme për qytetarët dhe vendin në përgjithësi. "Çështja e Demarkacionit është detyrë imediate e Qeverisë së ardhshme në çfarëdo varianti që ajo themelohet. Por në të njëjtën kohë, janë edhe problemet që janë të lidhura me Bashkësinë e komunave. Në të njëjtën kohë, edhe me problemet e tjera që Kosovës mund t'i shfaqen gjatë rrugës sepse skena politike në Kosovë përfundimisht është tronditur", tha Hasani. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi një ditë pasi e shpërndau Kuvendin, përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të gjetur një datë të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme, që do të përputhej me kornizën ligjore. Në takim nuk u paraqit askush nga partneri i deridjeshëm, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tha se nuk "e pranon si president'. Megjithkëtë, zyrtarët e LDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se "do të marrin pjesë në zgjedhje, dhe se data e zgjedhjeve është detyrë e Presidentit". Analisti Ramush Tahiri tha se nuk priten ndryshime të mëdha nga zgjedhjet e ardhshme pasi, sipas tij, nuk janë bërë reformat e duhura zgjedhore dhe "pak mund të ketë ndryshime në radhitjen e partive politike". "Gjasat janë që të ketë krizë institucionale, të mosbërjes së një Qeverie të konsoliduar jo vetëm të numrave por edhe përmbajtësore. Do të thotë se [nëse] mund të kemi një Qeveri, nuk pres që mandati i saj të zgjasë me shumë se dy vjet", tha Tahiri. Rënia e Qeverisë së Kosovë dhe nxitja e zgjedhjeve të reja të parakohshme, thonë analistët mund të sjellë vendin në një gjendje të ngjashme me atë të vitit 2014, kur bllokada politike zgjati më shumë se gjashtë muaj. Kosova që prej shpalljes së pavarësisë së saj, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh, meqë pothuaj secila prej tyre është detyruar të dorëhiqet pas votimeve të mosbesimit në Kuvend. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Xhaferi: Ivanovin e presim 10 ditë, pas kësaj për Qeverinë vendos Parlamenti

Posted: 12 May 2017 07:10 AM PDT

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi në takimin e parë me gazetarë ka prezantuar aktivitetet e institucionit ligjvënës, ndërsa theksoi se Qeveria e re do të zgjidhet edhe pa mandatin e presidentit Gjorge Ivanov. Xhaferi tha se do të pres deri më 19 maj kur duhet të skadojë afati për dhënien e mandatit liderit social-demokrat, Zoran Zaev dhe nëse këtë ai nuk e bën, atëherë sipas tij shumica parlamentare mund ta paraqes për miratim në Kuvend programin dhe përbërjen e qeverisë së re. "Në ditën e 11, nëse pranoj propozim-program dhe propozim-përbërjen e qeverisë së re, e kam për obligim ta caktoj seancën. Nuk kam nevojë që ta lus askënd. Unë jam i obliguar ta pres Ivanovin deri në skadimin e afatit prej 10 ditësh, pastaj gjithçka varet nga shumica parlamentare", ka deklaruar Xhaferi. Kryetari i Kuvendit tha se shumica parlamentare ka të drejtë të zgjedh qeverinë ndërsa Ivanovi nuk ka të drejtë të mos e dorëzojë mandatin. "Juridikisht nuk ka pengesa për zgjedhjen e qeverisë pa dhënien e mandatit, pasi nëse Ivanovi nuk e ndanë mandatin, ai vepron në kundërshtim me Kushtetutën", ka theksuar Xhaferi. Ai tha se nuk pret që të përsëritet skenari i 27 prillit në Kuvend, kur protestuesit u futën dhunshëm në shtëpinë ligjvënëse duke qëlluar mbi deputetët. Ndërkohë,lideri i LSDM-së, Zoran Zaev tha se javën e ardhshme do t'ia dorëzoj kreut të shtetit garancitë e kërkuara për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, që të mund të merr mandatin për formimin e qeverisë së re. "Po mundohemi që përmes kabinetit tim dhe kabinetit të Ivanovit sa më shpejtë ta miratojmë tekstin e deklaratës me qëllim dhënien e mandatit. Nuk kemi për qëllim të shkaktojmë antagonizëm ose arsye të reja dhe pengesa që të mos jepet mandati. Menjëherë kur të miratohet mes dy kabineteve tona, ajo deklaratë për garantimin e unitarizmit, integritetit territorial, kushtetutshmërinë, euro-integrimet, Marrëveshjen e Ohrit, gjithë atë që është e nevojshme, do të kërkoj takim publik", ka deklaruar Zaev.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Xhaferi në takim me gazetarët

Posted: 12 May 2017 07:09 AM PDT

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në takimin e parë me gazetarët në Kuvend, të cilët i ka njoftuar për aktivitetet e organit ligjvënës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Poroshenko: Liberalizimi i vizave shënon divorcin e Ukrainës nga Perandoria ruse

Posted: 12 May 2017 05:55 AM PDT

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenonko ka thënë se marrëveshja e liberalizimit të vizave, në mes vendit të tij dhe Bashkimit Evropian shënon "divorcin nga Perandoria ruse". Poroshenko ka folur sot, një ditë pasi BE-ja miratoi liberalizimin e vizave për ukrainasit. "Sot Ukraina ka finalizuar divorcin nga Perandoria ruse", ka thënë ai gjatë një interviste televizive. "Pikërisht kështu duhet ta shohim këtë në terma filozofik", ka thënë ai. "Ëstë dalje nga një histori më shumë se 300-vjeçare... dhe sot Ukraina kthehet në shtëpi". Përfaqësuesit e Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian pritet që ta vulosin vendimin për liberalizimin e vizave për Ukrainën në Strasburg më 17 maj. Vendimi do të hyjë në fuqi më 11 qershor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vizita e delegacionit amerikan në Kosovë

Posted: 12 May 2017 05:33 AM PDT

Një delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve i kryesuar nga kongresisti Bob Goodlatte nga Virginia, Kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin, po qëndron në vizitë në Kosovë. Ky delegacion është pritur nga udhëheqës të institucioneve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Erdogan: Vizita në SHBA, moment historik

Posted: 12 May 2017 04:39 AM PDT

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është shprehur i bindur se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara do të shënojë një "moment historik", në marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s, që tashmë janë të tensionuara. Turqia është zemëruar nga vendimi i Uashingtonit për të furnizuar me armatim grupin e kurdëve sirianë, të njohur si YPG, të cilin, Ankarajae konsideron grup terrorist. YPG lufton kundër grupit militant Shteti Islamik. Erdogan ka thënë sot se ai shpreson sebisedimet me presidentin amerikan, Donald Trump, që do të zhvillohengjatë vizitës së tij në SHBA më 16 dhe 17 maj, do të çojnë drejt ndryshimit të vendit të SHBA-së. Ai në një konferencë për media ka thënë se beson se Shtetet e Bashkuara janë në një "periudhë tranzitore" dhe se një vendim i tillë. Për të armatosur YPG-në, daton nga politikat e administratës paraprake. Erdogan gjithashtu ka thënë se do të kërkojë ekstradimin e klerikut turk, Fethullah Gulen, për të cilin Ankaraja thotë se e ka planifikuar grusht-shtetin e dështuar të vitit të kaluar. Gueln, i cili jeton qe një kohë të gjatë në SHBA, ka mohuar çdo përfshirje në puçin e vitit 2016.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zaev: Gjashtë deputetë të VMRO-së ndihmuan dhunën në Kuvend

Posted: 12 May 2017 04:12 AM PDT

Gjashtë deputetë të VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit, kanë ndihmuar dhunën në Kuvend më 27 prill ku në shënjestër të protestuesve ishin deputetët e LSDM-së dhe partive shqiptare, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas marrjes në pyetje nga Prokuroria Publike e Shkupit për ngjarjet në institucionin ligjvënës. "Dy deputetë të VMRO DPMNE-së kanë marrë pjesë në heqjen e profileve të hekurit nga dera kryesore kurse katër të tjerë kanë orientuar masën për tek salla e konferencës për mediat ku gjendeshin deputetët e shumicës parlamentare. Këtë e them nga dëshmitë e siguruara nga incizimet brenda Kuvendit, por edhe nga ato që tanimë po qarkullojnë në opinion. Nuk e di se si këtë nuk po e shohin kolegët deputetë nga VMRO-ja", ka deklaruar Zaev. Kreu i LSDM-së dhe i nominuari i kësaj partie për kryeministër tha se qëllimi i grupit që pushtoi Kuvendin ishte, sipas tij, "vrasja e deputetëve të partisë së tij, por edhe të partive tjera të shumicës parlamentare". Ai tha se dëshmitë që ka paraqitur do t'i shërbejnë zbardhjes së këtij rasti të tmerrshëm të paraparë jo vetëm në Maqedoni por edhe në asnjë vend tjetër në botë. "Sot isha në prokurorinë publike si palë e dëmtuar, një nga ata që ishin objekt i drejtpërdrejt i sulmit nga masa e futur në Kuvend, e cila kishte për qëllim të vriste deputetë përmes një plani të hartuar mirë dhe me paramendim. Besoj se dëshmitë do të ndihmojnë në zbardhjen e dhunës dhe ia lë profesionistëve të vendosin se për cilën vepër do të përgjigjen sulmuesit", ka deklaruar Zaev, duke kërkuar përgjegjësi për çdo veprim që kishte ndodhur natën e sulmit në Kuvend. Nga VMRO DPMNE-ja kanë mohuar pretendimet e kreut të LSDM-së, duke theksuar se ai përmes shpifjeve të tilla tenton të fsheh, siç thuhet, "tradhtinë ndaj atdheut me miratimin e platformës së Tiranës dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në mënyrë joligjore". Nga partia e Gruevskit thonë se me kohë janë distancuar nga aktet e dhunës, por ritheksojnë se "më 27 prill LSDM-së i ka ndodhur populli, i cili me të gjitha mjetet të mundshme do të vihet në mbrojtjen të karakterit unitar të shtetit." Lidhur me ngjarjet në Kuvend ndaj 30 personave Prokuroria ka paraqitur kallëzime penale, dhjetë të tjerë janë identifikuar dhe pritet të ndalohen nga Policia, ndërsa me 25 të tjetër po merren në pyetje. Por, në anën tjetër tre nga organizatorët kryesorë të pushtimit të Kuvendit mbeten ende në liri duke vijuar me organizimin e protestës para Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë. Në pyetje nuk janë marrë as punonjësit e Policisë, të cilët po ashtu dyshohen të kenë ndihmuar në sulmin ndaj deputetëve, e që ishte denoncuar edhe nga vet ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu. Ai si një nga fajtorët ka apostrofuar edhe drejtorin e Byrosë së Sigurisë Publike, Mitko Çavkov për pengimin apo moszbatimin e urdhrave për ndërhyrjen e policisë. Nuhiu kishte kërkuar shkarkimin e tij, por procedura ka mbetur në Qeveri, e cila edhe bën emërimin e tij. Ekspertët thonë se kjo vështirë se do të ndodhë duke marrë parasysh lidhjet e tij me Qeverinë teknike, që drejtohet nga VMRO-ja. "Ministri ka kompetenca vetëm se të propozoëj por jo edhe të shkarkojë nga detyra drejtorin e Byrosë së Sigurimit Publik pasi ai zgjidhet nga qeveria dhe shkarkimi i tij është në kompetencë të Qeverisë. Duke marrë parasysh rrethanat, dihet se ajo nuk do ta shkarkojë atë nga detyra, por ka edhe një mundësi tjetër e cila nuk përmendet në ligjin e Policisë, e që ka të bëjë me Prokurorinë. Nëse prokurori do të inicionte kundër drejtorit Çavkov procedurë penale, atëherë kjo do t'i mundësonte ministrit suspendimin e tij nga detyra" , thotë eksperti i sigurisë, Qebir Avziu. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dhjetëra të vrarë nga një shpërthim në Pakistan

Posted: 12 May 2017 04:02 AM PDT

Zyrtarët pakistanezë kanë thënë se nga shpërthimi i një bombe, që goditi konvojin e një ligjvënësi, i cili po udhëtonte në provincën Baloçistan, janë vrarë të paktën 25 persona dhe janë plagosur mbi 30 të tjerë. Zëvendëskryetari i Senatit, Maulana Abdul Ghafoor Haider u ka thënë gazetarëve se ai ka pësuar lëndime të lehta trupore nga shpërthimi. Zyrtari shëndetësor, Sher Ahmet Satakzai, ka thënë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe 10 të tjerë janë në gjendje kritike. Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi në qarkun Mastung, kur konvoji po dilte nga një xhami. "Jam gjallë, Allahu ma shpëtoi jetën. Shpërthimi ndodhi papritur, copëzat e xhamave më goditën, jam lënduar por kam shpëtuar", ka thënë Haideri për televizionin privat SAMAA. "Shoferi dhe pasagjerët e tjerë që ishin ulur afër meje janë lënduar rëndë", ka treguar ai. Zyrtari policor, Mohamed Akbar ka thënë se dhjetëra persona janë lënduar dhe që të gjithë janë dërguar për trajtim në spitalin kryesor në Mastung. Zyrtari policor në Mastung, Ghazanfar Ali Shah ka thënë se konvoji duket se është sulmuar nga një sulmues vetëvrasës. Sidoqoftë, zëdhënësi i qeverisë, Anëarul Haq Kakar, ka thënë se shpërthimi ka ndodhur nga një bombë që ishte vendosur në rrugë. Ai ka treguar se nga shpërthimi janë lënduar disa anëtarë të partisë Jamiat Ulema-e-Islam, të cilës i takon Haideri. Lideri i kësaj partie, Maulana Fazlur Reham është i njohur si pro talibanëve dhe kundërshton qëndrimet e SHBA-së.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

U.d. i drejtorit të FBI, refuzon të përgjigjet nëse Trump është nën hetime

Posted: 12 May 2017 02:13 AM PDT

Ushtruesi i detyrës të drejtorit të FBI-së, ka dhënë deklarata kontradiktore me ato të Shtëpisë së Bardhë, mbi disa çështje, sa i përket shkarkimit nga detyra e shefit të FBI-së, James Comey, teksa ka dëshmuar në një seancë dëgjimore në Senat. Andrew McCabe i ka bërë këto komente në Komitetin e Inteligjencës së Senatit më 11 maj, vetëm dy ditë pasi presidenti Donald Trump e ka shkarkuar Comey. Ai ka thënë se hetimi i agjencisë Andrew për lidhjet e mundshme mes zyrtarëve rusë dhe bashkëpunëtorëve të Trumpit "është jashtëzakonisht i rëndësishëm". "Ne e konsiderojmë se ky hetim është shumë i rëndësishëm", ka thënë McCabe. Më 10 maj, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë kishte minimizuar rëndësinë e hetimit, i cili po vazhdon, krahas me hetimet që po zhvillojnë komitetetet e inteligjencës së senatit dhe dy panele të Kongresit. Shkarkimi i Comey habiti shumë ligjvënës dhe thelloi pyetjet lidhur me administratën Trump dhe pavarësinë e agjecive të sundimit të ligjit nga presioni politik. Ndonëse tema e panelit para komitetit të senatit ishin "kërcënimet në mbarë botën", ligjvënësi demokrat, Mark Warner, tha se hetimet për Rusinë dhe shkarkimi i Comey, ishin temat kryesore. "Është e vështirë të shmangim se vendimin e presidentit për të shkarkuar Comey lidhet direkt me këtë hetim", ka thënë ai. Kryesuesi i këtij komiteti, republikani Richar Burr, ishte njëri nga disa ligjvënës republikanë që publikisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkarkimin e Comey. Pyetja e tij për McCabe ishte nëse ai ka dëgjuar Comey ti ketë thënë Trumpit se ai nuk është subjekt i asnjë hetimi. Por McCabe refuzoi të përgjigjej në këtë pyetje. Por, presidenti Donald Trump, në një intervistë dhënë për NBC, ka thënë se Comey , tri herë i kishte thënë atij, se nuk është pjesë e asnjë hetimi. "E kam pyetur atë [Comey]. I thash 'nëse rastësisht jam pjesë e ndonjë hetimi, a do të më tregosh?'. Ai më tha 'Ti nuk je duke u hetuar'", ka thënë Trump. Që prej shkarkimit të Comey, Shtëpia e Bardhë e ka justifikuar vendimin e presidentit Trump, duke thënë se Comey kishte humbur besimin e punëtorëve të FBI-së dhe të publikut. Megjithatë, një qëndrim të tillë e kundërshtoi McCabe. "Kjo nuk është e saktë. Mund të ju them se drejtori Comey ka gëzuar mbështetje nga jashtë si dhe brenda FBI-së, dhe ende ka mbështetje", tha ai. Presidneti Donald Trump ka ndryshuar po ashtu komentet e tij lidhur me arsyen e shkarkimit të Comey. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin thënë fillimisht se Trump e kishte shkarkuar Comey, pasi kishte marrë rekomandim nga Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rob Rosenstein dhe Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, për siç thuhej, keqmenaxhimin e hetimit të emaileve të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton. Por, në intervistën për NBC, Trump tha se pavarësisht këtyre rekomandimeve, ai kishte vendosur vet që ta shkarkonte Comey. "Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein ka bërë rekomandimin. Ai është një njeri i respekutar, demokratët e pëlqejnë, republikanët po ashtu. Ai bëri një rekomandi por pavarësisht kësaj, unë do ta shkarkojna Comey", ka thënë Trump. Duke folur për hetimin ndaj Rusisë, McCabe u ka thënë senatorëve se nuk ka pasur asnjë pengim për hetimin e byrosë për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. (REL) Përgatiti: Mimoza Sadiku

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Autoritetet turke arrestojnë mbi 50 persona

Posted: 12 May 2017 02:06 AM PDT

Autoritetet turke kanë arrestuar mbi 50 persona, si pjesë e një hetimi për bursën e Stambollit. Agjencia e lajmeve, Anadollu ka raportuar sot se 57 persona janë arrestuar në 6 provinca të ndryshme, nën dyshimin se kanë lidhje me klerikun Fethullah Gulen. Më herët, gazeta Haberturk ka raportuar se të arrestuarit ishin ish-punonjës të bursës së Stambollit, të cilët u shkarkuan nga postet e tyre, pas grusht-shtetit të dështuar të korrikut të vitit të kaluar. Ankaraja akuzon Gulenin se ka planifikuar grusht-shtetit dhe po kërkon që Shtetet e Bashkuara ta ekstradojnë në Turqi. Dhjetëra mijëra persona janë arrestuar dhe më shumë se 140,000 shërbyes civilë, personel të sigurisë dhe akademikë janë larguar nga puna pas grusht-shtetit të dështuar. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pritet që të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump më 16 maj në Uashington. Është raportuar se ai do të kërkojë nga presidenti Trump, esktradimin e klerikut Fethullah Gulen.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kongresmeni Goodlatte takon ministrin Hoxhaj

Posted: 12 May 2017 01:24 AM PDT

Një delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve i kryesuar nga kongresisti Bob Goodlatte nga Virginia, Kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin, po qëndron në vizitë në Kosovë, ku është pritur nga udhëheqës të institucioneve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Delegacioni i Kongresit amerikan në Kosovë

Posted: 12 May 2017 01:09 AM PDT

Një delegacion i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite në disa vende të Ballkanit, për të diskutuar çështje të ndryshme që ndërlidhen me rajonin. Delegacioni dypartiak i Kongresit amerikan i udhëhequr nga kryetari i Komisionit juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresisti Bob Goodlatte ka takuar në Prishtinë, kryeministrin, Isa Mustafa dhe ministrin e jashtëm, Enver Hoxhaj. Gjatë takimit me kryeministrin në largim të Kosovës, Isa Mustafa, sipas një komunikate për media u bisedua për progresin e deritashëm, zhvillimet aktuale si dhe perspektivën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës në vitet në vijim. Mustafa ka folur për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, relacionet me shtetet në rajon, suksesin e arritur në luftën kundër terrorizmit dhe për përkushtimin e plotë të Kosovës në rrugën integruese euroatlantike. "Për Kosovën dhe popullin e saj, anëtarësimi i plotë në strukturat euroatlantike, ndryshe prej ndonjë vendi në rajon, është e vetmja alternativë", ka deklaruar Mustafa. Ndërkaq, kongresistët amerikanë, sipas komunikatës, vlerësuan të arriturat e deritashme të Kosovës duke theksuar përkrahjen e SHBA-ve për zhvillimet e mëtejshme.Po ashtu, vijon komunikata, ata u interesuan për çështje të ndryshme që lidhen me zhvillimet aktuale në Kosovës, për relacionet me vendet fqinje, forcimin e shtetit të së drejtës, për zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Kurse gjatë takimit me ministrin e jashtëm të Kosovës në largim, Enver Hoxhaj, është biseduar për zhvillimet e fundit në rajon dhe për përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në Ballkan, "duke iu kundërvënë vendeve perëndimore dhe duke penguar rrugën e integrimeve evroatlantike të vendeve të Ballkanit" thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.  Gjithashtu është folur edhe për ndikimet e tjera anti-perëndimore në Ballkan dhe për luftën kundër ekstremizmit. Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se ministri Hoxhaj ka theksuar se "Kosova është e përkushtuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serinë përmes dialogut, që po zhvillohet me ndërmjetësim të partnerëve ndërkombëtarë. Ministri Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara dhe rolin që ka ShBA-ja në ndërtimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. "Kemi biseduar për miqësinë dhe mbështetjen që ShBA-ja vazhdon t'ia japë Kosovës ndër vite dhe rolin e saj në shtet-ndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Po ashtu, diskutuam se si Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) dhe mbështetjen amerikane në këtë drejtim", ka thënë Hoxhaj. Delegacioni, sipas agjendës, takohet edhe me një pjesë të shoqërisë civile. Vizita e përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Kosovë bëhet pas qëndrimit në Maqedoni dhe Shqipëri dhe bisedave me zyrtarët e lartë atje për çështjet që ndërlidhen me dy vendet. Delegacioni i Kongresit amerikan zhvillon vizitën në Kosovë në kohën kur janë shpallur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të nxitura nga shpërbërja e Kuvendit, pas një mocioni mosbesimi për Qeverinë nga ligjvënësit e Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Navalny thotë se do të organizojë tubime në 147 qytete të Rusisë

Posted: 12 May 2017 12:50 AM PDT

Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është rikthyer në shtëpinë e tij më 11 maj, pas një operacioni që ka kryer në Spanjë, i cili tha se do t'ia rikthejë shikimin në syrin e lënduar. Ai tha se pas shërimit do t'i rikthehet punës për të planifikuar demostratat e paralajmëruara. "Jam kthyer", ka shkruar Navalny në Twitter, teksa u bëri thirrje mbështetësve të tij, përmes një videoje të postuar në YouTube që të marrin pjesë në tubimet anti-korrupsion muajin e ardhshëm, që tha se janë planifikuar të mbahen në 147 qytete ruse. Navalny tha se dekreti presidencial, i lëshuar këto ditë, përmes së cilit forcohen rregullat për të mbajtur protesta të tilla, nuk do ta ndalë atë që të planifikojë protestat. Lideri opozitar po planifikon që të garojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm. Ai ka thënë se do të udhëtojë në mbarë vendin për të mbajtur fushatë.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Punëtorët shëndetësorë ‘nuk kanë kujt t’i drejtohen’ për problemet

Posted: 11 May 2017 11:55 PM PDT

Punëtorët shëndetësorë kanë paralajmëruar vazhdimin e angazhimeve sindikale në shenjë pakënaqësie me, siç kanë thënë, 'mos reflektimin e Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të tyre'. Një numër protestash dhe grevash janë organizuar në muajt e fundit nga punëtorët e shëndetësisë, që kanë shprehur pakënaqësitë e tyre fillimisht me pagat e ulta dhe me, siç thonë, kushtet e punës. Federata Sindikale e Shëndetësisë paralajmëroi një tjetër protestë të punonjësve të shëndetësisë, por thanë se kërkesat do t'i barten një Qeverie të ardhshme me rënien e Qeverisë aktuale, pas një mocioni mos besimi në Kuvendin e Kosovës. Blerim Syla nga Federata Sindikale ka bërë të ditur se protesta do të mbahet jo përpara Qeverisë së Kosovës, siç ishte planifikuar, por brenda në institucionet publike shëndetësore. "Ne kemi paralajmëruar protestë përpara Qeverisë, por meqë kjo Qeveri është në largim, ne do ta bëjmë një organizim sindikal; protestë brenda institucioneve publike shëndetësore, e cila do të vlejë për partitë politike, që ta kenë sistemin shëndetësor prioritet", tha Syla. Sindikalistët e shëndetësisë janë ankuar se kërkesat e tyre nuk janë marrë seriozisht nga qeveria e Kosovës, por në Ministrinë e Shëndetësisë thonë të kundërtën. Drejtori i departamentit për informim, Faik Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë, se Ministria së bashku me sindikalistët e shëndetësisë, disa herë janë takuar dhe shumica e çështjeve të ngritura nga sindikata janë diskutuar. Ai tha se ka pasur pajtueshmëri që të punohet në grupe të përbashkëta për të zgjidhur çdo dilemë të paraqitur. "Qëllimi i Ministrisësë Shëndetësisë ka qenë që të avancojë dialogun social të shëndetshëm me sindikatën dhe të shoh se cilat [kërkesa]kërkojnë një trajtim më urgjent dhe cilat janë çështjet që janë në proces e sipër që mund të rregullohen'', ka thënë Hoti. "Ministria e Shëndetësisë e ka bërë të ditur se është Qeveria ajo që duhet marrë vendim për adresimin e kërkesës së fundit, për ngritjen e pagave prej 15 për qind për punëtorët shëndetësorë. Ministria do ta përkrahë, pasi pozita materiale e punëtorëve shëndetësorëdo të përmirësohet dhe do të reflektojë në ngritjen e shërbimeve shëndetësore", ka thënë Hoti. Por, ekspertët shëndetësorë gjithë situatën e krijuar në sistemin e shëndetësisë e shohin si kaotike pasi, sipas tyre, problemi me sektorin e shëndetësisë është trashëguar prej kohësh. Një nga njohësit e sistemit të shëndetësisë në Kosovë, Sami Rexhepi, neuropsikiatër, thotë se 'përzierja e politikës në sistemin shëndetësor e ka sjellë shëndetësinë në pikën ku ndodhet'. "Problemi më i madh i shëndetësisë është përdhosja e dinjitetit të punëtorit shëndetësor. Shëndetësisë i ka munguar një menaxhim i mirëfilltë, pasi politika është përzier. Çdo militant politik është vendosur në sektorin e shëndetësisë në pozita menaxheriale". "Dhe kjo i ka pasur pasojat e veta, pasi këta njerëz nuk janë mërzitur për kolegët e vet apo për pagat e tyre. Pastaj pagat jo motivuese kanë sjellë një papërgjegjësi tek një numër i mjekëve dhe mos përkushtim të punës tek institucionet publike. Kushtet e punës të nivelit të ulët gjithashtu e kanë humbur interesimin për punë", ka thënë Rexhepi. Sipas tij 'pa vullnetin e institucioneve përgjegjëse situata në sektorin e shëndetësisë vështirë se mund të përmirësohet'. "Nuk është problem që do të zgjidhet me grevë dhe nuk është problem që do të reflektojë në Qeveri. Pasi asnjë qeveri nuk ka dhënë përgjegjësi pse është shkatërruar sistemi shëndetësor", ka thënë Rexhepi. Por sidoqoftë, grevat e sistemit të shëndetësisë kanë vazhduar prej kohësh, pavarësisht se përgjigjet institucionale mund të kenë munguar. Një tjetër angazhim sindikal është paraparë më 17 maj, dhe megjithëse mbahet brenda objekteve të institucioneve publike shëndetësore ajo, sipas sindikalistëve, synon të përçojë porosinë tek institucionet e vendit, kurdo që të krijohen, për 't'i kushtuar një vëmendje më të madhe sistemit të shëndetësisë në vend'. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA i bashkohet thirrjes së Këshillit të Artikut për të luftuar ndryshimet klimatike

Posted: 11 May 2017 11:47 PM PDT

Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar 7 vendeve të tjera të Këshillit të Arktikut, në thirrjet për të luftuar ndryshimet klimatike. Paarësisht skepticizmit të shprehur nga shumë zyrtarë të administratës Trump për ndryshimet klimatike, grupi, që përbëhet nga SHBA, Rusia, Kandaja, Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia, kanë thënë se janë të shqetësuar me rritjen e shpejt të temperaturave në Arktik dhe për këtë kanë fajësuar aktivitetet njerëzore. Temperaturat në Artik janë duke u ngrohur dyfish më shpejt krahasuar me pjesën tjetër të planetit, me një mesatare prej 3.5 gradë celsius, që prej fillimit të shekullit të 20, duke çuar në shkrirjen e shpejt të akullnajave. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i cili ka qenë nikoqir i takimit në Fairbanks të Alaskës, i është bashkuar thirrjeve të grupit për veprim global për uljen e gazrave serë, edhe pse ai tha se Shtëpia e Bardhë ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen për klimën të arritur në Paris më 2015. Tillerson, i cili është njëri prej zërave në administratë që ka deklaruar se SHBA duhet të qëndrojë në këtë marrëveshje, i ka thënë këshillit se administrata Trump nuk do të nxitohet që të marrë një vendim. "Ne do të marrin vendimin e duhur për Shtetet e Bashkuara", ka thënë ai.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Pjesëtarit të Al-Kaidës i ulet dënimi pas bashkëpunimit me Policinë

Posted: 11 May 2017 11:15 PM PDT

Një amerikan, i cili i ishte bashkuar Al-Kaidës, dhe kishte planifikuar të kryente sulm në një tren të udhëtarëve në Nju Jork, nuk do të përballet me burgim të gjatë, sepse ai i ka ofruar SHBA-së, informacione për grupin terroristë, kanë thënë prokurorët. Bryant Neal Vinas, 34-vjeç, është deklaruar fajtor për akuzat për terrorizëm më 2009, pasi u arrestua nga autoritetet pakistaneze dhe qe 8 vjet e gjysmë ndodhet në paraburgim. Një gjykatë në Bruklin, vendosi më 11 maj se ai do të qëndrojë në burg edhe për tre muaj dhe më pas do të lirohet. Vinas, një veteran i ushtrisë amerikane, kishte udhëtuar për në Vaziristanin Veriror dhe në Pakistan më 2007, për t'iu bashkuar Al-Kaidës, të cilët e kanë trajnuar dhe i kanë dhënë armë dhe eksplozivë, kanë thënë autoritetet. Ai kishte punuar me udhëheqësit e Al-Kaidës për të identifikuar objektivat e mundshëm brenda SHBA-së, përfshirë edhe hekurudhën në Long Island, që lidh qytetin e Nju Jorkut me periferitë në Long Island. Disa ditë pas arrestimit të tij, Vinas kishte filluar bashkëpunimin me autoritetet e SHBA-së dhe prokurorët kanë thënë se ai ka kontribuar në zgjidhjen ose hapjen e 30 rasteve. "Ai mund të ketë qenë dëshmitari më bashkëpunues dhe i vlefshëm" për aktivitetet e Al-Kaidës në Afganistan dhe Pakistam në mes të viteve 2007 dhe 2008, kanë thënë prokurorët në gjykatë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shefi i OKB-së bën thirrje për ndalimin e abuzimit të homoseksualëve në Çeçeni

Posted: 11 May 2017 10:59 PM PDT

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje që t'i jepet fund abuzimit të homoseksualëve në Çeçeni dhe lirimin e homoseksualëve nga autoritetet çeçene. Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, kur u pyet mbi qëndrimin e Guterres, për raportet për abuzimin e homoseksualëve në Çeçeni, ai ka cituar thirrjet e mëparshme të raportuesve të posaçëm të OKB-së, për lirimin e të burgosuve nga autoritetet ruse dhe ka dënuar të gjitha veprimet homfobike. "Është e qartë se nga pikëpamja e Sekretarit të Përgjithshëm se askush nuk duhet të persektohet për shkak të orientimit seksual ", u ka thënë Dujarric gazetarëve. Ai ka shtuar se dështimi i Kremlinit për të "dënuar të gjitha deklaratat homofobike", shërben si "joshje ndaj urrejtjes dhe dhunës" kundër homoseksualëve. Komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeed Ra'ad al-Hussein, më herët ka bërë thirrje për një hetim mbi raportimet për persekutimin e homoseksualëve në Çeçeni dhe ka thënë se ai po e vëzhgon nga afër këtë situatë. Presidenti rus, Vladimir Putin, javën e kaluar ka pyetur zyrtarët për të drejtat e njeriut dhe Ministrinë e Brendshme, që të hetojnë për atë që ai i quajti "thashetheme" për abuzumin e homoseksualëve në Çeçeni. Autoritetet çeçene kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now