RTSH: “Botërori i Aeronautikës ul siparin , shpall fituesit” plus 4 more

RTSH: “Botërori i Aeronautikës ul siparin , shpall fituesit” plus 4 more


Botërori i Aeronautikës ul siparin , shpall fituesit

Posted: 14 May 2017 08:34 AM PDT

Kampionati i 9-të Botëror i Aeronautikës në disiplinën e Fluturimeve të Lira me Precizion ka ulur të shtunën në mbrëmje siparin e tij në Vlorë, duke shpallur edhe fituesit në të 3 kategoritë, në atë ekipore dhe në atë individuale, si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Ceremonia e mbylljes, ku janë shpallur edhe fituesit e këtij Kampionati Botëror, që për herë të parë u zhvillua në qytetin e Vlorës, është sjellë, sikundër e gjithë kjo veprimtari, drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-televizionit Shqiptar. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Pas përfundimit të garave, kampione e botës si ekip u shpall Kina, e cila mori kreun e podiumit të Vlorës, duke lënë pas Serbinë, që u rendit e dyta, dhe Republikën Çeke, që u rendit e 3-ta. Sa i përket renditjes individuale, kampion i botës u shpall bullgari Cvetan Colov, i cili triumfoi në betejën me sllovenin Matjazh Sluga dhe kinezin Çen Haiping, që morën përkatësisht vendin e dytë dhe të 3-të. Për femra, kampione e botës është shpallur Nunapat Phuçong e Tajlandës, e ndjekur nga Marketa Tomashkova e Republikës Çeke, ndërsa indonezjania Rika Uixhajanti mori vendin e 3-të.

Berat; Artizanët më të njohur të vendit

Posted: 14 May 2017 08:28 AM PDT

Artizanët më të njohur të vendit, të cilët mbajnë në jetë traditat nëpërmjet krijimeve janë bashkuar në një panair në qytetin e UNESCO-s, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të dytë dhe synon të kthehet në një traditë. Krijimet e trashëguara në breza dhe që vijnë deri në ditët e sotme fal pasionit të njerëzve që punojnë me to u prezantuan në qendër të Beratit. Ndërsa, Dritan Onjea një mjeshtër krijues nga Saranda ka sjell në Berat guaskat dhe perlat e detit duke krjiuar me to bizhu të çastit. Për ideatoren dhe realizuesen e këtij panairi prezantimi i vlerave më të mira të trashëguara në breza tërheq vëmendjen e vizitorëve. Punimet në dru, gur, argjendari, qendistari, e nw materiale tw tjera, janë bashkuar me produktet e zonës së Beratit si glikotë, erëzat dhe mjalti, në panairin e hapur nga Qendra e Artizanit ” Margarita”. Tendat e panairit vendosura në qendër të qytetit kanë tërhequr vëmendjen e banorëve, veçanërisht të vizitorëve që në këtë periudhë janë të shumtë në këtë qytet.

 

Policia kufitare e Durrësit sekuestron 23.2 kg kanabis

Posted: 14 May 2017 08:21 AM PDT

Policia kufitare e Durrësit ka sekuestruar një sasi prej 23.2 kilogramë kanabis sativa e cila do të trafikohej në Itali. Policia tha se në pranga u vu shtetasi Arben Dobrozi 41 vjeç, banues në Bilaj, Fushë-Krujë. "Më datë 13.05.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Vijën e Dytë të kontrollit në Portin Durrës, nga Shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin tip Benz me targa AA 630 PY , në pjesën e traversës gjatësore, poshtë automjetit, në krahun e majtë dhe të djathtë, ishin vendosur tuba llamarine në formë të rrumbullakët, më brendësi të së cilave u konstatuan disa pako me lëndë narkotike, të mbështjella me natriban". Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Kore e Veriut; Ndërmerret një tjetër test rakete balistike

Posted: 14 May 2017 08:18 AM PDT

Korea e Veriut ka ndërmarrë një tjetër test rakete balistike, vetëm pak ditë pas emërimit te një presidenti të ri në Korenë e Jugut. Zyrtarët japonezë janë shprehur se raketa, e lëshuar nga qyteti perëndimor i Kuson, arriti një lartësi prej 2 mijë kilometrash. Presidenti i sapozgjedhur i Koresë së Jugut, Muun Jae-in, I cili kërkon një angazhim më të thellë me Veriun, tha se veprimi i Koresë së Veriut përbën një provokim. Presidenti Amerikan Donald Tramp ka bërë thirrje për sanksione më të forta ndaj Koresë së Veriut, ndërsa Kina po kërkon vetëpërmbajtje. Një sërë testesh raketore të ndërmarra përgjatë këtij viti, të cilat janë të ndaluara nga Kombet e Bashkuara, kanë shkaktuar alarm ndërkombetar dhe përkeqësuar tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyra e lëshimit të raketës së fundit është ende duke u përcaktuar, por analistët kanë thënë se testimi sugjeron një rreze më të gjatë veprimi se pajisjet e testuara më parë. Ministri japonez i mbrojtjes u shpreh se ajo fluturoi për 30 minuta para se të rrëzohej në detin e Japonisë, ndërsa theksoi se mund të ishte një lloj i ri rakete.

Makron bën betimin si presidenti i ri i Francës

Posted: 14 May 2017 05:12 AM PDT

Emanuel Makron është tashmë Presidenti i Francës, pas inagurimit të tij në Pallatin Shons Elize. Makron mbërriti në Pallat rreth orës 10të të mëngjesit, ku u takua me Fransua Hollond, i cili më pas u largua nga Pallati Presidencial duke ia lënë vendin, pasardhësit të tij, presidentit më të ri në moshë që prej kohës së Napoleon Bonapartit, 39 vjeçarit Makron. Ishte Lorën Fabjus, presidenti i Këshillit Kushtetues, i cili më pas e deklaroi Makron si President. "Me zgjedhjen e popullit, ju jeni tani, mbi të gjitha, njeriu i vendit tonë, Presidenti i Republikës", ishte kjo formula e lexuar nga Fabjus. Më pas, Makron mbajti fjalimin tradicional, ku u fokusua në një rilindje të re. "Bota ka nevojë për mësimet që Francezët kanë dhënë gjithmonë. Për dekada Franca ka patur dyshime për veten. Por, tha ai, më shumë se kurrë, bota dhe Europa kanë nevojë për Francën". Mandati im do t’iu japë franezëve besimin për të besuar në veten e tyre," u shpreh presidenti i ri francez, i cili gjithashtu theksoi se do të përpiqej të bindte popullin që fuqia e Francës nuk po bie, por që ne jemi në prag të një rilindjeje të re, siç u shpreh ai.