“Policia franceze arreston pesë persona në operacionet anti terror” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Policia franceze arreston pesë persona në operacionet anti terror” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Policia franceze arreston pesë persona në operacionet anti terror

Posted: 02 May 2017 09:17 AM PDT

Zyra e prokurorit të në Paris tha se pesë perosna janë arrestuar dhe një sasi armësh janë konfiskuar në operacionet anti terror gjithandej Franvcës, pesë ditë përpara balotazhit të zgjedhjeve presidenciale. Të dyshuarit janë të moshave ndërmjet 18 dhe 24 vjeç. Zyra e prokurorit tha se ata u kapën në operacionet e të martës në tri qytete; në afërsi të qytetit të Normandisë në Rouen, në Villeneuve d'Ascq afër Lille në Francën Verirore dhe në Roanne në Francën qendrore, ka njoftuar agjencia AP Prokurori i Parisit mbikëqyrë hetimet anti terror. Nuk është e qartë nëse arrestimet kanë një lidhje me fushatën presidenciale. Balotazhi është të dielën Në një sulm, për të cilin mori përgjegjësinë grupi militant SHteti Islamik, dy javë më parë u vra një polic në Paris. Franca është në gjendje të jashtëzakonshme pas një vale të sulmeve vdekjeprurëse nga ekstremistët islamikë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zyrtarë të BE-në thonë se Gjermania duhet të heqë kontrollet në kufi

Posted: 02 May 2017 09:07 AM PDT

Gjermania, Austria, Danimarka dhe Norvegjia duhet të heqin kontrollet në kufi brenda gjashtë muajsh, tha Komisioni Evropian të martën, disa orë pasi Suedia paralajmëroi planet për përfundimin e kontrolleve kufitare. Si pjesë e përgjigjes së Bashkimit Evropian për të ndaluar vërshimin e refugjatëve dhe migrantëve në vitin 2015, blloku lejoi kontrollet në zonën e tij pa pasaporta, përkudnër shqetësimeve për ndikimin në tregti, megjithëse komisioneri për çështje të brendshme i BE-së, Dimitris Avramopoulos tha se tani ato duhet të përfundojnë, bën me dije Reuters. "Ka ardhur koha që ndërmerren hapat e fundit konkret për kthim të ngadalshëm në një funksionim normal në zonën Schengen", tha ai. Më shumë se një milion njerëz kërkuan azil në veriun e pasur të Evropës në vitin 2015, shumica në Gjermani por një numër i madh edhe në Suedi. Një marrëveshje e kundërthënëshme me Turqinë për të ndaluar refugjatët sirianë që t'i afrohen Greqisë në përpjekje për të kaluar në Gjermani, që parasheh edhe kundërshpërblimin e fondeve t ëBE-së, ka zvogëluar valën e refugjatëve, megjithëse mijëra migrantë sërish provojnë që të arrijnë në Evropë nga Libia përmes rrugëve detare. Gjermania ka argumentuar se ka nevojë për kontrolle përkudnër faktit të rënies së numrit të migrantëve që vijnë nga Greqia dhe Ballkani Perëndimor, me qëllim të luftimit të kërcënimit nga militantizmi islamik në Evropë. Sipas rregullave të BE-së, shtetet kanë lejuar që të vendosin kontrollet emergjente për një periudhë deri vjeçare në shtator të vitit 2015

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kushtet e LDK-së për demarkacionin vënë në sprovë qeverinë

Posted: 02 May 2017 08:32 AM PDT

Qeveria e Kosovës është duke e shqyrtuar propozimin e një grupi të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, propozim i cili synon krijimin e mundësive që projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të kalojë në legjislativin e vendit, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit. Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se propozimi i ri, për shkak të çështjes që merr në shqyrtim, si dhe për faktin se është bërë nga një grup me numër relevant të deputetëve, tashmë ka marrë vëmendjen e qeverisë. "Është fjala konkretisht për një propozim që ka ardhur nga 17 deputetë të Kuvendit të Kosovës, që ka të bëjë me disa vërejtje, shtesa apo ndryshime që kërkohen të bëhen në këtë projektligj, përpara se ai të procedohet. Prandaj, lidhur me këtë, kryeministri (Isa) Mustafa është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit që e kanë bërë këtë propozim, për të parë se cilat janë mundësitë që procesi i demarkacionit të shtyhet përpara. Kryeministri Mustafa ka kontakte edhe me faktorët e tjerë relevantë ndërkombëtarë rreth kësaj çështjeje", tha Abdullahu. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë konfirmuar se propozimi i grupit prej 17 deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parasheh që në projektligj për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të futet edhe mundësia që në afat prej dy vjetësh të rishqyrtohen pikat kontestuese të këtij kufiri, të paktën në dy zona të këtij kufiri. Në grupin prej 17 deputetëve që kanë dhënë propozimin, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë edhe shumica e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës,të cilët kanë kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes për shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, në formën e konstatuar nga Komisioni qeveritar për këtë çështje. Por, Shpejtim Bullliqi, një nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët janë kundërshtarë të versionit të tanishëm të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk ka ende njohuri lidhur me përmbajtjen e propozimit të grupit të deputetëve të partisë së cilës edhe ai i përket. Megjithatë, sipas tij, në parim, propozimi për rishikim të mëvonshëm të një ligji të ratifikuar, nuk është praktikë e dëshmuar. "Nuk ka mundësi që njëkohësisht të bëhet ratifikimi dhe rishikimi, sepse këto dy koncepte janë krejtësisht të ndryshme, në këtë moment, të kësaj problematike. Nuk kam informacione të hollësishme se çfarë është punuar, mirëpo, mendoj që në qoftë se ka çfarëdo solucioni apo mundësie, për këtë çështje duhet të flasin juristët dhe njohësit e të drejtës ndërkombëtare", tha Bullqi. Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre kundërshtues ndaj marrëveshjes aktuale për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Muharrem Nitaj, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo parti opozitare mbetet në qëndrimin e saj përballë përpjekjeve, siç i ka quajtur ai, dëshpëruese të kryeministrit Isa Mustafa që ta kalojë marrëveshjen në fjalë. "Si po mendon kryeministri dhe këta deputetë se mund ta ratifikojnë dhe ta kthejnë marrëveshjen e demarkacionit kur të duan ata? Kjo është marrëveshje ndërmjet dy shteteve dhe nuk mund ta pranosh njëherë, e pastaj të bëhesh pishman. Kosova nuk e ka zorin të bëjë eksperimente të tilla. Çështja është shumë e thjeshtë. Qeveria e ka kryer punën e vet dhe është mirë që ajo të mos merret me këtë punë më fare. As kryeministri nuk duhet të merret me marrëveshjen e demarkacionit. Tani, fjalën e kanë deputetët e Kuvendit të Kosovës", tha Nitaj. Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se shqyrtimi i propozimit të grupit të 17 deputetëve po bëhet në bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet partnerëve të koalicionit. Zyrtarët e ekzekutivit, ditë më parë kanë theksuar se projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, gjatë kësaj jave.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin dhe Merkel diskutuan për konfliktet në Ukrainë dhe Siri

Posted: 02 May 2017 08:20 AM PDT

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë zhvilluar një takim në Soçi, ku kanë trajtuar kryesisht konfliktet në Ukrainë, Siri dhe rajone tjera. Njëherësh, agjencitë raportojnë se Merkel dhe Putin, kanë diskutuar edhe çështje të interesit të ndërsjellë bilateral.   Të dy liderët kanë deklaruar para medieve pas takimit se është kyçe për të gjitha palët që t'i zbatojnë zotimet e dhëna në bazë të procesit në Minsk për ndaljen e konfliktit në lindje të Ukrainës, të arritur ndërmjet qeverisë së Ukrainës dhe forcave separatiste, ët mbështetura nga Rusia. Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë thirrje për dialog ndërmjet qeverisë së Ukrainës dhe grupit separatist që lufton në lindje të Ukrainës. "Është e pamundur të arrihet zgjidhje për konfliktin pa dialog të drejtpërdrejtë", ka thënë Putin në konferencën e përbashkët për media me kancelaren Markel në Soçi, transmeton DPA. Gjermania dhe Franca kanë shërbyer si ndërmjetësues ndërmjet Rusisë, e cila mbështet rebelët dhe Ukrainës. Putin ka deklaruar se shpreson që Franca të ruaj këtë rol edhe pas raundit final të zgjedhjeve presidenciale. Putin i ka hedhur poshtë pretendimet se Rusia po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Gjermani, si dhe i ka kundërshtuar pretendimet e ngjashme për ndërhyrje në zgjedhjet e mbajtura në Shtetet e bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si thashetheme. Ndërkohë, Merkel tha se Moska dhe Berlini "ndajnë opsione të ndryshme për shkakun e konfliktit". Ajo tha se ishte thelbësore për Kievin (Ukrainën) që të rimarrë kontrollin e plotë të kufirit të saj, duke përfshirë edhe pjesën midis zonave të kontrolluara nga separatistët dhe Rusisë. Po ashtu, temë diskutimi në këtë takim ka qenë edhe samiti i ardhshëm 'G20' i cili do të mbahet në Hamburg të Gjermanisë më 7 dhe 8 korrik. Përveç takimit me kancelarin Merkel, presidenti rus Putin ka planifikuar që të njëjtën ditë, më 2 maj, të zhvilloj dhe një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuarat ë Amerikës, Donald Trump. Merkel udhëtoi drejt Rusisë për herë të parë qysh në vitin 2015. Takimi në rezidencën e presidentit Putin në qytetin Soçi vjen në kohën kur marrëdhëniet dypalëshe janë në një pikë të ulët, për shkak të luftës në Siri dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia. Merkel dhe Putin pritet t'i diskutojnë të dyja çështjet. Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014. Gjermania ka qenë forca lëvizëse e sanksioneve që i ka vendosur Bashkimi Evropian Rusisë si ndëshkim. Putin, të mërkurën, do të takojë edhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kursimet arrijnë në 3 miliardë euro, qytetarët të pasigurt të investojnë

Posted: 02 May 2017 07:30 AM PDT

Vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovës deri në mars të këtij viti ka arritur në 2.9 miliardë euro, ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës. Nga kjo shumë, më shumë se 2.1 miliardë euro janë para të kursyera nga ekonomitë familjare, që përbëjnë rreth 72 për qind të totalit të depozitave dhe që pasohet nga Korporatat jo financiare me mbi 500 milionë euro. Sipas shënimeve zyrtare, 95 për qind e depozitave janë në vlerën valutore të euros por qytetarët e Kosovës mjete të kursyera kanë edhe në valuta tjera shuma e të cilave arrin në 133 milionë. Mbajtja e parave në bankat komerciale nga ekonomitë familjare,sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike në Kosovë tregon një pasiguri për të investuar, por edhe një besueshmëri dhe qëndrueshmërinë të banka komerciale që veprojnë në Kosovë. Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës Mejdi Bektashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se depozitat në Kosovë çdo vit shënojnë rritje dhe kjo rritje i ka ndodhur Kosovës edhe gjatë krizës së thellë ekonomike, që kaploi një pjesë të Evropës. "Nëse analizojmë këtë fenomen të kursimeve kaq të mëdha del se një amvisëri në Kosovë ka depozitat më të mëdha sesa depozitat e një amvisërie në shtet tjera të Ballkanit Perëndimor. Arsyet janë të ndryshme. Nuk besoj që është elementi i traditës apo kulturës për të kursyer, por më tepër është një pasiguri e qytetarëve për t'i shpenzuar ato para. Një element që ndikon në shtimin e depozitave është siguria mjaft e lartë e sistemit bankar në Kosovë", thotë Bektashi. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore rritja vjetore e depozitave është 8.5 për qind, derisa norma e interesit në depozita për ekonomi familjare është 0.9 për qind dhe për ndërmarrje 1.2 për qind.  Rreth 24 përqind e totalit të depozitave janë të afatizuar.  Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Milazim Abazi, njohës i sistemit banker, thotë se normat e interesit në kredi janë shumë të ulëta. "Norma e interesit në kursime janë më të ulëtat në rajon dhe në Evropë. Bankat do të duhej të ndërmarrin iniciativa që qytetarët të kursejnë edhe më shumë në banka. Bankat nuk kanë ku të japin kredi, pasi që edhe bizneset janë të lodhura nga kreditë e larta dhe bankat nuk dinë se çka të bëjnë me depozitat. Po ashtu qytetarët nuk kanë guxim të investojnë pasi që nuk kanë edhe përkrahje nga shteti", thotë Abazi. Për ekspertë të çështjeve është mjaft shqetësuese që për shkak të një ambienti biznesor jo të sigurt, ekonomitë familjare nuk investojnë dhe mbajnë të ngrira partë e që në ekonomi paratë të cilat nuk janë në qarkullim nuk sjellin ndonjë zhvillim. Kosova brenda vitesh, thuhet nga ekspertë të fushës, nuk ka arritur që të krijojë një ekonomi më të zhvilluar, duke u radhitur kështu në mesin e vendeve më të varfra në rajonin e Ballkanit me nivel të lartë të papunësisë, që arrin në mbi 27 për qind, dhe me një numër të madh të qytetarëve të saj që jetojnë në varfëri të skajshme.   

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryeministri çek paralajmëron dorëheqjen e qeverisë

Posted: 02 May 2017 07:20 AM PDT

Kryeministri i Çekisë, Bohuslav Sobotka ka paralajmëruar dorëheqjen e qeverisë së tij për shkak të çështjeve të pazgjidhura me ministrin e Financave dhe rivalin e tij, Andrej Babis. Ai tha se gjatë javës do t'a takoj Presidentin, Millosh Zeman për t'i dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e qeverisë, raporton Associated Press. Ky veprim pasqyron tensionet brenda koalicionit qeverisës gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Grubi: Presim që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të shpallet në Gazetën Zyrtare

Posted: 02 May 2017 07:12 AM PDT

Deputeti Artan Grubi ka njoftuar se kryetari i ri parlamentit, Talat Xhaferi, do ta thërretseancën parlamentare sapo të krijohen kushtet. "Sot bashkë me kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferin, kemi ardhur në orën 8 e 30 minutapër të kryer punët tona ditore administrative. Me këtë rast kryetari i ri i nënshkroi të gjitha udhëzimet administrative për shërbimet në Kuvend për t'ia mundësuar punën në kabinetin e tij në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ato janë dërguar tek sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, janë të arkivuar me numër të arkivit dhe protokolluar në përputhje me rregulloren dhe ligjet. Jemi në pritje të realizimit të asaj urdhërese të kryetarit të ri të Kuvendit, për të mundësuar punën normale dhe funksionimin normal të Kuvendit", ka bërë të ditur deputeti Artan Grubi. Ai nënvizoi se sekretari i përgjithshëm i parlamentit do të veprojë në respektim të kryetarit të ri të parlamentit Talat Xhaferi, pasi vendimi për zgjedhjen ekryetarit të ri të Kuvendit, të shpallet në Gazetën Zyrtare. Deputeti Grubi duke komentuar uzurpimin e zyrës së kryetarit të parlamentit të Maqedonisë, nga ana e deputetëve të VMRO DPMNE –së tha se "Talat Xhaferi është institucion në vete, sepse kryetari i parlamentit është institucioni, nuk është zyra" Ndërkohë që pritet të fillojnë protestat në organizim të iniciativës qyetare "për Maqedoni të përbashkët" kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të parlamentit në orën 17.00, forca të theksuara të njësive speciale kanë siguruar institucionet shtetërore. Njësite të blinduara janë stacionuar në Parlamentin e Maqedonisë në të cilin institucion, të enjten e kaluar, një grup protestuesish u futën me dhunë dhe sulmuan deputetët e shumicës parlamentare.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Erdogan: Turqia mund t'i thotë BE-së lamtumirë

Posted: 02 May 2017 06:37 AM PDT

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t'i nis bisedimet mbi aspektet e ofertës së Turqisë për t'u bashkuar me BE, duke paralajmëruar se në të kundërtën, Ankaraja nuk do të ketë më për çfarë të diskutoj me Unionin dhe mund t'i thotë "lamtumirë". Komentet e Erdoganit pasuan deklaratat e Komisionerit për zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn i cili tha se Turqia nën udhëheqjen e Erdoganit ia ka kthyer shpinën anëtarësim në BE. "Tani e tutje nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç hapjes së kapitujve që nuk janë hapur ende", tha Erdogan gjatë një ceremonie në Ankara ku po festohej kthimi i anëtarësisë së tij në Partinëe Drejtësisë dhe Zhvillimit. Ai tha se nëse Bashkimi Evropian nuk i hap këto kapituj si referencë për aspekte të veçanta të procesit të anëtarësimit - atëherë "lamtumirë". Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn. Kishte deklaruar se Turqia, nën udhëheqjen e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, ia ka thyer shpinën anëtarësimit në Bashkimin Evropian, së paku tash për tash. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bashkëpunimi i vështirë SHBA-Rusi në luftën kundër krimit kibernetik

Posted: 02 May 2017 06:35 AM PDT

Hakerin rus, Roman Seleznyov, një gjykatë federale e Shteteve të Bashkuara e ka dënuar vitin e kaluar me 27 vjet burgim. Seleznyov nuk është rusi i parë që është kapur në një rrjet të gjerë të kriminelëve kibernetikë nga e gjithë bota. Të tjerët përfshijnë Aleksandr Panin, i dënuar në një gjykatë federale në Atlanta, më 2016, për krijimin e një programi kibernetik, i cili ka infektuar miliona kompjuterë dhe llogari bankare. Është edhe Yevgeny Nikulin, i cili qëndron në një burg të Republikës Çeke, qëkur është arrestuar në tetor, derisa Moska dhe Uashingtoni luftojnë për ekstradimin e tij. Në ditën kur është dënuar Seleznyov, prokurorët amerikanë kanë njoftuar se kanë akuzuar një tjetër rus, Pyotr Levashov, të arrestuar në Spanjë, për krijimin e një virusi kompjuterik, për të vjedhur para nga llogaritë bankare. Zyrtarët amerikanë thonë se Seleznyov, djali i një ligjvënësi rus, ka përfituar 170 milionë dollarë nga shitja e informacioneve të vjedhura online qysh në vitin 2007. Më 2009, ai ka qenë njëri nga ofruesit më të mëdhenj në botë të të dhënave të tilla të vjedhura. Konstatimi se Seleznyov qëndronte prapa kësaj skeme bëri që hetuesit amerikanë të kërkonin ndihmën e Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, në vitin 2009, thuhet në materialin që kanë paraqitur prokurorët në gjykatën federale në SHBA. Në Moskë, ata janë takuar me zyrtarë nga Qendra për Sigurinë e Informacionit, përfshirë zëvendëshsefin Sergei Mikhailov dhe vartësin e tij, Dmitry Dokuchayev, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë ish-zyrtarë dhe zyrtarë të tanishëm amerikanë. Mirëpo, lajmi për takimet ka rrjedhur dhe Seleznyov i ka mbyllur operacionet e tij një muaj më vonë. Siç kanë thënë prokurorët amerikanë në dokumentet për gjykatën, Seleznyov është incizuar duke i thënë një kolegu më 2008 se "ka marrë mbrojtje" nga Shërbimi Federal i Sigurisë. Seleznyov pastaj është rishfaqur duke përdorur pseudonime të tjera, por në bazë të akuzës së ngritur më 2011, agjentët amerikanë e kanë arrestuar derisa bënte pushime në Maldive, më 2014. Juria federale e ka dënuar atë më 21 prill të vitit të kaluar me 27 vjet burgim. "Asnjëherë më parë një kriminel i angazhuar në mashtrime kompjuterike të kësaj shkalle nuk është identifikuar, kapur dhe dënuar nga një juri amerikane", kanë thënë prokurorët në dosjet e tyre gjyqësore. Dokuchayev, me të cilin amerikanët janë takuar në Moskë më 2009, ka qenë i njohur më herët në qarqet kibernetike me nofkën Forb. Ai ka punuar me zyrtarë të Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, përfshirë Igor Sushchin, për të rekrutuar hakerë që do të bashkëpunonin me agjencinë ruse në aktivitete kibernetike. Në mesin e të rekrutuarve ka qenë Aleksei Belan, të cilin FBI e kërkon qysh në vitin 2012 për piraterim të dyshuar dhe mashtrim kompjuterik. Arrestimet dhe akuzat penale, si në Rusi, ashtu ede në SHBA, sipas ekspertëve, nxjerrin në pah kufirin gri midis zbatimit të ligjit rus dhe rrjeteve kriminale. "Moska ende varet, në një masë të konsiderueshme, nga rekrutimi i kriminelëve kibernetikë", ka shkruar në një raport Mark Galeotti, ekspert për agjencitë e inteligjencës ruse, me bazë në Pragë. "Është një zonë gri që paraqet rrezik për vetë Rusinë", thotë në anën tjetër Ruslan Stoyanov, rus i akuzuar për tradhti dhe ish-hetues i Ministrisë së Brendshme. Në një letër të publikuar nga kanali televizv Dozhd, Styanov, i cili ka punuar me kompaninë për sigurinë komjuterike Kaspersky Lab në Moskë, ka paralajmëruar se bashkëpunimi i Rusisë me kriminelët kibernetikë vetëm se do t'i inkurajojë ata. "Skenari më i keq do të ishte t'iu jepet imunitet nga ndëshkimi kriminelëve kibernetikë, në këmbim të informacioneve. "Nëse kjo ndodh, do të shfaqet një shtresë e tërë e 'hajdutëve patriotë' që shkelin parimet e shtetit të së drejtës. Do të shohim një valë të re të krimit në Rusi", ka thënë Styanov. Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi është akuzuar edhe për përfshirje në piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokratike në SHBA, gjatë zgjedhjeve presidenciale më 2016. Përgatiti: Valona Tela

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Deputetët britanik kontestojnë rolin udhëheqës të SHBA-së në Lindjen e Mesme

Posted: 02 May 2017 05:55 AM PDT

Deputetët britanikë konsiderojnë se Britania e Madhe nuk duhet të mbështetet edhe më tutje tek udhëheqja amerikane në Lindjen e Mesme, duke kërkuar që Londra të punoj ngushtë me Evropën për të shpëtuar zbatimin e një marrëveshje bërthamore të fuqive botërore me Iranin. "Presidenti amerikan ka marrë disa qëndrime të cilat nuk janë konstruktive dhe se janë të mundshme madje edhe konfliktet", thuhet në deklaratën e Davida Howell, kryetar i Komitetit britanik për marrëdhënie ndërkombëtare. Marrëveshja ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha e kufizon programin nuklear të Teheranit, si lëshim për disa lehtësime që do t'u bëheshin sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit. Por, Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar këtë si "marrëveshjen mëtë keqe që është arritur ndonjëherë", dhe ka paralajmëruar se administrata amerikane do ta shqyrtoj nëse do të bëj lëshime apo tërheq sanksionet. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Xhaferi pritet t’i dërgojë letër Ivanovit për mandatin qeveritar

Posted: 02 May 2017 05:36 AM PDT

Kryetari i ri i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, pritet që t`i dërgojë letër zyrtare presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov, me të cilën do të t'i kërkohet që t'i dorëzojë Zoran Zaevit mandatin për formimit e qeverisë së re. Situata duket se është komplikuar pasi organet kuvendore akoma nuk janë vënë nën kontroll të kryetarittë parlamentit Xhaferi, po akoma janë në duart e kryesuesit të seancës konstituive, Trajko Veljanovski . "Sot në Kuvend deputetët e shumicës parlamentare bashkë me Kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi janë duke kryer obligimet e tyre administrative të punës. Në mënyrë që Kuvendi të rivihet në funksion, z. Xhaferi, në atmosferë normale pune dha udhëzimet e nevojshme administrative", ka shkruar në faqen e tij në facebook deputeti, Artan Grubi. Gazetarët nuk kanë pasur qasje tek kabineti i kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, ndërkohë që deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski në rrjetin e tij social facebook, ka publikuar një fotografi ku duket se si po qëndrojnë deputetët e kësaj partie në kabinetin e Trajko Veljanovskit. Ai ka shkruar se çdo deputet ka mandat dhe obligim që të respektojë rregulloren e punës së Parlamentit, ligjet dhe kushtetutën e Maqedonisë. "Kundër dy deputetëve Ferit Muhiq dhe Goran Misovski, të cilët vepruan në kundërshtim me rregulloren e punës, nxitën dhunë politike, do të ngremë padi penale në organet përkatëse. Maqedonisë tani nuk i duhet kryetar jo-legjitim i cili mund të shkaktojë dëme dhe pasoja të pariparueshme. Platforma e Tiranës nuk është më e rëndësishme se rregullorja e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetuta ", ka shkruar në rrjetin social deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski Nga ana tjetër VMRO DPMNE e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski edhe sot përmes një komunikate me shkrim ka theksuar se zgjedhja e Talat Xhaferit është bërë në kundërshtim me rregulloren e punës së Parlamentit të Republikës së Maqedonisë. Njohësit e çështjeve juridike thonë se kryesuesi i seancës konstitutive duhet t`ia dorëzojë zyrën kryeparlamentarit të ri Talat Xhaferit, në të kundërtën do të mund të pasojnë padi penale ndaj tij për pengim në kryerjen e detyrës zyrtare. "Talat Xhaferi në mënyrë ligjore është zgjedhur për kryetar të Parlamentit të Maqedonisë dhe çdo pengesë që i bëhet atij për të kryer detyrën, paraqet një akt antidemokratik. Përkatësisht shkelje të rëndë të demokracisë nga ana e pakicës parlamentare kundrejt vullnetit të shumicës e cila është përcaktuar që Talat Xhaferi të jetë kryetar i Parlamentit. Veprimet e këtilla të deputetëve të VMRO DPMNE-së janë të dënueshme në bazë të ligjeve të Maqedonisë", thekson për Radion Evropa e Lirë, Temellko Ristevski nga universiteti FON i Shkupit. Mersim Maksuti ligjërues i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Tetovës konsideron se Trajko Veljanovski në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë ta pengojë Talat Xhaferin që të administrojë me Parlamentin e Maqedonisë. Maksuti thekson seorganet përkatëse nuk guxojnë të krijojnë pengesa juridike që t'i kalohen kompetencat Talat Xhaferit si kryetar i Parlamentit. "Kryesuesit të deritanishëm të seancës konstituive Trajko Veljanovski nuk i mbetet asgjë tjetër përveç që të dorëzojë zyrën e tij dhe të mundësojë që të gjitha kompetencat për administrimin e këtij institucioni ligjvënës të kalojnë tek Talat Xhaferi si kryetar Parlamenti", thotë për Radion Evopa e Lirë Mersim Maksuti, profesor universitar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sa do ta ndryshojnë gjendjen në Maqedoni, porositë e Hoyt Yee?

Posted: 02 May 2017 05:06 AM PDT

Mesazhet e zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee janë edhe një konfirmim i qartë se bashkësia ndërkombëtare njeh shumicën e re parlamentare, zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi ndërsa kërkon formimin edhe të qeveris së re me Zoran Zaevin, kryeministër, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe ndërkombëtare duke vlerësuar gjithashtu dënimin e dhunës mbi deputet e zgjedhur dhe gazetarët që po raportonin nga Kuvendi. ​ "Mendoja se nga tani ata duhet seriozisht të mendojnë për veprimet e tyre pasi tani i gjitha opinioni ndërkombëtar ka filluar një nga një të njoh ndryshime duke filluar nga zgjedhja e Talat Xhaferit për krytar të Kuvendit, por edhe mbështetjen që po i japin formimit sa më të shpejt të qeverisë së re", thotë për Radion Evropa e Lirë, Denko Melavski, ish Ministër i Punëve të Jashtme duke shtuar se VMRO-ja duhet të pranoj realitetin e ri pasi çdo kundërshtim i mëtejmë me përdorim edhe të dhunës siç ndodhi në Kuvend, mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sigurinë dhe të ardhmen e vendit në përgjithësi. Maleski sheh ndryshime apo zbutje të retorikës nga presidenti Ivanov pas mesazheve të qarta që mori nga zyrtari i lartë amerikan Hoyt Jee për mos bllokimin e procesit të formimit të institucioneve të reja. "Shoh se ka disa ndryshime në qëndrimin e tij mbi krizën politike, se ai dëshiron të jetë i bindur mbi ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, se programi qeveritar nuk përmban platformën e kështu me radhë. Mendoj se ka lëvizje nga pozicionet e tij dhe se më nuk ka arsye për të mos i dhënë mandatin liderit opozitar. Pushteti duhet të dorëzohet në mënyrë paqësore, zgjidhje tjetër nuk ka", thotë Maleski duke shtuar se edhe mesazhet e diplomatit amerikan ishin në drejtim dorëzimit të pushtetit shumicës së re parlamentare. Pas takimit të Nikolla Gruevskit me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, nga VMRO DPMNE-ja deklaruar se nuk e njohin kryetarin e të Kuvendit, meqë sipas tyre ai është zgjedhur në kundërshtim me kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, por Albert Musliu, analist politik thotë se deklarata e diplomatit amerikan Hoyt Jee, por jo vetëm e tij tregon qartë se për bashkësinë ndërkombëtare, Talat Xhaferi është kryetar i ri i Kuvendit. "Mesazhet e zyrtarit të lartë amerikan Hoyt Yee ishin shumë të qarta. Për partnerët tanë ndërkombëtar konstituimi i Kuvendit ka përfunduar. Çdo vendim që të miratojë Kuvendi është në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ndërkohë që paralajmërimet e VMRO-së se nuk do ta njohin kryeparlamentarin, se Trajko Veljanovski do të caktoj seancat, por ai vlerësoi se mund të caktojë takime vetëm të grupit të tij parlamentar, por ato nuk janë mbledhje të Kuvendit, por të një grupi të caktuar politik që nuk është e ndaluar", thotë Musliu. Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee gjatë vizitës dyditore në Shkup takoi liderët e të gjitha partive politike ndërsa dënoi dhunën mbi deputetët e LSDM-së dhe të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela duke e quajtur sulm frikacakësh. Zyrtari i lartë nga Uashingtoni tha se "liderët politikë duhet ta kuptojnë seriozitetin e gjendjes dhe të gjejnë zgjidhje për krizën politike. Të gjejnë mënyrë që të lejojnë që shumica parlamentare të formojë Qeverinë dhe programin qeveritar". (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Siri: Të paktën 24 persona të vrarë nga një sulm vetëvrasës në një kamp refugjatësh

Posted: 02 May 2017 04:06 AM PDT

Të paktën 24 persona u vranë të martën si pasojë e një sulmi të grupit të Shtetit Islamik në një kamp refugjatësh në anën siriane të kufirit me Irakun, shkruan Monitor.  "Ishin, së paku pesë sulmues vetëvrasës të cilët shpërthyen vetveten jashtë dhe brenda kampit të refugjatëve irakianë dhe sirianëve të zhvendosur në provincën Hasakeh", tha shefi i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman. Më pas, shpërthyen përleshje të ashpra midis luftëtarëve të ashtuquajturit Shteti Islamik me pjesëtarët e Forcave Demokratike të Sirisë dhe aleancës me luftëtarë kurdë dhe arabë. Disa nga këta të fundit, u raportua se ishin në mesin e të vdekurve nga sulmi, tha Abdel Rahman, për AFP.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

UNICEF: Rreth një milion e gjysmë fëmijë në Somali rrezikojnë të mbeten pa ushqim

Posted: 02 May 2017 03:26 AM PDT

Rreth 1.4 milionë fëmijë në zonat e prekura nga thatësira në Somali, këtë vit do të vuajnë nga uria akute, e cila është 50 për qind më e lartë në krahasim me vlerësimin e bërë në janar, është thënë në deklaratën e sotme të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët ( UNICEF). Vlerësimi i ri përfshinë gjendjen e më shumë se 275,000 fëmijëve të cilët, konsiderohet se mund të përballet potencialisht me mungesën e ushqimit, çka mund të rrezikoj jetën e tyre.  Këta fëmijë i ekspozohen nëntë herë më shumë rrezikut që të vdesin prej kolerës apo lisë, tha zëdhënësi i UNICEF-it, Marisi Merkado.  "Ky kombinim, është vdekjeprurës për fëmijët", tha Merkado në një konferencë për gazetar, transmeton Reuters. Rreth 56,000 fëmijë në Somali kanë marrë ndihmë nga UNICEF-i që nga fillimi i vitit për shkak të kequshqyerjes (mungesës së ushqimit), çka paraqet rritje prej 88 për qind, krahasuar me vitin paraprak. UNICEF-i, më herët kishte thënë se këtë vit, për shkak të urisë, mund të vdesin 1.4 milion fëmijë në verilindje të Nigerisë, pastaj në Somali, Sudanin e Jugut dhe Jemen.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hahn: Turqia ia ktheu shpinën BE-së

Posted: 02 May 2017 02:41 AM PDT

Turqia, nën presidentin Recep Tayyip Erdogan, ia ka thyer shpinën anëtarësimit në Bashkimin Evropian, së paku tash për tash, tha komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn. "Secili e ka të qartë se Turqia po largohet nga perspektiva evropiane. Fokus i marrëdhënieve tona duhet të jetë diçka tjetër", tha Hahn në një intervistë për agjencinë Reuters. Qeveritë evropiane thonë se procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE ka vdekur për shkak të shtypjes së disidentëve nga Erdogani, talljeve të tij me Gjermaninë për shkak të së kauarës naziste dhe një referendumi që i jep atij pushtet më të madh. "Duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen, të shohim nëse mund të rinisim një lloj bashkëpunimi", tha Hahn. Erdogan i ka thënë Reutersit javën e kaluar se Turqia nuk do të presë përpara dyerve të Evropës përgjithmonë dhe se do të tërhiqet nga bisedimet për anëtarësim, nëse, siç ka thënë ai, vazhdon rritja e islamofobisë dhe e armiqësive tjera në disa shtete anëtare. Turqia i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE qysh në vitin 2005.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rreziku i sulmeve ekstremiste në Zvicër mbetet i lartë

Posted: 02 May 2017 02:12 AM PDT

Rreziku i sulmeve ekstremiste në Zvicër mbetet i lartë, tha Shërbimi Federal i Inteligjencës në këtë vend. "Kërcënimi më i mundshëm terrorist në Evropë, së këndejmi edhe në Zvicër, do të vazhdojë të vijë nga terrorizmi i motivuar nga xhihadi. Sulme të tjera duhet të priten", thuhet në vlerësimin vjetor të rreziqeve me të cilat ballafaqohet Zvicra. Raporti vlerëson se rreziku më i madh vjen nga individë ose grupe të vogla që frymëzohen nga Shteti Islamik e që mund të kryejnë sulme në Zvicër ose ta shfrytëzojnë atë si bazë për të komplotuar sulme të tjera. Shërbimi Federal i Inteligjencës në Zvicër tha se ka identifikuar mbi 500 përdorues të internetit, me lidhje zvicerane, që i shfrytëzojnë mediat sociale për të shpërndarë ide xhihadiste.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dy turistë gjermanë vdesin në Iran

Posted: 02 May 2017 01:41 AM PDT

Një minibus që transportonte turistë gjermanë u rrokullis në jug të Iranit, duke lënë dy persona të vdekur dhe së paku 17 të plagosur, raportojnë mediat iraniane. Të dy të vdekurit janë gjermanë, tha televizioni shtetëror dhe Ministria e Jashtme e Iranit. Sipas burimeve të njëjta, një turist i plagosur rëndë është transferuar me helikopter në një spital në qytetin Shiraz. Shoferi i autobusrit raportohet se ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë së madhe në rrugën midis Shirazit dhe Sadat Shahrit, një qytet i vogël, rreth 20 kilometra nga rrënojat e lashta të Persepolisit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Ghasemi, përmes një deklarate, shprehu "keqardhje të thellë për vdekjen e dy turistëve". Aksidentet rrugore në Iran vrasin ose plagosin rreth 17,000 njerëz në vit. Si shkaktarë për shifrat e larta të viktimave numërohen: zbatimi i dobët i rregullave të trafikut, prania e automjeteve të vjetra dhe mungesa e shërbimeve të duhura emergjente.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hamasi “zbut” qëndrimin ndaj Izraelit

Posted: 02 May 2017 01:13 AM PDT

Grupi islmaik palestinez Hamasi publikoi politikën e re ndaj Izraelit, e cila është më e butë, krahasuar me thirrjet e mëparshme për shkatërrimin e shtetit izraelit. Politika pranon idenë e një shteti palestinez në territoret e pushtuara nga Izraeli më 1967, duke thënë se është një "formulë e konsensusit kombëtar". Dokumenti po ashtu thotë se Hamasi nuk lufton kundër hebrenjve, por kundër Izraelit si pushtues. Programi u prezantua në Doha të Katarit nga udhëheqësi në mërgim i Hamasit, Khaled Mashaal.  Një zëdhënës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Hamasi "po bën përpjekje të mashtrojë botën, porse nuk do të ketë sukses". "Ata kanë ndërtuar tunele për terroristë dhe kanë lëshuar mijëra raketa mbi civilët izraelitë. Ky është Hamasi i vërtetë", tha zëdhënësi David Keyes.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mbajtja e zgjedhjeve të reja të parakohshme, me ligj të vjetër

Posted: 01 May 2017 11:19 PM PDT

Përfaqësuesit e partive politike, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thonë se ngecjet në procesin e reformave të parapara zgjedhore nuk paraqesin problem në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Partitë politike opozitare kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre, se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do ta nxirrnin, sipas tyre, vendin nga kriza politike, por së fundmi edhe partitë në pushtet nuk e kanë përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje. Kjo për shkak të mos përmbushjes së obligimeve posaçërisht ndërkombëtare në Kuvend. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se ligji ekzistues ka shërbyer për organizimin e zgjedhjeve qoftë parlamentare apo edhe lokale dhe si i tillë mund të vazhdojë të zbatohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme. Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së, nga radhët e PDK-së, tha për Radion Evropa e Lirë, se në radhë të parë vullneti politik është ai i cili mundëson zgjedhje demokratike dhe me standarde të larta. "Cështja e reformave zgjedhore është çështje se kah do të shkojë procesi zgjedhor, por nuk varet cilësia e zgjedhjeve nga to. Ne kemi pasur zgjedhje në 2013 apo 2014 që janë vlerësuar nga të gjithë si zgjedhje me standarde ndërkombëtare. Pra, këto nuk janë pengesa, por është vullneti politik ai i cili mbanë një palë zgjedhje me standarde të larta", tha Gjoshi. Gjoshi tha se mbi 60 mijë persona që nuk jetojnë më dhe 40 mijë të tjerë që kanë hequr dorë nga shtetësinë janë larguar nga listat votuese. Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës tha po ashtu se personat të cilët kanë rënë ndesh me ligjet apo kërkohen nga drejtësia, nuk do të lejohen të jenë pjesë e një gare zgjedhore. "Ne edhe në të kaluarën edhe tani, askënd që është në kundërshtim me ligjin nuk do ta lemë që të jetë në lista zgjedhore. Çdo kush që di për dikë që është në lista zgjedhore, dhe që nuk është në përputhje me ligjin, mund ta denoncojë pranë PZAP-it [Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa] edhe pas certifikimit nga ana jonë. Kanë 24 orë kohë qytetarët dhe subjektet e tjera mundësi që të ankimojnë ndonjë person që rastësisht mund të na ketë shpëtuar dhe të gjendet në listat zgjedhore", tha Gjoshi.  Anëtari tjetër i KQZ-së, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se ligji ekzistues aktual ka bazë të mjaftueshme dhe të mirë për organizimin e drejt të zgjedhjeve. Ai tha se KQZ-ja ka përgjegjësi kushtetuese për organizimin e zgjedhjeve, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme. "Ligji aktual mundëson zgjedhje të lira pa asnjë dyshim, natyrisht që kërkohet marrja e masave nga trupat përgjegjës siç është KQZ-ja dhe institucionet e tjera që kanë rol në garantimin e procesit zgjedhor siç është prokuroria, policia dhe institucionet e tjera. Po të ketë një koordinim të mirë mes këtyre institucioneve dhe do të thosha një shmangieje të ndërhyrjeve në proces zgjedhor nga partitë që e kanë cenuar edhe në të kaluarën, është i mundur një proces i drejt me integritet që garanton vullnetin e votuesve", tha Rrustemi. Rrustemi, sa i takon çështjes se reformave zgjedhore, thotë se asnjëherë nuk ka pasur veprime serioze e as mjedis politik për ta shqyrtuar drejt ketë çështje. "Në këtë legjislaturë edhe me parë nuk ka pasur iniciativa të njëmendta për ta përmirësuar sistemin zgjedhor dhe ligjin për zgjedhje. Ne kemi një histori të freskët kur reforma zgjedhore filloi në vitin 2010 dhe ka dështuar në vitin 2013, përkundër plotësimit dhe kalimit në lexim të parë të ligjit për zgjedhjet. Kjo përpjekje e kësaj legjislature jo që nuk ishte serioze por, ishte e motivuar për të forcuar pushtetin autoritar të presidentit, por edhe të disa liderëve politik", tha Rrustemi. Presidenti Thaçi, vitin e kaluar formoi dy nëngrupe punuese, një për amandamentimin e Kushtetutës dhe një tjetër për reformën zgjedhore në të dyja nivelet, atë qendror dhe lokal. Ai ka kërkuar, siç ka thënë, 'dekriminalizimin e skenës politike në vend' përmes, siç ka deklaruar, 'pamundësimit të të gjithë atyre që janë nën hetime të marrin poste publike ose të kandidojnë në zgjedhje'. Gjatë nëntorit të vitit të kaluar, presidenti organizoi mbajtjen e dy takimeve me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, por këto takime u bojkotuan nga tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump dhe Putin do të bisedojnë sot në telefon

Posted: 01 May 2017 10:50 PM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka caktuar për sot një tjetër telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë. Zyrtarë të Trumpit thanë se dy liderët do të flasin për luftën civile në Siri, ku Moska mbështet Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndërsa SHBA mbështet rebelët që duan rrëzimin e tij. Trump ka urdhëruar një sulm ajror në një bazë ajrore të Sirisë, muajin e kaluar, si ndëshkim për një sulm me gaz helmues mbi civilët. SHBA ka fajësuar Qeverinë e Assadit për këtë sulm, që ka lënë të vrarë 90 veta, por Rusia ka mohuar përgjegjësinë e Qeverisë siriane. Pas këtij sulmi, Trump ka thënë se marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës "mund të jenë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave". Trump dhe Putin kanë biseduar disa herë në telefon prejse Trump ka marrë detyrën në janar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now