INSAJDERI: “Rriten tensionet, Rama kërkon anulimin e zgjedhjeve në Kavajë” plus 19 more

INSAJDERI: “Rriten tensionet, Rama kërkon anulimin e zgjedhjeve në Kavajë” plus 19 more


Rriten tensionet, Rama kërkon anulimin e zgjedhjeve në Kavajë

Posted: 05 May 2017 09:32 AM PDT

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për shtyp të mbajtur pasditen e së premtes ka lënë të kuptohet se zgjedhjet lokale të dielën në Kavajë mund të mos mbahen.

"I kam sugjeruar kandidatit tonë në Kavajë të terhiqet nga gara të dielën", ka thënë Rama. Kjo lëvizje e Ramës vjen pasi, sipas tij, PD ka përgatitur një plan konkret për të shkaktuar trazira të dielën në Kavajë, njofton Top Channel.

"Ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë. Këto janë fakt, por që Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan që me vendosmëri do ta çojmë deri në dështimin e plotë", ka thënë Rama.

Ai është shprehur se, provokimit anti-kushtetues i "të tmerruarve nga drejtësia" qeveria nuk do t'i përgjigjet "flakë për flakë". "Kavaja nuk do të bëhet shesh i një përsheshi të neveritshëm që po e gatuan PD-ja e që do të dështojë me turp", është shprehur Rama.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka deklaruar se 18 qershori është një datë e panegociueshme. "18 qershori është përcaktuar sipas kushtetutës dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet t'i garantojnë e jo ndërmjetësojnë të drejtat e popullit sovran", ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se, nëse PD vendos t'i shkojë deri në fund një strategjie politike vetëvrasëse, si kryeministër nuk mund të lërë asnjë gur pa luajtur për t'u mundësuar atyre që duan ende të votojnë PD të votojnë.

"Zgjedhjet do të bëhen më 18 qershor dhe më 8 maj unë nuk jam më në dispozicion të Bashës për bisedime, nëse ata nuk bien dakord për marrëveshjen për të modifikuar Kodin Zgjedhor dhe për të votuar vettingun", ka thënë Rama.

The post Rriten tensionet, Rama kërkon anulimin e zgjedhjeve në Kavajë appeared first on INSAJDERI.

Mourinho me ekip të dytë kundër Arsenalit

Posted: 05 May 2017 09:32 AM PDT

Trajneri i klubit futbollistik, Manchester Unitedit, Jose Mourinho, pas fitores së mbrëmshme të skuadrës së tij në ndeshjen e parë të gjysmëfinales në Ligën Evropa kundër Ajaxit me rezultatin 1: 0, ka thënë se në ndeshjen kundër Arsenalit e vlefshme për Premier Ligën do të pushojë disa nga lojtarët e tij.

Ndeshja e mbrëmshme në Vigo, për Unitedin ka qenë e dhjeta me radhë që nga data 1 prill.

Golashënuesi i vetëm i takimit të mbrëmshëm ishte Marcus Rashford, i cili me një gol nga gjuajtja e lirë në minutën e 67, u mundësoi "Djajve të Kuq" një epërsi të rëndësishme para ndeshjes së kthimit në Manchester.

Pas fitores së mbrëmshme, u bë akoma më e qartë se Liga Evropa është rruga më e sigurt për Unitedin që sezonin e ardhshëm të garojë në Ligën e Kampionëve.

“Lojtarët që kaluan shumë minuta në fushë nuk do të luajnë të dielën”, ishte i qartë Mourinho, njofton AA.

Në qoftë se do të luajnë në finalen e Liga Evropa, e caktuar për datën 24 maj në Stockholm, ndeshja do të jetë e 64-të në kalendarin e sezonit të sivjetmë të Unitedit.

Mourinho është jashtëzakonisht i ngarkuar me lëndime, kështu që trajneri portugez nuk mund të llogarisë Zlatan Ibrahimoviçin, Marcos Rojo, Phila Jones, Luke Shaw, ndërsa kësaj liste mbrëmë iu shtua edhe Ashley Young.

Nuk është dhe aq zi për Mourinhon pasi lajm të gëzuar paraqet rikuperimi i Juan Mata dhe Chris Smalling, kështu që do të mund të luajnë në ndeshjen kundër Arsenalit. Në prag të derbit i cili do të luhet të dielën në Emirates, Manchester United zë vendin e pestë me 65 pikë, ndërsa Arsenali një shkallë më poshtë me pesë pikë mbetje, por një ndeshje më pak.

The post Mourinho me ekip të dytë kundër Arsenalit appeared first on INSAJDERI.

Kundërshtaret e frikshëm që e presin Haye në rast rikthimi

Posted: 05 May 2017 09:16 AM PDT

David Haye ka thënë se do të kthehet në ring në muajin dhjetor.

Ai kishte lënduar këmbën ndeshjen e zhvilluar në mars me Tony Bellew, ndërsa ishte operuar në tendinin e Akilit.

Haye duket se tashmë pas operimit ka filluar ta marr vetën.

"Pas tetë javësh, kam larguar protezën e këmbës dhe po ndjehem mirë, ku u operova në tendinin e Akilit. Çdo ditë po kam përmirësime dhe rehabilitimi po shkon në mënyrën më të mirë".

"Kam një skuadër të fortë mjekësor dhe po ecën mirë pas luftës me Bellew. Dua të kthehem në dhjetor. Kam besim që do të përmirësohem. Jam në formë shumë të mirë",ka thënë ai,

Por për tu rikthyer ai, përballë mund të ketë katër prej boksierëve më të frikshëm të momentit si Anthony Joshua, Ëladimir Klitschko, Tyson Fury ose Tony Bellew.

Rikthimi i tij, por edhe i Tyson Furyt po pritet me shumë kureshtje nga tifozët e boksit./Insajderi.com

The post Kundërshtaret e frikshëm që e presin Haye në rast rikthimi appeared first on INSAJDERI.

VMRO-DPMNE e Gruevskit në opozitë për t’u reformuar

Posted: 05 May 2017 09:12 AM PDT

Ish zyrtarët e lartë të VMRO DPMNE-së e cila udhëhiqet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, vlerësojnë se shkuarja në opozitë e VMRO DPMNE duhet shfrytëzuar për reformimin e brendshëm të kësaj partie.

Analistët njëherësh thonë se Nikolla Gruevski si lider i kësaj partie, duhet të mbajë përgjegjësi për atë se përkundër faktit se VMRO DPMNE doli fituese në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, ajo nuk arriti të formojë Qeverinë e Maqedonisë, për shkak siç thonë, politikave të gabuara.

Ish sekretari për çështje të euro-integrimeve në qeverinë e Gruevskit Pero Dimshoski, tha për Radio Evropa e Lirë se VMRO DPMNE duhet të veprojë si opozitë konstruktive dhe të reformojë radhët e saj.

"Politikat e gabuara nga të cilat udhëhiqej dhe përkundër asaj se në zgjedhje fitoi numrin më të madh të deputetëve, VMRO DPMNE nuk arriti të formojë qeveri. Shpresoj se kjo periudhë do të shërbej për zgjimin e kësaj partie që të shmanget nga politikat ekstremiste sepse në të kundërtën këtë parti do të fillojnë ta braktisin dhe partnerët e koalicionit për Maqedoni më të mirë, që gjithsej kanë 51 mandate", tha Dimshoski.

Sipas tij, VMRO DPMNE me reformat që i bëri në vitin 2006 dëshmoi se di të veprojë si parti moderne konservative kurse tani është momenti thotë ai, që VMRO DPMNE të veprojë si parti e fuqishme opozitare në funksion të anëtarësimit të vendit në strukturat euro-atlantike.

Ky rreshtim, sipas tij, do ta bëjë edhe më të fuqishme VMRO-në në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Përderisa Jove Kekenovski vlerëson se VMRO DPMNE është detyruar të shkojë në opozitë për shkak të presionit të fuqishëm ndërkombëtar ndonëse nuk beson se Gruevski do të largohet nga drejtimi i partisë.

Kekenovski thotë se Gruevski partinë e shfrytëzon si mbrojë për të mos iu përgjigjur drejtësisë për akuzat që ka ngitur ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij për përfshirje në vepra kriminale.

"Unë jam më shumë se i sigurt se Gruevski tani po edhe gjatë periudhës së ardhshme do të luaj në kartën nacionaliste që partia, përkatësisht anëtarësia e VMRO DPMNE-së, edhe më tej t’i shërbejë si "mish për top" që ai të mund të shpëtojë nga veprat e shumta kriminale për të cilat hetohet dhe ndiqet nga Prokuroria Speciale Publike", vlerëson Kekenovski.

Ndërkohë mediat e afërta me pushtetin duke u thirrur në burime të larta partiake të VMRO-DPMNE njoftojnë se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, lideri i kësaj force politike, Nikolla Gruevski, iu ka thënë anëtarëve të tjerë se partia që ai e drejton do të shkojë në opozitë me ç`rast nga drejtuesit e institucioneve shtetërore ka kërkuar të mos krijojnë probleme gjatë dorëzimit të posteve.

Këtë gjë nuk e konfirmojnë por as nuk e demantojnë zyrtarisht nga partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Por, në rrjetet sociale përkrahës dhe zyrtarë të VMRO DPMNE-së kanë theksuar se partia e tyre shkon në opozitë. (REL)

 

The post VMRO-DPMNE e Gruevskit në opozitë për t'u reformuar appeared first on INSAJDERI.

Trepça 89 deklason Gjilanin

Posted: 05 May 2017 09:08 AM PDT

Trepça 89 ka shënuar sot një tjetër fitore të rëndësishme në rrugën drejt titullit të kampionit.

Në ndeshjen e parë të javës së 29 të Vala Super Ligës së Kosovës 'Mitrovicasit' në stadiumin Riza Lushta kanë mposhtur Gjilanin me rezultat të thellë 5 me 2.

Qysh në fillim të ndeshjes Trepça 89 u tregua skuadër më e rrezikshme duke shënuar qysh në minutën  e parë, përderisa pjesa e parë u përmbyll me rezultat 3 me 1 në të mirë të vendasve.

Në pjesën e dytë përveç golave nga të dy skuadrat, patë edhe dy kartonë të kuq për të dy ekipet.

Izmaku në minutën 59 dhe Emin Haziur në të 75 u ndëshkuan me karton të kuq.

Me këtë fitore, Trepça '89 tani numëron 71 pikë, 11 më shumë se Prishtina, që këtë xhiro luan me Llapin./Insajderi.com

The post Trepça 89 deklason Gjilanin appeared first on INSAJDERI.

Demarkacioni procedohet në Kuvend të hënën

Posted: 05 May 2017 09:04 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve, Hoyt Yee, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Sic njofton Zyra e Kryeministrit, Mustafa e informoi për proceset aktuale në vend si dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e progresit dhe çështjeve të rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.

Në njoftim thuhet se u bisedua vecmas për marrëveëshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila do të dërgohet në Kuvend të hënën për t'u ratifikuar.

"Kryeministri Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee u pajtuan që të hënën Qeveria t'ia procedojë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi", thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

"Si rrjedhim, Qeveria e Kosovës do të mblidhet të hënën dhe ky projektligj do të përcillet në Kuvendin e Kosovës", thuhet tutje në njoftim

"Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, e konsideroi vendim të duhur adresimin e kësaj çështje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit".

 

The post Demarkacioni procedohet në Kuvend të hënën appeared first on INSAJDERI.

Koreja e Veriut: CIA ka bërë komplot për vrasjen e Kim Jong Unit

Posted: 05 May 2017 08:55 AM PDT

Koreja e Veriut akuzoi CIA-n se ka bërë komplot me Korenë e Jugut për të vrarë liderin verikorean, Kim Jong Un.

"Është zbuluar një grup i tmerrshëm terrorist, i cili ishte vendosur brenda Koresë së Veriut dhe ishte duke u përgatitur nga CIA dhe Shërbimi i Inteligjencës i Koresë së Jugut, për të kryer sulm terrorist biokimik kundër udhëheqjes sonë supreme", thuhet në deklaratën e Ministrisë për Sigurinë e Shtetit.

Lufta e fjalëve midis Perëndimit dhe Koresë së Veriut është intensifikuar javëve të fundit.

Phenjani ka kërcënuar se do të kryejë provën e gjashtë bërthamore.

SHBA druan se ai ka kapacitet për të goditur Korenë e Jugut dhe Japoninë.

The post Koreja e Veriut: CIA ka bërë komplot për vrasjen e Kim Jong Unit appeared first on INSAJDERI.

Nga viti tjetër, një ekip kosovar pjesë e Champions League

Posted: 05 May 2017 08:47 AM PDT

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) sot ka pranuar ftesë zyrtare nga drejtori i ‘Basketball Champions League’, Patrick Comninos që skuadra kampione e Kosovës (2016/2017) të marr pjesë në raundin kualifikues të kësaj gare për edicionin 2017/18.

Ekziston mundësia që edhe një klub tjetër nga vendi ynë të marr ftesë për edicionin e ardhshëm të garave kualifikuese të Champions League.

Duhet theksuar se deri te ftesa zyrtare për pjesëmarrje në këtë garë prestigjioze të FIBA-s ka ardhur pas bisedave dhe kontakteve të drejtuesve të FBK-së me udhëheqësit e kësaj lige dhe FIBA-s.(lajmi.net)

 

The post Nga viti tjetër, një ekip kosovar pjesë e Champions League appeared first on INSAJDERI.

Bie ndjeshëm çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare

Posted: 05 May 2017 08:23 AM PDT

Çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm nën perspektivën e ngadalësimit të rritjes së Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që po cënojnë optimizmin për ekonominë globale.

Bursat kanë shënuar rënie në rajonin e Azisë dhe Paqësorit për të tretën ditë radhazi, kjo për shkak të një rënieje prej 5 për qind të çmimit të naftës, si pasojë e frikës për tepricë furnizimesh.

Analistët kanë parashikuar edhe më shumë humbje, në kuadër të sinjaleve se kërkesa nuk do të jetë në gjendje të mbulojë ofertën në treg. Edhe çmimi i hekurit dhe bakrit ka shënuar rënie, ndaj analistët kanë paralajmëruar për një rënie të përgjithshme.

Çmimet e naftës kanë rënë në nivelin më të ulët të tyre në 5 muajt e fundit, ndërkohë që një vëllim rekord i "brent"-it krudo është hedhur në treg, ndërsa OPEC-u dhe prodhuesit e tjerë përjashtojnë mundësinë e reduktimit të nxjerrjes së naftës, për të reduktuar sasinë e ofruar në treg.

Karteli pranoi të reduktonte prodhimin në dhjetor, por konsolidimi i çmimit, si pasojë e reduktimit të furnizimit, tashmë është sfumuar. Edhe prodhimi i naftës krudo amerikane është rritur me më shumë se 10 për qind, që nga mesi i vitit 2016, me 9.3 milionë fuçi në ditë, nivele këto që nuk qëndrojnë aspak prapa atyre të prodhuesve të mëdhenj, Rusisë dhe Arabisë Saudite.

The post Bie ndjeshëm çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare appeared first on INSAJDERI.

Diplomat e ISPE-së nënshkruhen nga gjeneralët gjermanë

Posted: 05 May 2017 08:22 AM PDT

Kryetari i Këshillit të Kolegjit ISPE, gjenerali Volker Halbauer dhe anëtari i këtij këshilli, profesori Bengt Beutler kanë bërë nënshkrimin e diplomave për studentët që kanë përfunduar studimet në kolegjin ISPE në këtë vit akademik.

Gjenerali Halbauer dhe profesori Beutler, në emër të Këshillit të Kolegjit ISPE uruan të diplomuarit dhe përsëritën se me diplomat e kolegjit ISPE ata janë të gatshëm për sfidat që sjell tregu i punës në Kosovë dhe Evropë e po ashtu janë të gatshëm që të vazhdojnë përsosjen e tyre akademike në institucione kredibile ndërkombëtare.

Po ashtu kryetari i Këshillit të Kolegjit ISPE, gjenerali Volker Halbauer dhe anëtarët e këtij këshilli, profesorët Bengt Beutler dhe Avni Mazrreku kanë zhvilluar një takim me studentët, ku janë diskutuar zhvillime te fundit në rajon dhe në Evropë nga prizmi i sigurisë.

Në fjalën hyrëse, Kryetari i Këshillit kolegjit ISPE, gjenerali Halbauer pohoi se sa herë vjen në Kosovë dhe në këtë kolegj bindet se arsimimi që ofrohet këtu është i një niveli të lartë dhe të gjithë duhet ta dinë që në ISPE ia vlen të studiohet edhe pse përfundimi i studimeve këtu është më pak i lehtë se në kolegjet tjera në Kosovë.

Profesori Beutler në fjalën e tij hyrëse pohoi se për Evropën është krijuar përshtypja se politikisht është plakur, mirëpo, Evropa vetëm sa është pjekur dhe maturuar, kurse e ardhmja evropiane i takon pikërisht rinisë dhe studentëve, si këta të kolegjit ISPE.

Nga ana tij profesori Avni Mazrreku përsëriti qëndrimin se nëse përpjekjet ushtarake të NATO-s, bashkë me ato të kosovarëve e kanë sjellë çlirimin dhe fondet e BE-së e kanë mundësuar rindërtimin e Kosovës, tash është koha që në Kosovë të instalohen vlerat e vërteta evropiane të arsimit dhe dijes dhe kolegji ISPE po bën përpjekje të vazhdueshme në këtë drejtim.

Duke diskutuar situatën e sigurisë në nivel evropian dhe global gjenerali Halbauer pohoi se janë gjashtë rreziqe potenciale që mund ta ndikojnë situatën duke filluar nga Rusia dhe veprimet ushtarake të kohëve të fundit, Lindja e Mesme dhe situata atje që është më e keqja në dekadat fundit, terrorizmi islamik, situata në Azi dhe Pacifik me theks të veçantë në rrezikun nuklear nga Korea e Veriut, përçarjet e brendshme në BE dhe paparashikueshmëria e administratës amerikane në krye më Presidentin Trump.

Duke folur për situatën e sigurisë në nivel lokal, gjenerali Halbauer pohoi se Kosova ka nevojë për ushtri, por jo tani. Pse e them këtë? Jetojmë në një situatë që po evoluon dhe ka zhvillime të shumta dhe sfida të shumta. Ne duhet që seriozisht të angazhohemi për ta mirëmbajtur situatën aktuale. Ne nuk duhet ti hedhim vaj zjarrit. Sa kam qenë komandant i KFOR-it kam mësuar shumë, por më e rëndësishmja është që duhet të kemi qetësinë dh të veprojmë në kohën e duhur.  Problemet në Ballkan unë i shoh si probleme të brendshme dhe nëse ne si NATO jemi të gatshëm ti zgjidhim problemet ku ne jemi të përfshirë, atëherë do të mund të zgjidhim edhe problemet e brendshme", pohoi ndër të tjera gjenerali Halbauer.

I pyetur rreth KFOR-it dhe angazhimit të kësaj force në Kosovë gjenerali pohoi se KFOR-i është një tregim suksesi në Kosovë dhe është në fakt tregimi më i suksesshëm i NATO-s kohëve të fundit meqë ambienti që sigurohet nga KFOR-i është një ambient i qetë dhe i sigurt për të gjithë, gjë që nuk mund të thuhet edhe për vendet tjera ku NATO është i përfshirë.

The post Diplomat e ISPE-së nënshkruhen nga gjeneralët gjermanë appeared first on INSAJDERI.

PDK në Prishtinë “nominon” Kadri Veselin kryeministër

Posted: 05 May 2017 08:14 AM PDT

Në kohën sa kryesia e Kuvendit të Kosovës po vendoste se kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e mocion mosbesimi ndaj qeverisë Mustafa, partneri i koalicionit të saj Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë ka shpërndarë në rrjetin social Facebook 'hashtegun' Kadri Veseli, kryeministër.

Kryetari i Kuvendit, Veseli pritët që në zgjedhjet e ardhshme pavarësisht se kur do të mbahen ato ai do të jetë kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryesia e Kuvendit, ka vendosur për të mërkurën që të mbahet seanca e jashtëzakonshme mocionin e rrëzimit të Qeverisë të iniciuar nga partitë opozitare, përkrahur edhe nga disa deputet të PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës, sot gjatë ditës ka mbajtur një mbledhje në lidhje me zhvillimet në vend ku pas saj vetë Veseli ka thënë se nuk është i kënaqur me gjendjen aktuale në vend./Insajderi.com

The post PDK në Prishtinë "nominon” Kadri Veselin kryeministër appeared first on INSAJDERI.

Përfundojnë 70 për qind e punimeve në stadiumin e Prishtinës

Posted: 05 May 2017 08:08 AM PDT

Kanë përfunduar 70 për qind e punëve në kuadër të renovimit të stadiumit të Prishtinës dhe ai pritet të jetë i gatshëm në muajin shtator të këtij viti.

Përmes një komunikate për medie, Ministria e Sportit ka bërë të ditur se për renovimin e stadiumit të Prishtinës po punohet me intensitet të shtuar, raporton Insajderi.

“Inxhinieri i firmës kontraktuese u shpreh se po punohet me intensitet të shtuar, dhe sipas tij, deri me tani janë kryer rreth 70% e punimeve”, njofton komunikata e ministrisë.

Ministri Kujtim Shala, i shoqëruar edhe nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, kanë inspektuar sot punimet që po zhvillohen në Stadiumin e Prishtinës.

Ministri u shpreh shumë i kënaqur me cilësinë dhe dinamikën e punimeve, dhe shtoi se ky është lajm i jashtëzakonshëm për futbollin e Kosovës, sidomos për kombëtaren, meqë shpejt këtu pritet që te zhvillohen ndeshjet kualifikuese.

Shala po ashtu u shpreh se pas plotësimit të kritereve të kërkuara nga UEFA, dhe pas punëve shtesë që kanë dalë si rezultat i këtyre kritereve për plotësimin e kategorisë së katërt, punimet tanimë po zhvillohet shumë mirë. /Insajderi.com

The post Përfundojnë 70 për qind e punimeve në stadiumin e Prishtinës appeared first on INSAJDERI.

Rritja e pagave godet sektorin privat

Posted: 05 May 2017 08:04 AM PDT

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për mundësinë e rritjes së pagave, po kundërshtohet nga përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, duke e vlerësuar atë, siç thonë, si një kërkesë për votë dhe fillim të fushatës.

Në mbledhjen e qeverisë, të enjten, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar nga Ministria e Financave, që në koordinim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të propozojë mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.

Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka pasur qëndrueshmëri të mirë buxhetore dhe lëvizje të mirë ekonomike, gjë që mundëson edhe rritjen e pagave.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të arrijë në 3.9 për qind, megjithëse ekspertët thonë se kjo rritje nuk mund të zbus problemet e papunësisë dhe varfërisë dhe nuk mundëson rritje të pagave.

Ata thonë se sikur 'është bërë traditë që rritja e pagave të ndodh në prag të zgjedhjeve'.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se ky subjekt ekonomik mbështet hapat pozitiv dhe disiplinën financiare në Kosovë, por nuk mund të ndodh gjithmonë rritja e pagave në sektorin publik duke anashkaluar sektorin privat.

Ai ka thënë se rritja e paralajmëruar e pagave është 'grusht' për sektorin privat, nga i cili është realizuar edhe rritja ekonomike që, siç thotë Gërxhaliu, "sipas kryeministrit mundëson rritjen e pagave".

“Kjo duhet të analizohet nga dimensioni psikologjik si do të reflektojë tek qytetarët, në veçanti tek të rinjtë. Sepse do të jetë një hap demotivues që të rinjtë të jenë të orientuar për të punuar në sektorin privat, sepse sektori privat nuk e ka këtë komoditet të rritjes së pagave në mënyrë permanente", ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e paralajmëruar të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në sektorin publik.

Në një qëndrim të shprehur me shkrim, Oda Amerikane beson fuqishëm se ky vendim i mundshëm do të rriste më tej boshllëkun në nivelet e pagesave në sektorin publik dhe privat, veçanërisht duke e ditur se normat e rritura në mënyrë të vazhdueshme në sektorin publik nuk mund të përcillen nga sektori privat, si rezultat i sfidave dhe vështirësive me të cilat përballet ky i fundit.

“Oda Amerikane rikujton Qeverinë e Kosovës se vendimi i paralajmëruar do të bënte sektorin privat më pak atraktiv për punëkërkuesit dhe do të inkurajonte zhvendosjen e fuqisë punëtore nga sektori privat në atë publik", thuhet në qëndrimin e Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë .

Instituti për Studime të Avancuara "GAP", ndërkaq, duke e kundërshtuar rritjen e pagave në këtë sektor, thotë se kjo bie ndesh me programet qeveritare dhe zotimet e Qeverisë se Kosovës të dhëna në Planin Nacional për Reforma në Ekonomi për vitin 2017

Agron Demi nga ky institut, thotë se qeveria fillimisht duhet të bëjë përpjekje për të rritur numrin e të punësuarve e jo të rrisë rrogat për ata që janë duke punuar.

Sidoqoftë, nëse qeveria merr një vendim të tillë, Demi llogaritë se në bazë të rritjes ekonomike, paga mund të rritet deri në 20 euro në muaj.

"Nëse do të procedohej tutje dhe do të rriten pagat konform rritjes ekonomike, atëherë i bie që secilit shërbyes civil t'i rritet paga prej 15 deri 20 euro dhe jo më shumë. Por, kjo nuk duhet të ndodh”.

“Ky paralajmërim është i motivuar nga zgjedhjet, për shkak se kanë kërcënuar me mos dalje në zgjedhje apo me greva, sindikata e arsimit, shëndetësisë dhe shërbyesit civil", thotë Demi.

Safet Gërxhaliu ndërkaq thotë se pasojat e rritjes së pagave para fillimit të fushatës zgjedhore po barten deri në katër vite dhe për këtë periudhë po dëmtohet sektori privat.

"Në veçanti po humbet motivi i të rinjve për t’u përgatitur për sfidat e sektorit privat sepse në mungesë të përgjegjësisë institucionale dhe individuale, dhe në mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, është një luks sot të punohet në institucionet publike, sepse nuk ka performancë. Dhe të stimulohet aty ku nuk ka performancë nuk i bëhet nder Kosovës dhe ardhmërisë se saj", thotë Gërxhaliu.

Rritje të pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik, prej 25 deri në 50 për qind ka pasur edhe në vitin 2014 dhe edhe më herët më 2011, vite këto kur ka pasur zgjedhje në Kosovë, njofton REL.

Sipas të dhënave zyrtare, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 400 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

 

The post Rritja e pagave godet sektorin privat appeared first on INSAJDERI.

“Panenka” nga sulmuesi i Gjilanit [video]

Posted: 05 May 2017 07:59 AM PDT

Një gol nga penalltia në stilin e njohur si “Panenka” ka shënuar sot sulmuesi i Gjilanit Isa Eminhaziri në takim ndaj liderit të Superligës Trepça ’89.

Derisa rezultati i ndeshjes ishte 2 me 0 për Trepçën ’89, Gjilani fitoi një penallti në minutën e 36-të të takimit, teksa Eminhaziri mori përsipër ekzekutimin e kësaj penalltie, raporton Insajderi.

Me qetësi dhe precizitet, duke imituar futbollistin e njohur italian Francesco Totti, Eminhaziri arriti të realizojë një “Panenka”.

Totti është njëri nga futbollistët më të njohur në botë, i cili është i njohur për shënimin e penalltive në stilin “Panenka”. /Insajderi.com

 

 

 

The post “Panenka” nga sulmuesi i Gjilanit [video] appeared first on INSAJDERI.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Stacion policor në objektin e ish-hotel Victory

Posted: 05 May 2017 07:53 AM PDT

Policia e Kosovës ka njoftuar se se stacioni policor jugu që ndodhej në lagjen “Lakrishte” në Prishtinë, që nga sot është zhvendosur në objekt tjetër.

Stacioni aktual ndodhet në afërsi të Termokosit, saktësisht në objektin e ish-hotel Victory.

"Sa i përket numrave kontaktues (telefonat fiks) të zyrtarëve që punojnë në kuadër të këtij stacioni  mbeten po të njëjtit", njofton policia.

"Për të qenë më afër qytetarëve Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka vendosur që në objektin e vjetër, të qëndroj një numër i caktuar i zyrtarëve policor që do të merren me raste në atë zonë".

Po ashtu në objektin e vjetër do të vazhdojnë punën edhe zyrtarët policor që punojnë në kuadër njësitit të trafikut rrugor në Prishtinë, thuhet tutje në njoftimin e PK.

 

The post Stacion policor në objektin e ish-hotel Victory appeared first on INSAJDERI.

MMPH: Aktivistët e VV-së sulmuan këshilltarin tonë

Posted: 05 May 2017 07:48 AM PDT

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nëpërmjet një njoftimi për media ka njoftuar se aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar këshilltarin politik të kësaj ministrie Qeram Telqiu.

MMPH përmes kësaj komunikate ka dënuar veprimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes ku edhe i kanë shkaktuar lëndime trupore Telqiut.

"Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor shpreh brengosjen e thellë dhe dënon veprimet e sotme politik të Lëvizjes Vetëvendosje, si pasoj e të cilave i janë shkaktuar lëndime trupore Këshilltarit Politik të kësaj ministrie z. Qeram Telqiu", thuhet në njoftimin për media të MMPH-së.

Në gjashtë mujorin e vdekjes së dyshimtë të aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, kjo parti ka zhvilluar ka mbajtur sot një protestë para Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë./Insajderi.com

The post MMPH: Aktivistët e VV-së sulmuan këshilltarin tonë appeared first on INSAJDERI.

Fondi Monetar Ndërkombëtar – Mustafës: Nuk mund të rriten pagat

Posted: 05 May 2017 07:40 AM PDT

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që Ministria e Financave të bëjë përgatitjet për rritje të pagave për shërbyesit civilë, sektorin e arsimit dhe atë të shëndetësisë.

Vermeulen shprehet për arbresh.info se në buxhetin e aprovuar për vitin 2017, nuk ka vend për rritje të pagave në sektorin publik.

"Ne nuk jemi konsultuar për ndonjë rritje të mundshme të pagave në sektorin publik. Do të thotë, për vitin 2017, nuk ka vend në buxhetin e aprovuar apo në objektivat fiskale si pjesë e programit të miratuar nga FMN për të rritur pagat", tha Vermeulen.

Ai shton se për vitin 2018, zhvillimet në pagat e sektorit publik duhet të udhëhiqen nga projektligji i pagave që do të hyjë në fuqi vitin që vjen.

"Kjo rregull është shndërruar në Ligjin për pagat e sektorit publik, duke e lidhur rritjen e pagave me rritjen ekonomike, ashtu që rritja e pagave të jetë e bashkërenduar me rritjen e produktivitetit," është shprehur ai për arbresh.info.

Vermeulen deklaron se përmes këtij projektligjit do të parandalohen premtimet e paqëndrueshme që po i bëjnë politikanët në prag të zgjedhjeve.

"Miratimi i rregullit është një arritje kyçe e programit aktual dhe ka për qëllim të parandalojë premtimet e paqëndrueshme parazgjedhore të pagave që kemi parë në të kaluarën. Ndërkohë që Kosova është duke hyrë në një cikël të ri zgjedhor, është e domosdoshme që faturat e pagave të sektorit publik në buxhetin e vitit 2018 të respektojnë kufirin ligjor të paraparë në këtë rregull", theksoi ai.

Isa Mustafa në mbledhjen e fundit të qeverisë ka kërkuar nga Ministri i Financave, Avdullah Hoti që në koordinim me Fondin Monetar Ndërkombëtar të propozojë mundësi të rritjes së pagave për shërbyesit civilë në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.

The post Fondi Monetar Ndërkombëtar – Mustafës: Nuk mund të rriten pagat appeared first on INSAJDERI.

I vërtetohen 10 vite burg personit nga Kosova që vrau vajzën dhe dhëndrin

Posted: 05 May 2017 07:32 AM PDT

 

Një pensionist kosovar i cili tashmë ka mbushur 70 vjet, në shtator të vitit 2015 kishte vrarë në qytetin Kösching dhëndrin dhe të bijën.

Gjykata e Ingolstadt-it e kishte dënuar atë me burg të përjetshëm. Pas ankesës së mbrojtjes së tij në Gjykatën Federale, edhe kjo e ka konfirmuar si të drejtë dënimin në fjalë, duke e bërë të plotfuqishëm atë, shkruan donaukurier.de.

Me këtë vendim nga shkalla më e lartë e gjyqësisë gjermane bëhet e qartë se personi në fjalë duhet të qëndrojë së paku 15a vjet në burg para se të ketë të drejtë të bëjë kërkesë për lirim të parakohshëm, transmeton albinfo.ch.

Por, duke pasur parasysh moshën e tij të shtyrë, mund të pritet edhe lirim eventual për shkaqe shëndetësore.

Pas një konflikti të gjatë familjar që kishte të bënte me një pronësi toke, pensionisti me prejardhje nga Kosova kishte vrarë së pari dhëndrin e tij 35 vjeçar e pastaj edhe të bijën 39 vjeçe.

Bashkëshortët e rinj tashmë të ndjerë, jetonin në fqinjësi me babanë respektivisht vjehrrin.

Gjykata e Landit, aktin e parë të pensionistit e kishte kualifikuar si vrasje të rëndë ndërsa të dytin si goditje me pasojë vrasjen./Insajderi.com

The post I vërtetohen 10 vite burg personit nga Kosova që vrau vajzën dhe dhëndrin appeared first on INSAJDERI.

FIFA i heq dënimin Messit

Posted: 05 May 2017 07:23 AM PDT

Lionel Messi nuk do ta vuaj dënimin prej katër ndeshjeve për Argjentinën ashtu sic ishte parapar mw herët.

Ylli argjentinas ishte pezulluar për katër ndeshje për shkak të reagimit të tij ndaj gjyqtarit anësor në ndeshjen kundër Kilit.

Megjithatë, pas ankesave të bëra apeli ia ka hequr dënimin Lionel Messit, dhe sulmuesi i Barcelonës do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës me Argjentinën.

"FIFA e rrëzon ndalimin ndërkombëtar të Messit prej katër ndeshjeve. Ai tani është në dispozicion për të luajtur ndeshjet e ardhshme të Argjentinës", thuhet në njoftimin e FIFAs-.

Argjentina ndeshjen e radhës do ta luaj ndaj Uruguait në udhëtim, me datë 31 gusht./Insajderi.com

The post FIFA i heq dënimin Messit appeared first on INSAJDERI.

Nënkryetari i LDK-së beson që PDK-ja nuk do të lejojë prishjen e koalicionit

Posted: 05 May 2017 07:19 AM PDT

Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri në një prononcim për Gazetën Blic ka thënë se çështja e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa, i takon vetëm opozitës.

Sipas Hazirit, kanë qenë pikërisht deputetët e opozitës ata të cilët ia kanë mbushur mendjen atyre që kanë nënshkruar për mocionin.

Haziri ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës i beson lidershipit të PDK-së dhe se kjo e fundit nuk do ta prish marrëveshjen e koalicionit, shkruan Blic.

"Është çështje e opozitës dhe veprimet e tyre që kanë bindur disa deputet të PDK-së, Listës Serbe dhe minoritetet tjera… Ne besojmë që lidershipi i PDK-së i përmbahet marrëveshjes së koalicionit pika 14 thotë: Asnjëra palë nuk inicon apo përkrah mocione mosbesimi ndaj Qeverisë", tha ai.

E në anën tjetër deputetë të Nismës për Kosovën, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, kanë dorëzuar sot në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Mocioni me nënshkrimin e 42 deputetëve është dorëzuar nga Pal Lekaj i AAK-së, Aida Dërguti e VV-së dhe Enver Hoti i Nismës për Kosovën.

The post Nënkryetari i LDK-së beson që PDK-ja nuk do të lejojë prishjen e koalicionit appeared first on INSAJDERI.