INSAJDERI: “FFK përfiton rreth gjysmë milion euro nga qeveria” plus 19 more |
- FFK përfiton rreth gjysmë milion euro nga qeveria
- Legjenda e Italisë lavdëron portierin shqiptar
- Sulm kibernetik në spitalet e Britanisë
- Papa Françesku në një udhëtim special drejt faltores së Fatimas në Portugali
- PDK e gatshme të krijojë sërish koalicion me LDK-në
- Serbia rikthen në punë ambasadorin e larguar për shkak të Haradinajt nga Franca
- Komunitetet fetare bëjnë thirrje për dialog politik në Shqipëri
- Merkel forcon pozicionet karshi Schulzit
- Arsyeja pse qeveria refuzoi kërkesën e familjes Dehari për hetim të pavarur [dokument]
- Xhaferi: Zgjedhja ime është fillimi i fundit të krizës politike
- Zëvendëskryeministri serb: Haradinaj mund ta shoh Nishin vetëm brenda burgut
- Sigurimet shëndetësore nuk fillojnë as në korrik
- Gjykata greke dënon luftëtarët e ISIS
- Partia e Drejtësisë sërish afër koalicionit me PDK-në
- Arrestohen dy persona të dyshuar për kontrabandë dhe falsifikim të mallrave
- Ish-ministri akuzon qeverinë e Greqisë: Po e bëni Greqinë sikurse Kosova
- Bonuset e çuditshme të Balotellit dhe Tevezit
- Prodhime vendore me barkod të Serbisë
- France 24: Kosova, shteti jofunksional në zemër të Europës
- Të pagjeturit serb dhe shqiptar jehojnë ne Venecia
| FFK përfiton rreth gjysmë milion euro nga qeveria Posted: 12 May 2017 09:34 AM PDT Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar memorandum me Federatën e Futbollit të Kosovës, Federatën e Bodybuildingut dhe Fitnesit të Kosovës, të cilave ministria obligohet t'i përkrahë me 490 mijë euro përkatësisht 40 mijë. Mbështetja financiare nga ana e MKRS-së për federatat bëhet me qëllim të realizimit të synimeve dhe planeve për vitin 2017, të cilat t'u jepen ndaras në baza tre mujore për projektet që federatat planifikojnë t'i zhvillojnë. Ministri Kujtim Shala se po angazhohemi si institucion të jemi në mbështetje të sportit në vend, duke investuar në përmirësimin e kushteve për sportistë, duke standardizuar infrastrukturën ligjore e fizike me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes dhe cilësisë. Ndërsa, kryetari FFK-së, Fadil Vokrri e falënderoi ministrin Shala për përkrahjen duke thënë se kjo mbështetje nga MKRS-ja është një ndihmë për federatën që ajo të arrijë objektivat për këtë vit, e që është më se e nevojshme për sportin më të popullarizuar në vend./Insajderi.com The post FFK përfiton rreth gjysmë milion euro nga qeveria appeared first on INSAJDERI. |
| Legjenda e Italisë lavdëron portierin shqiptar Posted: 12 May 2017 09:28 AM PDT Elozhet nuk kanë munguar për Thomas Strakoshën gjatë këtij edicioni. Mirëpo, kur paraqitjet e tij marrin vlerësim edhe nga një legjendë e portës si Dino Zoff, atëherë shqiptari ka bërë vërtet mirë. Ish-portieri i Kombëtares italiane, por edhe Juventusit e Lacios, ka folur edhe për portierin shqiptar në vigjilje të Kupës së Italisë. "Strakosha? Është duke bërë mirë. Mund të them që është i zgjuar. Ai ka treguar që është i mirë në daljet që bën dhe në ndërhyrjet për topat poshtë", ka deklaruar Dino Zoff. Në këtë rast, një vlerësim pozitiv nga një legjendë e portës si ish-portieri i Kombëtares italiane, është tregues i hapave pozitivë që ka bërë Strakosha në fillimet e karrierës së tij. /Insajderi.com The post Legjenda e Italisë lavdëron portierin shqiptar appeared first on INSAJDERI. |
| Sulm kibernetik në spitalet e Britanisë Posted: 12 May 2017 09:27 AM PDT Spitalet në gjithë Britaninë u detyruan të anulonin takimet, pasi pësuan një sulm të dyshuar kibernetik. Spitalet në Londër, në veriperëndim të Anglisë dhe në pjesë të tjera të vendit raportuan probleme me sistemet e tyre kompjuterike. "Ooops, dosjet e juaja janë të koduara", është mesazhi që është shfaqur në ekranet e kompjuterëve në Shërbimin e Shëndetit Kombëtar të Britanisë. Për të rikthyer qasjen në kompjuterë, është kërkuar të paguhet. Agjencia Kombëtare për Krim tha se është e njoftuar me raportet, por nuk dha më shumë detaje. Rastet emergjente janë referuar në spitale të paprekura. The post Sulm kibernetik në spitalet e Britanisë appeared first on INSAJDERI. |
| Papa Françesku në një udhëtim special drejt faltores së Fatimas në Portugali Posted: 12 May 2017 09:23 AM PDT Papa Françesku ka nisur një pelegrinazh për në faltoren Fatima në qendër të Portugalisë, një faltore ku ai planifikon të shenjtërojë dy fëmijë barinj. Kanë kaluar 100 vite që kur dy – dhe një fëmijë i tretë – kanë treguar të kenë parë Shën Marinë e Virgjër përderisa po kujdeseshin për delet. Edhe fëmija i tretë është rrugës për shenjtërim. Portugalia ka ngritur sigurinë dhe ka riformuar kontrollin në kufij, duke suspenduar paktin e kufijve të hapur shengen. Më shumë se një milionë pelegrinë priten të vijnë. Të tre fëmijët e nderuar kanë vdekur. Kisha romake katolike ka vlera të mëdha për vizitorët e saj, pasi që Maria besohet të ketë treguar të vërtetat për të ndihmuar njerëzimin. Kisha ka thënë që vizionet e para kanë ardhur më 13 maj, 1917. Në një videomesazh për papën e Portugalisë, Papa tha që ai do ta prezantojë vetën Marisë "dhe kam nevojë të ju ndjej afër juve, fizikisht dhe shpirtërisht, kështu që të jemi të një zemre dhe një mendje". Jacinta dhe Francisco Marto do të kanonizohen të shtunën. Ata vdiqën në vitet 1918-1919 nga gripi pandemik. Të ashtuquajturat tri sekretet e Fatimes janë shkruar nga fëmija i tretë – kushërira e tyre Lucia dos Santos – e cila ka vdekur në vitin 2005, 97 vjeçe. Procesi i bekimit për të ka filluar në vitin 2008. Cilat janë këto tri sekrete? Këto janë profecitë të shkruara nga Lucia, vite pas shëmbëlltyrave që ata të tre kanë thënë të kenë parë. Ajo ka kaluar jetën si një motër nderi. Dy sekretet e para ishin shpalosur në vitin 1942. I pari përshkruhet si një vizion i tmerrshëm i ferrit, me një "det të madh prej zjarri", demonë dhe shpirtra njerëzish I dyti interpretohet si parashikimi i Marisë që Lufta e Parë Botërore do të përfundojë dhe Lufta e Dytë Botërore do të fillojë gjatë papatit të Piusit XI Maria gjithashtu ka thirrur për "shenjtërim" të Rusisë, duke thënë: "Nëse kërkesat e mia përmbushen, Rusia do të konvertohet, dhe do të ketë paqe; nëse jo, ajo do të shpërndajë mëkatet e saj nëpër botë, suke shkaktuar luftëra dhe keqtrajtim të kishës". Lucia ka mbyllur sekretin e tretë në një zarf, i cili i është dhënë Vatikanit në vitin 1957 dhe është shfaqur në vitin 2000 Përshkruhet si një engjëll duke kërkuar "pendesë!", më pas papa dhe klerikët e tjerë janë ngjitur në mal, duke u vrarë nga ushtarë të cilët gjuanin plumba dhe shigjeta. Ndërsa sipas pasardhësit të Papa Françeskut, Benedikti XVI, vizionet që përshkruhen në tri sekretet janë "për të mobilizuar forcat dhe për të ndryshuar në drejtimin e duhur". /Insajderi.com The post Papa Françesku në një udhëtim special drejt faltores së Fatimas në Portugali appeared first on INSAJDERI. |
| PDK e gatshme të krijojë sërish koalicion me LDK-në Posted: 12 May 2017 09:22 AM PDT Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo parti nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, qoftë edhe LDK-në. "PDK-ja është partia më e madhe në vend dhe për sa kohë të jetë partia më e madhe në vend me besimin më të madh të qytetarëve ajo gjithmonë do të udhëheq Qeverinë. Për neve njëherë është kjo me rëndësi, koalicioni me qytetarë që të marrim edhe njëherë besimin e tyre që të jemi partia e cila do të kemi mandatin që edhe njëherë me qeverisë", ka deklaruar Krasniqi. "Pas kësaj do të jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë, por para se gjithash e përmenda me partitë të cilat janë të ngjashme me orientimin ideologjik dhe orientimin politik por mbi të gjitha me konceptete ekonomike. Dhe absolutisht nuk e përjashtojmë as LDK-në, AAK-në, as AKR-në, as partitë e tjera të cilat janë të përafërta me këto orientime", ka thënë ai për EkonomiaOnline. Krasniqi ka thënë se pas "fitores" preferojnë që të krijojnë një koalicion qeverisës me partitë të cilat janë të përafërta me synimin e tyre politik, veçanërisht me ato parti të cilat e pranojnë dhe përcaktojnë programin për zhvillim ekonomik, që sipas tij, do të jetë shtylla qendrore e programit të PDK-së. The post PDK e gatshme të krijojë sërish koalicion me LDK-në appeared first on INSAJDERI. |
| Serbia rikthen në punë ambasadorin e larguar për shkak të Haradinajt nga Franca Posted: 12 May 2017 09:19 AM PDT Ambasadori i Serbisë në Paris, Rajko Ristiq i cili ishte tërhequr nga Parisi për konsultime për shakë të vendimit të Gjykatës franceze për refuzimin e ekstradimit të Ramush Haradinajt, është kthyer sot përsëri në detyrë. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq kthimin në detyrë të ambasadorit serb në Francë e arsyetoj me ndryshimet që kanë ndodhur në Francë. "Në Francë kanë ndodhur ndryshe u zgjodh presidenti i ri, prandaj u morr vendimi që Rastiq të kthej në Paris", ka thënë Daçiq për Tanjug. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte ndaluar me 4 janar në Francë me një urdhër arrest të lëshuar nga Serbia. Haradinaj u detyrua të qëndroj në Francë për gati 4 muaj, por Gjykata franceze në fund vendosi që të refuzoj kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt. Që nga 27 prilli kur Haradinaj ishte liruar Serbia kishte tërhequr ambasadorin e saj nga Franca./Insajderi.com The post Serbia rikthen në punë ambasadorin e larguar për shkak të Haradinajt nga Franca appeared first on INSAJDERI. |
| Komunitetet fetare bëjnë thirrje për dialog politik në Shqipëri Posted: 12 May 2017 09:16 AM PDT Pesë komunitetet fetare në Shqipëri i apelojnë klasës politike që të gjejnë një zgjidhje për krizën dhe të marrin përgjegjësitë institucionale në të mirë të vendit. Drejtuesit e komunitetit Mysliman, Kishës Ortodokse, Kishës Katolike, Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve dhe Vëllazërisë Ungjillore, thonë se janë të shqetësuar për zhvillimet e fundit, për mungesën e dialogut dhe të vullnetit për zgjidhjen e ngërçeve te krijuara, top channel. Po ashtu, ata shprehin shqetësimin për retorikën e dhunshme dhe përçmuese që përcjellin politikanët përmes medias dhe rrjeteve sociale, si edhe për dukurinë e korrupsionit dhe të prodhimit të lëndëve narkotike. "Të gjitha këto mund të rrezikojnë stabilitetin e vendit, që për ne është një e mirë e madhe për të gjithë shoqërinë e për çdo njeri dhe që duhet ta ruajmë me çdo kusht", thuhet në deklarata. Ndaj drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri thonë se ftojnë me ngulm dhe me forcë të gjithë faktorët politikë, nga ana e opozitës dhe e qeverisë, parti të vogla e të mëdha për te ndërtuar ura dhe jo mure. "Duhet një dialog i sinqertë duke përfshirë sa më shumë aktorë dhe faktorë. Keni përgjegjësi përpara popullit dhe duhet të mendoni për të qysh nga dita që keni marrë përsipër të hyni në politikë", apelojnë drejtuesit e pesë komuniteteve fetare. Ata kërkojnë që politikanët të ulin tonet e retorikës së dhunshme dhe përçmuese ndaj kundërshtarit, pasi kjo vetëm nxeh gjakrat dhe nxit veprime të dhunshme. Në deklaratën e përbashkët apelohet që të garantohet një procesi parazgjedhor dhe zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës. Po ashtu, u kërkohet qytetarëve që të mos bien pre e tundimit të shitblerjes së votës apo të votimit nën kërcënim për vendin e punës. Ata i kërkojnë çdo nismë qytetare që të shmangin çdo lloj dhune ndaj njerëzve, objekteve dhe institucioneve. The post Komunitetet fetare bëjnë thirrje për dialog politik në Shqipëri appeared first on INSAJDERI. |
| Merkel forcon pozicionet karshi Schulzit Posted: 12 May 2017 09:04 AM PDT Angela Merkel ka forcuar pozicionet kohët e fundit, ndërsa Martin Schulz po bie. Ka dhe parti të tjera të cilat po përfitojnë nga zhvillimet e fundit në Gjermani dhe Evropë. Zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të mbahen me 24 shtator, por në vend dhe në Evropë po shtrohet një pyetje e “madhe”: Kush do të qeverisë me Gjermaninë pas këtij legjilacioni dhe a do të marrë fund periudha e Angela Merkelit? Kjo në radhë të parë varet nga kandidati i socialdemokratëve (SPD) Martin Schulz. Në fund të janarit, kur u bë e ditur se ai do të jetë kandidati i kësaj partie për kancelar, ai arriti shumë shpejt ta përmirësojë pozitën e dobët të kësaj partie. Në oponion u krijua një “efekt Schulz”, që për herë të parë pas vitesh të tëra i siguroi SPD-së një mbështetje më të lartë se 30%, shkruan DW. “Efekti Schulz” po zhduket Për këtë kandidat në fillim gjendja dukej shumë e mirë. SPD-ja u barazua shpejt me vota me CDU-në e kancelares Merkel dhe në Gjermani flitej për “Efektin Schulz”. Por duket se tani gjendja ka ndryshuar, të paktën kështu thuhet në sondazhet e fundit të bëra me porosi të televizionit publik ARD, nga instituti “Infratest dimap”. Instituti ka pyetur 1000 vetë dhe ka konkluduar mbi bazën e këtyre rezultateve. Krahasimi i drejtëpërdrejtë mes Merkel dhe Schulz tregon se ky i fundit ka rënë dukshëm. Sikur gjermanët ta zgjidhnin drejtpërdrejt kancelarin, atëherë gati gjysma do të votonte për Angela Merkelin, që do të thotë 3% më shumë se në sondazhet e fundit. Ndërsa Martin Schulz-i ka humbur 4% të votave dhe tani e mbështesin vetëm 36 % e të anketuarve. Para tre muajsh Schulzi kishte mbështetjen e gjysmës së personave të anketuar. Merkel garanton mirëqenie dhe stabilitet Problemi kryesor i Schulz-it është mungesa e ofertave. Dy të tretat e të anketuarve thonë se Schulz-it i mungon një linjë e qartë në politikë. 45% e të anketuarve thonë se ata kanë pritur më shumë nga Schulzi. Ndërsa shumica e konsideron kancelaren aktuale Merkel si garante për mirëqenie dhe stabilitet. Merkel është në pushtet prej 12 vitesh dhe ka shprehur gatishmëri që të vazhdojë të mbajë këtë post edhe katër vite të tjera. Liberalët po këndellen Ngritja e vlerave të kancelares në sondazhe ka rritur edhe mbështetjen e partisë së saj CDU. Sikur zgjedhjet të zhvilloheshin këtë të dielë, CDU-ja do të fitonte 37 % të votave – pra 3% më shumë se muajin e kaluar. Ngritja e CDU-së shkon më së shumti në llogari të SPD, e cila ka shënuar një rënie prej 4% dhe tani do të fitonte vetëm 27 % të votave. Në zgjedhjet e fundit të zhvilluara në vitin 2013, kjo partia ka fitruar 25,7 % të votave. Më së shumti është këndellur kohët e fundit Partia Liberale, FDP, e cila në zgjedhjet e kaluara nuk është futur fare në Bundestag. Në sondazhet e tanishme thuhet se për këtë parti do të votonin 8%, që është vlera më e lartë që nga viti 2010. Vlerat e ekologjistëve (8 %) dhe të Majtës (7 %) mbeten të njëjta. Ndërsa partia djathtiste AfD ka rënë me 1% dhe tani do të fitonte 10%. Kjo do të thotë se në Bundestag për herë të parë në historinë e pasluftës mund të futet një parti populiste e djathtë. Tema kryesore – skandalet në Bundeswehr Tema e cila këto ditë më së shumti ka preokupuar gjermanët është skandali në Bundeswehr, ku ka pasur të arrestuar nën dyshimin për ekstremizëm të djathtë. Dyshohet se oficeri Franco A. ka përgatitur sulme terroriste dhe atentate ndaj politikanëve kryesorë të vendit. Ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen ka paralajmëruar reforma të thella në ushtri, por punën e saj e vlerësojnë vetëm 38% e gjermanëve, që do të thotë 16% më pak se një muaj më parë. Dy të tretat e të anketuarve mendojnë se Bundeswehrit i mungon udhëheqja dhe kontrolli i duhur, ndërsa çdo i treti mendon se idetë e ekstremizmit të djashtë janë më të përhapura në ushtri se në pjesët e tjera të shoqërisë. Evropa më e fuqishme? Britanikët do të largohen nga Bashkimi Evropian ndërkohë që edhe në disa vende të tjera është shtuar ndikimi i forcave antievropiane. Por jo edhe në Francë, ku me mbi 65% të votave fitoi kandidati proevropian Emannuel Macron. Ai angazhohet për një Evropë të fuqishme dhe bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë. Por më shumë se gjysma e gjermanëve mendojnë se vendi i tyre nuk duhet të vërë edhe më shumë para në dispozicion për Evropën.
The post Merkel forcon pozicionet karshi Schulzit appeared first on INSAJDERI. |
| Arsyeja pse qeveria refuzoi kërkesën e familjes Dehari për hetim të pavarur [dokument] Posted: 12 May 2017 08:53 AM PDT Zyra e Kryeministrit të Kosovës refuzoi kërkesën e familjes së Astrit Deharit, për hetime të pavarur nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër rreth vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se Zvicra nuk është e anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE). Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në përgjigjen që i ka kthyer avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi, e ka njoftuar atë se në lidhje me Rekomandimin e Kuvendit të Kosovës, ekspertiza e pavarur në rastin e Astrit Deharit mund të kryhet nga çfardo institut, me kusht që ky shtet të jetë nga BE-ja dhe SHBA-të. "Ekspertiza mund të kryhet në cilindo vend të BE-së dhe SHBA-ve, ndërsa pasi që kërkesa e Familjes Dehari është që kjo ekspertizë të kryhet në 'Qendren Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës', atëherë konsiderojmë se një gjë e tillë është në kundërshtim me pikën 4 të Rekomandimit të Kuvendit të Kosovës, pasi që Konfederata e Zvicrës nuk është pjesë e Bashkimit Evropian", thuhet në përgjigjën e Zyrës së Kryeministrit. Avokati i familjes Dehari ka treguar arsyen pse familja Dehari kishte zgjedhur një institut nga Zvicra për të kryer hetime të pavarura për vdekjen e Astrit Deharit. “Familja Dehari ka përzgjedhur Institutin Zviceran për të vetmen arsye se ata kane jetuar ne Zvicër rreth 20 vite dhe kanë besim në Institucionet Zvicrane, por pas këtij refuzimi nga Zyra e Kryeministrit”, ka thënë Tomë Gashi për Insajderin. Gashi ka thënë për se familja Dehari do të zgjedhë një tjetër institut që ndodhet në vendet e BE-së apo SHBA-ve. Por, Gashi ka thënë se deri tek zgjedhja e një instituti ndërkombëtar të mjekësisë ligjore do të duhet kohë. “Familja Dehari do të zgjedhë një Institut në kuadër të shteteve të BE-së apo SHBA por për këtë do të duhet një kohë e caktuar për hulumtim të këtyre Instituteve, për të parë se cilat Institute kanë kredibilitet-besueshmeri që të kryejne hetime të pavarura në rastin e vrasjes së Astrit Deharit me 05.11.2016, ne Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, ka thënë Gashi. Rreth refuzimit të qeverisë ndaj kërkesës së familjes Dehari, Insajderi i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Drejtësisë, mirëpo e ka pasur të pamundur të marrë përgjigje nga zyrtarët e kësaj ministrie. Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për medie ka njoftuar sot se Qeveria e Kosovës e ka refuzuar kërkesën e familjes Dehari për hetime të pavarura në rastin Dehari. /Insajderi.com
The post Arsyeja pse qeveria refuzoi kërkesën e familjes Dehari për hetim të pavarur [dokument] appeared first on INSAJDERI. |
| Xhaferi: Zgjedhja ime është fillimi i fundit të krizës politike Posted: 12 May 2017 08:42 AM PDT Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, shfaqi shpresën së presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, do t'i japë mandatin për formimin e qeversë liderit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, por shtoi se qeveria mund të zgjidhet edhe pa të, me propozim të shumicës parlamentare. Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Xhaferi tha se shkuarja e VMRO DPMNE-së në opozitë është realitet dhe se zgjedhja e tij në krye të parlamentit është fillimi i fundit të krizës politike. "Zgjedhja e kryetarit të kuvendit është pikëfillimi i përfundimit të kësaj krize politike, e cila ka arritur kulmin me hyrjen e qytetarëve në Parlament, më 27 prill. Mendoj se ky ka qenë kulmi i seriozitetit të situatës dhe se të gjithë jemi vetëdijesuar si bartës të funksioneve politike dhe shtetërore", tha Xhaferi. I pyetur nëse pret që Ivanov sërish të bëjë përpjekje për të shmangur dorëzimin te Zaevi të mandatit për formimin e qeverisë së re, Xhaferi tha se dëshron që Ivanov ta bëjë atë brenda kohës së përcaktuar me Kushtetutë, por nuk e përjashtoi edhe të kundërtën. "Në atë rast, qeveria mund të zgjidhet me propozim të shumicës së deputetëve", tha Xhaferi dhe shtoi se është i gatshëm edhe për këtë variant. "Duhet të jem i gatshëm për çdo variant si kryetar i parlamentit dhe, brenda kompetencave që kam, të veproj me kërkesën e shumicës së deputetëve", tha Xhaferi. Sipas tij, zgjedhja e qeverisë me kërkesën e shumicës parlamentare është tërësisht legjitime, sepse, siç tha, Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës parashohin juridiksionin e parlamentit për zgjiedhjen e qeverisë dhe asnjë institucion tjetër nuk mund ta parandalojë. The post Xhaferi: Zgjedhja ime është fillimi i fundit të krizës politike appeared first on INSAJDERI. |
| Zëvendëskryeministri serb: Haradinaj mund ta shoh Nishin vetëm brenda burgut Posted: 12 May 2017 08:36 AM PDT Zëvendëskryeministri i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt. Haradinaj i cili dje tha se nëse ai bëhet kryeministër dhe Serbia nuk e largon Kosovën nga kushtetuta e saj si pjesë të Serbisë atëherë ai do të zgjeroj hartën e Kosovës deri në Nish, njofton Insajderi. Reagimi i ashpër ka ardhur nga zëvendëskryeministri serb i cili ka thënë se Haradinaj, Nishin mund ta sheh vetëm brenda burgut. "Nishin mund ta sheh vetëm burgun e saj nga brenda. Kjo është e gjitha që mund të sheh në Nish", ka thënë Stefanoviq për Tanjug Kosova vazhdon ende të mbetët si pjesë e Serbisë sipas kushtetutës së Serbisë. Ndërkaq kjo gjende e ka tensionuar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn i cili dje tha se Serbia duhet ta heq Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj, ndryshe Haradinaj ka thënë se Kosova do fusë në hartën e saj një të tretën e tokës së Serbisë. Ndryshe Haradinaj u ndalua për më shumë se 3 muaj në Francë me një urdhër arrest të lëshuar nga Serbia, me pretendimin se Haradinaj ka kryer krime lufte. Franca hodhi poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, ndërsa Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm dy herë nga gjykatat ndërkombëtare për pretendimet se ai kishte kryer krime lufte gjatë viteve 1999./Insajderi.com The post Zëvendëskryeministri serb: Haradinaj mund ta shoh Nishin vetëm brenda burgut appeared first on INSAJDERI. |
| Sigurimet shëndetësore nuk fillojnë as në korrik Posted: 12 May 2017 08:24 AM PDT Në korrik të këtij viti, sipas një vendimi të qeverisë në dorëheqje do të fillonte mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore. Por, ky proces nuk do të filloj në korrik për shkak të rënies së Qeverisë. Ndonëse ishte paraparë që të filloj mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore të filloj në muajin korrik të këtij viti, rënia e qeverisë Mustafa e ka shtyer këtë proces. Ndonëse zyrtarisht hezitojnë ta thonë një gjë të tillë, zyrtarë të MSH-së thonë se tashmë çdo përpjekje për të filluar me mbledhjen e premiumeve që nga korriku është e kotë. "Muaji qershor do të jetë muaji i zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve do të kalojnë edhe disa ditë derisa të krijohet qeveria e re dhe do të ishte sukses nëse gjithë ky proces kryhet deri në korrik, pasë parasysh edhe kohën e certifikimit që kërkojnë zgjedhjet", thotë një burim në MSH, i afërt me kabinetin e ministrit në dorëheqje të shëndetësisë Imet Rrahmani. Sipas të njejtit burim, nuk dihet nëse Qeveria e re, do të nxjerrë ndonjë vendim tjetër sa i përket fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurimin shëndetësor, raporton rtklive.com. Kjo e fundit nuk mohet as nga përgjegjës për informim të Ministrisë së Shëndetësisë. Departamenti për Komunikim me Publikun në MSh, precizon në një përgjigje me shkrim se Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta paragjykojë as se kur do të krijohet Qeveria e re, e as nëse do të ketë ndonjë vendim ndryshe. "Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim në fund të vitit që shkoi që procesi i fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurimin shëndetësor të obliguar të nis në korrik 2017", thuhet në përgjigjet e divizionit për komunikim me publikun të MSh-së. Por, në përgjigjen zyrtare për rtklive.com, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se Ministria, Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe hisedarët e tjerë në këtë ndërmarrje janë në proces të përgatitjeve për implementimin e vendimit, raporton rtklive.com.. Ndryushe mbledhja e premiumeve ishte paraparë për janar të këtij viti. Por për shkak të mos përgatitjeve me vendim të Qeverisë në dorëheqje, mbledhja e premiumeve është shtyer për fillim të korrikut. Ministri në dorëheqje i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ishte deklaruar se në korrik do të fillojë mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore. Por, ai kishte pohuar se nga kjo datë nuk nënkupton edhe marrja e shërbimeve bazuar në pagesat e sigurimit, pasi ofrimi i shërbimeve do të fillojë disa muaj pasi të grumbullohet fondi. Po ashtu ishte paraparë që të gjithë të punësuarit do të paguanin për shëndetin e tyre nga 3,5 për qind të rrogës neto, derisa 3,5 për qind tjera do të paguheshin nga punëdhënësi. Rrahmani, megjithatë kishte pranuar se ky proces në sistemin shëndetësor është një nga më të rëndët, raporton rtklive.com.
The post Sigurimet shëndetësore nuk fillojnë as në korrik appeared first on INSAJDERI. |
| Gjykata greke dënon luftëtarët e ISIS Posted: 12 May 2017 08:13 AM PDT Gjykata e Komotinisë ka dënuar me 15 vjet burg dy ekstremistë islamikë të arrestuar nën akuzën e armëmbajtjes pa leje në janar 2016, në stacionin e autobusëve në Aleksandrupoli. Dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë nga gjykata dhe janë dënuar pas vërtetimit të akuzave. Sipas mediave greke, bëhet fjalë për një 30-vjeçar me shtetësi suedeze dhe një 20-vjecar Jemenas, të arrestuar nën akuzën e anëtarësimit në Shtetin Islamik, ndihmë për organizatat ekstremiste dhe atmatosjen e tyre. Në momentin e arrestimit atyre iu gjetën hanxharë dhe materiale propagandistike pro Shtetit Islamik. Ata po bëheshin gati të udhëtonin në një autobus me destinacion Athinën. Prej hetimeve rezultoi se dy personat tentonin të krijonin celula të ISIS në kryeqytetin helen, prej nga ku do të organizonin sulme terroriste. Informacionet e dhëna shërbimeve sekrete greke nga homologët e tyre suedezë dhe amerikanë shërbyen për parandalimin e celulës terroriste që ata donin të krijonin. Ndonëse dy të akuzuarit nuk pranuan akuzat ndaj tyre, ata nuk mundën t'i bindnin gjykatësit, të cilët kishin prova të forta për aktivitetin e tyre terrorist. Avokatët e dy luftëtarëve të ISIS deklaruan se do ta apelojnë vendimin. Në Greqi mbahen në izolim dhjetëra emigrantë të dyshuar si anëtarë të ISIS. Shumë prej tyre merren në pyetje në zyrat e shërbimeve sekrete dhe depërtohen me procedura të përshpejtuara në vendet e origjinës. Organet greke kanë refuzuar të deklarojnë numrin e saktë dhe emrat e të dyshuarve si anëtarë të ISIS që mbahen në ambientet e paraburgimit në vend. Ky është gjyqi i parë i këtij lloji në Greqi dhe lajmi për dënimin e të akuzuarve bëri jehonë në mediat vendase dhe ato ndërkombëtare. The post Gjykata greke dënon luftëtarët e ISIS appeared first on INSAJDERI. |
| Partia e Drejtësisë sërish afër koalicionit me PDK-në Posted: 12 May 2017 07:56 AM PDT Partia Demokratike e Kosovës tashmë është afër finalizimit të marrëveshjes me partnerin e parë të koalicionit parazgjedhor, për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 11 qershor. Kryetari i PD-së, Ferid Agani ka thënë se janë në bisedime me PDK-në lidhur më mundësinë e një marrëveshje për koalicionin parazgjedhor. "Ne jemi në bisedime me partnerin tonë në koalicionin qeveritar dhe paraprakisht kemi qenë edhe në koalicionin parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, lidhur më mundësinë e një koalicioni parazgjedhor". "Jemi duke e bërë analizën e finalizimit të marrëveshjes paraprake si dhe kemi vlerësuar anët pozitive dhe ka pasur edhe disa ngecje, dhe besojë që pas kësaj analize do të kalohet edhe në fazën e ardhshme", ka thënë Agani, shkruan Lajmi.net Ai ka treguar se përveç PDK-së kanë oferta joformale edhe nga partitë tjera,por që nuk ka preferuar të tregojë së kush janë ato. Por, sipas tij bisedimet më të avancuara janë ato më PDK-në. Partia e Drejtësisë ka qenë pjesë e koalicionin qeverisës me PDK-në në dy mandatet e kaluara, ku Agani kishte udhëhequr dy ministri. Në Qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi ai ishte ministër i Shëndetësisë, ndërsa në këtë të fundit Agani ka udhëhequr për dy vite ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ai nga ky post kishte dhënë dorëheqje pas aktakuzës ndaj tij lidhur për rastin 'Stenta', i ndodhur në kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Pas rrëzimit të Qeverisë së Isa Mustafës me anë të mocionit të mosbesimit në Kuvend, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Presidenti Thaçi ka shpallur 11 qershorin datën kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare./Insajderi.com The post Partia e Drejtësisë sërish afër koalicionit me PDK-në appeared first on INSAJDERI. |
| Arrestohen dy persona të dyshuar për kontrabandë dhe falsifikim të mallrave Posted: 12 May 2017 07:46 AM PDT Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin për 'kontrabandim, falsifikim të mallrave' si dhe 'falsifikim të parave'. Në njoftimin e Policisë thuhet se sektori i Hetimeve i Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, pas hetimeve intensive të kryera, lidhur me veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, që në vazhdimësi merreshin me kryerjen e veprave penale të kontrabandës së mallrave dhe falsifikimin e tyre, gjithashtu edhe falsifikimin e parave. Sipas Policisë, këta të dyshuar në fabrikat e tyre, në fshatin Dumnicë e Podujevës dhe Vragoli të Fushë-Kosovës, kishin pajisjet me të cilat bënin ripaketimin e mallrave të cilave u kishte skaduar afati i përdorimit dhe ato sërish i futnin në treg për shitje. “Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, me datën 12 maj 2017, në rajonin e Prishtinës në tri lokacione, ka ndërmarrë operacion policor, me ç'rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë kontrolluar shtëpitë dhe lokalet ku është zhvilluar kjo veprimtari e kundërligjshme. Në këtë operacion kishim asistencën edhe nga Doganat e Kosovës, ATK. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, inspektorët e MTI-së, dhe Njësitë e Specializuara të Policisë”, thuhet në njoftim. "Gjatë këtij operacioni janë arrestuar të dyshuarit: L.H lindur me 1983 dhe F.H lindur me 1984. Si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 1120 euro që dyshohet se janë të falsifikuara. Mallra të ndryshme ushqimore të cilat ishin me afat të skaduar ( i njëjti mall është asgjësuar nga AUV. Makina me të cilat kryhej ripaketimi i mallrave të skaduar. Personat e dyshuar, në bazë të urdhrit ë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dërgohen në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.", thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./Insajderi.com The post Arrestohen dy persona të dyshuar për kontrabandë dhe falsifikim të mallrave appeared first on INSAJDERI. |
| Ish-ministri akuzon qeverinë e Greqisë: Po e bëni Greqinë sikurse Kosova Posted: 12 May 2017 07:45 AM PDT Ish-ministri i Financave në Qeverinë greke, Yanis Varoufakis, ka sulmuar të ashpër kundër qeverisë dhe kryeministrit, Aleksis Tsipras, duke theksuar se “kapitullimi i qeverisë do të bëjë Greqinë shtet me prorektorat sikurse Kosova.” “Ne do të bëhemi si Kosova. Një protektorat i administruar nga një punonjës i Bashkimit Evropian”, tha ish-ministri grek i Financave, në një intervistë për SKAI . Në të njëjtën kohë, ai argumentoi se para zgjedhjeve në janar të vitit 2015 udhëheqja e SYRIZA-s kishte informuar se Ministria e Financave nuk do ta zbatojë programin e Selanikut. /Insajderi.com The post Ish-ministri akuzon qeverinë e Greqisë: Po e bëni Greqinë sikurse Kosova appeared first on INSAJDERI. |
| Bonuset e çuditshme të Balotellit dhe Tevezit Posted: 12 May 2017 07:38 AM PDT "Football Leaks" godet sërish dhe këtë radhë në shënjestrën e tij përfundon Mario Balotelli. Në librin e publikuar së fundmi nga gazetarët e "Der Spiegel" flitet për një bonus të çuditshëm i përfituar nga sulmuesi i Nice. Mësohet se Balotelli ka mundur të sigurojë 1.3 milionë euro për faktin se në këtë sezon ai nuk e ka arritur numrin 3 të kartonëve të kuq të marrë gjatë ndeshjeve. Por Balotelli nuk është i vetmi që përmendet nga "Football Leaks". Në këtë libër janë publikuar edhe shpërblimet e përfituara edhe nga Carlos Tevez e Bastian Schëeinsteiger. Kështu Tevez ka të garantuar në kontratën me Shanghain 38 milionë euro në sezon dhe nëse ai do të luajë 70% të ndeshjeve, do të përfitojë edhe 950 mijë euro të tjerë. Të njëjtën shifër ai do ta marrë nëse Shanghai fiton kampionatin, 1.9 milionë euro do t'i sigurojë në rast fitoreje të Championsit Aziatik, ndërsa 460 mijë euro i janë rezervuar nëse shpallet golashënuesi më i mirë në kampionatin kinez. Për sa i përket Schëeinsteiger, "Footbal Leaks" zbuloi misterin që e rrethonte për mospërfshirjen në ekip nga Mourinho kur ishte pjesë e Manchester United. Në atë kohë mesfushori gjerman nuk bëri asnjë kritikë për zgjedhjet e portugezit dhe arsyeja është se nëse do ta bënte një gjë të tillë, atëherë do t’i shkurtohej paga. Por pavarësisht kësaj, kampioni i botës nuk kishte motiv që të ankohej edhe për faktin se "Djajtë e Kuq" e kanë kompesuar për punën e bërë me 12.53 milionë paund. The post Bonuset e çuditshme të Balotellit dhe Tevezit appeared first on INSAJDERI. |
| Prodhime vendore me barkod të Serbisë Posted: 12 May 2017 07:17 AM PDT Qytetarët kanë ngritur alarmin se në treg po shiten produkte vendëse me barkod të Serbisë. Javën e kaluar është gjetur se uthulla e prodhuar në Prizren është nxjerrë në treg sikur të ishte e shtetit fqinjë. Gazeta Fjala ka siguruar dëshmi se kompania "Eurofood", po prodhon këtë produkt me dy barkode. Njërin për Kosovë e tjetrin për Serbi. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka konstatuar se ky është mashtrim i qytetarëve dhe ka urdhëruar largimin e produktit nga tregu. "Pas marrjes së informatës nga Gazeta Fjala, Inspektorati i Tregut i MTI-së menjëherë ka dalë në terren me dt.25.04.2017, ku kemi inspektuar Operatorin Ekonomik "Euro Food." Inspektorati i Tregut e ka urdhëruar Operatorin Ekonomik që këtë produkt ta tërheq menjëherë nga tregu", thuhet në përgjigjet e Zyrës për media të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë. Ndërkaq, në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se i vetmi barkod me të cilin njihen prodhimet vendëse është 390. Sipas tyre, ligji nuk lejon që prodhimet vendëse të shënohen me kode të shteteve tjera. "Ne jemi institucioni i vetëm që lëshojmë barkode. Deri tani kemi lëshuar mbi 1 mijë sosh. Asnjëherë nuk kemi pas problem me barkode. Rasti në fjalë nuk është i lejuar të ndodhë", ka thënë Gerxhaliu Në kompaninë Eurofood, kanë pranuar se një sasi e uthullës është nxjerrë në treg, sipas tyre gabimisht pasi kishte qenë e destinuar për shtetin fqinjë. "Artikullin e kontestuar – uthullën kompania prodhon për tregun vendor me bar kod 3900270460054 si dhe për tregun e Republikës se Serbisë. Nga pakujdesia e personave gjegjës, një sasi e vogël e dedikuar për tregun e Republikës se Serbisë është plasuar ne disa pika shitëse në territorin e Republikës se Kosovës", thuhet në përgjigjet e kësaj kompanie. Megjithatë nga kompania nuk kanë sqaruar sesi është e mundur që të përdoret barkodi i Serbisë, për të eksportuar në këtë shtet. "Menjëherë pas marrjes se informatës se pare për këtë lëshim, ekipet e kompanisë janë vënë në aksion që të kontrollojnë pikat shitëse në territorin e Kosovës dhe brenda ditës një sasi e vogël e gjetur në pikat shitëse janë tërhequr nga shitja". Për këtë lëshim, siç e quan Eurofood, drejtuesit e kompanisë i kanë kërkuar falje konsumatorëve./Insajderi.com The post Prodhime vendore me barkod të Serbisë appeared first on INSAJDERI. |
| France 24: Kosova, shteti jofunksional në zemër të Europës Posted: 12 May 2017 07:14 AM PDT Televizioni i njohur "France 24" ka realizuar një reportazh për Kosovën, në të cilin shteti i ri evropian shihet si vend me korrupsion, papunësi dhe krizë të madhe politike. "Jugu, i cila është në drejtim të Shqipërisë, është kryesisht me popullatë myslimane, përdor alfabetin latin dhe përdor monedhën euro. Në veri, flamuri serb gjithandej në ndërtesa, përdoret alfabeti cirilik përdoren dinarët serb, si dhe popullsia është kryesisht ortodokse", thuhet në reportazhin e "France 24". "France 24", po ashtu i jep theks të veçantë faktit se Kosova është ende nën vëzhgimin ndërkombëtar, njofton Insajderi. "Kosova mbetet nën vëzhgim ndërkombëtar: më shumë se 4,300 trupa të NATO-s janë vendosur atje dhe misioni evropian, EULEX, i cili mbikëqyr policisë, drejtësinë dhe administratat lokale", shkruan "France 24". /Insajderi.com The post France 24: Kosova, shteti jofunksional në zemër të Europës appeared first on INSAJDERI. |
| Të pagjeturit serb dhe shqiptar jehojnë ne Venecia Posted: 12 May 2017 07:01 AM PDT "Sebahate Berisha, Sahit Mazreka, Dushan Andrijeviq…" janë vetëm tre nga emrat që i thërret tellalli. Ilirian Simoni me tupan në krah duke ecur ngadalë nëpër rrugicat e pavijoneve në "Giardinit", ngre zërin duke bërë që të dëgjohen emrat e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Ka goxha punë pasi janë 1.664 emra. Secili prej tyre do të kumbojë shumë herë në njërën nga hapësirat kryesore të pavijoneve në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie. "Lost and Found" (E humbur dhe e gjetur) e ndërtuar nga paletat e drurit, veshur me najlon të cilin autori, Sislej Xhafa, e ka importuar nga Kosova. Kabina është e mbështjellë si kufomë e madhe që nuk bëzan. Taman siç u janë kthyer familjeve mbi tre mijë mbetje mortore të të zhdukurve të luftës së fundit të cilat qëndronin në varreza masive në Kosovë e Serbi. Në skaje të Pavijonit të Kosovës prej 84 metrash katrorë, një mbishkrim tregon se bëhet fjalë për persona të pagjetur emrat e të cilëve i thërret tellalli. Vizitorët krijojnë idenë se emrat mund t'i dëgjojnë në telefonin që ndodhet në kabinën pa hyrje. E marrin receptorin dhe e kuptojnë se ai nuk funksionon. Simbolikat ndërlidhen fort në secilin element në Pavijonin e Kosovës. Ata që e marrin katalogun kryesor, shohin se në kopertinë me hekur të nxehtë është hapur "plaga", "SS LJ XH FA". Aty mungojnë disa shkronja me të cilat do të duhet të formohej emri i artistit. Pas emrave të të zhdukurve në anglisht e në shqip vjen poezia e Ali Podrimjes "Dua të jem".(Koha Ditore) The post Të pagjeturit serb dhe shqiptar jehojnë ne Venecia appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |








