INSAJDERI: ““Bombarduesi Wilder”, kundërshtari i mundshëm i Joshuas [video]” plus 19 more |
- “Bombarduesi Wilder”, kundërshtari i mundshëm i Joshuas [video]
- Rifillojnë protestat në Maqedoni – kërkohen zgjedhje të reja
- Tahiri thotë se dialogu me Serbinë tash duhet të bëhet sikur “bisedimet e Vjenës”
- Ilir Azemi lirohet nga Greuther Furth
- Mustafa thotë se PDK-së do t’i bënte mirë të kalojë në opozitë
- Edhe FFK merr vendim të pafavorshëm ndaj Liridon Lecit
- Për Rashicën, në garë edhe një klub i madh anglez
- Seria A liga e preferuar e liderit komunist
- Sot dalin rezultatet e Lotarisë amerikane
- Vetëvendosje: Nuk do t’i falim kriminelët që kryen krime
- Edhe Mourinho ankohet për orarin e ngjeshur të Premier Ligës
- Ordinanca që mashtroi holandezët nuk regjistroi asnjë pacient
- Kursimet e kosovarëve arrijnë në 3 miliardë euro
- ARKEP: Ndërpritet zyrtarisht operimi ilegal i operatorëve të telefonisë në veri
- Rifillon ndërtimi i xhamisë në Veternik, banorët kundërshtojnë
- Grubi: Presim që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të shpallet në Gazetën Zyrtare
- Veseli u premton mjekëve specialistë se do t’u bëjë zgjidhje
- Ish-kreu i Kuvendit maqedonas nuk pranoi t’i dorëzojë zyrën Xhaferit
- Erdogan: Turqia mund t’i thotë BE-së lamtumirë
- Qeveria angazhon një kompani bullgare për t’u përgatitur kundër Axos-it
| “Bombarduesi Wilder”, kundërshtari i mundshëm i Joshuas [video] Posted: 02 May 2017 09:45 AM PDT E gjithë vëmendja është tek boksieri britanik Anthony Joshua pas fitores së tij ndaj boksierit legjendar Wladimir Klitschko. Tashmë Joshua në 19 meçe të zhvilluara të gjitha i ka fitore me nokaut. Po flitet shumë se kundërshtari i ardhshëm për Joshuan mund të jetë bashkëkombësi i tij Tyson Fury dhe boksieri amerikan Deontay Wilder kampion në WBC. Wilder, i cili njihet me nofkën “Bombarduesi i Bronztë”, ka zhvilluar 38 meçe në boksin profesionist, duke triumfuar në të gjitha dhe në 37 prej tyre me nokaut. Boksieri Wilder, ka kërkuar një "mega meç" kundër Anthony Joshuas, pasi që e ka shikuar fitoren dramatike të britanikut për titullin kampion bote kundër Ëladimir Klitschko në Wembley. /Periskopi/ The post “Bombarduesi Wilder”, kundërshtari i mundshëm i Joshuas [video] appeared first on INSAJDERI. |
| Rifillojnë protestat në Maqedoni – kërkohen zgjedhje të reja Posted: 02 May 2017 09:45 AM PDT Protestuesit "Për Maqedoni të Përbashkët" u janë kthyer sot protestave pas incidentit të ndodhur ditën e enjte në Kuvend. Ata janë nisur nga Qeveria rreth orës 17.30 dhe në këto momente po i drejtohen Kuvendit. Më shumë sesa thirrjet "Për Maqedoni të Përbashkët" dëgjohet slogani "zgjedhje të reja". Numri i tyre rezulton relativisht i vogël në krahasim me një javë më parë, njofton Alsat M Më 27 prill, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në krye të Kuvendit të Maqedonisë, protestuesit e mbledhur jashtë objektit u futën brenda në objekt, ku sulmuar dhjetëra deputetë dhe gazetarë. Mediat në Maqedoni kanë raportuar ditëve të fundit se protestuesit janë ndihmuar të hyjnë brenda nga deputetë të ish-partisë në pushtet, që nuk po pranon mazhorancën e re të krijuar pas zgjedhjeve. The post Rifillojnë protestat në Maqedoni – kërkohen zgjedhje të reja appeared first on INSAJDERI. |
| Tahiri thotë se dialogu me Serbinë tash duhet të bëhet sikur “bisedimet e Vjenës” Posted: 02 May 2017 09:37 AM PDT Sekretari i Përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës i ka thënë Radio Kosovës se pas lirimit të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, kanë pushuar rrethanat të cilat kishin sjellë deri te pezullimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me fjalë të tjera me automatizëm përsëri është hapur rruga për rifillimin e dialogut në Bruksel. Një lajm të tillë e ka konfirmuar edhe ministrja për Dialog, Edita Tahirit. "Me faktin se është liruar zoti Haradinaj ku është shënuar edhe një fitore ndaj Serbisë, tashmë është hequr vendimi për pezullimin e dialogut me Serbinë që ishte bërë me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe procesi ka filluar në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura që janë në pritje të zbatimit", ka thënë Tahiri për Radio Kosovës. Ndërsa, për sa i përket vazhdimit të dialogut, Tahiri mendon se tani duhet të flitet për zhvillim të dialogut në dy nivele: Niveli i parë është që të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve që kanë mbetur pa u zbatuar, kurse ndërkohë të përgatitet një proces politik i nivelit të lartë me të cilin ne duhet hyrë në fazën e tretë, që do të jetë dhe faza përmbyllëse e dialogut me Serbinë. Madje Tahiri ka ofruar edhe një ide sesi mund të zhvillohet dialogu. Ka përmendur bisedimet e Vjenës që janë mbajtur për statusin e Kosovës. "Mendoj se duhet të jetë niveli më i lartë i vendit dhe më gjithëpërfshirës, pra një delegacion gjithëpërfshirës, diçka e ngjashme siç ka qenë në bisedimet e Vjenës…", ka thënë Tahiri. Sipas saj, synimi i Kosovës nga ky dialog është që të arrihet njohja reciproke mes dy shteteve. The post Tahiri thotë se dialogu me Serbinë tash duhet të bëhet sikur "bisedimet e Vjenës" appeared first on INSAJDERI. |
| Ilir Azemi lirohet nga Greuther Furth Posted: 02 May 2017 09:32 AM PDT lir Azemi nuk do të jetë më pjesë e Greuther Furth. Është skuadra nga Bundesliga 2 që ka konfirmuar ndarjen me ish-sulmuesin e Përfaqësueses së Kosovës. Azemi këtë sezon po luan i huazuar në Holstein Kiel të Ligës së tretë gjermane. "Ne i kemi ndihmuar mjaft shumë Azemit dhe ai e ka pasur përkrahjen tonë. I dëshirojmë sukses në të ardhmen", tha drejtori sportiv i Greuther Furth, Ramazan Yildirim për "Kickers.de". Pjesë e kësaj skuadre ishte që nga viti 2010, por aksidenti i pësuar në gusht të vitit 2014, bëri që ai të pauzojë dy vjet. Pas atij aksidenti, Azemi nuk u dorëzua por u kthye sërish në futbollin profesionist, raporton Insajderi. Skuadra e tij e tanishme, Hosten Kiel, ndodhet në vendin e dytë në Bundesligën e tretë gjermane dhe ndodhet afër ngjitjes në një rang më të lartë të garave. /Insajderi.com The post Ilir Azemi lirohet nga Greuther Furth appeared first on INSAJDERI. |
| Mustafa thotë se PDK-së do t’i bënte mirë të kalojë në opozitë Posted: 02 May 2017 09:31 AM PDT Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, ka thënë se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme dhe se Kosova duhet të mësohet të krijojë një normalitet ku Qeveria kryen mandatin deri në fund. "Ne duhet të mësohemi që të kemi një normalitet sepse ne në zgjedhje mund të shkojmë çdo herë. Por çka pas zgjedhjeve, si do të shkojë ekonomia dhe shumë gjëra tjera", ka thënë Mustafa në një intervistë për Klan Kosovën. Sipas tij, në Kosovë tani është koha për zgjedhje lokale dhe jo qeveritare dhe se në kushtet aktuale, zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mund të sjellin një vakuum institucional sikurse në vitin 2014. Duke folur për qëndrueshmërinë e koalicionit LDK-PDK, Mustafa ka thënë se "divorci" mes këtyre dy partive "është dëshiruar moti prej shumëkujt dhe prej shoqërisë civile". Por, deputeti i LDK-së thotë se pas disa mandateve në qeveri, PDK-së do t'i bënte mirë që të shkojë në opozitë. Ai ka lavdëruar edhe Qeverisjen aktuale nën drejtimin e Isa Mustafës, duke thënë se janë bërë reforma të shumta si dhe nuk ka pasur raste të mëdha të korrupsionit./Insajderi.com The post Mustafa thotë se PDK-së do t'i bënte mirë të kalojë në opozitë appeared first on INSAJDERI. |
| Edhe FFK merr vendim të pafavorshëm ndaj Liridon Lecit Posted: 02 May 2017 09:13 AM PDT Krahas mbajtjes së dy ditëve paraburgim, Liridon Lecin e pret dënim edhe nga Komisioni Disiplinor i FFK-së. Është Komisari i Garave, Ismet Ahmeti që ka ngritur procedurë disiplinore për shkak të incidentit me policë në ndeshjen Besa – Prishtina. "Ndaj lojtarit të KF Prishtina, Liridon Leci (motivi – për ndëshkim me kartonin e kuq si dhe manifestim të sjelljeve josportive dhe veprim të palejuar i cili ka reaguar ndaj policisë dhe me këtë veprim ka tejkaluar kompetencat e lojtarit në ndeshjen KF Besa – KF Prishtina, e zhvilluar në Pejë me datë 30.04.2017) sipas raportit të personave zyrtarë të ndeshjes", thuhet në njoftimin e FFK-së. Leci, pasi u lirua sot nga paraburgimi 48-orësh në Pejë, pretendon se polici që e arrestoi atë i kishte thënë se arrestimi ndodhi për shkak se skuadra e Prishtinës i shënoi dy herë Besës së Pejës. Futbollisti i Prishtinës ka deklaruar se është duke konsideruar ngritje të padisë ndaj policit që e arrestoi. /Insajderi.com The post Edhe FFK merr vendim të pafavorshëm ndaj Liridon Lecit appeared first on INSAJDERI. |
| Për Rashicën, në garë edhe një klub i madh anglez Posted: 02 May 2017 08:52 AM PDT Milot Rashica është futbollisti kosovar më i kërkuar në Evropë. Mesfushori i Vitesses është duke u vëzhguar me kujdes nga Napoli, por për të është në garë edhe Chelsea. Siç shkruan sot uebfaqja e profilizuar për transferime, Calciomercato, Chelsea mund ta blejë futbollistin pasi ka lidhje të afërta me klubin holandez. Por, nëse Chelsea nuk është i interesuar për të blerë Rashucën, vushtrriasi mund të përfundojë shumë lehtë tek Napoli. Klubi napolitan e sheh kosovarin si zëvendësues ideal për Jose Maria Callejon, raporton Insajderi. Rashica ka shënuar katër gola dhe ka bërë 11 asistime për bashkëlojtarët këtë edicion me Vitessen. Të dielën klubi holandez i Rashicës fitoi për herë të parë në histori Kupën e Holandës, trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin holandez. /Insajderi.com The post Për Rashicën, në garë edhe një klub i madh anglez appeared first on INSAJDERI. |
| Seria A liga e preferuar e liderit komunist Posted: 02 May 2017 08:33 AM PDT Kim Jong-un, diktatori i Koresë Veriore është tifoz i Serie A për shkak që bashkëkobmësi i tij Kwang song Han që luan për Cagliarin, sipas raporteve të Gazzetta dello Sport. 18 vjeçari Kwang debutoi për kuq e kaltrit në fitoren 1:3 si mysafirë të Palermos në fillim të këtij muaji, duke e bërë atë koreano-veriorin e parë që luan në Serie A. Ai po ashtu u bë futbollisti i parë nga ky vend që shënon gol në Serie A. Goli i parë i sulmuesit erdhi ndaj Joe Hart, respektivisht Torinos./KK The post Seria A liga e preferuar e liderit komunist appeared first on INSAJDERI. |
| Sot dalin rezultatet e Lotarisë amerikane Posted: 02 May 2017 08:31 AM PDT Nëse jeni në pritje të një përgjigje nëse jeni perzgjedhur fitues nga Lotaria Amerikane sot jini gjithë sy e veshë. Ambasada Amerikane njofton se për ata që kanë aplikuar për Programin e Lotarisë DV-2018, njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit (Entrant Status Check). Opsioni do të jetë në përdorim duke filluar nga sot, data 2 maj 2017, në faqen e Internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore Programit të Vizave të Shumëllojshmërisë. Kjo është e vetmja mënyrë me të cilën ju do të merrni njoftim të statusit të aplikimit tuaj. Nëse ju merrni një njoftim me anë të postës elektronike apo me postë rreth përzgjedhjes suaj në lotarinë E-DV, duhet të dini që ky njoftim nuk është i ligjshëm. Vetëm pasi ju të jeni përzgjedhur, pasi t'u jeni përgjigjur udhëzimeve të njoftimit të mundësuar për ju nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit, si dhe pasi të ketë filluar shqyrtimi i rastit tuaj, vetëm atëherë ju mund të merrni në vazhdim e-maile komunikimi nga QKK-ja që ju njofton juve të shikoni Kontrollin e Statusit të Aplikimit për informacione të reja rreth aplikimit tuaj. Njoftim: Për të përzgjedhurit e programit DV-2018, duhet të plotësojnë formularin elektronik DS-260. Sa më herët ta plotësoni formularin DS-260, aq më shpejt keni mundësinë e catkimit të datë së intervistës për vizë. Caktimi i datës së intervistës varet nga dy faktorë: 1. numri juaj, sa më i ulët – aq më shpejt intervista, dhe 2. sa më shpejt të plotësoni DS-260 – aq më shpejt intervista. Formulari DS-260 gjendet në faqen e internetit të Qendrës së Aplikimeve Elektronike Konsullore. Jeni përzgjedhur? Ja përgatitja për vizën Në qoftëse jeni i përzgjedhur ju duhet të lexoni udhëzimet e mëposhtme se si të pëgatiteni për intervistën: Udhëzimet për Përgatitjen për Vizë për të Përzgjedhurit e Vizave të Lotarisë (PDF 408 KB) Përpara intervistës tuaj për vizë, ne ju rekomandojmë të rishikoni të dhënat që keni dhënë në aplikimin tuaj fillestar për lotarinë. Sigurohuni që të keni dhënë informacionin e saktë mbi statusin tuaj civil në momentin e aplikimit fillestar. Nëse ju ishit i/e martuar në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë, ju duhet të kishit përfshirë bashkëshortin/en tuaj në atë aplikim fillestar (edhe nëse keni qenë në proces divorci). Përjashtim bëjnë rastet kur bashkëshorti është Nënshtetas Amerikan, ose Banor i Përhershëm i Ligjshëm. Gjithashtu, ju duhej të kishit përfshirë të gjithë fëmijët tuaj të pamartuar dhe nën 21 vjeç në momentin e aplikimit fillestar. Me fëmijë nënkuptohen fëmijët tuaj biologjikë, dhe thjeshtërit- fëmijët e bashkëshortit/es tuaj, apo fëmijë që i keni birësuar ligjërisht, pavarësisht nëse jetojnë me ju ose jo. Sigurohuni që ju keni ngarkuar fotografinë e saktë për çdo pjesëtar të familjes në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë. Ngatërrimi i fotografive në aplikimin fillestar do të rezultojnë në refuzimin e vizës për ju dhe familjen tuaj. Mosdeklarimi i bashkëshortit/es ekzistues, apo i fëmijës ekzistues në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë do të rezultojnë në refuzimin e vizës për ju dhe familjen tuaj. Çdo tarifë e paguar ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara për aplikimin tuaj për vizë nuk rimbursohet. Nëse në momentin e aplikimit fillestar, ju nuk keni përfshirë një fëmijë ekzistues, apo një bashkëshort/e me të cilën ishit i martuar (pra, statusi juaj civil ishte "i martuar" në momentin e aplikimit fillestar), atëherë mos vazhdoni me procedurën e aplikimit për vizë. Ju mund të rishikoni kriteret e pranueshmërisë online. The post Sot dalin rezultatet e Lotarisë amerikane appeared first on INSAJDERI. |
| Vetëvendosje: Nuk do t’i falim kriminelët që kryen krime Posted: 02 May 2017 08:21 AM PDT Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i prirë nga kryetari Visar Ymeri dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetare e Qendrës së LVV-së në Vushtrri, Aida Dërguti, bënë sot homazhe në varrezat e "Martirëve të Kombit" në fshatin Studime të Komunës së Vushtrrisë. Ky delegacion i VV-së, njofton Vetëvendosje përmes një komunikate, nderoi të rënët e masakrës së 2 Majit të vitit 1999, e kryer nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në këtë fshat, në të cilën u vranë dhe u masakruan në mënyrën më barbare 116-të civil të pafajshëm. Sipas kumtesës, Vetëvendosje shprehet e indinjuar që për këtë masakër nga e cila kanë kaluar plotë 18-të vite, akoma nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për krimet e kryera. Ne nuk do t'i harrojmë e as nuk do t'i falim krimet dhe kriminelët që i kryen ato, thotë ndër të tjera kumtesa. /Insajderi.com The post Vetëvendosje: Nuk do t'i falim kriminelët që kryen krime appeared first on INSAJDERI. |
| Edhe Mourinho ankohet për orarin e ngjeshur të Premier Ligës Posted: 02 May 2017 08:13 AM PDT Pas Antonio Contes edhe Jose Mourinho shfaqet kritik ndaj federatës Angleze të Futbollit. Për trajnerin e Manchester United problemi qëndron tek numri i madhi ndeshjeve që duhet të luajnë në një periudhë të caktuar dhe se kalendari i përcaktuar është ç'njerëzor. "Futbollistët e mi janë shumë të lodhur-është shprehur Mopurinho-dhe kjo për meritë të sukseseve tona në të gjitha aktivitetet, por edhe për shkak të kalendarit. Imagjinoni sikur të luanim edhe gjysmëfinalen e FA Cup. Deri në fund të sezonit do të luajmë cdo 3 ditë’. Por Mourinho nuk heq dorë as nga specialiteti i tij që është provokimi. Portugezi theksoi se nuk e përjashton mundësinë që në ndeshjen me Crystal Palace në 21 maj të aktivizojë futbollistët e skuadrave zinxhirë nëse Manchetser United do të kualifikohet për në finale të Europa League. "Kushedi, mund të marr skuadrën e Nicky Butt për të luajtur me Crystal Palace dhe shpresoj që kjo skuadër të mos e ndjejë të nevojshme të fitojë pikë për të siguruar mbijetesën, sepse do të ishte dicka e shëmtuar nëse Crystal do të luante ndeshjen e jetës, ndërkohë që ne do të prezantoheshim me lojtarët e ekipeve të të rinjve"-shtoi Mourinho.
The post Edhe Mourinho ankohet për orarin e ngjeshur të Premier Ligës appeared first on INSAJDERI. |
| Ordinanca që mashtroi holandezët nuk regjistroi asnjë pacient Posted: 02 May 2017 08:03 AM PDT Detaje të reja janë mësuar në lidhje me keqpërdorimet që janë bërë me dokumente fiktive mjekësore nga ordinanca "Shëndeti-Po" në Vushtrri. Përmes kërkesës për qasje për dokumente publike, Ministria e Shëndetësisë ka ofruar raportin e Inspektoratit Shëndetësor në lidhje me inspektimin e bërë në IPSH "Shëndeti-Po", të hartuar pikërisht ditën kur rtklive.com ka raportuar për dyshimet për keqpërdorime të këtij institucioni. Në raportin që Ardita Baraku, kryeinspektore e Shëndetësisë e ka hartuar për Policinë e Krimeve Ekonomike, jepen detaje të dy fazave të inspektimit të kryera nga Inspektorati Shëndetësor. Ky raport i është përcjellë edhe Ismajl Sadikut, pronar i Institucionit "Shëndeti-Po". Inspektimet, sipas raportit, janë kryer më 12.04.2017 bashkë me zyrtarë të Departamentit të Njësisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike. Inspektimi, thuhet në raport, është bërë pasi një kompani e sigurimeve holandeze ka kërkuar verifikim të dokumentacionit mjekësor të lëshuar nga ordinanca "Shëndeti-Po", ku pacientëve, qytetarë të Holandës u është ofruar shërbim shëndetësor. "Në ora 17:30, ekipi i Inspektoratit Shëndetësor dhe zyrtarë të NJHKEK, regjioni i Mitrovicës, ishin para hyrjes së IPSH "Shëndeti-Po", i cili ishte mbyllur. E kontaktuam z. Ismajl Sadiku në telefon dhe u informuam se është në vendin e punës në Shërbimin e Urgjencës", thuhet në raport të inspektimit, njofton rtklive. Por, Sadiku, me kërkesën e inspektoratit dhe Policisë kishte shkuar në institucionin privat "Shëndeti-Po". Ndonëse Ministria e Shëndetësisë ka revokuar licencën e institucionit "Shëndeti-Po" në shtator të vitit 2015, në atë institucion, sipas raportit të Inspektoratit Shëndetësor, ishte e vendosur licenca që kishte afat valid deri më 14.10.2019. "U kontrollua regjistri i pacientëve dhe u konstatua se nuk ishte regjistruar asnjë pacient përfshirë pacientët për të cilët kanë arritur disa kërkesa nga një kompani e sigurimeve të Holandës", thuhet në raportin e Inspektoratit Shëndetësor. Në raportin e siguruar përmes qasjes në dokumente publike, thuhet se me kërkesën e zyrtarëve të Njësisë së Krimeve Ekonomike të Policisë, është konfiskuar vula e institucionit. Por, Inspektorati nuk ka arritur të konstatoj se në "Shëndeti-Po" ofrohet shërbim shëndetësor për pacientët. Inspektorati rekomandon që të respektohet vendimi i lëshuar nga Bordi për Licencim të Institucioneve të kujdesit privat shëndetësor. Ndryshe, ky institucion po hetohet nga Policia e Krimeve Ekonomike se ka lëshuar dokumente fiktive për disa kosovarë që jetojnë në Holandë. Në këto dokumente, dyshohet se janë fryer çmimet për 'shërbimet shëndetësore' të ofruara për kosovarët me shtetësi holandeze.
The post Ordinanca që mashtroi holandezët nuk regjistroi asnjë pacient appeared first on INSAJDERI. |
| Kursimet e kosovarëve arrijnë në 3 miliardë euro Posted: 02 May 2017 07:57 AM PDT Vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale të Kosovës deri në mars të këtij viti ka arritur në 2.9 miliardë euro, ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës. Nga kjo shumë, më shumë se 2.1 miliardë euro janë para të kursyera nga ekonomitë familjare, që përbëjnë rreth 72 për qind të totalit të depozitave dhe që pasohet nga Korporatat jo financiare me mbi 500 milionë euro. Sipas shënimeve zyrtare, 95 për qind e depozitave janë në vlerën valutore të euros por qytetarët e Kosovës mjete të kursyera kanë edhe në valuta tjera shuma e të cilave arrin në 133 milionë. Mbajtja e parave në bankat komerciale nga ekonomitë familjare,sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike në Kosovë tregon një pasiguri për të investuar, por edhe një besueshmëri dhe qëndrueshmërinë të banka komerciale që veprojnë në Kosovë. Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës Mejdi Bektashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se depozitat në Kosovë çdo vit shënojnë rritje dhe kjo rritje i ka ndodhur Kosovës edhe gjatë krizës së thellë ekonomike, që kaploi një pjesë të Evropës. "Nëse analizojmë këtë fenomen të kursimeve kaq të mëdha del se një amvisëri në Kosovë ka depozitat më të mëdha sesa depozitat e një amvisërie në shtet tjera të Ballkanit Perëndimor. Arsyet janë të ndryshme. Nuk besoj që është elementi i traditës apo kulturës për të kursyer, por më tepër është një pasiguri e qytetarëve për t'i shpenzuar ato para. Një element që ndikon në shtimin e depozitave është siguria mjaft e lartë e sistemit bankar në Kosovë", thotë Bektashi. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore rritja vjetore e depozitave është 8.5 për qind, derisa norma e interesit në depozita për ekonomi familjare është 0.9 për qind dhe për ndërmarrje 1.2 për qind. Rreth 24 përqind e totalit të depozitave janë të afatizuar. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Milazim Abazi, njohës i sistemit banker, thotë se normat e interesit në kredi janë shumë të ulëta. "Norma e interesit në kursime janë më të ulëtat në rajon dhe në Evropë. Bankat do të duhej të ndërmarrin iniciativa që qytetarët të kursejnë edhe më shumë në banka. Bankat nuk kanë ku të japin kredi, pasi që edhe bizneset janë të lodhura nga kreditë e larta dhe bankat nuk dinë se çka të bëjnë me depozitat. Po ashtu qytetarët nuk kanë guxim të investojnë pasi që nuk kanë edhe përkrahje nga shteti", thotë Abazi. Për ekspertë të çështjeve është mjaft shqetësuese që për shkak të një ambienti biznesor jo të sigurt, ekonomitë familjare nuk investojnë dhe mbajnë të ngrira partë e që në ekonomi paratë të cilat nuk janë në qarkullim nuk sjellin ndonjë zhvillim, njofton rel. Kosova brenda vitesh, thuhet nga ekspertë të fushës, nuk ka arritur që të krijojë një ekonomi më të zhvilluar, duke u radhitur kështu në mesin e vendeve më të varfra në rajonin e Ballkanit me nivel të lartë të papunësisë, që arrin në mbi 27 për qind, dhe me një numër të madh të qytetarëve të saj që jetojnë në varfëri të skajshme.
The post Kursimet e kosovarëve arrijnë në 3 miliardë euro appeared first on INSAJDERI. |
| ARKEP: Ndërpritet zyrtarisht operimi ilegal i operatorëve të telefonisë në veri Posted: 02 May 2017 07:39 AM PDT Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka njoftuar se zyrtarisht nga e hëna janë ndërprerë të gjitha shërbimet e operatorëve të telefonisë mobile "Telenor" dhe "ViP mobile", të cilët që nga pas lufta kanë vepruar në mënyrë të pa autorizuar në Kosovë. "Siç është bërë publike më herët, afati përfundimtar i caktuar nga ARKEP për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve nga operatorët në fjalë ka qenë data 01 Maj 2017", thuhet në njoftim. ARKEP thotë se sot gjatë ditës ekipi i ekspertëve të Radio Monitorimit nga ARKEP ka realizuar matje në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës, respektivisht hapsirave ku më herët kanë pasur mbulueshmëri operatorët "Telenor" dhe "ViP mobile" dhe është konstatuar se janë ndërprerë shërbimet e tyre. "Njëherit, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore dhe plotësimin e nevojave për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ARKEP udhëzon dhe mbështet operatorët Telekomi i Kosovës dhe IPKO që të rrisin mbulueshmërinë edhe në pjesën veriore të vendit", thuhet në mej në njoftim. /Insajderi.com
The post ARKEP: Ndërpritet zyrtarisht operimi ilegal i operatorëve të telefonisë në veri appeared first on INSAJDERI. |
| Rifillon ndërtimi i xhamisë në Veternik, banorët kundërshtojnë Posted: 02 May 2017 07:34 AM PDT Një xhami e nisur vite më parë në Lagjen Kalabria, por që u ndalë për shkak të reagimeve të komunitetit atje, ka filluar përsëri të ndërtohet. Banorët thonë se një objekt i tillë nuk parashihet me plan rregullativ. Ndonëse thuhet se nuk ka një planifikim hapësinor në atë pjesë për një objekt fetar, nuk dihet se kush qëndron prapa një ndërtimi të tillë. Banorët akuzat ia drejtojnë Komunës së Prishtinës sikurse edhe Ministrisë së Planifikimit Hapësinor. Një banor i asaj lagje, Naim Muja, duke shprehur shqetësimin e tij për ndërtimin e këtij objekti i cili ka rifilluar pavarësisht se i njëjti ishte ndaluar kohë më parë, kërkon të dijë se përse Komuna dhe Ministria e Ambientit e kanë shkelur ligjin duke lejuar vazhdimin e punimeve aty. Këto të dyja institucione vite më parë e kishin ndaluar që të vazhdohen punimet, por pas disa vitesh aktualisht punimet në këtë objekt fetar kanë rifilluar sërish. "Në planin rregullativ që është miratuar në vitin 2013 nuk parashihet kult fetar por vetëm shtëpi private.Komuna e ka nxjerr një plan rregullativ i cili nuk ekziston e atje, e ala nuk u dal koeficienti që është ndërtuar e as nuk është e miratuar ai objekt. Le ta gjejnë në plan të komunës ose në plan të ministrisë që është paraparë për t'u ndërtuar një kult aty, unë i kam krejt faktet ne letër. Po më intereson pse Komuna edhe Ministria e ka shkel ligjin", u shpreh Naim Muja për Express. Banorët e asaj lagje thonë se komuniteti nuk ka dhënë miratim për ndërtimin e një kulti fetar, duke thënë se më shumë kanë nevojë për shkolla e çerdhe sesa për objekte të tilla. Ky objekt, thuhet se nuk ka kurrfarë forme ligjore për t'u ndërtuar aty. Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor të këtij viti mori vendim për ta rikthyer në shqyrtim në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor çështjen e ndërtimit të e xhamisë në lagjen Kalabria të Prishtinës. Ky vendim i Gjykatës u mor pas ankesës së Bashkësisë Islame të Kosovës, njofton gazetaexpress. Por ndërtimin e këtij objekti fetar vazhdojnë ta kundërshtojnë banorët e kësaj lagjeje
The post Rifillon ndërtimi i xhamisë në Veternik, banorët kundërshtojnë appeared first on INSAJDERI. |
| Grubi: Presim që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të shpallet në Gazetën Zyrtare Posted: 02 May 2017 07:29 AM PDT Deputeti Artan Grubi ka njoftuar se kryetari i ri parlamentit, Talat Xhaferi, do ta thërretseancën parlamentare sapo të krijohen kushtet. "Sot bashkë me kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferin, kemi ardhur në orën 8 e 30 minutapër të kryer punët tona ditore administrative. Me këtë rast kryetari i ri i nënshkroi të gjitha udhëzimet administrative për shërbimet në Kuvend për t'ia mundësuar punën në kabinetin e tij në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ato janë dërguar tek sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, janë të arkivuar me numër të arkivit dhe protokolluar në përputhje me rregulloren dhe ligjet”, ka thënë ai. “Jemi në pritje të realizimit të asaj urdhërese të kryetarit të ri të Kuvendit, për të mundësuar punën normale dhe funksionimin normal të Kuvendit", ka bërë të ditur deputeti Artan Grubi. Ai nënvizoi se sekretari i përgjithshëm i parlamentit do të veprojë në respektim të kryetarit të ri të parlamentit Talat Xhaferi, pasi vendimi për zgjedhjen ekryetarit të ri të Kuvendit, të shpallet në Gazetën Zyrtare. Deputeti Grubi duke komentuar uzurpimin e zyrës së kryetarit të parlamentit të Maqedonisë, nga ana e deputetëve të VMRO DPMNE –së tha se "Talat Xhaferi është institucion në vete, sepse kryetari i parlamentit është institucioni, nuk është zyra" Ndërkohë që pritet të fillojnë protestat në organizim të iniciativës qyetare "për Maqedoni të përbashkët" kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të parlamentit në orën 17.00, forca të theksuara të njësive speciale kanë siguruar institucionet shtetërore. Njësite të blinduara janë stacionuar në Parlamentin e Maqedonisë në të cilin institucion, të enjten e kaluar, një grup protestuesish u futën me dhunë dhe sulmuan deputetët e shumicës parlamentare./rel The post Grubi: Presim që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të shpallet në Gazetën Zyrtare appeared first on INSAJDERI. |
| Veseli u premton mjekëve specialistë se do t’u bëjë zgjidhje Posted: 02 May 2017 07:20 AM PDT Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim dhjetëra specialistë të fushave të ndryshme të shëndetësisë të cilët të martën kanë protestuar para Kuvendit pasi qe dy vite janë të papunë dhe institucionet përgjegjëse nuk u kanë gjetur zgjidhje. Përfaqësuesi i specialistëve protestues, Arben Ademi, e ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për pritjen e specialistëve, ndërsa ka shprehur bindjen se vetëm kryeparlamentari mund tu ndihmojë në gjetjen e një zgjidhje të përhershme për punësimin e tyre. Pasi dëgjoi kërkesat e specialistëve, Veseli tha se është e papranueshme që mbi 200 specialistë të bredhin rrugëve të papunë, ndërkohë që sistemi shëndetësor ka deficit të mjekëve dhe mjekët kosovarë po ashtu po ikin drejt vendeve evropiane për të gjetur punë. "Më vjen shumë rëndë, sepse ka pothuajse një vit që po merremi me të njëjtat çështje dhe po sillemi në një rreth burokratik. Po ballafaqohemi me një sistem të ngecur shëndetësor, i cili po na frikëson të gjithëve, ndërsa po i bën fajtorë njerëzit të cilët më së paku janë të tillë, mjekët", tha Veseli. Kryeparlamentari i siguroi specialistët se çështja e punësimit të tyre do të zgjidhet, ndërsa u premtoi se ai personalisht do të angazhohet në këtë çështje. /Insajderi.com The post Veseli u premton mjekëve specialistë se do t'u bëjë zgjidhje appeared first on INSAJDERI. |
| Ish-kreu i Kuvendit maqedonas nuk pranoi t’i dorëzojë zyrën Xhaferit Posted: 02 May 2017 07:12 AM PDT Ish-kreu i Kuvendit Veljanovski nuk pranoi t'i dorëzojë zyrën Xhaferit. Në këtë zyrë Nikolla Gruevski me deputetët e VMRO-së u mblodhën për të publikuar masat. Nga ana tjetër Kuvendi sot është rrethuar nga forca policore pas paralajmërimit për rikthimin e protestave, shkruan Alsat M. Deputeti i BDI-së Artan Grubi deklaroi për gazetarët se shumica parlamentare ka arritur në Kuvend prej orës në mëngjes. Shumica parlamentare i ka dërguar letër sekretarit të Kuvendit për t'i mundësuar Xhaferit zyrë dhe të gjitha kushtet administrative për fillimin e punës. "Letra deri te sekretari është vulosur dhe arkivuar. Sekretari ka kthyer përgjigje të vulosur dhe të arkivuar se kushtet do të mundësohen kur vendimi për zgjedhjen e Xhaferit të publikohet në gazetën zyrtare. Tani presim publikimin në gazetën zyrtare sipas të gjitha procedurave ligjore", tha Artan Grubi.(Alsat M)
The post Ish-kreu i Kuvendit maqedonas nuk pranoi t'i dorëzojë zyrën Xhaferit appeared first on INSAJDERI. |
| Erdogan: Turqia mund t’i thotë BE-së lamtumirë Posted: 02 May 2017 07:08 AM PDT Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t'i nis bisedimet mbi aspektet e ofertës së Turqisë për t’u bashkuar me BE, duke paralajmëruar se në të kundërtën, Ankaraja nuk do të ketë më për çfarë të diskutoj me Unionin dhe mund t'i thotë “lamtumirë”. Komentet e Erdoganit pasuan deklaratat e Komisionerit për zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn i cili tha se Turqia nën udhëheqjen e Erdoganit ia ka kthyer shpinën anëtarësim në BE. “Tani e tutje nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç hapjes së kapitujve që nuk janë hapur ende", tha Erdogan gjatë një ceremonie në Ankara ku po festohej kthimi i anëtarësisë së tij në Partinëe Drejtësisë dhe Zhvillimit. Ai tha se nëse Bashkimi Evropian nuk i hap këto kapituj si referencë për aspekte të veçanta të procesit të anëtarësimit – atëherë “lamtumirë”. Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn. Kishte deklaruar se Turqia, nën udhëheqjen e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, ia ka thyer shpinën anëtarësimit në Bashkimin Evropian, së paku tash për tash. The post Erdogan: Turqia mund t’i thotë BE-së lamtumirë appeared first on INSAJDERI. |
| Qeveria angazhon një kompani bullgare për t’u përgatitur kundër Axos-it Posted: 02 May 2017 07:08 AM PDT Qeveri e Kosovës para se të përballet në gjyq me kompaninë gjermane Axos GMBH, e cili e ka paditur për rastin e PTK-së, është përkujdesur që të ketë edhe një ekspertizë profesionale. Për këtë rast ajo ka ndarë edhe 115 mijë euro të tjera, ndërsa përgatitjen e ekspertizës ligjore, qeveria ia ka besuar një kompanie bullgare. Kompania"KPMG Bulgaria OOD" sipas njoftimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të publikuar në KRPP me 28 prill, do të paguhet 100 mijë euro për ekspertizën lidhur me këtë rast. Ndërsa për llotin II të këtij tenderi është përzgjedhur kompania DR" Qerim Qerimi" më bazë në Prishtinë. Sipas njoftimit për kontratë ajo të paguhet 15 mijë euro, shkruan Insajderi. Në njoftimin për dhënie të kontratës thuhet se kriteri për përzgjedhjen e tyre ka qenë çmimi më i ulët, mirëpo nuk specifikohet se cka saktësisht do të bëjë këto kompani. Për përballjen gjyqësore Qeveria qysh vitin e kaluar e pati kontraktuar kompaninë amerikane "Patton Boggs", e cila këshillohet nga ish-diplomati Frank Wisner. Kjo kompani në cilësinë e avokatit të qeverisë kundër Axos-it ka kërkuar mbi 450 mijë euro. Kosova u padit me 4 qershor të vitit të kaluar nga "ACP Axos Capital Gmbh", e cila u shpall fitues në procesin e shitjes së 75 për qind të aksioneve në Vala e Telekom. Vendimi i Qeverisë që shpallte fitues këtë kompani ishte zhvleftësuar nga mos miratimi në parlamentin e Kosovës./Insajderi.com The post Qeveria angazhon një kompani bullgare për t’u përgatitur kundër Axos-it appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |






