Tirana Observer: “Tefta Radi tregon ditët e fundit të Françesk Radit: Planifikuam të jetonim në Australi” plus 9 more

Tirana Observer: “Tefta Radi tregon ditët e fundit të Françesk Radit: Planifikuam të jetonim në Australi” plus 9 more


Tefta Radi tregon ditët e fundit të Françesk Radit: Planifikuam të jetonim në Australi

Posted: 08 Apr 2017 10:03 AM PDT

Ndarja nga jeta e Françesk Radit ka pikëlluar familjen dhe ka prekur të gjithë që e njohën sado pak artistin.

Sot, familja po pret miqtë në Hotel Mondial për të kujtuar Frankon dhe Tefta Radi ka dhënë për ReportTv një intervistë ku përshkruan njohjen me muzikantin në Fushë-Arrëz, kur ishte vetëm 22 vjeçe. Vite të vështira, por që morën një ngjyresë të bukur nga njohja me artistin, bashkëshortin e ardhshëm dhe babin e fëmijve të tyre. Sot fëmijët janë rritur, vajza është bërë nënë dhe Franko dhe Tefta po mendonin për jetën e tyre.

Jashtë kamerës, siç shkruan shqiptarja.com, bashkëshortja Tefta Radi ka thënë se ikja e papritur e Frankos, ka ndërprerë ëndrrat më të bukura.

"Kishim planifikuar të shkonim në Australi për të jetuar aty përgjithmonë, aty kam prindërit dhe Franko kishte gjetur punë në një kishë ku do i binte pianos. Kishim marrë vizat dhe premë biletat. Prisnim që unë të mbarojë projektin me një dokumentar dhe ai do të jepte një koncert të vogël. Më shumë nga të gjithë ishte i gëzuar Franko. Më tha, ‘Tefta, tani do shijojmë pak jetën tonë’. Madje në shtëpi kemi dhe pianon me partiturat hapur siç i la Franko, një ditë para goditjes fatale nga hemorragjia".

Një jetë e ndërprerë në mes. Nuk ka ngushëllim për të afërmit, por nëse pas disa kohësh do mendojnë për këtë çast, do kujtojnë që pranë Frankos ishte gjithmonë muzika dhe dashuria e njerëzve.

 

Lorik Cana: Gati ta drejtoj Kosovën, duhet një ligë e përbashkët me Shqipërinë

Posted: 08 Apr 2017 09:47 AM PDT

Lorik Cana e ka një mendim të përhershëm dhe të stërkonfirmuar tashmë në lidhje me përfaqësimin e kombit shqiptar me një kombëtare të vetme e të përbashkët.

E ka thënë këtë sa ishte kapiten dhe lojtar kuqezi, e ka përsëritur edhe së fundi, në realitetin kur tashmë ekziston edhe një kombëtare e Kosovës, madje që po garon zyrtarisht në fushatën eliminatore të "Rusia 2018". Gjakovari, që ka veshur fanellën e disa skuadrave në Europë, në nivel klubi, është shprehur i hapur edhe për diçka tjetër, që ta drejtojë përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Kështu bëri me dije Loriku gjatë një bashkëbisedimi me studentë të "Kolegjit AAB" në Prishtinë, ku foli gjatë për jetën e tij prej refugjati në fillim dhe pastaj prej një ylli të futbollit.

Cana ka ngulmuar se ekipin e Kosovës ta quajë përfaqësuese të shtetit më të ri në Ballkan, jo kombëtare. Kjo e fundit ka vetëm ngjyrat kuqezi, për të, duhet të bashkojë nën një "çati" të gjitha trojet e kombit.

Ish-kapiteni kuqezi bëri me dije, gjithashtu, se po angazhohet të krijojë një ligë të përbashkët futbolli për të dyja vendet, Kosovën dhe Shqipërinë.

Në rrëfimin e tij para studentëve, Cana tregoi se në ndeshjet me Serbinë, në Beograd, kishte parë forca sigurie më shumë se kurrë më parë në karrierën e tij. Incidenti, që çoi në ndërprerjen e lojës, në minutën e 41-të, sipas tij, nuk erdhi si shkak i flamurit dhe dronit, por i mosdurimit të serbëve për t'u ballafaquar në mënyrë të barabartë me shqiptarët.

Lidhur me fillimin e karrierës si futbollist dhe vështirësitë e hasura rrugës, Loriku nënvizoi: "Unë nuk e kam pas prej fillimit zgjedhje me u bo sportist, por duke e parë babanë, që ka qenë futbollist, ai më tha që ti do të bëhesh futbollist. Kështu, nuk kisha shumë zgjidhje. Por, për të qenë i suksesshëm në një fushë, duhesh domosdo ta kesh pasion atë që bën. Unë e kisha pasion futbollin".

I pyetur specifikisht nëse do të merrte një ofertë për të zëvendësuar trajnerin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakun, pa marrë parasysh nëse "Dardanët" do të ishin kundër, si do reagonte, Lorik Cana tha se edhe ai është dardan: "Nëse një ditë do ta shihja të arsyeshme dhe do të më ofrohej të bëhem trajner i Kosovës, nuk do ta kisha asnjë problem, pse jo".

 

Qeveria ka në plan të ndërtojë një aeroport në Korçë

Posted: 08 Apr 2017 09:25 AM PDT

Pas nisjes së studimit për të ndërtuar një aeroport në Vlorë, qeveria ka shpallur thirrjen për të bërë një projekt i cili do t'i hapë rrugë ndërtimit të një aeroporti në qytetin e Korçës.

Thirrjen e ka dorëzuar në agjencinë e prokurimeve publike Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka vënë në dispozicion një shumë prej 73 mijë dollarësh për kompaninë që do të bëjë studimin e fizibilitetit.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, burime pranë ministrisë së Financave thonë se planet për ndërtimin e aeroporteve janë pjesë e listës së strategjisë të shpallur nga qeveria "One Billion Euro Project" , të cilat do të bëhen sipas formulës partneritet publik – privat.

Kryeministri Rama ka lajmëruar disa ditë më parë se janë disa kompani serioze që po kërkojnë të investojnë në fushën e aeroporteve në Shqipëri. Muaji prill shënon dhe 1 vjetorin e heqjes së ekskluzivitetit të ajrit për konçesionarin e Rinasit, gjë e cila do t'i mundësojë Shqipërisë të ndërtojë aeroporte të reja dhe të ulen çmimet e biletave, por deri më sot asnjë aeroport i ri nuk është hapur, edhe pse shpresat e para të qeverisë ishin për të vënë në punë atë të Kukësit.

ETA nis çarmatosjen, përfundon kryengritja e fundit e mbetur në Europë

Posted: 08 Apr 2017 08:07 AM PDT

Grupi militant bask Eta ka filluar procesin e dorëzimit të armëve të mbetura, duke i dhënë formalisht fund, kryengritjes së fundit të mbetur në Europë.

Në një ceremoni në qytetin jugor francez të Bayonne, një inventar armësh dhe vendndodhjet e tyre ju kalua autoriteteve gjyqësore.

Eta u krijua mëse 50 vite më parë, në periudhën e gjeneralit diktator spanjoll, Franco. Qëllimi i saj ishte krijimi i një shteti të pavarur bask në territorin jug-perëndimor të Francës dhe Spanjës Veriore.

Vrasja e parë e kryer nga grupi regjistrohet në vitin 1968, kur një shef i policisë sekrete u qëllua në qytetin bask të Shën Sebastianit. Franca dhe Spanja refuzojnë të negociojnë me Eta-n, ndërkohë që grupi është i vendosur në listën e zezë të Bashkimit Europian të organizatave terroriste.

Eta ka vrarë më shumë se 800 persona dhe ka plagosur mijëra të tjerë në më shumë se 40 vite dhunë. Në 2011, grupi shpalli armëpushimin, por nuk u çarmatos. Sidoqoftë, procesi i dorëzimit të amërve nuk do të jetë i lehtë.

Komisioni Ndërkombëtar i Verifikimit, krijuar në 2011 për të monitoruar procesin e çarmatimit të Eta-s, nuk njihet formalisht nga qeveritë franceze e spanjolle.

Kryetari i këtij komisioni, Ram Manikkalingam shpreson se dorëzimi do të ndihmojë në konsolidimin e paqes në rajonin bask, ndërkohë që qeveria spanjolle kërkon jo vetëm çarmatosjen e grupit, por edhe sqarimin se kush ka kryer sulmet në të shkuarën. Sakaq, policia franceze është në gatishmëri të marrë në zotërim armët Eta do të dorëzojë.

Platforma e Tiranës/Synohet edhe ndryshimi i emrit të shtetit në Maqedoni

Posted: 08 Apr 2017 08:00 AM PDT

Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka bërë thirrje për përgatitje të popullit për rezistencë në eventualitetin që sipas tij Platforma e Tiranës do të vihet në zbatim.

Ai ka deklaruar se qëllimi i këtij dokumenti është ripërkufizimimi shtetit, por edhe ndryshimi i emrit.

Teza e ndryshimit të emrit në kuptimin që e përmend Gruevski implikon pasoja edhe më të gjera sesa marrëdhëniet me Shqipërinë.

Nëse marrim të mirëqenë tezën e mësipërme emri i ri do të duhet të përmendë edhe shqiptarët, apo cilësorë të tjerë që e zgjerojnë emrin e tanishëm Republika e Maqedonisë.

Kjo do të zgjidhte vetiu çështjen e emrit me Greqinë e cila e lidhe emrin aktual me pretendime territoriale që datojnë para Luftës I Botërore, shkruan Respublica.

Tronditet Shqipëria, tërmet i fortë me magnitudë 5.2 ballë

Posted: 08 Apr 2017 07:12 AM PDT

Një tërmet me mangitudën 5.2 ballë është ndjerë sot në Tiranë, Krujë, Mat, Bulqizë, Laç, Lezhë, Pukë, Shkodër dhe Elbasan.

Raportohet se tërmeti ka qenë 2 km nga veri perëndimi i Kurbneshit në Mirditë dhe 32 km nga perëndimi i Peshkopisë, 55 km nga veriu i Tiranës si dhe me thellësi 10 km.

Mbyti bashkëshorten me fustanin e saj, gjykata gjermane dënon shqiptarin

Posted: 08 Apr 2017 06:55 AM PDT

Gjykata e Landit në Regensburg në Gjermani, ka dënuar me 9 vite e 3 muaj burg një shqiptar, i cili mbyti bashkëshorten me fustanin e saj.

Ngjarja e rëndë ndodhi verën e kaluar, pas një zënke që kishte pasur çifti në banesën e tyre në Gjermani.

'Tvaktuell.com' shkruan se 46-vjeçari shqiptar ka vrarë bashkëshorten e tij 37-vjeçare, ndërsa ai kishte pranuar pjesërisht veprën penale.

Avokati i tij mbrojtës kishte kërkuar ulje dënimi për klientin e tij, por kjo nuk u pranua nga gjykata.

Vizita e Ditmir Bushatit te parukierja e gruas ditën që i dha fund beqarisë

Posted: 08 Apr 2017 06:46 AM PDT

GSH.al ka sjell sot një shkrimi të shtatorit 2007, ku ministri aktual i Jashtëm, Ditmir Bushati, u stilua tek parukierja e gruas ditën që i dha fund beqarisë.

 
Vizita e Ditmirit tek parukierja e gruas ditën që i dha fund beqarisë  
Edhe pse prej dy muaj e gjysmë janë bërë prindër duke sjellë në jetë një vajzë, menduan që së fundmi të realizonin edhe dasmën, e cila prej kohësh ishte në projektet e tyre. E duke pritur çastin e shumëpritur Ditmir Bushati, drejtori për kërkimet në institutin "Agenda", anëtar i këshillit bashkiak të PS Tiranë, dhe Aida Gugu, eksperte prane "Euroalius"- misioni i BE për drejtësinë, kanë zhvilluar ceremoninë e martesës. Në një mbrëmje tërësish luksoze në ambjentet e "Lion Park" çifti ka festuar ditën e dasmës nën shoqërinë e shumë të ftuarve, të afërm të tyre si dhe miq e personazhe VIP.

2 të rinjtë janë njohur me njëri-tjetrin 7 vite më parë teksa të dy studionin jashtë vendit, pikërisht në Hollandë. E teksa, shumë shpejt në atë kohë do të lindte ndjenja mes tyre, 2 vjet më vonë vendosën të bashkëjetonin. E veçanta e ceremonisë që nuk ndodh shpesh tek çiftet e tjerë, është se e pranishme në dasmë ishte dhe vogëlushja. Një vëmendje të veçantë veç nuses, i është kushtuar edhe look-ut të dhëndrit. Ky i fundit është kujdesur deri në fund për veten duke preferuar që flokët dhe stilimet e fundit t'ia bënte parukieria e preferuar e bashkëshortes së tij, Tina.
Ky shkrim u botua më 15 Shtator 2007

 

EMRAT DHE SKEMA/ Kanabis me skaf nga Gjiri i Lalzit në Brindizi, goditet banda italo-shqiptare

Posted: 08 Apr 2017 06:18 AM PDT

Një hetim i përbashkët i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Leçes dhe Guardia di Finanzia ka zbuluar një grup kriminal, të cilët dyshoheshin se trafikonin lëndë narkotike kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, nëpërmjet mjeteve lundruese skaf, me pikënisje zonën e Gjirit të Lalzit, në Durrës dhe destinacion brigjet italiane.

Hetimi

Deri në këtë fazë të hetimit, të paktën 7 persona, nga të cilët 5 shqiptarë dhe 2 italianë, janë ndaluar mesnatën ndërmjet të premtes dhe së Shtunës, me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda në kuadër të këtij hetimi të përbashkët.

Nga hetimet e deritanishme ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Eduart Sallaku është në krye të këtij grupi kriminal, në rolin e organizatorit të trafikimit të lëndës narkotike nga Gjiri i Lalëzit në drejtim të Brindizit.

Gjatë hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit italianë Gianfranco Maiorano (me precedentë penal në shtetit Italian, më shumë se një herë) dhe Donato Carlucci, kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të trafikuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

Skema

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se shtetasi Eduart Sallaku, në dt. 05.04.2017 është afruar në këmbë pranë bregut të detit dhe ka hipur në skafin në pronësi të shtetasit Lazër Lazri. Të dy kanë pritur ardhjen e një tjetër skafi, të nisur nga Italia, në bordin e së cilit gjendeshin dy shtetasit italianë.

Lazër Lazri është kontaktuar nga shtetasi Vitor Brahja, me qëllim që të ndihmonte në transportimin e lëndës narkotike nga brendësia e pyllit për në bordin e skafit të tij dhe, më tej, ta transportonte në skafin e shtetasve italianë më në brendësi të detit.

Për realizimin e qëllimit kriminal, shtetasi Vitor Brahja ka kontaktuar me dy nipërit e tij shtetasin Jurgen Brahja dhe Gjon Brahja, të cilët, përveç ndihmës në ngarkimin e lëndës narkotike, do të monitoronin dhe zonën përreth për të sinjalizuar më pas Eduart Sallakun për prezencën e forcave policore.

Veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, ndiqeshin në terren nga ana e forcave policore të Kufirit, Durrës. Në bazë të ndjekjes hetimore, rezultoi se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal pikasën lëvizje të Policisë dhe për këtë arsye u konsiderua e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme për shoqërimin e tyre ende pa mbërritur lënda narkotike. Personat e shoqëruar u morën në pyetje nga ana e Prokurorit.

Aksioni

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, si edhe të deklarimeve të dhëna nga shtetasit e shoqëruar fillimisht dhe më tej të ndaluar me urdhër të Prokurorit, u krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të "Trafikimi i narkotikëve", mbetur në tentativë; "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" dhe "Grupi i strukturuar kriminal".

Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda u urdhërua ndalimi i shtetasve:

Eduart Sallaku

Vitor Brahja

Jurgen Brahja

Gjon Brahja

Lazër Lazri

Gianfranco Maiorano

Donato Carlucci

Shtetasit shqiptarë janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda në dt. 06.04.2017. Ndërsa shtetasit italianë janë ndaluar në dt. 07.04.2017, të cilët u gjendën në brendësi të pyllit pranë Gjirit të Lalzit.

Në këtë operacion u sekuestrua edhe skafi me të cilin do të kryhej trafikimi i lëndës narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Koço Kokëdhima tregon çfarë foli me Lulzim Bashën

Posted: 08 Apr 2017 06:12 AM PDT

Kreu i lëvizjes "Zgjidhja", Koço Kokëdhima takoi kreun e PD, Lulzim Basha. Në përfundim të takimit, Kokëdhima sqaroi se u diskutua për krizën politike dhe për mënyrën e dialogut për të shmangur këtë krizë.

"Biseduam rreth situatës politike në vend, diskutuam për krizën, dhe për nevojën që kjo krizë të kapërcehet, për efektet negative të kësaj krizë nëse ajo vazhdon sepse pa dyshim që kjo krizë ka ndikim në ekonomi, duhet që përmes dialogut të kapërcehet. Palët duhet të diskutojnë për këtë çështje. Diskutuam për nevojën e standardeve të zgjedhjeve të lira, për reformën zgjedhore që duhet t'i japë një zgjidhje përfundimtare në Shqipëri"– tha Kokëdhima.

"Reforma zgjedhore është e pashmangshme dhe duhet të bëjë të mundur që  në Shqipëri nuk duhet të prodhohen më zgjedhje me standarde dyshimta, por zgjedhje të lira dhe të ndershme si të gjithë vendet e tjera" – shtoi Koço Kokëdhima.

Ai u pyet nëse ishte ndarë përfundimisht me PS pas takimit me Bashën, por Kokëdhima tha se në këto momente janë me interes çështjet që preokupojnë qytetarët dhe jo çështjet e kaluara.

"Unë nuk mbështes kulturën e flirteve që ka ekzistuar në Shqipëri, kulturë pazaresh mes partive të mëdha politike si në 2008,  dhe po në këtë pikëpamje unë i kam denoncuar edhe veprimet kur ka qenë rasti për goditjet politike ndaj mandatit tim. Unë nuk kam ngarkesa politike me askënd, ajo është një çështje e kapërcyer, ne kemi interes të diskutojmë çështjet e zhvillimit që preokupojnë qytetarët" – tha Kokëdhima.