Tirana Observer: “Nga Andi Bushati / Dy 1 prillët e ndryshëm të Metës” plus 9 more |
- Nga Andi Bushati / Dy 1 prillët e ndryshëm të Metës
- “Shiko pas se mos të kanë kapur!”, zbardhen përgjimet e Klement Balilit
- Rummenigge tremb “Zonjën” për Dybala-n dhe parashikon rezultatin Juve-Barça
- Chelsea rrëshqet dhe rihap kampionatin, zhgënjen sërish Manchester United
- Rudina Xhunga nxjerr bllof Ledion Liçon: Këto janë shifrat reale të audiencës
- Kriza politike/ Nishani ofron zgjidhje: Ja çfarë jam gati të bëj
- Kujdes nesër! E hëna sjell shtim të grimcave të ngurta në Shqipëri!
- Hashashi “mbush” gjykatat; çdo javë 15 masa sigurie
- Pas deklaratave të Bombajt për prostituim dhe video porno, reagon Ajsi Xhaxhaj
- Në Shtëpinë e Bardhë punojnë milionerë
Nga Andi Bushati / Dy 1 prillët e ndryshëm të Metës Posted: 01 Apr 2017 09:46 AM PDT Katër vite pasi vendosi t'i japë një shand Edi Ramës për të ardhur në pushtet, LSI po kalamendet gjatë nëse duhet t'i ripërtërijë besimin kryeministrit edhe për mandatin tjetër. Por, midis 1 prillit të vitit 2013 dhe këtij të sotmit ka një ndryshim shumë të madh. Atëherë Ilir Meta, pas një takimi enigmatik kokë më kokë me Berishën, ku askush nuk mësoi se për çfarë i kishin dhënë besën njëri-tjetrit, doli publikisht të thoshte se koalicioni i panatyrshëm kishte mbërritur në fund. Me lehtësinë e një njeriu që nuk mban përgjegjësi për të shkuarën, Meta e përligji këtë ndarje me mbarimin e kontratës katër vjeçare. Edhe termi që ai gjeti për të etiketuar lamtumirën i përkiste lëmit të tregtisë dhe biznesit. Kontrata kishte mbaruar, pazari kishte mbërritur në fund dhe gjithçka tjetër për të cilin e bezdisnin opinionistët dhe gazetarët i takonte punës së historianëve dhe arkeologëve. Historianët, duhet të gjenin se pse gjatë mandatit që ai qeverisi me Berishën, Meta nuk tha asnjë fjalë kur gjykata mbylli aferën e rrugës së kombit dhe atë të Gërdecit, pa fajtorë politikë. Historianët duhet të gjenin se përse për zhdukjen e Kosta Trebickës nuk u zbulua përgjegjës. Historianët duhet të gjenin se përse privatizimet më të mëdha, Armo, Albpetrol, CEZ dështuan me turp. Historianët duhet të gjenin se përse në 21 janar u vranë katër qytetarë të pafajshëm. Historianët duhet të gjenin se përse kur njerëz të rëndësishëm të shtetit akuzoheshin si "horra dhe lavire bulevardi", Meta nuk kishte fuqi të belbëzonte: "Kujdes, me qetësi dhe dashuri". Historianët duhet të gjenin se përse presidenti i republikës, që LSI ishte betuar se nuk do ta votonte kurrë, u kurorëzua me votat e saj. LSI-a doli nga koalicioni, një mëngjes të bukur prilli, pa pasur guximin të artikulonte qoftë edhe një vërejtje për Berishën dhe PD. Me ftohtësinë e një tregëtari të sprovuar Meta u mjaftua të thotë se kontratës i kishte ardhur fundi. Kurse ky 1 prill i katër viteve më pas është i ndryshëm. Tani vendin e arkeologëve dhe historianëve po e luajnë, Manjani, Koka, Tavo, Rama dhe Kryemadhi. Ditë pas dite, ata e kanë bombarduar qeverinë e Ramës më keq se opozita. Ishin ata që thanë të parët se gjendja e drogës është aq keq sa duhet futur ushtria. Ishin ata që thanë se policia do përdoret për të vjedhur zgjedhjet. Ishin ata që ngritën alarmin se me anë të reformës në drejtësi, Rama do të godasë rivalët politikë. Ishin ata që hodhën poshtë reformën në arsim. Ishin ata që e panë si rrezik dredhinë e Ramës për të mbushur Shqipërinë me plehra. Ishin ata që goditën pareshtur ministrin më të suksesshëm, Saimir Tahiri. Po atëherë pyetja që ngrihet është: A ka më kuptim që LSI të vazhdojë të qeverisë me Ramën, pasi nuk bie dakord në asnjë nga çështjet e mëdha me partnerin e tij të koalicionit? A ka simetri që ai që u largua 1 prillin e katër viteve më parë pa bërë asnjë vërejtje për Berishën, të vazhdojë të qëndrojë me Ramën pas gjithë atyre që ka thënë? A ka ndopak koherencë tek këto qëndrime kaq të ndryshme të LSI-së? Në këtë ditë të njohur botërisht, Ilir Metës mund t'i mjaftonte dhe justifikimi i thjeshtë që përdori mandatin tjetër, për të thënë lamtumirë. Ai mund të përdorte argumentin e "fundit të kontratës" për t'u larguar. Po të donte mund të shkonte edhe më tej, të rendiste edhe njëherë gjithë vërejtjet e muajve të fundit që ia bënin legjitime përplasjen e derës. Por Ilir Meta këtë 1 prill po heziton. Sepse nëse sjellja e tij prej biznesmeni ia justifikoi ndarjen me Berishën, biznesi i tij aktual ia vështirëson prishjen me Ramën. Prandaj ndoshta është e kotë që Ilir Metës t'i kërkosh të prononcohet këtë ditë gënjeshtrash. Për të kjo mund të jetë thjeshtë një ditë e zakonshme, si gjithë të tjerat e vitit. (Lapsi.al) |
“Shiko pas se mos të kanë kapur!”, zbardhen përgjimet e Klement Balilit Posted: 01 Apr 2017 09:39 AM PDT Zbardhen përgjimet e Klemenr Balilit, i shpallur në kërkim me vendim gjykate, si i dyshuar për si një nga drejtuesit e organizatës kriminale që merrej me trafik të drogës. ABC News ka siguruar kopjen e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që i ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" Klement Balilit, ku janë pasqyruar 13 faqe format A4, me përgjimet e bisedave telefonike të Balilit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në dosjen, thuhet se këto përgjime konsistojnë të kryera pas orës 23:00 të darkës nga fund i muajt prill deri më 8 maj 2016 ditën kur u godit grupi kriminal ku edhe u arrestuan 16 të dyshuar në Greqi, 3 të dyshuar në Belgjikë, një person në Itali, një shtetas në Bullgari dhe u shpall në kërkim Klement Balili. Sipas këtij vendimi, thuhet se biseda e fundit dhe aktivimi i numrave që kishte në përdorim Balili janë mbyllur me datën 8 maj dhe nga ajo ditë nuk janë përdorur dy kartat dhe dy aparatet celular që ishin në përgjim nga autoritetet greke. Nga këto përgjime, duket qartë përfshirja e Balilit në rrjetin e trafikut të drogës, pasi gjithë kohës komunikon me dy skafistët e nisur nga Shqipëria që ua arrestuan në Greqi si dhe biznesmenët grekë, që ishin edhe pritësit e drogës. Në një nga këto bisedat biznesmeni grek i shpreh shqetësimin Balilit për bllokimin e rrugëve në Greqi nga greva e punëtorëve. Ç’ka sipas bisedës, nuk mund të nisen kamionët e ngarkuar me drogë, për shkak të grevës nga shoferët dhe punëtor të ndryshëm. Gjithashtu janë transkiptuar edhe biseda për një shtetas kinez, i cili mendohet se mund të jetë një nga transportuesit e drogës nëpër Europë. Në dosje thuhet se nga Janarit i vitit 2014 dhe deri më 8 maj të 2016 të dyshuarit vepronin në trafikimin dhe tregtimin e sasive të mëdha të kanabisit të papërpunuar dhe kokainës mes vendeve evropiane – anëtarë të Bashkimit Evropian. Si furnizues ishte Shqipëria me hashash dhe Greqia me kokainë që më pas trafikohej drejt vendeve të ndryshme të Evropës me mjete transporti ndërkombëtare, të përshtatura posaçërisht me vende të fshehta për fshehjen e lëndëve narkotike. Mjete të cilat klasifikoheshin në Bullgari dhe në Austri, sit ë besuar dhe në emër të personave të ndryshëm që përdoreshin për mbulimin e aktivitetit të paligjshëm në transportin e drogës për llogari të anëtarëve të organizatës kriminale. Sipas prokurorisë, Klement Balili dyshohet se është një nga organizatorët e rrjetit të trafikut të drogës, që për dy vite ka trafikuar në të gjithë vendet e BE-së rreth 3.8 ton hashash dhe 84 kg kokainë. |
Rummenigge tremb “Zonjën” për Dybala-n dhe parashikon rezultatin Juve-Barça Posted: 01 Apr 2017 09:35 AM PDT Shefi ekzekutiv i Bayern Munich-ut, Karl-Heinze Rummenigge ka deklaruar hapur se sulmuesi argjentinas Paulo Dybala është lojtari që do t'i merrte Juventus-it. Gjatë një interviste për "Corriere dello Sport", Rummenigge ka bërë edhe një parashikim për sfidën Juventus-Barcelona në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. " Cilin do të më pëlqente të merrja te Bayern? Ka shumë lojtarë të mirë në skuadra të ndryshme- tha ish-sulmuesi i Inter-it. Mendoj për Dybala-n që luan te Juve, ose edhe të tjerë. Ka shumë tani. Problemi është se asnjë lojtar i nivelit të lartë nuk shitet. Ose për ta kërkohet një çmim stratosferik dhe nuk shiten". Më tej diskutimi spostohet tek Champions-i ku sipas Rummenigge-s bardhezinjtë do të luajnë si të barabartë me Barcelona-n: "Në tre vitet e fundit kanë fituar skuadrat spajnolle- kujtoi gjermani – Unë besoj se këtë vit do të jetë Champions-i më me rivalitet i të gjitha kohërave, sepse ndoshta përveç suprizës Leicester që arriti çerekfinalen, të gjithë të tjerat janë në gjendje ta fitojnë. Në këtë pikë është e vështirë të thuash se kush është favoritja më e madhe. Unë besoj se Juventus këtë sezon është një skuadër shumë e fortë dhe nuk jam i bindur se do të kalojë Barcelona". |
Chelsea rrëshqet dhe rihap kampionatin, zhgënjen sërish Manchester United Posted: 01 Apr 2017 09:31 AM PDT Chelsea është mundur nga Crystal Palace brenda në "Stamford Bridge" duke rihapur kampionatin. Ndeshja filloi ashtu siç pritej nga të gjithë, me Chelsea që sulmon dhe Crystal Palace që mbron me shumë forca. Blutë arritën të zhbllokojnë menjëherë rezultatin me spanjollin Fabregas. Hazard futet në zonë nga e majta dhe fut një top të ulët në qendër i cili shtyhet në rrjetë nga Fabregas. Çdo gjë dukej se po shkonte drejt normalitetit deri disa minuta më pas kur Zaha barazon rezultatin për miqtë me një super gol pas një aksioni personal. Goli i dha vetëbesim të madh djemve të Sam Allardyce të cilët gjejnë golin e avantazhit pak minuta më pas. Gjithsesi rastet për Blutë nuk munguan por Costa, e më pas Matic nuk u treguan të saktë duke bërë që Chelsea të vazhdojë të jetë në kërkim të golit të barazimit deri në minutat e fundit por miqtë u mbrojtën mirë dhe arritën këtë fitore historike megjithëse ndeshja u luajt për më tepër se 100 minuta. Tottenham ka arritur të fitojë me vështirësi me Burnley pas një pjese të parë ku vendasit ishin më dominues dhe madje arritën të rrezikonin me disa mundësi të mira shënimi. Tottenham duhet të bënte dy zëvendësime të detyruara pasi iu dëmtuan dy mesfushorët qendrorë por në pjesën e dytë djemtë e Pochettino arritën të shtynin më përpara me një ritëm më të lartë dhe gjetën dy gola me Dier dhe Son që ishte zëvendësimi i tretë i trajnerit argjentinas. Me këtë fitore, dhe humbjen e Chelsea, Tottenham ndodhet në vend të dytë me shtatë pikë diferencë nga kreu. Një fundjavë si shumë të tjera për Manchester United në Premie League. Ekipi i Jose Mourinho nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj West Brom duke humbur një mundësi të mirë për t'u afruar me katër ekipet kryesuese. |
Rudina Xhunga nxjerr bllof Ledion Liçon: Këto janë shifrat reale të audiencës Posted: 01 Apr 2017 09:20 AM PDT Rudina Xhunga nuk e ka kaluar në heshtje sulmin që i bëri moderatori Ledion Liço. Ndryshe nga tabela anonime pa orare dhe datë që i referohej Ledioni, duke nxjerrë programin e tij "The Voice" në krye të audiencës, Rudina Xhunga i ka "përplasur" referencat e kompanisë së njohur "Telemetrix". Në shkrimin shpjegues të grafikut, portali i Xhungës, "Dritare.net" sjell sondazhin e detajuar me datë dhe orë të kompanisë së sondazheve Telemetrix, ku duket qartë se televizioni Klan, me ngjyrë bojëqielli në grafik, kryeson trefish televizionin Top Channel, me ngjyrë lejla, në të njëjtën ditë dhe orë, pra 31 mars 2017, nga ora 21:00-23:59, ku TV Klan ka 38.2% share ndërsa Top Channel, 15.1 %." Por Rudina nuk e lë me kaq fërkimin me Ledionin kur shkruan: "Mesa duket Liço ka ndarë me ndjekësit një sondazh të kohërave të lavdishme të tij, vite më parë". I gjithë debati nisi pas një shkrimi të portalit të drejtuar nga Rudina Xhunga ku thuhej se spektakli "Voice of Albania" nuk ka më të njëjtën shikueshmëri si më parë dhe se audienca ka rënë. Por ky i fundit iu hakërrye ish-koleges duke i përmendur përzënien nga Top Channel. |
Kriza politike/ Nishani ofron zgjidhje: Ja çfarë jam gati të bëj Posted: 01 Apr 2017 09:08 AM PDT Presidenti Bujar Nishani, deklaroi sot se është i gatshëm të ushtrojë autoritetin e tij kushtetues për të ndikuar uljen e palëve në një tryezë dialogu për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Duke folur për News 24, Nishani ka bërë publike edhe "ofertën" e tij. Jemi në një kohë dhe fazë kaotike. Sot është data 1 prill, 4 vite nga marrëveshja e koalicionit, ndërkohë që aktualiteti politik ka mjaft zhvillime. Jemi dy muaj para zgjedhjeve. Si do e cilësonit situatën? Duket që palët nuk po lëshojnë pe dhe ajo që duket e sigurtë është se nuk ka një strategji për të shkuar në zgjedhje të lira e të ndershme. E kam fjalën te parlamenti por edhe te marrëdhëniet ndërpartiake sepse në fund të fundit partitë politike kryesore parlamentare, janë aktorë vendimarrës në proceset e rëndësishme të vendit. Kjo situatë politike kaq e tensionuar nuk po duket të ketë ndonjë reagim përsa i takon angazhimit për të gjetur një proces, që mund të mos mbyllet brenda një dite por një proces që të fillojë ta ç'tensionojë situatën dhe ta adresojë pjesën e komunikimit ndërpartiak dhe të faktorëve kryesorë politikë në rrugën e duhur. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, jam i gatshëm si president i Republikës dhe vazhdoj të nxis edhe në qëndrimet e mia institucionale edhe publike interesin më të mirë të vend. Që do të thotë edhe në mënyrë indirekte interesi i partive politike, i aktorëve politike. Ulja në bisedime, qëndrimi në kontakt me njëri tjetrin, pavarësisht objektivave që kanë, synimeve politike që kanë, duhet të ketë një proces komunikativ mes partive, duhet të ketë negociata, në mënyrë që të vendoset në bazë të këtyre negociatave standardi kryesisht për zgjedhjet. Përtej negociatave aq shumë të përfolura përsëri duket sikur diçka çedon. Ju si kryetar i Shtetit a mendoni se duhet thirrur një tryezë për palët? Mund të thërrasë presidenti por mund ta bëjë këtë nëse palët janë të gatshme që t'i përgjigjen thirrjes se Presidentit, sepse në fund të fundit imazhi i Presidentit të Republikës nuk mund të cënohet nga një dialog apo thirrje pa një produkt, për më tepër që ne kemi një eksperiencë jo pozitive kohët e fundit, kur është bojkotuar pa argument edhe tryeza shtetërore si ajo e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga ana e Kryeministrit të vendit, çka nuk ka bërë vaki në të shkuarën gjithsesi këto le t'i takojnë të shkuarës. Presidenti i Republikës është tërësisht i gatshëm, nëse vërtet ka një vullnet dhe vullneti duhet të demostrohet patjetër që nuk do të mungojnë edhe komunikimet edhe gatishmëria edhe në rrugë zyrtare ndaj palëve politike për t'u ulur në tryezën e tyre, me praninë ose jo të Presidentit të Republikes por institucioni i Presidentit është i gatshëm që të ushtrojë të gjithë mundësitë e tij, të gjithë ndikimet e tij, edhe autoritetin institucional e kushtetues, jo vetëm për të legjitimuar, por për t'i dhënë edhe mburojën dhe legjitimitetin kushtetues palëve për të negociuar dhe për të gjetur dhe një orientim dhe një proces. Flas gjithmonë për një proces, jo për një konkluzion përfundimtar nga takimi sepse nuk mund të kemi konkluzion përfundimtar nga një takim. Përsa i përket dhe të shkuarës, jo rrallë herë Shqipëria është gjendur në të tilla situata. Kujtojmë vetë ish-Presidentin Moisiu që ka thirrur një tryezë mes palëve në momente të vështira. Ju thoni që nuk mund të imponohen partitë politike për të marrë pjesë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje përtej negociatave dhe uljes së palëve në bisedime? Unë besoj se do të arrihet, sepse historia dhe jo vetem shqiptare, ka treguar se ka qenë një qëndrim i caktuar politik, është dashur ndoshta të paguhet një kosto më e madhe po përsëri është adresuar dhe konkluzioni ka mbetur te ajo që është kërkuar që në fillim, te proceset e kontaktit, te proceset komunikative. Unë mendoj se procesi i komunikimit në distancë tashmë është i qartë, por duhet të ketë edhe një komunikim institucional dhe besoj se institucionet e shtetit shqiptar e posedojnë seriozitetin e nevojshëm edhe të gjithë ambientin e përshtatshëm për të krijuar mundësinë e negociimit edhe të diskutimit edhe të orientimit me procesin e domosdoshëm që duhet të ketë vendi. Si do t'i përgjigjeshit ju akuzave për një President palë? Ju kanë quajtur President palë të pafuqishëm për të zgjidhur situatën në të cilën ndodhet vendi. Nuk janë ndalur asnjëherë janë akuza që asnjëherë nuk kanë patur fakte, prova, as logjikë politike, as njerëzore, nuk kanë qenë të besuara në asnjë argument. Kanë mbetur gjithnjë shabllon i agresivitetit dhe artikulimit shterp politik. Sa i takon procesit për të zgjidhur Presidenti i Republikës, edhe një herë e them se asnjë President nuk ka parë kushtetuta jonë mekanizma që të orientojë palët që të shkojnë në një zgjidhje apo në një zgjidhje tjetër. Institucioni i Presidentit të Republikës është një institucion që garanton seriozitetin dhe konfidencialitetin e bashkëbisedimit dhe të artikulimit në opinionin publik të parimeve dhe adresimive më të mira të mundshme që qetësojnë situatën, largojnë ngërçin, ç'tensionojnë në tërësi ambjentin dhe mbajnë edhe garancinë e realizimit të premtimeve dhe dakordësisë që arrihet. |
Kujdes nesër! E hëna sjell shtim të grimcave të ngurta në Shqipëri! Posted: 01 Apr 2017 08:25 AM PDT Stuhitë e rërës dhe të pluhurit ndodhin në kushtet kur ajri tejnxehet mbi sipërfaqet e shkretëtirës duke shkatuar instabilitet të fuqishëm të shtresës së poshtme të atmosferës. Rrjedhimisht, gjenerohen stuhi të forta të erës të cilat ngrejnë sasi të mëdha të rërës dhe pluhurit të shkretëtirës të cilat i transportojnë për qindra dhe deri në disa mijëra kilometra. Problemi kryesor i qarkullimit të këtyre stuhive është impakti i lartë në shëndetin e njeriut. Grimcat e pluhurit dhe të rërës në ajër jo vetëm përkeqësojnë, por edhe janë iniciatorë të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe meningjitit. Bazuar në rolin qëndror të ekspertëve të meteorologjisë në bashkëpunim me ekspertë të cilësisë së ajrit, në botë ka qendra rajonale dhe ndërkombëtare, të specializuara në parashikimin e stuhive të rërës dhe pluhurit. Për kontinentin Europian dhe Afrikën Veriore, parashikimin e këtyre stuhive e realizon "Barcelona Dust Forecast Center". Konkretisht, për territorin shqiptar parashikohet që mesdita e së hënës, të sjellë shtim të përqëndrimit të grimcave të ngurta jo vetëm në shtresat e ulëta të atmosferës por edhe pranë sipërfaqes së tokës. Kjo, si pasojë e qarkullimit jugperëndimor të masave ajrore të cilat do të sjellin në territorin shqiptar sasi të rërës dhe pluhurit të Afrikës Veriore./Meteoalb |
Hashashi “mbush” gjykatat; çdo javë 15 masa sigurie Posted: 01 Apr 2017 08:17 AM PDT Në Gjykatën e Tiranës mesatarisht çdo javë 15 persona dalin para trupave gjyqësore për veprën e "prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve nakrotike". Bëhet fjalë për ata shtetas që kapen nga policia me doza të vogla dhe që deklarojnë se janë përdorues të hashashit. I tillë është rasti i familjes Gjella, ku bashkëshortja e Francesko Gjellës e raportoi atë në polici si përdorues hashashi. Gjatë kontrolleve, polcia i sekuestroi Gjellës 80 gramë hashash, sasi të cilën ai e justifikoi se e kishte gjetur rastësisht duke mbledhur kanaçe. "Sot u paraqitën 6 përdorues, 2 prej tyre i kisha unë në mbrojtje. Pavarësisht se ata e kanë për përdorim vetjak dhe gjykata i lë në "detyrim paraqitje", ata kthehen sërish për të njëjtën vepër penale", thotë avokatja Antonela Lala. "E vërtetoj që klientët e mi kanë qenë përdorues, pasi 7 gramë për 4 veta, që mund t'i bjerë as 2 gramë për përdorues", thotë avokati Agron Gjedia. Dy ish-ministra, ai i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm, propozuan një vit më parë ndërhyrje në Kodin Penal për këtë vepër, duke sugjeruar ashpërsimin e tij për çështje trafiku dhe saktësimin e paragrafit që flet për sasi të vogla, sikurse janë dozat që iu gjetën përdoruesve. Por ky grup veprash penale nuk u prek në ndryshimet më të fundit./tch |
Pas deklaratave të Bombajt për prostituim dhe video porno, reagon Ajsi Xhaxhaj Posted: 01 Apr 2017 07:23 AM PDT Pas lajmeve të botuara ditën e sotme lidhur me deklaratat e rënda të Leonard Bombajt ku thotë se Ajsi Xhaxhajn e ka përjashtuar nga Sirea Film pasi u zbulua se ajo trafikohej dhe se ka hedhur në Youtube video porno, duke shtuar se historia e përdhunimit është një farsë, ka reaguar aktorja. Ajsi përmes një statusi në Facebook ka zgjedhur t'i përgjigjet Bombajt me një shprehje. "Për sa kohë historia do te shkruhet nga gjuetarët, luanët nuk do të nderohen kurrë! Kujt i intereson…", shkruan ajo. |
Në Shtëpinë e Bardhë punojnë milionerë Posted: 01 Apr 2017 07:15 AM PDT Dokumenta të publikuara nga Shtëpia e Bardhë zbulojnë pasuritë miliona dollarëshe të zyrtarëve të lartë të stafit të saj. Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner kanë asete me vlerë nga 240 deri në 740 milionë dollarë. Këtu përfshihen aksionet në "Trump International Hotel", që i kanë siguruar Ivankës fitime nga 1 milion deri në 5 milionë dollarë vitin e kaluar. Dokumentat me të dhënat financiare që u publikuan në orët e vona të së premtes, detajojnë gjithashtu edhe pagat e fundit të disa prej figurave kyçe në administratë, e gjithashtu të ardhurat dhe pasuritë në kohën kur ata kanë filluar të punojnë për qeverinë amerikane. Por as Presidenti Donald Trump dhe as zëvendësi i tij, Mike Pence nuk janë të përfshirë në liste. Nga dokumentat mësohet se "perandoria" e bizneseve të Ivanka Trump vlen më shumë se 50 milionë dollarë, ndërsa vlera e aksioneve të saj në "Trump International Hotel" është mes 5 milionë dhe 25 milionë dollarëve. Të dhënat financiare të Jared Kushner mbulojnë plot 54 faqe, ku detajohen pozicionet e mbajtura prej tij në 267 organizata. Steve Bannon, që tani mban postin e Këshilltarit në Shtëpinë e Bardhë, ka një pasuri që varion nga 3.3 deri në 12.6 milionë dollarë. Sean Spices, zëdhënësi i administratës Trump u pagua 260 mijë dollarë për rolin si kryestrateg dhe Drejtor i Komunikimeve në Komitetin Kombëtar Republikan dhe gëzon gjithashtu një numër pronash. Në një deklaratë përpara publikimit të dokumentave, Shtëpia e Bardhë nxitoi të sqaronte se këto nuk janë pasuritë që pjesëtarët e stafit kanë sot, por ato që kishin në momentin e ardhjes në detyrë. Agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të thotë se të dhënat financiare të rreth 25 përqind të pjesëtarëve të stafit janë ekstremisht komplekse, çka nënkupton se janë shumë më të pasur. |
You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |