Tirana Observer: “Mirëmbajtja e lulishteve, DPN1 nismë për lyerjen e stolave bashkë me fëmijët” plus 9 more

Tirana Observer: “Mirëmbajtja e lulishteve, DPN1 nismë për lyerjen e stolave bashkë me fëmijët” plus 9 more


Mirëmbajtja e lulishteve, DPN1 nismë për lyerjen e stolave bashkë me fëmijët

Posted: 13 Apr 2017 09:34 AM PDT

Paralelisht me aksionin vullnetar të pastrimit të Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme Nr.1 e Punëtorëve të Qytetit, Bashkia Tiranë ka ndërmarrë një  tjetër nismë, këtë herë për lyerjen e stolave në lulishtet e kryeqytetit. Aktiviteti u fokusua në lulishten pranë stadiumit 'Selman Stermasi', si një nga më të frekuentuarat në kryeqytet, ku administrata e DPN1 u angazhua për lyerjen e të gjithë stolave. E veçanta e këtij aktiviteti ishte fakti që  kësaj nisme  iu bashkuan edhe fëmijët e punonjësve të administratës së DPN1.

"Ne sot jemi këtu jo thjesht si punonjës të administrates, por si qytetarë dhe prindër;  për të qenë ne të parët modeli dhe shembulli i kujdesit që duhet treguar çdo ditë ndaj stolave, apo koshave të vendosura në lulishtet e qytetit. Tirana na përket të gjithëve, ndaj dhe së bashku kështu si sot, të rritur dhe fëmijë ,të kujdesemi për qytetin pasi është shtëpia jonë e përbashkët", u shprehën punonjës të DPN1.

Me gjithë kujdesin e vazhdueshëm të punonjësve të DPN1, herë pas here ka raste të dëmtimit të stolave nga qytetarë të papërgjegjshëm, edhe pse kjo dukuri  është më e shpeshtë në zonat larg qendrës. Mirëmbajtja e lulishteve dhe stolave është në fokus të punës se DPN1, sidomos gjatë stinës së verës, periudhë kur edhe qytetarët i frekuentojnë më shpesh këto ambiente.

Gjatë gjithë kohës DPN1 është në gatishmëri për të zëvendësuar stolat e dëmtuar apo instaluar stola të rinj, ku sipas statistikave të nxjerra nga sektori i gjelbërimit pranë kësaj drejtorie, më 2016-ën janë vendosur 249 stola dhe 551 kosha kudo nëpër Tiranë. Ndërsa puna për këtë vit do të vijojë me ritme edhe më të larta ku sipas parashikimeve në të gjithë Tiranën deri në fund të 2017-ës do të shtohen afro 2 mijë stola të rinj dhe 1480 kosha.

Henri Çili sulmon Lubonjën: Është një mediokër, nuk jam përdorur nga Kadare

Posted: 13 Apr 2017 09:27 AM PDT

Analisti Henri Çili ka komentuar në lidhje me përplasjen e fundit mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe publicistit Fatos Lubonja.

I ftuar në rubrikën "Opinion" në studion e lajmeve të Neës24, Çili thotë se nuk është përdorur aspak nga Kadare dhe se akuzat e Lubonjës se kjo është kulturë manipulimi janë të kota.

"Unë jam këtu si  botues i UET Press, se polemika është mes Lubonjës dhe Kadaresë por ka ndodhur një zhvillim esencial. Po unë jam përfshirë në këtë debat për akuzat që më ka bërë Lubonja, por jam i qetë, tolerant, por kur më akuzojnë pa të drejtë acarohem.

Se nuk jam përdorur nga Kadare, se ai ka figurë shumë të madhe për të më përdorur mua, por fabula është shumë e vërtetë. Historia është e thjeshtë. Ismaili na tha mos hiqni asnjë rresht edhe sikur të kishin fjali kundër tij, ishte i lodhur nga kjo situatë e shëmtuar.

Ne u përpoqëm të gjenim çdo dokument nga viti '57. Gjatë kërkimeve normale, Dash Kaloçi bie në gjurmë të një dokumenti të dosjes gjyqësore të Fatos Lubonjës, ku në gjyqin e babait Lubonja pyetet për të. Ka dhe një pasazh për Kadarenë.

Lubonja tha se kjo është kulturë e manipulimit dhe nxjerr dokrrat e tij të vjetra për të qetësuar ndërgjegjen e tij të shprishur. Ne nuk po thonim asnjë të pavërtetë. Personalisht vura re se ishte një surprizë nga ky dokument, ai ka një gjë rrënqethëse. Së pari siç e ka thënë Lubonja, ka folur për Kadarenë, ndërkohë që kur s'të pyet njeri, pse flet. Është një luftë e pamposhtur, dhe e fëlliqur, kundër Nobelit dhe shumë gjërave të tjerë. Ishte një grup i tërë që kanë çuar letra që Kadare është pjesë e diktaturës dhe mos ta fitojë," u shpreh Çili

 

 

10 shprehje që mund t’ju ndryshojnë perspektivën mbi jetën

Posted: 13 Apr 2017 08:38 AM PDT

Shpesh ajo që na jep më shumë shtysë është një fjali pozitive apo një vlerësim. Shprehjet janë gjërat më me rëndësi në jetën tonë, ndaj këto 10 fjali mund të të ndryshojnë perspektivën mbi jetën.

1- Njerëzit nuk janë kundër teje, ata janë thjeshtë për veten e tyre.

2- Ngjit malet jo që bota të të shohë ty, por që ti të shohësh botën.

3- Mëson më shumë nga dështimi, sesa nga suksesi. Mos e lër të të ndalë. Dështimi ndërton karakterin.

4- Rreziku më i madh nga të gjithë është rreziku i të kaluarit të jetës tënde, duke mos bërë atë që do, me idenë se mund të "blesh" lirinë për ta bërë më vonë.

5- Shko atje ku të lartësojnë, jo atje ku të tolerojnë.

6- Personi me të cilin do të kalosh më shumë kohë në jetën tënde, është vetja jote, kështu që përpiqu ta bësh veten tënde sa më interesante që të jetë e mundur.

7- Nëse i pranon limitet e tua, atëherë mund të shkosh përtej tyre.

8- Njerëzit thonë shpesh se motivimi nuk zgjat. Epo, edhe një banjë e mirë nuk zgjat shumë. Prandaj rekomandohet që të bëhet përditë.

9- Çdo njeri që takoni ka frikë nga diçka, dashuron diçka, dhe ka humbur diçka.

10- Rehatia është armiku i arritjeve.

Skenar për vrasjen e Bashës? Garda: Pse i shtuam masat e sigurisë për kreun e PD

Posted: 13 Apr 2017 07:16 AM PDT

Ditët e fundit është vënë re një shtim i efektivëve të Gardës që merren me ruajtjen fizike të kreut të opozitës Lulzim Basha.

Shtimi i befasishëm i eskortës së kreut të opozitës hodhi dyshime mbi faktin nëse kishim të bënim me një kërcënim ndaj Lulzim Bashës.

Kështu Blendi Fevziu shkruante sot për një skenar atentati ndaj kreut të PD-së. (Shkrimin e lexoni KËTU).

Por burime nga Garda e Republikës thonë për "Balkanweb" se këto masa janë normale dhe të parashikuara në ligj në nisje të çdo fushate elektorale.

Duke e konsideruar regjistrimin e partive politike në KQZ si hapin e parë të çeljes së fushatës, Garda ka shtuar masat e sigurisë ndaj kryetarit të partisë më të madhe opozitare, pavarësisht se Partia Demokratike nuk është regjistruar në zgjedhje.

Në ligj nuk është parashikuar se sa duhet të jetë numri i gardistëve që i shtohen eskortës, pasi kjo vendoset në varësi të situatës dhe tensioneve të krijuara.

Burimet gjithashtu theksuan se, mbrojtja ndaj kreut të opozitës shtohet edhe në rast tensionesh apo një sinjali, qoftë ky mediatik që prek kreun e opozitës, por në këto raste shtimi i masave është i përkohshëm.

Gjykata e të Drejtave të Njeriut, Strasburgu rrëzon sërish kandidatët e qeverisë

Posted: 13 Apr 2017 07:05 AM PDT

Strasburgu rrëzon për të dytën herë kandidatët e Shqipërisë për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Byroja e asamblesë parlamentare të Këshillit te Europes ka deklaruar sot se 3 kandidatet e përzgjedhur nga qeveria shqiptare; Sokol Berberi, Aurela Anastasi dhe Aleksandër Muskaj nuk janë të gjithë mjaftueshëm të kualifikuar dhe duhen refuzuar.

"Duke qenë se jo te gjithë kandidatet janë mjaftueshëm të kualifikuar, komiteti rekomandon qe lista duhet te refuzohet nga asambleja dhe qeverise shqiptare duhet ti kërkohet të sjellë një listë të re kandidatesh."

Një vit më pare 3 kandidatët e përzgjedhur nga Shqipëria; Gent Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama as nuk u morën në intervistë pasi nuk ishin respektuar procedurat e kërkuara nga Këshilli i Europës.

Ketë herë, tre kandidatët e rinj realizuan procesin e intervistave, por u rrëzuan në fazën e dyte.

Vizat e punës në Alaska? Ambasada amerikane: Mos u mashtroni

Posted: 13 Apr 2017 06:50 AM PDT

Një program punësimi për në Alaskë, me vizë, nga ambasada amerikane nuk ekziston! Përgënjeshtrimin e ka bërë me dije vetë ambasada e SHBA në një status në rrjetet sociale.

Njoftimi i ambasadës:

"Nuk më besohet që moti është ngrohur kaq shumë që tani në prill! Pothuajse më bën të shkoj me pushime në ndonjë vend më të freskët….. ndoshta në Alaskë?🙂 Siç do ta shikoni në ngjarjen e mëposhtme, ne marrim shumë kërkesa në lidhje me vizat e punësimit për në Alaskë; në fakt, një program i tillë punësimi NUK ekziston!

Kini parasysh: Ambasada Amerikane nuk përkrah dhe nuk mbështet në asnjë lloj mënyre personat që merren me plotësime aplikimesh për vizë, apo noterët ose grupe njerëzish që pretendojnë se japin këshillime mbi vizat. Mos u bëni viktimë e mashtrimit – ju lutemi të kontaktoni me ne për informacion mbi rregullat e sakta dhe më të fundit mbi vizat.

Dhe si gjithmonë, jeni të mirëpritur të më dërgoni pyetjet tuaja përgjatë javës!"

Berlusconi dhe Milan: Çfarë suksesesh në 31 vjet! (FOTO/VIDEO)

Posted: 13 Apr 2017 06:03 AM PDT

Silvio Berluskoni, presidenti më i suksesshëm i historisë së futbollit i ka dhënë lamtumirë sot Milanit. Një personalitet që ka ditur të ndryshojë historinë e këtij klubi për 31 vjet. Tashme kuqezinjte kane kaluar ne duart e kinezeve. Berlusconi nuk pranoi as postin e Presidentit te nderit.

Historia e Berluskonit në krye të kuqezinjve nisi më 20 shkurt të vitit 1986. Në 3 dekadat që pasuan, Milani fitoi 28 tituj me Berluskonin president. Rruga e suksesit nisi me ardhjen e Arigo Sakit dhe treshes holandeze Rajkard, Van Basten, Gulit. Në vitet 1989 e 1990 u fituan Kupa e Kampioneve, Superkupa Europiane, Kupa Interkontinentale dhe Superkupa e Italisë.

Pas kalimit të Sakit në kombëtaren italiane, në stol u ul Fabio Kapelo, që e bëri akoma më të madh Milanin. Në 5 vitet e qëndrimit të tij, kuqezinjtë fituan 4 tituj të Serisë A, në Ligën e Kampioneve Milani arriti në 3 finale radhazi – në 1993,1994 e 1995 – ku mbahet mend fitorja e madhe 4-0 ndaj Barcelonës në Athinë.

Berluskoni Champions

Për të riparë titullin kampion në muzeun e Milanit u desh të pritej viti 1999, kur në stol ishte Alberto Zakeroni. Pas këtij viti, Milani do të kishte probleme deri në ardhjen e Karlo Ançelotit. Me këtë trajner, Milani ishte një tjetër skuadër, në Itali dhe Europë ku spikasnin emra si Nesta, Maldini, Pirlo, Rui Kosta, Shevçenko apo Inzagi.

Milani kampion 2011

Në 2003 "Djalli" fitoi Ligën e Kampioneve, ndërsa në 2004 kjo skuadër u shpall kampione e Italisë. Finalja e Stambollit ndaj Liverpulit në 2005 ishte më e tmerrshmja për kuqezinjtë, të cilët ditën të hakmerreshin 2 vjet më vonë ndaj anglezëve duke fituar titullin e shtatë kampion të Europës.

Dy sukseset e fundit të epokës Berluskoni u arritën në drejtimin e Masimiliano Alegrit, titulli i Serisë A në vitin 2011 dhe Superkupa e Italisë e fituar ndaj Interit. Në të gjithë kohën e tij si president i Milanit, Silvio Berluskoni ka shpenzuar saktësisht 865 milionë euro.

Zyrtare: Dybala rinovon me Juventusin deri në vitin 2022

Posted: 13 Apr 2017 06:01 AM PDT

Kjo ishte java e Paulo Dybala, e Messit të ri. Dygolëshi ndaj Barcelonës, në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampioneve, e ka afruar rinovimin e tij zyrtar me Juventusin.

Përfundimisht, sulmuesi argjentinas është lidhur me "Zonjën e Vjetër" deri në vitin 2022.

Kjo "shpallje martese" erdhi pas shpërthimit të tij në futbollin europian. Ka marrë fund pritja e lojtarit për të eksploruar mundësi të reja në karrierë, sikurse shuhen shpresat e klubeve të tjera për të.

Akordi i ri pesëvjeçar i kampionëve të Italisë me ish-sulmuesin e Palermos është tashmë një fakt i kryer.

Dybala ka fituar në mënyrë efektive diçka mes 7 dhe 7.5 milionë eurove, pasi e zgjeroi për dy sezone kontratën e nënshkruar në vitin 2015, e cila skadon në vitin 2020.

"La Joya" arrin kështu patriotin dhe kolegun e sulmit bardhezi, Higuain, në krye të lojtarëve më të paguar në Seria A.

Pas dy golave të shënuar kundër Barcelonës dhe superparaqitjes së bërë, Dybala ka përfituar direkt edhe dy vite të tjera kontratë me Juventusin.

"Juventus Football Club" ka njoftuar sot se ka rinovuar kontratën e punës me futbollistin Paulo Dybala deri më 30 qershor 2022.

"Së bashku për një kohë të gjatë, me këtë fanellë", – tregoi menjëherë Dybala në Twitter, duke e ndarë gëzimin me të gjithë mbështetësit e Juventusit.

Me 32 gola të shënuar në 89 ndeshje zyrtare, deri më tani, ai është shndërruar në një yll dhe pikë referimi për Juventusin. Pavarësisht rinovimit deri në vitin 2022, klubet e mëdha të Europës do të vijojnë të përpiqen në çdo mënyrë për ta marrë Dybala në radhët e tyre.

Argjentinasi është qëllimi, jo shumë i fshehtë, i Barcelonës, por interes për të kanë edhe PSG, Real Madrid, Bayern Munich, të gjithë në gjendje të shpenzojnë 100 milionë euro për fenomenin e ri.

Kush është biznesmeni Krenar Çoçaj, i dashuri i Luana Vjollcës që grushtua me fansin e saj

Posted: 13 Apr 2017 05:59 AM PDT

Është dashur të nodhë incidenti ditën e djeshme mes Luana Vjollcës, Krenar Çoçajt dhe një fansi të çmendur të moderatores Besmir Lila,  i cili e përndiqte atë prej kohësh, që edhe lidhja mes moderatores dhe biznesmenit  të bëhet publike.

Dje rreth orës 19:00 në Unazë të Re, pranë Hotel "Roland" fansi i çmendur teksa po ndiqte Luanën është përballur edhe me Krenar Çoçajn, dhe mësohet se ai ka qëlluar me grushta Coçajn, i cili i ka ardhur në ndihmë moderators.

Edhe pse shumë herë është aluduar në media për një lidhje mes moderators Luana Vjollca dhe biznesmenin nga Kosova Krenar Çoçaj, asnjëri prej tyre nuk e ka pranuar publikisht këtë. Por kjo duket se u konfirmuan pas sherrit të mbrëmshëm mes çiftit dhe një fansi.

29 vjeçari nga Prishtina, Krenar Çoçaj, njihet në Kosovë edhe si i dashuri i këngëtares Dafina Zeqiri dhe si menaxheri i saj deri në momentin që u ndanë.

Çoçaj, njihet po ashtu në Prishtinë edhe si ndër njerëzit më të pasur dhe për jetën luksoze. Prej kaq kohësh lidhja e tyre ka vazhduar mes kryeqytetit të Kosovës dhe Tiranës.

 

 

 

Zyrtare/ Merr fund era Berluskoni, Milani është i kinezëve

Posted: 13 Apr 2017 05:40 AM PDT

Sot nis një kapitull i ri në historinë e Milanit, që ka kaluar zyrtarisht në duart e kinezëve pas 31 vitesh në pronësi të Silvio Berluskonit.

Operacioni është mbyllur praktikisht pak pas mesditës, kur Li Yonghong derdhi në arkat e shoqërisë kuqezi 370 milionë eurot e fundit pas dy kësteve të mëhershme nga 100 milionë, duke marrë në pronësi 99.93 për qind të aksioneve.

Shuma u pagua në një shoqëri nga Luksemburgu të përzgjedhur nga vetë kinezët, dhe pas gati një ore paratë kaluan në llogarinë e "Fininvest"-it në Milano.