Tirana Observer: “Luan Rama i kërkon dorëheqjen Edi Ramës, e krahason me Musolinin” plus 9 more

Tirana Observer: “Luan Rama i kërkon dorëheqjen Edi Ramës, e krahason me Musolinin” plus 9 more


Luan Rama i kërkon dorëheqjen Edi Ramës, e krahason me Musolinin

Posted: 14 Apr 2017 07:54 AM PDT

Nënkryetari i LSI, Luan Rama ka artikuluar sot disa akuza të forta ndaj kryeministrit Rama.

Duke ironizuar qëndrimin e Ramës karshi zgjedhjeve, që është i vendosur të ecë përpara edhe pa opozitën ose parti të tjera, Rama ka bërë një paralelizëm me Benito Musolinin.

Praktikisht, Luan Rama i kërkon Edi Ramës të lerë postin e kryeministrit në emër të zgjidhjes së krizës.

jithashtu Luan Rama foli për për një qeveri të së majtës pa Ramën kryeministër, për hir të zgjidhjes së krizës.

Fjala e Luan Ramës:

"Benito Musolini kishte një slogan 'ne jemi të vendosur të shkojmë gjithmonë përpara' ata që janë marrë me studimin e historisë së totalitarizmit, pohojnë se dështimi erdhi se nuk u bë asnjëherë pyetja 'mirë të vendosur të shkojmë përpara, por në kthesa?' Zgjedhjet nuk janë çështje formale, por përmbajtësore.

Politika është arti i të mundshmes dhe arti i të bërit politikë është arti i zgjedhjes së prioriteteve. Sipas kësaj logjike, kush janë prioritare, zgjedhjet apo pushteti i përkohshëm? Opozita e ka maksimalizuar kërkesën e vet, ajo kërkon një qeveri teknike, por ne thelb artikulon një qeveri pa Edi Ramën.

Pra një qeveri tjetër e së majtës, mund të ishte një zgjidhej kompromisi.

Edhe Rama mund të shkelë statusin e Partisë Socialiste, që e përcakton kryeministër kryetarin, pikërisht në emër të Kushtetutës që kërkon qeveri në emër të shumicës, si shprehje të vullnetit të shumicës. Pa LSI nuk do të ishte dot e tillë. Çfarë sakrilegji mund të jetë një qeveri tjetër e të njëjtës shumicë që të gjenerojë besim se zgjedhjet do të jenë më në fund të ndershme, të drejta dhe të barabarta më në fund të pa kontestuara në vitin 2017, si një anëtare e NATO-s dhe aspirante për në BE.

Ka vdekur koha e konsekuencës, konsekuenca të çon në greminë. Mazhoranca jonë e ka detyrim dhe përgjegjësi politike, si dhe Kushtetuese, për të bërë gjithë përpjekjet që vendi të mos shkojë në drejtime të panjohura dhe me pasoja të parashikueshme. Zgjedhjet kanë nevojë për udhëheqës, që ofrojnë zgjidhje dhe jo udhëmbyllës që nuk e dinë ku po shkojnë."

Çdo të thotë të jesh një martir?

Posted: 14 Apr 2017 07:44 AM PDT

Nga Miron ÇAKO

Në këtë kohë që po jetojmë, pavarësisht civilizimit shoqëror, i rregulluar me deklarata të të drejtave të njeriut, ligje për mbrojtjen e individëve apo grupeve të përndjekura, organizata, shoqata globale, përsëri mund të themi edhe paradoksalisht se po jetojmë në kohë përndjekjeje, në kohë martirësh. Por, këta martirë pavarësisht emrit të përbashkët që ia vënë vetes ose të tjerët, ndahen në dy grupe, për nga koncepti dhe përqasja ndaj martirizimit dhe janë diametralisht të kundërt, sepse një palë quhet martir se martirizohet, vuan dhe vdes pa bërë rezistencë, kurse një palë martirizon veten dhe të tjerët.

Por çfarë do të thotë martir?

Martir vjen nga greqishtja (martiria) që do të thotë etimologjikisht dëshmor, dmth. ai që dëshmon në lëmin historik, juridik edhe atë fetar. Nqs. e shohim martirin vetëm në aspektin fetar, atëherë  problemi bëhet më i ndërlikuar për t'u zgjidhur, sepse të dyja palët preferojnë martirizimin si veprimi që tregon besnikëri të përsosur ndaj Zotit dhe i bashkon më shpejt me Atë në parajsë. Por kjo duket e pamundur, sepse krijon idenë që Zoti që është një, të ketë dy standarde dhe të pranojë si martirë njësoj dhe njëkohësisht si viktimën edhe atë që viktimizon të tjerët dhe veten njëkohësisht.

Çfarë është në krishtërim një martir?

Por në përdorimin e caktuar nga tradita e krishterë, emërtimi martir përdoret vetëm për ata që dëshmojnë me gjak besimin e tyre në Perëndinë dhe në Krishtin. Këta ishin dhe janë njerëz me mish dhe gjak si ne, të moshave nga fëmijë, të rinj, të reja, të rritur, të moshuar në pleqëri të thellë, si individë, familje ose grup, të varfër ose të pasur, të thjeshtë ose me pozitë, fisnikë dhe mbretër që jetuan në kohëra të ndryshme, me profesione të shumëllojshme, por që të gjithë i bashkon dhe i vëllazëron dashuria deri në martirizim për Perëndinë, që i bëri të ngjashëm dhe vëllezër me Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, që është kurora e martirëve.

Jisu Krishti është kreu në kuptimin më të lartë të martirit për Zotin, modeli dhe tipi i përsosur i martirit. Në flijimin e tij të pranuar vullnetarisht si: "Qingji i Perëndinë që shlyen mëkatet e botës" (Jn. 1:29) Krishti jep dëshmi më të lartë të besnikërisë, të misionit që i ka besuar Ati i tij. Gjithë zbritja dhe shfaqja në botë e Birit të Perëndisë në mish njerëzor tregon dashurinë e Perëndisë për njeriun ashtu si vetë Krishti tha: "Kaq shumë e deshi Zoti botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur që kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme" (Jn. 3:16). Por gjithashtu, martirizimi i Krishtit është përgjigjja e përsosur e dashurisë flijuese të Birit të Njeriut në emër të njerëzimit ndaj Perëndisë, i cili tha për vete: "Sepse unë nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar" (Jn. 5:30). Shpëtimi i Perëndisë për njerëzit kalon domosdoshmëri përmes vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit, sepse mëkati i njerëzimit lahet me gjak, jo me atë të kafshëve, deleve, qingjave, por me atë të vetë Krishtit të martirizuar në kryq, si apostull Pavli shkruan: "Zoti hyri një herë e përgjithmonë në shenjtëroren jo me gjakun e cjepve dhe viçave, por me gjakun e vet dhe fiton një shpengim të përjetshëm" (Heb. 9:12)

Martirizimi i lavdishëm i Krishtit ka themeluar Kishën e krishterë. Ashtu si nga brinja e Adamit doli Eva, nëna e të gjallëve po ashtu nga brinja e shpuar me heshtë e Krishtit të kryqëzuar, e cila buron ujë dhe gjak rilind dhe ushqehet Kisha. Gjaku i Krishtit lidh gurët e ndërtesës së Kishës, ku gur i qoshes është vetë Ai. Prandaj jo vetëm Zoti Krisht dha dëshminë e besnikërisë ndaj Perëndisë me gjak, por edhe vetë Kisha që është trupi i Tij, është thirrur t'i japë Zotit dëshmi me gjak për shpëtimin e njerëzve. Prandaj në Kishën e Krishtit besimtari martir, merr një kuptim të ri, ai është imitim i vetë Krishtit, pjesëmarrja e plotë në dëshminë dhe në veprën shpëtimtare të Krishtit siç mësoi vetë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti, nëse më kanë përndjekur Mua do t'ju përndjekin edhe juve" (Jn. 15:20).

Gjaku i martirëve bashkohet me gjakun e Krishtit dhe bëhet shkak për shpëtimin e botës, ashtu si përsëri apostull shën Pavli thotë: "Tani gëzohem në pësimet e mia për ju dhe mbush mungesat e shtrëngimeve të Krishtit në mishin tim për trupin e Atij që është Kisha" (Kol. 1:24). Të gjithë të krishterët besnikë, pasi morën kryqin dhe ndoqën Jisuin deri në flijim kontribuojnë në rritjen e Kishës në mbarë botën. Kjo është arsyeja që atje ku martirizohet një martir ndërtohet një Kishë, ku zbret hiri i Perëndisë për të shenjtëruar vendin dhe njerëzit. Në kanonet e Kishës Orthodhokse nuk mund të kryhet Liturgji në asnjë altar ku nuk ndodhen lipsane martirësh prandaj në Liturgjinë Orthodhokse përdoret Andiminsi, një pëlhurë që vendoset mbi altar dhe në cepat e saj ka lipsane shenjtorësh martirë. Nuk ka Kishë Orthodhokse që nuk është ngritur mbi gjakun e martirëve, që së bashku me gjakun e Krishtit i bën të patundura themelet e çdo kishe lokale në çdo vend që edhe: "Dyert e hadhit nuk do të kenë fuqi përmbi të" (Math. 16:18).

Mundimet e Jisuit nxjerrin në pah tiparet që do të preokupojnë këtej e tutje martirin. Ashtu si Jisuit në agoninë e tij iu shfaq një engjëll për t'i dhënë fuqi gjatë martirizimit vullnetar, ashtu edhe martiri do të ketë ngushëllimin e Hirit Hyjnor në sprovën e tij. Martiri sipas shembullit të Krishtit do të qëndrojë me durim para akuzave dhe gënjeshtrave, siç qëndroi dhe Krishti para sinedrit, Pilatit dhe Herodit, që e akuzonin padrejtësisht. Ashtu si Krishti i fali armiqtë e tij në kryq duke thënë: "Fali o Atë se nuk e dinë çfarë bëjnë" (Lk. 23:34) edhe martiri duhet t'i falë armiqtë e tij në martirizim dhe ashtu si Krishti duroi deri në fund martirizimin e tij dhe dorëzoi shpirtin tek Ati duke thënë: "Në duart e tua e jap shpirtin tim" (Lk. 23:46) po ashtu dhe martiri do durojë deri në fund dhe do të dorëzojë shpirtin e tij tek Zoti. Këtë imitim të martirit në Krishtin e gjejmë të përmbushur te martirizimi i Shën Stefanit, që ashtu sipas imitimit të Krishtit, u lut për armiqtë që po e godisnin me gurë duke thënë: "O Zot Jisu, prano frymën time" dhe si ra në gjunjë, thirri me zë të lartë tha: "O Zot mos ua ngarko atyre këtë mëkat dhe siç tha këto fjeti (vdiq)" (Vep. 7:59-60). Shën Stefani nderohet nga Kisha Orthodhokse si i pari martir i Krishtit dhe frymëzim, për të tjerë martirë pas tij deri në fund.

E gjithë reja e martirëve është e madhe, numri i tyre është si ai i yjeve të qiellit, i cili vazhdon të shtohet me martirë të rinj deri më sot dhe deri në fund të kohës: "Derisa të plotësohet numri… i tyre që duhet të vriten porsi ata" (Zb. 6- 11). Vetëm gjatë tre shekujve të parë në sinaksarët e Kishës janë regjistruar 11 milionë të krishterë dhe meqenëse numri i martirëve shtohej çdo ditë dhe ishte e pamundur për t'u regjistruar të gjithë, Kisha në kalendarin liturgjik vendosi një ditë për nderimin e gjithë martirëve të panjohur. Më vonë në këtë ditë u vendos dhe nderimi i të tjerë shenjtorëve, që u shenjtëruan me martirizimin e ndërgjegjes (murgjërit) dhe kjo ditë u quajt dita e të gjithë shenjtorëve.

Kisha Orthodhokse këta martirë i ndan në grupe të veçanta për të treguar meritat e tyre. Martirët që u dalluan për rezistencë të fortë dhe kohëzgjatja e torturave ishte e madhe, Kisha nuk i quan thjesht martirë, por martirë të mëdhenj. Ata martirë që vijnë nga radhët e klerit i quan hieromartir. Ata martirë, të cilët qëllojnë të bëjnë pjesë në shtresën e asketëve dhe murgjve karakterizohen si oshënarë martirë. Ata të cilët u martirizuan për besimin e Krishtit gjatë viteve të vështira të rënies së Kostandinopojës ose që u martirizuan gjatë kohës së pushtimit turk dhe nga çdo pushtet dhe dhunë antikrishte deri në ditët e sotme përbëjnë atë që quhet renë e martirëve të rinj, ose neomartirët.

Të gjithë këta martirë dhanë frymën e tyre te Perëndia mbas vuajtjeve të rënda, të shkaktuara nga mania e djallit që frymëzonte xhelatët e tyre, që t'i frikësonin dhe t'i bënin të mohonin besimin e tyre. Kaq të frikshme ishin këto tortura sa kur ne i lexojmë të përmendura në sinaksarët e shenjtorëve na duken hiperbolike dhe të pabesueshme. Në fillim xhelatët i tundonin martirët me oferta për t'u falur jetën. Në qoftë se ata do të mohonin besimin, ose do t'ju flijonin idhujve ju premtonin pasuri, ndere, grada, p.sh. shumë vajzave shenjtore si shën Ekaterina, shën Parashqevia, shën Irini iu premtua martesë nga vetë mbretërit dhe kur ato nuk lëkundeshin në besimin e tyre, u përmendnin llojet e torturave dhe iu tregonin mjetet e frikshme dhe pastaj fillonte tortura, në fillim kamxhikimi me kamxhik ose me shkopinj. Shpeshherë këto mjete torture hapnin plagë të frikshme në të gjithë trupin ku prej tyre dilte gjak, që e skuqte gjithë trupin e martirit, që ngjante si një copë mishi e varur në çengel, pastaj i shqyenin brinjët dhe trupin me thonj të hekurt dhe iu hidhnin në kurriz kripë, uthull dhe ia fërkonin plagët me rroba të leshta duke i lënë ashtu të paralizuar. Iu vishnin lëkura kafshësh dhe i lyenin me gjak dhe i hidhnin në arenë që t'i shqyenin bishat. I lyenin me serë dhe i digjnin me pishtarë si p.sh.  për të ndriçuar oborret e Neronit. Ua ndanin trupin më dysh duke i lidhur gjymtyrët në pemë të ulura me forcë që kur ato drejtoheshin e ndanin trupin e martirit më dysh. I lidhnin mbas kuajve dhe i tërhiqnin zvarrë nëpër rrugë, që skuqej nga gjaku i martirit ose i hidhnin në kazan, që zienin vaj të nxehtë dhe serë ose i piqnin në tigan, i shqyenin trupat e tyre me rrotën lëvizëse me shumëllojshmëri thikash të mprehta që sa herë rrotullohej priste trupin e martirit, i rripnin të gjallë, iu prisnin gjymtyrët, i linin të vdisnin nga uria edhe etja dhe më në fund kur nuk kishin çfarë t'ju bënin më, iu prisnin kokat.

Por, si është e mundur që martirët të duronin këto tortura të frikshme, të cilat xhelatët ua bënin jo vetëm martirëve të fortë fizikisht që mund të duronin, por edhe vajzave të brishta ose pleqve dhe vetë fëmijëve. Këtë frymëzim dhe këtë fuqi për të duruar torturat e frikshme martirët qoftë edhe fëmijë, e merrnin nga hiri i Perëndisë. Vetë Zoti Krisht tha: "Pa mua nuk bëni dot asgjë" (Jn. 15:5) aq më shumë të martirizohet dikush me tortura. Martiri thjesht si njeri ngjan si një tel që mund ta copëtosh, mund ta përdredhësh si të duash, por në qoftë se teli lidhet me burimin e energjisë bëhet i paprekshëm dhe vdekjeprurës për ata që e prekin pa kujdes. Martirët duke qenë në lutje të pandërprerë ishin të mbushur me Hirin, energji të Shpirtit të Shenjtë vetë Zoti bashkëvuante dhe duronte me martirët. Apostull shën Pavli, i cili vuajti aq shumë për hir të emrit të Krishtit tha: "Sepse juve iu është falur për hir të Krishtit, jo vetëm t'i besoni Atij, por edhe të pësoni për Të" (Fil. 1:29).

Martirët ndryshojnë shumë nga ata të tjerë që vdiqën nën dhimbjen e torturës nga armiqtë e tyre, ose për shkak të gabimeve dhe shkeljes së ligjit. Martirët vdiqën për të vërtetën absolute dhe dashurinë e përsosur që janë të mishëruara në Krishtin Zot, prandaj dhe martirët dhanë frymën me emrin e Krishtit në gojë. Ata u torturuan pa bërë diçka të kundërligjshme apo në dëm të të tjerëve, por vetëm se donin Zotin dhe e thanë të vërtetën me fjalë dhe me vepra. Pra i urryen pa shkak, ashtu si urryen dhe Krishtin që tha për armiqtë e tij: "Kush më urren mua, urren edhe Atit tim,… por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre, më kanë urryer pa shkak" (Jn 15-24). Ata kishin mundësi të zgjidhnin t'iu shmangeshin torturave vetëm në qoftë se do mohonin besimin të paktën vetëm me gojë, ose me ndonjë gjest dhe kjo do t'ju siguronte jo vetëm jetën, por dhe pozita apo pasuri. Por ata nuk i pranuan duke i quajtur të gjitha si pleh përpara Krishtit, i cili e fton martirin: "Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës" (Zb. 2:10)

Martirët vdiqën duke bekuar dhe duke falur armiqtë e tyre, ndryshe nga të tjerët, që urrenin dhe mallkonin xhelatët në kohën e torturës. Kjo gjë është e pazakontë për natyrën e dobët njerëzore dhe për sytë e njerëzve ata janë mbinjerëzorë, madje shpeshherë i  akuzonin si magjistarë, por ata pohonin se ishte forca e besimit që i bënte të tillë. Me durimin e tyre mbinjerëzor ndikonin edhe tek vetë xhelatët, të cilët nga persekutues, u persekutuan sepse edhe ata pohuan se janë të krishterë. Është mallëngjyes fakti në jetën e 40 martirëve që u dënuan me vdekje të ngadaltë nga të ftohtit në Sebaste të Armenisë viti 320. Një nga ushtarët që persekutonin 40 martirët u prek nga durimi i tyre, që vuanin gjithë natën të ftohtin e liqenit të akullt dhe kur një nga të 40-ët dezertoi nga frika e vdekjes, ushtari pa se nga qielli zbritën 40 kurora, 39 qëndronin mbi kokat e 39 martirëve kurse një qëndronte në ajër. Ushtari pagan u ndriçua nga ky vizion dhe tha thirrjen martirike: "Edhe unë jam i krishterë", u zhvesh dhe u bashkua me grupin e martirëve duke rrëmbyer kurorën e 40.

Martirët pavarësisht se në sytë e njerëzve paganë, antikrisht, ateistë duken si njerëz të dobët, të mundur, madje edhe të marrë se pranojnë edhe sot çnderime, tortura dhe vdekje në emër të një farë Jisui të kryqëzuar, por gabohen, sepse ashtu si armiqtë e Krishtit nuk e panë ngjalljen e lavdishme të Krishtit, po kështu ata nuk mund ta shohin dot lavdinë që Krishti u ka rezervuar martirëve në jetën e përjetshme në Mbretërinë e Perëndisë. Në librin e Urtësisë së Solomonit na thuhet: "Shpirtrat e të drejtëve janë në duart e Perëndisë dhe ata nuk do t'i prekë aspak vështirësia e vdekjes. Në sytë e të marrëve u dukën se vdiqën dhe kalimi i tyre nga kjo jetë u duket si ndëshkim. Ndarja e tyre shihet prej nesh si asgjësim, kurse ata janë në paqe. Por edhe nëse në sytë e njerëzve e sprovuan ndëshkimin, sepse shpresa e tyre ishte plot pavdekësi, për një vuajtje të lehtë do të fitojnë të mira të mëdha, sepse Perëndia i vuri në sprovë dhe i gjeti të denjë për vetveten" (Ur. Sol. 3:1-5). Për lavdinë e martirëve na tregon libri i fundit i Biblës: "Pashë dhe ja një turmë e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte prej gjithë kombeve dhe fiseve, kombeve dhe gjuhëve, këta qëndronin në këmbë dhe përpara Qingjit (Krishtit), të veshur me petka të bardha dhe me palma në duar dhe bërtisnin me zë të madh duke thënë shpëtimi është i Perëndisë sonë, që është ulur mbi fron dhe i Qengjit… këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh dhe kanë larë rrobat e tyre me gjakun e Qengjit, prandaj janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbejnë Atij ditë e natë në tempullin e tij, edhe Ai që rri ulur mbi fron do të rrijë mbi ta, nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë më etje, as nuk do t'i godasë më dielli fare ose çfarëdo vape sepse Qengji që është në mes të fronit do t'i kullosë dhe do t'i prijë te burimet e ujërave të gjalla dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre" (Zb. 7:9.15.17).

Pavarësisht se jo të gjithë të krishterët janë të thirrur të martirizohen me gjak, të gjithë janë të thirrur të martirizohen me martirizimin e ndërgjegjes dmth., të përballesh me durim dhe vetëmohim me tundimet e djallit, të frymës së botës, padrejtësitë e njerëzve dhe dobësitë personale, sëmundjet dhe fatkeqësitë ashtu si mëson apostulli i kombeve Pavli: "Të gjithë ata që duan të rrojnë në perëndishmëri në Krishtin Jisu do të përndiqen" (II Tim. 3:12). Por, martirët nuk do të humbasin, sepse Zoti Krisht tha: "Ai që fiton do t'i japë të ulet me mua në fronin tim, sikurse unë fitova dhe u ula me Atin në fronin e tij" Amin.

 

Inter-Milan, 4 milionë euro të ardhura nga biletat

Posted: 14 Apr 2017 07:34 AM PDT

Ditën e shtunë do të luhet derbi i Madoninës mes Interit e Milanit. Është një ndeshje që ka ngjallur interes mjaft të madh dhe këtë e tregon shifra e të ardhurave të grumbulluara nga shitja e biletave.

Mësohet se në treg tashmë nuk ka mbetur asnjë e tillë dhe se shifra e arkëtuar është 4 milionë euro, gjë që përbën një rekord për futbollin italian. Rekordin e mëparshëm e mbante pikërisht sfida mes Interit e Juventusit, e zhvilluar në shtator të vitit 2016, kur u arkëtuan 3 milionë e 943 mijë euro.

Risia për derbin e Milanos është se ajo do të zhvillohet në orën 12:30 dhe kjo ka bërë që të rritet më shumë interesi në arenën ndërkombëtare, sidomos në Kinë, kjo edhe për faktin se biznesi i vendit aziatik është i përfshirë në "kolonizimin" e të dy klubeve milaneze.

Sipas të dhënave të publikuara nga Lega Serie A, ndeshja Inter-Milan do të ndiqet në ekrane nga 862 milionë shikues në mbarë botën dhe mund të bëhet sfida më e transmetuar në histori, falë 39 kanaleve televizive që kanë fituar të drejtën për të.

Rama: Zoti President, meriton keqardhje

Posted: 14 Apr 2017 07:15 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit Bujar Nishani, ku u ka bërë thirrje palëve që të ulen në tryezë për dialog.

Në këtë reagim, Nishani ftonte kryeministri Rama të linte shantazhet, teksa theksonte se i ka krijuar të gjitha kushtet për realizimin e tryezës së dialogut.

Pas kësaj deklarate ka ardhur një tjetër reagim nga kryeministri Rama, i cili e akuzon Presidentin Nishani, se me këtë qëndrim ka treguar se "nuk mund të jetë i paanshëm".

"Z.President ju meritoni gjithë keqardhjen time për sa sapo thatë! Prapë provuat që nuk jeni dot i paanshëm! Unë jam gati për dialog. Pa kushte", shkruan kryeministri Rama në Facebook.

John McCain mbërrin në Tiranë, takimi i parë me Kodhelin

Posted: 14 Apr 2017 07:07 AM PDT

Kryetari i Komisionit të Senatit amerikan për Shërbimet e Armatosura, John McCain ka mbërritur sot në Shqipërinë.

McCain vjen në Tiranë në kuadër të një turi në Ballkan dhe do të takohet me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e parlamentit Ilir Meta, kreun e opozitës Lulzim Basha, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Ai u prit në aeroport nga Ambasadori Lu dhe Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Ajo e ka njohur senatorin me progresin në fushën e mbrojtjes. Gjatë kësaj kohe McCain u takua me personelin ushtarak shqiptar.

Gjatë pasdites, rreth orës 18:00, kryeministri Rama pret në selinë e qeverisë senatorin McCain.

Vizita e zyrtarit amerikan në Tiranë vjen në një kohë krize politike për shkak të protestës dhe bojkotit të opozitës.

Pritet që gjatë qëndrimit në Shqipëri, Xhon McCain t'u drejtohet me një mesazh drejtuesve të institucioneve dhe partive politike.

"Në orën 18.10 Kryeministri Rama pret në selinë e qeverisë Senatorin amerikan John McCain. Do ketë një Photo Opportunity në momentin e pritjes. Më pas dy delegacionet do kenë një darkë zyrtare pune", informon qeveria.

Skenari për vrasjen e Bashës, flet Rama: Si qëndron e vërteta

Posted: 14 Apr 2017 03:33 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se ka pasur një informacion që ka ardhur për ekzistencën e një skenari për vrasjen e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Por ai theksoi se edhe pse informacioni nuk ishte i besueshëm dhe burimi kontradiktor janë marrë të gjitha masat sikur të ishte e vërtetë.

Duke folur në një konferencë për shtyp ai tha se shteti ka marrë të gjitha masat për të ruajtur kreun e opozitës.

"Nuk ka asnjë skenar për të ekzekutuar kryetarin e opozitës. Ka pasur një informacion që është trajtuar me seriozitetin më të madh.

Pavarësisht se ekspertiza tregon se informacioni nuk është i besueshëm dhe burimi kontradiktor janë marrë të gjitha masat sikur të ishte e vërtetë.

Patjetër që siguria e të gjithë njerëzve dhe e kryetarit të PD është prioriteti numër 1 nëse kërcënohet. Përtej çfarë pompohet në katundin mediatik ju siguroj se kreu i PD është më i mbrojtur se asnjëherë dhe do jetë tërësisht i mbrojtur deri në fund mbi gjithçka që shteti që ka për detyrë", tha Rama.

Basha refuzon ftesën e Ramës: Nuk dua të bëj fotografi, dua qeveri teknike

Posted: 14 Apr 2017 03:31 AM PDT

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Baha ka refuzuar ftesën për dialog të kryeministrit Edi Rama.

Kreu i PD-së tha se nuk do pushtet në tavolinë, por ka përsëritur sërish se kërkon qeveri teknike.

"Zgjidhe vetë vendin, orën, por nuk vij unë të bëj fotografi dhe monologje shterpë me zotërinë tënde se as më merr e as do më marrë malli të bëj fotografi me ty, nëse do dialog ti cakto negociatorin, nuk do takohemi për përshesh me grosh por për fatet e shqiptarëve. Nëse ta mban të ndahesh nga krimi pikat janë rakorduar, qeveri teknike, mandatin e qeverisë, cakto negociatorin, bëhu burrë ndahu nga krimi, numrin e negociatorit e ke tash 7 ditë. Unë s'të kërkoj pushtet në tavolinë, por një qeveri teknike ti japë vendit të drejtën sovrane që ua kanë hequr kaq herë", tha Basha.

Kreu i PD-së iu përgjigj Ramës edhe për akuzën që ky i fundit i bëri duke thënë se selia blu po bën që bota të qeshë me Shqipërinë.

Tha pak më parë se bota po qesh me ne, i them jo kryeministrit që sillet si klloun, nuk është momenti të hiqesh si palaço që bën për të qeshur botën, bota nuk po qesh me, bota është e shqetësuar me ne, se një vend anëtar i NATO që bllokoi trafikun e qenieve njerëzore, që futi banditët që ti po i liron në burg, u bë vend i NATO, po sot për shkak se në krye të vendit është jo vetëm një i papërgjegjshëm, por një aleat i krimit të organizuar nuk kontrollon dot as territorin, as kufijtë e vendit", tha Basha gjatë fjalës së tij nga çadra.

Oferta e Ramës për Bashën: Numrin tim e ke, më telefono. Qeveri teknike nuk do të ketë

Posted: 14 Apr 2017 03:09 AM PDT

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar sot me një apel të fundit kreut të PD-së, Lulzim Basha për uljen në tryezë dialogu për zgjidhjen e krizës politike në vend, të cilën ai e ka quajtur artificiale dhe një luftë të kryeopozitarit për pushtet.

“Jam i trishtuar për gjithçka që më dëgjojnë veshët nga miqtë e vendit për këtë pozicionim të PD, jo vetëm se kriza po bllokon vetingun dhe po rrezikon hapjen e negociatave të vendit, por edhe thjesht se nuk më pëlqen që një parti e madhe është bërë qesharake në sytë e botës, duke rrezikuar të na bëjë qesharak si komb”, tha Rama duke kërkuar nga Basha një dialog pa kushte.

"Numrin tim e ke, zyra jote e ka numrin e zyrës time", u shpreh Rama që kërkoi kreut të opozitës të ulet në takim me të për një marrëveshje në të mirë të Shqipërisë.

Rama tha se kriza artificiale e krijuar nga PD ka sjellë një sërë pasojash të rënda për vendin, si bllokimi i vetingut, bllokimin e negociatave me BE, krijimin e një imazhi negative për vendin, nxitjen e paligjshmërisë, dekurajimin e investitorëve dhe reagimin e atyre që nuk e duan vendin tonë, por që fantazojnë rikthimin e kaosit.

Pjesë nga fjala e Ramës

Në situatën sureale që ka krijuar PD duke u përpjekur të minojë themelin e jetës demokratike, lirinë dhe të drejtën e votuesve të saj për të zgjedhur po ndodh ajo që s’ka ndodhur kurrë në vend. Është opozita zyrtare dhe jo qeveria që refuzon dialogun.

Ka kaluar vendi kriza edhe të renda të gjitha me një arsye të fortë ose shumë të fortë lidhur me popullin, apo një pjesë të konsiderueshme të tij, por kurrë ky vend nuk e ka parë një krizë të tillë artificiale ku populli nuk është fare pjesë dhe krizën e promovon një elitë e korruptuar, izoluar, harbuar politikanësh, gjykatësish, prokurorësh e analistësh.

Ka qenë opozita rregullisht që ka kërkuar dialog dhe qeveria që e ka refuzuar, penguar apo shmangur deri kur gjërat kanë kaluar në ekstrem duke detyruar ndërkombëtarët të ndërhyjnë me forcë, por s'ka ndodhur kurrë që qeveria të lutet dhe opozita ta refuzojë e ti trembet dialogut të sabotojë çdo përpjekje të qeverisë për dialog.

Unë e kam shprehur gatishmërinë për dialog, kam kërkuar me këmbëngulje kur gjerat kanë ngecur, kujtoj rrugëtimin e Reformës në Drejtësi, apo Reformën Zgjedhore, si momente kyçe të një procesi që në këtë mandate ka pasur domosdoshmërinë për këto dy reforma të mëdha.

Fatkeqësisht nuk ia kam dalë fare të kemi dialog të denjë për këtë koncept bazë të bashkëjetesës demokratike se opozita s'ka dashur të përfitojë nga gatishmëria jonë dhe hapësirën e panjohur më parë që ka pasur në Kuvend e ka abuzuar si mos më keq për të nxitur dasinë e vjetër dhe konflikt të vazhdueshëm.

Kam mobilizuar zyrën time për kontakt me zyrën e PD, pa sukses, kam treguar gatishmërinë e një nisme të presidentit për dialog pavarësisht rezervave të mëdha që kam për pozicionimet e njëanshme të tij, por mesa duket dhe nisma e tij nuk po sjell sukses për ta bindur Bashën të ulet në tryezë edhe përse i është lënë atij dorë e lirë çfarë do të diskutojë në tryezë.

Jam i trishtuar për gjithçka që më dëgjojnë veshët nga miqtë e vendit për këtë pozicionim të PD, jo vetëm se kriza po bllokon vetingun dhe po rrezikon hapjen e negociatave të vendit, por edhe thjesht se nuk më pëlqen që një parti e madhe është bërë qesharake në sytë e botës, duke rrezikuar të na bëjë qesharak si komb.

Kjo krizë artificiale dekurajon jo vetëm miqtë që duan të na ndihmojnë, por dekurajon investitorët e konsumatorët, godet imazhin dhe ekonominë, nxit paligjshmërinë, frymëzon kriminalitetin dhe ushqen fantazinë e atyre që nuk e duan këtë vend duke krijuar shtigje për të synuar destabilizim të mundshëm dhe kthim me vite pas.

Ruçi konfirmon daljen e PS-së në zgjedhje me LSI-në

Posted: 14 Apr 2017 02:51 AM PDT

Kreu i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi ka hedhur poshtë të zërat se mes koalicionit PS- LSI ka një krisje.

Nga Fieri, Ruçi u shpreh se të gjithë ata që kanë parashikuar se koalicioni nuk do të vazhdojë dhe pas zgjedhje do të zhgënjehen.

Lidhur me parashikimet se koalicioni do të shpërbëhet, ju them se të gjithë ata që parashikuan diçka të tillë do të zhgënjehen“, tha Ruçi.

Orë vendimtare, LSI vendos sot në orën 12:30 koalicionin dhe emrin e Presidentit?

Posted: 14 Apr 2017 02:07 AM PDT

Sot në orën 12:30, Lëvizja Socialiste për Integrim do të vendos për të ardhmen e koalicionit.

Kryetari kësaj force politike, Ilir Meta ka thirrur në një mbledhje urgjente komitetin e përgjithshëm drejtues të LSI në hotel "Tirana", ku do të diskutohet për situatën politike, si dhe do të vendoset nëse LSI do të firmos apo jo koalicion me PS, emrin e presidentit të Republikës, etj.

Burimi nga kupola e LSI-së tha se sot vendoset gjithçka nga komiteti i përgjithshëm drejtues.

Po kështu një grupim jo i vogël në LSI është kundër koalicionit me Edi Ramën, pasi nuk po zhvillon zgjedhje të qeta, si dhe nuk po bind opozitën të futet në zgjedhje.

Nuk dihet akoma mendimi final i Ilir Metës.

Pritet ora 12:30 për të mësuar se çfarë do të ndodhë me fatin e koalicionit; do të vazhdojë apo jo.