“SHBA: Neil Gorsuch konfirmohet për gjyqtar në Gjykatën Supreme” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“SHBA: Neil Gorsuch konfirmohet për gjyqtar në Gjykatën Supreme” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


SHBA: Neil Gorsuch konfirmohet për gjyqtar në Gjykatën Supreme

Posted: 07 Apr 2017 09:28 AM PDT

Senati i Shteteve të Bashkuara sot e ka konfirmuar gjyqtarin, Neil Gorsuch, për anëtar të Gjykatës Supreme. Votimi i sotëm 54 për dhe 45 kundër, u bë vetëm një ditë pasi senatorët republikanë i ndryshuann rregullat duke lejuar që Gorsuch të votohet me shumicë të thjeshtë. Nominimi i gjyqtarit Gorsuch nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, ishte kundërthënës, pasi republikanët në Senat patën refuzuar t'i mundësojnë dëgjim konfirmues, gjyqtarit, Merrick Galrand, të nominuarit të ish-presidentit, Barack Obama, për nëntë muaj, duke shpjeguar se vendi i zbrazët duhet të plotësohet nga presidenti i zgjedhur në nëntor të vitit 2016. Neil Gorsuch, 49 vjeçar, pritet ta ripërtrijë shumicën konservatore në gjykatë në raport 5:4. Ai është zgjedhur në vend të gjyqtarit, Antonin Scalia, i cili pat vdekur në shkurt të vitit 2016. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Tetë të dyshuar lidhur me sulmin në Petersburg – në paraburgim

Posted: 07 Apr 2017 09:08 AM PDT

Prokurorët rusë kanë kërkuar nga gjykata kompetente që ta legjitimojnë paraburgimin e tetë personave të dyshuar lidhur me sulmin vdekjeprurës me bombë në metron e qytetit, Shën Petersburg. Në këtë sulm janë vrarë 14 vetë, përfshirë sulmuesin, dhe plagosur afro 50 të tjerë. Të gjithë të dyshuarit janë nga shtetet e Azisë Qendrore dhe të gjithë e kanë kundërshtuar involvimin e tyre në sulm. Policia e ka indentifikuar personin uzbek të lindur në Kirgizi, Akbarjon Jalilov, që ka shtetësi ruse, si të dyshuarin kryesor në sulmin në metron në Shën Petersburg. Ky person 22 vjeçar, është vrarë nga ekpslodimi të cilin e ka shkaktuar vetë. Autoritetet besojnë se ai ishte radikalizuar nga ekstremistët islamikë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Aleatët e SHBA-ve e mbështesin sulmin raketor në Siri

Posted: 07 Apr 2017 08:44 AM PDT

Aleatët e Shteteve të Bashkuara e kanë mbështetur sulmin raketor kundër një baze ajrore në Siri, në përgjigje të sulmit me armatim kimik në pjesën veriore të Sirisë, për të cilin Uashingtoni e fajëson regjimin e Sirisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Francois Hollande, në një deklaratë të përbashkët, thanë se presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, bartë përgjegjësi për aksionin amerikan. "Çfarëdo përdorimi i armatimit kimik është i papranueshëm dhe nuk mund të kaloj pa përgjigje, ndërsa ata që janë fajtorë duhet të mbahen përgjegjës", tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe ka shtuar se "regjimi i Sirisë e bartë përgjegjësinë e plotë për këtë zhvillim". Presideti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha se sulmi ka demonstruar për "vendosmërinë e nevojshme" kundër "sulmeve kimike barbare". Pos Rusisë e Sirisë, sulmin raketor amerikan në një bazë ajrore në Siri e ka kritikuar edhe Irani.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Serbi: Nga rrëzimi i aeroplanit ushtarak – dy pilotë të vrarë

Posted: 07 Apr 2017 08:12 AM PDT

Dy pilotë të Serbisë kanë humbur jetën sot nga përplasja e aeroplanit të tyre afër Beogradit, ka njoftuar Ministria e mbrojtjes e Serbisë. Shkaku i përplasjes së këtij aeroplani ushtarak, që ndodhi afro 50 kilometra në jugperëndimit të kryeqytetitit Beograd, nuk është i njohur dhe zyrtarët tashmë i kanë filluar hetimet, raporton agjnecia AFP. Aeroplani i tipit Super Galeb G-4, shfrytëzohej për fluturime ushtarake dhe për misione stërvitore. Prej vitit 2006, ky është aeroplani i gjashtë ushtarak në Serbi që rrëzohet, me ç'rast janë vrarë 6 vetë, përfshirë pesë pilotë. Në vitin 2015, katër anëtarë të ekuipazhit, dy punëtorë shëndetësorë dhe një fëmijë, u vranë kur një helikopter ushtarak i Serbisë u rrëzua afër Beogradit. Ky helikopter po e barte një fëmijë 5 vjeçar për trajtim urgjent mjekësor. Ky ishte incidenti më vdekjeprurës i këtij lloji në Serbi në gati 20 vitet e fundit. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në rrjetet sociale shfaqen grupe nacionaliste në ‘mbrojtje të shtetit’

Posted: 07 Apr 2017 07:00 AM PDT

Në rrjetet sociale në Maqedoni janë shfaqur grupe të cilat e quajnë veten "patriotë në mbrojtje të Maqedonisë" që ftojnë për protesta përmes thirrjeve nacionaliste.   Varësisht nga zhvillimet dhe vendimet politike që merren brenda ditës, grupet aktivizohen, por ajo që bie në sy është veprimi i tyre i madh kur në Maqedoni qëndrojnë diplomatët e huaj ose kur bëhen përpjekje për të zhbllokuar punën e parlamentit, thonë njohës të zhvillimeve politike në vend.   Drejtuesit e këtyre grupeve, të cilët në protesta mbajnë bluza të zeza me simbole fetare, thonë se janë të gatshëm që të përdorin edhe dhunën në funksion të, sic thonë, 'mbrojtjes së shtetit në kuadër të frontit kombëtar maqedonas'.   Lubomir Gjurçevski, ish zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë për Radion Evropa e Lirë thotë se të gjitha këto organizata patriotike të cilat gjithnjë e më shumë aktivizohen në rrjetet sociale dhe u jepet hapësirë edhe në disa media të caktuara, duhet parë më me seriozitet nga ana e organeve përkatëse të sigurisë. Kjo sepse, sic thotë ai, në mesin e tyre tanimë është bërë e qartë se ka pjesëtarë të kompanive për sigurimin e objekteve dhe të njëjtit posedojnë armë me leje dhe mund të bëhen të rrezikshëm nëse situata del nga kontrolli.   'Shfaqja e nacionalizmave' thekson Gjurçevski 'paraqet rrezik të madh veçanërisht në një shtet multietnik sic është Maqedonia ku raportet ndëretnike qëndrojnë në këmbë të qelqtë.   "Shfaqjen e grupeve paramilitare e paralajmërova që në vitin 2014 me ndryshimin e ligjit që rregullon punën e agjencive që merren me patundshmëritë dhe personat fizikë. Një numër i madh i këtyre personave të punësuar në këto agjenci, falë ndërhyrjes së politikës, pa asnjë kriter fituan të drejtën për të poseduar armë". "E ritheksoj se si të vetmin kriter bazë për të marrë licencë, këto agjenci sigurimi, kishin lidhjet e forta me drejtuesit e policisë. Tani kur duhet të bëhet transferimi i pushtetit, këto agjenci sigurimesh mund të keqpërdoren duke u transferuar në forca paramilitare", tha Gjurçevski .   Sipas tij, 'strukturat aktuale në pushtet dëshirojnë që vendin ta shtyjnë në një gjendje kaotike sepse në kushte kaosi nuk mund të zhvillohen hetimet për të dëshmuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë të shtetit në aktivitete kriminale'.   Nga ana tjetër, Mirjana Najcevska ish kryetare e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni, thotë se nevojitet reagim i menjëhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike, me vet faktin se "kemi të bëjmë me një situatë të ndjeshme ku këto grupe të ashtuquajtura patriotike bëjnë thirrje për të ushtuar dhunë ndaj një etniteti të caktuar, në rastin konkret kundër shqiptarëve, siç thonë në mbrojtje të shtetit dhe të karakterit unitar të shtetit".   "Në këtë situatë për momentin nuk jemi duke parë asnjë reagim nga ana e organeve kompetente dhe kjo e bën shumë relevante rrezikun për të pasur incidente. Kur këto grupe ta shohin se askush nuk ndërmerr masa për të sanksionuar veprimet e tyre , atëherë ata inkurajohen për të ndërmarrë edhe më shumë veprime të dhunshme. Pas kësaj çdo reagim i shtetit do të jetë i vonuar", tha Mirjana Najcevska.   Ndërkohë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për praninë e grupeve të tilla në rrjetet sociale dhe thirrjeve të tyre "nacionaliste në mbrojtje", siç thonë, "të shtetit dhe kundër shtrirjes më të gjerë të gjuhës shqipe". (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në Stokholm kamioni përplaset për njerëz, tre të vrarë

Posted: 07 Apr 2017 06:51 AM PDT

Policia në Stokholm të Suedisë tha se një shofer ka përplasur kamionin e tij për një dyqan të populluar, duke vrarë së paku tre veta. Policia tha se nuk është ende e qartë se sa njerëz janë plagosur. Agjencia e Inteligjencës e Suedisë Sapo e përshkroi incidentin si "sulm". "Ka të vdekur dhe shumë të plagosur", tha zëdhënësja e Sapo-s, Nina Odermalm, për AFP-në. Kryeministri suedez, Stefan Lofven, tha se "Suedia është sulmuar", dhe se të gjitha shenjat tregojnë për një "sulm terrorist". Policia po ashtu tha se ka marrë raporte të pakonfirmuara për të shtëna me armë zjarri. Në deklaratë thuhet se policia po e trajton rastin si incident terrorist, edhe pse shkaku nuk është përcaktuar ende. Incidenti ka ndodhur në afërsi të zonës së këmbësorëve Drottninggatan në fillim të pasdites. Autoritetet e rendit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qendrën e qytetit. Mediat suedeze raportojnë se sistemi i metrosë është mbyllur. Në Evropë ka pasur disa sulme terroriste, muajve të fundit, të cilat janë kryer me automjete të ndryshme, duke u përplasur për turma. Përgjegjësinë për to e kanë marrë militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik. Pesë persona u vdiqën si pasojë e një sulmi me thikë dhe makinë në Londër, më 22 mars. Më 19 dhjetor, 12 persona u vranë dhe 48 u plagosën, kur një kamion u përplas për njerëz në një treg të Krishtlindjeve në Berlin. Në korrik të 2016-ës, 86 persona u vranë kur një kamion u përplas për turmën në qytetin francez të Nicës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Analistët nuk besojnë se SHBA do të përfshihet më thellë në luftë

Posted: 07 Apr 2017 06:21 AM PDT

Sulmi raketor i Shteteve të Bashkuara kundër një baze ajrore në Siri, mëngjesin e së premtes, ka qenë sulm me shënjestër të specifikuar dhe jo shenjë paralajmëruese për luftë, vlerësojnë analistët. Lëshimi i 59 raketave Tomahawk nga dy luftanije amerikane në Detin Mesdhe, drejt bazës ajrore Shayrat në perëndim të Sirisë, ka qenë urdhri më ambicioz ushtarak i Donald Trumpit prejse është bërë president. "Sonte, kam urdhëruar sulm ushtarak në bazën ajrore në Siri, nga ku është kryer sulmi kimik. Është në interesin jetik të sigurisë kombëtare të SHBA-së për të parandaluar dhe penguar përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse", tha Trump. Analistët thonë se mesazhi i Trumpit me sulme, me gjasë, ka qëllim të ndalojë përdorimin e armëve kimike dhe nuk është fillim i përfshirjes më të thellë të SHBA-së në konfliktin sirian. "Sulmet mund të pengojnë Assadin, të detyrojnë bashkëpunimin rus me interesat amerikanë dhe jo të çojnë në përfshirjen më të thellë ushtarake të SHBA-së", shkroi në Twitter Micah Zenko, ekspert i intervenimit ushtarak në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA. "Deklarata e Trumpit e bën të qartë se sulmet me raketa të SHBA-së synojnë të forcojnë normën (ndërkombëtare) kundër përdorimit të armëve kimike, jo të mbrojnë civilët sirianë", shtoi ai. Sulmet - si hakmarrje për sulmin e dyshuar me gaz nervor në qytetin Khan Sheikhoun të Sirisë, më 4 prill, i cili ka lënë së paku 86 veta ta vrarë - janë sulmet i para amerikane që godasin hapur Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al Assad, pas gjashtë vjetësh luftë civile. Kjo luftë ka lënë të vrarë mbi 300,000 sirianë, ka zhvendosur miliona njerëz dhe ka kërcënuar të çojë në konfrontim të fuqive rajonale dhe globale me njëra-tjetrën. Sulmet e SHBA-së po ashtu kanë rritur zemërimin e Kremlinit, i cili mbështet Assadin. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet kundër një shteti sovran janë "shkelje e ligjit ndërkombëtar" që do të shkaktojnë dëme të mëdha" në marrëdhëniet Rusi-SHBA. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se sulmet e SHBA-së kujtojnë kohën kur ky vend ka pushtuar Irakun. "Është një akt i agresonit, me një pretekst të shpikur. Është i ngjashëm me situatën e vitit 2003, kur Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me disa aleatë të tyre, kanë pushtuar Irakun pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar", tha Lavrov. Rusia i ka dhënë Assadit mbështetje diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës. Avionët rusë kanë nisur një fushatë ajrore në Siri kundër, siç është thënë, terroristëve, qysh në shtator të vitit 2015. Rusia ka një zonë ushtarake në bazën ajrore Shayrat, por zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, tha se zyrtarët amerikanë kanë marrë masa paraprake, për të siguruar se ajo zonë nuk do të goditet gjatë sulmeve. Moska po ashtu tha se ka pezulluar një marrëveshje me Uashingtonin që synon të parandalojë incidentet ajrore mbi Siri. Shumë ligjvënës amerikanë kanë shprehur frikën se ndërhyrja në Siri mund t'i tërheqë forcat amerikane më thellë në konflikt, por zëdhënësi i Pengatonit, Jeff Davis, tha se sulmet synojnë "të parandalojnë regjimin nga përdorimi i armëve kimike përsëri". "Përdorimi i armëve kimike kundër njerëzve të pafajshëm nuk do të tolerohet", tha Davis. Jeff White, analist i mbrojtjes pranë Institutit për Politika të Lindjes së Afërt në Uashington, tha se urdhri i Trumpit mund të mos kërcënojë Assadin direkt, por është "goditje mbi sistemin e regjimit". Në vitin 2013, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka refuzuar të angazhojë ushtrinë amerikane direkt në Siri, edhe pasi zyrtarët dhe ekspertët e jashtëm kanë konstatuar se Assadi ka përdorur armë kimike në një sulm edhe më vdekjeprurës mbi civilët. Obama ka paralajmëruar Qeverinë e Sirisë të mos kalojë "vijën e kuqe" në përdorimin e armëve kimike. Në atë kohë, Trump, sipërmarrës miliarder, ka bërë postime në Twitter në adresë të presidentit amerikan, duke i thënë "mos e sulmo Sirinë". Trump po ashtu ka thënë se "presidenti duhet të marrë miratimin e Kongresit para se të sulmojë Sirinë". Sulmet mund t'i kenë zënë shumë vëzhgues në befasi, por ato nuk janë të parat nga forcat amerikane në Siri. Në muajin shtator, është sulmuar një bazë ushtarake në qytetin lindor Deir el-Zour. Gjashtëdhjetedy njerëz janë vrarë dhe mbi 100 ushtarë të qeverisë janë plagosur. Megjithatë, Pentagoni ka thënë se sulmi ka pasur në shënjestër militantët e Shtetit Islamik dhe jo një objekt të qeverisë. Sidoqoftë, sulmi rasketor i së premtes, i cili ndodhi pas 77 ditësh të administrimit të Trumpit, ka përforcuar sinjalet për një ndryshim të madh në politikën amerikane, sa i përket Assadit. Vetëm javën e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka thënë se fati i Assadit duhe të lihet në duart e popullit sirian. "Bisedimet janë në zhvillim e sipër. Nuk do të ketë rol për të për të qeverisur popullin sirian", tha Tillerson vetëm disa orë para sulmeve të SHBA-së në Siri. (REL) Përgatiti: Valona Tela

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Avokati i Popullit i shqetësuar për qasjen e të burgosurve në shëndetësi

Posted: 07 Apr 2017 05:45 AM PDT

Avokati i Popullit në Kosovë ka ngritur shqetësime të thella për, siç thotë, nivelin e ulët të shërbimeve shëndetësore në Qendrat Korrektuese në vend dhe me shkallën e lartë të ankesave të vetë të të burgosurve për këtë çështje. Shqetësimet u ngritën në periudhën kur në burgun e Lipjanit, 10 kilometra në jug të Prishtinës, u gjet i vdekur në rrethana ende të pasqaruara një i burgosur, Naser Makolli. Ai ishte njëri nga dëshmitarët e vdekjes të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, vitin e kaluar në burgun e Prizrenit, vdekje kjo që vazhdon të nxisë kundërthënie të mëdha.  Ministria e Shëndetësisë tha gjatë javës së Makolli ishte nën përkujdesje mjekësore për shkak të komplikimeve shëndetësore. Një zëvendëse e Avokatit të Popullit, Shqipe Ibraj-Mala, i tha Radios Evropa e Lirë se nga të burgosurit ankesat më të mëdha i marrin për qasje në shërbime shëndetësore. "Numri më i madh i ankesave që i pranojmë ka të bëjë me qasjen në shëndetësi dhe mosofrimin e duhur shëndetësor. Tani vonë po shihet një përmirësim i ofrimit, megjithatë numri më i madh i ankesave që mbesin nga qendrat korrektuese, është qasja në shëndetësi. Ne ankesat i trajtojmë individualisht dhe ato referohen tek organet kompetente", tha Ibraj-Mala. Qasja në shërbimet shëndetësore iu kalua në përgjegjësi Ministrisë së Shëndetësisë pak vjet më parë nga Minsitria e Drejtësisë që mbante këtë të drejtë që prej themelimit të Qendrës Korrektuese. Ministria e Shëndetësisë, prej më shumë se tre vjetësh ka krijuar një Departament të shëndetësisë në burgje që të përkujdeset për të burgosurit. Milazim Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në burgje ka kundërshtuar kritikat për qasjen e vështirë në shërbimet shëndetësore të të burgosurve, duke theksuar se 'në burgje ekziston shërbimi 24 orësh'. Sipas tij, në qendra paraburgimi mjekët punojnë 5 ditë në javë, kurse në burgje 7 ditë nga 12 orë.  "Gjithashtu ka psikologë dhe psikiatër. Sa i përket qasjes në shërbime shëndetësore, 24 orë kanë qasje dhe mund të drejtohen në rast nevoje. Të gjitha shërbimet që nuk mund të kryhen në kuadër të këtyre institucioneve, pacientët dërgohen në nivelin dytësor, por edhe tretësor, varësisht nga rasti. Ekzistojnë edhe dhoma të sigurta brenda spitaleve rajonale", thotë Gjoci. Por një Qendër Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që prej vitit 2007 ka monitoruar të gjitha institucionet korrektuese në Kosovë, duke bërë vlerësimin e të drejtave të njeriut, thotë se qasja në këto institucione po vështirësohet. Alban Muriqi, menaxher i projektit për të drejtat e njeriut në institutcionet korrektuese të Kosovës nga kjo Qendër, thotë se ankesat për qasje në shërbime shëndetësore janë shtuar kohët e fundit dhe ka shtuar se Ministria e Shëndetësisë i ka ndërprerë Qendrës mundësinë e vizitave. "Ne kemi kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë, por kohët e fundit kemi pasur vështirësi në qasje dhe na është ndaluar qajsa në shërbimin shëndetësor të burgjeve. Kjo është një praktikë e pa shembullt, pasi ne kemi të drejtë të hyjmë dhe të inspektojmë çdo hapësirë. Ka një muaj nuk kemi qasje në ambulanta në aspektin shëndetësor. Shpresoj se do të tejkalohet", thotë Muriqi. Organizata që ai përfaqëson, thotë Muriqi, në raportet e saj ka qenë kritike ndaj punës në shërbimet korrektuese. "Raportet tona kanë ndikuar që disa anëtarë të stafit të thirren në përgjegjësi disiplinore. Kjo nuk i ka pëlqyer shumë shërbimit shëndetësor dhe janë marrë masat. Ne tashmë na kanë ndaluar qasjen dhe ka ftohje të raporteve", ka thënë Muriqi. Megjithkëtë, Milazim Gjoci, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në burgje, thotë se Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës nuk ka kontratë për monitorimin e shërbimeve shëndetësore në burgje. "Në asnjë pikë nuk thuhet se ata e moritorojnë shëndetësinë në burgje, por e monitorojnë sigurinë. Për të hyrë në burg duhet të ketë marrëveshje dhe leje, e ata nuk e kanë. Kemi pasur bashkëpunim me ta, por ka skaduar kontrata. Ne nuk kemi të drejtë të bashkëpunojmë me një OJQ pa leje pasi është e kundërligjshme". Gjendja në shërbimin shëndetësor në burgje, thotë zyra e Avokatit të Popullit, është serioze dhe për të tejkaluar situatën, ky organ 'ka kërkuar pezullimin e dënimeve për rastet që kanë komplikime shëndetësore'. Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar anulimin e të gjitha pezullimeve pa dallim. Zyra e Avokatit të Popullit thotë se kërkesa e Ministrisë është bërë pas një sërë të keqpërdorimeve nga persona të caktuar, që ka ndikuar negativisht te të burgosurit e tjerë, që kanë pasur nevojë për trajtime seerioze shëndetësore, jashtë shërbimit korrektues. Organizatat që monitorojnë burgjet ndërkaq kanë raportuar disa herë për veprimtari korruptive dhe keqpërdorime brenda burgjeve, për ç'gjë një numër i zyrtarëve të burgjeve janë ndjekur penalisht. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqia arreston një pilot sirian

Posted: 07 Apr 2017 05:26 AM PDT

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, thotë se një pilot sirian është arrestuar nga autoritetet turke. Agjencia Anadolu raporton se piloti, Mehmet Sufhan, 56 vjeçar ishte rrëzuar mbi Turqi muajin e kaluar. Ai ishte duke u trajtuar në provincën jugore Hatay për lëndimet në shpinë, pas i rrëzua me avion më 4 mars. Ai u arrestua pas lirimit nga spitali, nën akuza për shkelje të sigurisë kufitare dhe spiunazh. Grupi ushtarak opozitar në Siri, Ahrar al-Sham ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e avionit, duke thënë se ai ishte duke bombarduar në afërsi të Idlibit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Televizioni sirian shfaq pamjet e sulmit ndaj bazës ajrore

Posted: 07 Apr 2017 05:02 AM PDT

Televizioni sirian ka shfaqur pamjet e sulmit ndaj bazës ajrore nga Shtetet e Bashkuara. Sulmi me raketa i Shteteve të Bashkuara vjen pas sulmit me armë kimike vdekjeprurëse ndaj civilëve të pafajshëm sirianë. Video: Reuters

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rrëzohet një avion në perëndim të Serbisë

Posted: 07 Apr 2017 04:39 AM PDT

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka thënë se një avion i forcave ajrore është rrëzuar sot në perëndim të vendit dhe dy prej anëtarëve në bord, janë zhdukur. Ministria tha se avioni G-4, u rrëzua në perëndim të Serbisë, afër shfatit Slatina, në orën 10:30, gjatë një fluturimi trjanues, raporton AP. Kërkimet për dy pilotët janë duke vazhduar, ndërkaq janë duke u zhvilluar hetime për të gjetur shkakun e rrëzimit të avionit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump dhe Xi do të takohen sërish sot

Posted: 07 Apr 2017 02:42 AM PDT

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jingping, pritet të takohen për të dytën ditë me radhë në samitin në Florida. Xi është në vizitë dyditore në resortin Mar-a-Lago në Florida. Sot Trump dhe Xi pritet që të bisedojnë për një sërë çështjesh të vështira, përfshirë situatën në Gadishullin Korena, marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë dhe për mosmarrëveshjet territoriale në Detin Jugor të Kinës. Koreja e Veriut është priroteti kryesor i Trumpit në takimet me homologun kinez. Presidenti amerikan ju tha gazetarëve, para se të nisej për në Florida, se ai mendon që Kina do të veprojë në përpjekjet për të frenuar ambiciet bërthamore të Phenianit. Trump ka thënë se nëse Kina nuk i bën Koresë së Veriut, SHBA do të veprojë e vetme.      

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ambasadorja amerikane në OKB akuzon Rusinë për mospërgjegjësi

Posted: 07 Apr 2017 02:25 AM PDT

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikky Haley, ka akuzuar Rusinë për mospërgjegjësi ndaj sulmeve në Siri.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump njofton për sulmin ndaj Sirisë

Posted: 07 Apr 2017 01:57 AM PDT

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka njoftuar më 6 prill për sulmin ndaj bazës ajrore siriane, ku dyshohet se ka nisur sulmi me armë kimike ndaj civilëve të pafajshëm.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pas sulmit në Siri, Rusia pezullon një marrëveshje me SHBA-në

Posted: 07 Apr 2017 01:48 AM PDT

Në përgjigje të sulmit të SHBA-së në Siri, Rusia ka thënë se ka pezulluar një marrëveshje me SHBA-në, që ka për qëllim të parandalojë incidentet ajrore në vendet e Lindjes së Mesme. Në deklaratën e sotme të Ministrisë së Jashtme ruse gjithashtu bëhet thirrje për takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar për këtë situatë. Shtetet e Bashkuara sulmuan një bazë ajrore në Siri, në përgjigje për sulmin vdekjeprurës me armë kimike kundër civilëve më 4 prill, për të cilin, Uashingtoni fajëson qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad. Rusia ka dënuar ashpër veprimin e Uashingtonit dhe e ka quajtur "akt të agresionit ndaj sovranitetit të Sirisë".      

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi tërheq Projektligjin për FSK-në, pranon kushtet ndërkombëtare 

Posted: 07 Apr 2017 01:27 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka tërhequr edhe zyrtarisht nismën e tij ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision të ri ushtarak. Thaçi tha se i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga i cili ka kërkuar që Projektligji i propozuar për transformimin e FSK-së të mos vihet për miratim në Kuvend. "Ngrirja" e Projektligjit të propozuar, sipas Thaçit bëhet me qëllim që të provohet sërish "mundësia e fundit", që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ku do të përfshiheshin në bisedime faktori ndërkombëtar dhe komuniteti serb. Këto qëndrime, presidenti i Kosovës i prezantoi në konferencën "Forca e Sigurisë së Kosovës – Perspektivat e së Ardhmes", e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).  "Unë konsideroj se institucionet tona ende e kanë kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjmë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës", tha Thaçi.  Ndërkohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie tha se qeveria amerikane mbështet Kosovën dhe Forcën e Sigurisë. Por, shndërrimi i FSK-së në ushtri përmes ligjit, siç kishte pretenduar presidenti i Kosovës, sipas tij, nuk është veprim i duhur. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tha ai, presin që transformimi i FSK-së të bëhet përmes një procesi transparent, të panxituar dhe në harmoni me Kushtetutën. "Forca e ardhshme e Kosovës do të duhet të ndërtohet me kohë me ndihmën e partnerëve kyç, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët", tha Delawie. Sipas tij, pretendimet që ushtria të krijohet me ligj nuk janë reale. Përfaqësuesi i Listës Serbe në këtë debat, Branimir Stojanoviq, aktualisht zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, tha se standardi i jetës është në minimum, kurse mosbesimi është aq i lartë sa të mendohet që serbët ta mbështesin themelimin e ushtrisë. "Si atëherë është e mundur që të pritet nga serbët që të mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës", tha Stojanoviq. Ndërkaq, analisti i njohur Daniel Serwer, shtroi çështjen e sigurisë në nivel të rajonit. Ai tha se kërcënimi për Kosovën vazhdon përderisa Serbia nuk e njeh atë si shtet. "Përgjigja në pyetjen se çfarë force të sigurisë ju nevojitet, varet nga kërcënimi me të cilin ballafaqoheni. Nëse kërcënimi nga Serbia nuk është eliminuar, atëherë Kosovës i duhet një forcë e dizajnuar për t'iu përgjigjur situatës", tha ai. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i pati dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Projektligjin për shndërrimin e FSK-së në një forcë ushtarake. Ky ligj, i ishte përcjellë më pas edhe Qeverisë së Kosovës. Por, tërheqja e Thaçit nga procedimi për miratim i Projektligjit për FSK-në, ka pasuar trysninë politike nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kërkuan që ky transformim të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, çka mes tjerash nënkupton edhe me pjesëmarrjen e serbëve, pa të cilët nuk mund të ndryshohen amendamentet e Kushtetutës së Kosovës. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Japonia zgjat edhe për 2 vjet sanksionet ndaj Koresë Veriore

Posted: 07 Apr 2017 01:16 AM PDT

Japonia ka vendosur që t'i vazhdojë edhe për dy vjet sanksionet e njëanshme ndaj Koresë së Veriut, për shkak të kërcënimit nga raketat bërthamore të veriut, ka thënë qeveria përmes një deklarte. Vendimi i qeverisë japoneze, vjen pasi nuk është shënuar asnjë përparim për çështjen e rrëmbimit të qytetarëve japonezë nga Koreja e Veriut gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta. Tokio gjithashtu ka dënuar testet bërthamore te Phenianit dhe një serie të lansimeve të raketave balistike. "Japonia do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur te zgjidhja e plotë të çështjeve të rëndësishme si rrëmbimet, raketat dhe testet bërthamore", ka thënë ministri i Jashëm japonez, Fumio Kishida.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ka vdekur një grua që ishte plagosur në sulmin në Londër

Posted: 07 Apr 2017 12:36 AM PDT

Një grua e cila u lëndua më 22 mars, në sulmin në urën Westminister, ka vdekur, ka njoftuar sot policia britanike, duke e çuar numrin e viktimave nga sulmi terrorist në 6, përfshirë edhe sulmuesin. Policia thonë se besojnë që gruaja, e cila ka vdekur të enjten, është Andreea Cristea, me kombësi rumune. Ajo ishte duke vizituar Londrën në kohën e sulmit. Autoritetet britanike kanë treguar se viktima kishte rënë në lumin Thames, nga ura e Westminister, pasi sulmuesi, Khalid Masood, goditi me veturën e tij, turmën e njerëzve që ishin në urë. Më pas ai theri për vdekjen me thikë një polic pranë parlamentit britanik. Sulmuesi më pas u qëllua për vdekje nga autoritetet e sigurisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA sulmon me raketa bazën ajrore siriane

Posted: 07 Apr 2017 12:08 AM PDT

Dy luftanije të SHBA-ve, të vendosura në Detin Mediterian, kanë sulmuar me raketa një bazë ajrore në Siri më 6 prill. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nga ajo bazë ka nisur sulmi me armë kimike ndaj civilëve të pafajshëm. (Video: REUTERS)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sulmi me helm ndaj civilëve në Siri

Posted: 06 Apr 2017 11:46 PM PDT

Një pjesë e kapur nga rebelët në Siri është goditur nga një helm i dyshuar kimik ku mbetën shumë të vrarë dhe të tjerë me probleme në frymëmarrje. Rusia pas akuzave ndaj saj tha se asnjë aeroplan rus nuk ishte i përfshirë në sulm. Kujdes, pamjet janë shqetësuese. (Video: REUTERS)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now