Mesazhi.com: “Pavarësisht premtimit publik, Thaçi nuk do të japë dorëheqje nga posti i presidentit” plus 9 more

Mesazhi.com: “Pavarësisht premtimit publik, Thaçi nuk do të japë dorëheqje nga posti i presidentit” plus 9 more


Pavarësisht premtimit publik, Thaçi nuk do të japë dorëheqje nga posti i presidentit

Posted: 07 Apr 2017 12:13 PM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë kishte deklaruar se Ushtria e Kosovës do të bëhet në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, përmes ndryshimeve ligjore.

Por, pas reagimeve të shumta që erdhën nga SHBA-të dhe nga NATO, se Ushtria duhet të formohet përmes ndryshimeve kushtetuese, ai ka kërkuar kohë shtesë për iniciativën e tij, derisa të binden për këto ndryshime edhe pjesëtarët e Listës Serbe.

Thaçi muaj më parë kishte deklaruar se formimi i Ushtrisë nuk ka kthim mbrapa dhe se nëse ndodh që Kuvendi nuk e voton këtë, ai do të japë dorëheqje.

Por, pavarësisht nga "premtimi" i tillë, sipas njohësve të çështjeve ligjore, Thaçi nuk do të japë dorëheqje nga posti i të parit të shtetit.

Ehat Miftaraj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se fjala publike e Thaçit se do të dorëhiqet nëse Projektligji i dërguar në Kuvend nuk do të votohet nga deputetet e Kosovës, më shumë duhet parë si presion publik karshi Kuvendit të Kosovës dhe bartje e përgjegjësisë tek deputetët e Kuvendit se të njëjtit "po bllokojnë procese të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës".
Lexo po ashtu:
Thaçi: Jap dorëheqje nëse Kuvendi nuk e voton Ushtrinë
Thaçi: Jap dorëheqje nëse Kuvendi nuk e voton Ushtrinë

"Është botërisht e ditur se për të kaluar procese të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës, përfshirë themelimin e Ushtrisë, përveçqë nevojitet konsensus i gjerë politik – përfshirë votat e komunitetit joshumicë në Kosovë – nevojitet edhe përkrahja e mbështetja e faktorit ndërkombëtar. Në rastin konkret, ka qenë shumë parimore që themelimi i Ushtrisë së Kosovës të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese e jo përmes ligjit", ka thënë Miftaraj.

Ai ka theksuar se tërheqja e Projektligjit për themelimin e Ushtrisë së Kosovës është humbje personale politike e Thaçit në raport me rolin e tij dhe të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë – veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur rreth mundësisë së shkarkimit të Thaçit nga ana e deputetëve me anë të mocionit, Miftaraj theksoi se çdo iniciative për shkarkimin e tij, në këtë fazë nuk do të kishte sukses.

"Kushtetuta e Kosovës përcakton në mënyrë të qartë se presidenti i Republikës mund të shkarkohet vetëm në rast të shkeljes së Kushtetutës apo kryerjes së ndonjë vepre të rëndë penale", tha Miftaraj.

Edhe profesori i së Drejtës, Riza Smaka, ka thënë për Telegrafin se nuk beson që Thaçi do të dorëhiqet.

"Atij as nuk do t'i kërkohet dorëheqja, ngase procesi që e pat nisur do të vazhdojë me disa ndalesa të përkohshme", ka thënë Smaka, duke shtuar se "edhe me dispozitën e nenit 91 të Kushtetutës, nuk është përcaktuar dorëheqja si një nga bazat për shkarkimin e presidentit".

The post Pavarësisht premtimit publik, Thaçi nuk do të japë dorëheqje nga posti i presidentit appeared first on Mesazhi.com.

Kosova me dy të arta në Antalya Grand Prix, ndodh për herë të parë

Posted: 07 Apr 2017 10:40 AM PDT

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova kanë arritur të stolisen me medalje ari në Antalya Grand Prix.

Distria Krasniqi e ka fituar ndeshjen finale me izraeliten Gili Cohen. Ajo u stolis për kategorinë nën 52 kilogram.

Krasniqi pas luftës triumfuese

Në anën tjetër edhe Nora Gjakova u tregua e fortë për kundërshtaren e saj xhudisten izraelite, Timna Nelson Levy.

Gjakova u stolisë për kategorinë nën 57 kilogram.

Gjakova në podium me medaljen e artë

Trajneri i Kosovës, Driton Kuka, iu është gëzuar fitoreve të dy xhudistëve tona.

"Momenti i fitores së Disit në Finale, e artë edhe Nora Gjakova. Hera e parë që Kosova fiton dy te arta në nivelin GranPrix të Kupave Botërore. RTK reflektoj dhe nuk gabuan që Shqiptarët kudo që janë, Live t'i shohin heronjtë tonë modern!", ka shkruar Kuka.

Nesër paraqiten Akil Gjakova e Kushtrim Gashi në kategorinë 73 kg.

The post Kosova me dy të arta në Antalya Grand Prix, ndodh për herë të parë appeared first on Mesazhi.com.

Amerika hap dyert e OKB-së: Kushdo që e mbron Assadin, le ta bëj para syve të botës

Posted: 07 Apr 2017 09:35 AM PDT

Ambasadorja e Amerikës në OKB, Nikki Haley, ka bërë të ditur që mbledhja e Këshillit të Sigurisë do të mbahet me dyer të hapura.

Përmes një deklarate Haley ka thënë që çdokush që dëshiron të mbrojë regjimin në Siri do ta bëjë këtë para gjithë botës.

"Këtë mëngjes, Bolivia ka kërkuar një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, për të diskutuar ngjarjet në Siri. Është kërkuar që seanca të mbahet me dyer të mbyllura. SHBA-të, si president të këshillit për këtë muaj, kanë vendosur që seanca të mbahet me dyer të hapura. Çdo shtet që zgjedh të mbroj barbarizmat e regjimit në Siri, duhet ta bëjë këtë para publikut, që e gjithë bota ta dëgjoj", thuhet në deklaratë.

The post Amerika hap dyert e OKB-së: Kushdo që e mbron Assadin, le ta bëj para syve të botës appeared first on Mesazhi.com.

Shënohet 9-vjetori i Kushtetutës së Kosovë

Posted: 07 Apr 2017 09:13 AM PDT

Kryeparlamentari Kadri Veseli, në shënimin e 9-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, ka deklaruar se koncepti dhe emri "kushtetutë" është i lidhur aq shumë me përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe shtet.

"Kushtetuta e Republikës së Kosovës është identiteti i shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Është dokument themelor i vizionit tonë euro-atlantik", ka thënë ai.

Veseli, në fjalën e tij, është shprehur se Kushtetuta e Kosovës ngërthen në vete parime prej të cilave asnjëherë nuk do të hiqet dorë, siç janë sovraniteti i popullit, sovraniteti i ligjit, e sovraniteti i individit.

"Të tri këto parime: legjitimiteti demokratik i qeverisjes, sundimi i pakompromis i ligjit, garantimi i plotë i lirive dhe të drejtave të njeriut, formojnë ambientin e domosdoshëm për zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë", ka deklaruar ai. Veseli ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e njeh si model të vetëm ekonomik tregun e lirë dhe ky është vullneti i përbashkët si shtet dhe shoqëri. Por, më tutje, ai ka pyetur sa është duke u punuar në jetësimin e këtij modeli?

"Vitet e fundit është humbur shumë kohë dhe energji në intrigat e luftës për pushtet, ndërsa zhvillimi ekonomik është lënë për kohën e lirë të politikanëve. Kjo është një situatë e papranueshme. Plotësisht në kundërshtim me prioritetet dhe nevojat e qytetarëve tanë", ka thënë Veseli.

Kryeparlamentari i Kosovës ka treguar se si javëve të fundit ka takuar me mijëra qytetarë dhe te shumica e tyre ka hasur një pyetje të vetme: punësimin?

"A ka klasa politike kosovare përgjigje konkrete në këtë pyetje, përveç parullave ditore dhe strategjive të përgjithshme abstrakte? Ndoshta, por kam dyshim se jo. Përgjigja dhe zgjidhjet që presin qytetarët për problemet e tyre ekonomike nuk do të vijnë vetvetiu, nuk do të pikin nga qielli apo mbijnë nga toka. Ato vijnë prej njerëzve tanë që duan ta shohin një Kosovë të begatshme dhe të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre".

Veseli ka tërhequr vërejtjen se është koha për ta nxjerrë vendin nga pozicioni i vend-numërimit dhe institucionet nga qarku vicioz i grindjeve për poenë politikë.

"Askush në Kosovë nuk do të fitojë nëse dëmtohet shteti, nëse nuk respektohet Kushtetuta, nëse përçmohen simbolet e tij, ose nëse cenohet partneriteti strategjik me botën perëndimore", ka theksuar ai.

"Është koha, për ta dëshmuar me veprimet tona, parimin e Kushtetutës sonë se interesat e shtetit janë të pacenueshme nga interesat e grupacioneve që vrapojnë pas pushtetit. Pushtetet janë të përkohshme, ndërsa shtetin e kemi bërë që të qëndrojë përgjithmonë në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë sonë", ka thënë Veseli.

Ai, po ashtu, ka pohuar se ligjet dhe normat kushtetuese, sipas nevojave, mund dhe duhet të ndryshojnë, por fryma demokratike dhe liberale e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është e pandryshueshme, e paprekshme, e pacenueshme.

The post Shënohet 9-vjetori i Kushtetutës së Kosovë appeared first on Mesazhi.com.

Mustafa: Do t’i aktivizojmë të gjitha potencialet për zhvillim ekonomik

Posted: 07 Apr 2017 09:07 AM PDT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku u prit nga drejtuesit e Bordit të Drejtorëve dhe të Menaxhmetit të kësaj agjencie.

 Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u bisedua për identifikimin e pasurive me të cilat qeverisë AKP-ja, për mundësitë e orientimit të tyre si pasuri potenciale për investitorët strategjikë si dhe për mundësitë e aktivizimit të të gjitha potencialeve ekonomike në funksion të prodhimit vendor dhe zhvillimit ekonomik.

 Kryeministri Mustafa fillimisht vlerësoi punën dhe proceset të cilat po zhvillohen në AKP.

 "Ka filluar tani një punë shumë e rregullt e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në procedimin e valëve të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Ajo që na gëzon është se ka filluar po ashtu edhe përmbushja e detyrimeve ndaj punëtorëve, të cilat patën ngecur për një periudhë të gjatë kohore. Ka filluar lirimi i pronave të uzurpuara që është po ashtu një aktivitet tepër i rëndësishëm i AKP-së, me suksese të shënuara në vitin e kaluar dhe me procedim edhe në këtë vit", tha kryeministri, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka vlera e aseteve të liruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për Buxhetin e Kosovës.

 Kryeministri Mustafa tha se duhet të punohet shumë më tepër në aktivizimin e Dhomës së Veçantë në trajtimin e lëndëve të cilat kanë mbetur, duke shprehur përkushtimin që në këtë drejtim të punohet së bashku me Gjykatën Supreme, me Kuvendin e Kosovës dhe me të gjitha institucionet.

 "Qëllimi i ardhjes sot këtu, është që ne të identifikojmë pasuritë me të cilat qeverisë AKP-ja, të cilat ne mund t'i orientojmë si pasuri potenciale për investitorët strategjikë. Ne morëm një propozim shumë të dobishëm dhe të vlefshëm, me një punë që kishte bërë Agjencia e Privatizimit me identifikimin e këtyre pasurive, si pasuri minerare dhe pasurive të tjera tokësore dhe hoteliere, të cilat mendoj se janë shumë të qëlluara në këtë fazë", tha kryeministri.

 Me këtë rast, kryeministri Mustafa tha se do të organizohet një takim edhe me asociacionet e bizneseve të brendshme dhe të jashtme, me përfaqësuesit ekonomik dhe diplomatik në Kosovë dhe nga vendet tjera, si dhe me të gjitha kanalet e bizneseve në mënyrë që të bëhet një prezantim i këtyre pasurive si ofertë e parë, duke theksuar interesimin që të gjitha potencialet e fjetura ekonomike të aktivizohen në funksion të prodhimit vendor, në funksion të zhvillimit ekonomik, të zëvendësimit të importeve me eksport dhe të rritjes së potencialit eksportues të vendit.

 Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi u shpreh i kënaqur me vizitën e kryeministrit Mustafa.

 "Patëm kënaqësinë sot që të presim kryeministrin dhe kabinetin e tij, të diskutojmë për zhvillimet në AKP gjatë vitit të fundit, por edhe t'jua prezantojmë këto potencialet kryesore që janë nën përgjegjësinë, apo nën ombrellën tonë që pastaj t'i koordinojmë punët në mënyrë që të gjejmë investitorët më potencialë që të krijojmë efekte sa më të mëdha ekonomike" tha Gashi.

 Kryeministri Mustafa iu përgjigj edhe interesimit të medieve lidhur me asetet të cilat do të privatizohen si dhe për çështjen e Trepçës.

 Lidhur me asetet që do të nxirren në privatizim dhe gjetjen e investitorëve strategjikë, kryeministri Mustafa u shpreh se tash për tash, këto asete të mbahen si asete potenciale.

 "Ne do të zbatojmë procedurën ligjore dhe nëse lypset do të kërkojmë vendim nga Kuvendi i Kosovës, dhe në qoftë se do të kemi investitorë potencialë ne pastaj do ta marrim përgjegjësinë edhe vetë si Qeveri që t'i plotësojmë kushtet ligjore që ato t'i nxjerrim nga procesi i privatizimit, t'i kompensojmë për aq sa duhet dhe t'i japim në shfrytëzim për investitorët strategjikë. Mirëpo, tani është fjala vetëm për identifikim, por në të gjitha rastet ne do t'i zbatojmë procedurat e plota ligjore pranë Agjencionit sepse është fjala për një Agjencion të pavarur me të cilin do të kemi relacione ligjore", tha kryeministri.

 Sa i takon procesit të hartimit të studimit të fizibilitetit për Trepçën, kryeministri Mustafa tha se ky studim do të bëhet në fund të muajit prill.

 Më tej, kryeministri Mustafa tha se ky studim do të tregoj se çfarë do të ndodhë me fazat përcjellëse të Trepçës, si mund të aktivizohet shkritorja e plumbit, elektroliza e zinkut, industria kimike dhe mundësisht fushat tjera, se cilat do të jenë burimet më të mira të financimit ato publike, apo të përziera publike dhe private apo do të jenë private dhe cila do të jetë periudha në të cilën duhet të aktivizohet fazat e finalizimit të produkteve të Trepçës.

"Tani mbetet që ne të procedojmë konkursin për Bordin e Trepçës, në mënyrë që pastaj të përgatitet statuti dhe të kemi përfaqësimin e rregullt në bord, në mënyrë që të sigurohet qeverisja koorporative sepse është një kompani e cila do të bazohet mbi këtë qeverisje. Mendoj se kjo është në një fazë të mirë, AKP po e bënë punën mirë dhe pati vlerësime shumë të mira edhe për Ferronikelin, që në bashkëpunim të mirë të ministrive përkatëse, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Industrisë, të Financave me AKP-në, arritëm që ta zgjidhim vitin e kaluar edhe problemin e Ferronikelit dhe të shpëtojmë 900 punëtorë që ata të vazhdojnë punën. Por, po ashtu, ta përmirësojmë sivjet edhe bilancin me jashtë, sepse në mungesë të eksportit ne patëm dëmtuar edhe GDP-në në vitin e kaluar", tha kryeministri Isa Mustafa.

The post Mustafa: Do t'i aktivizojmë të gjitha potencialet për zhvillim ekonomik appeared first on Mesazhi.com.

Stokholm, dy viktima nga goditja me kamion, dyshohet për sulm terrorist

Posted: 07 Apr 2017 07:26 AM PDT

Një kamion ka hyrë dhunshem në një dyqan në Stokholmin qendror, duke vrarë të paktën dy persona, njofton policia suedeze.
Raportet e mëparshme të medias njoftuan se tre persona ishin vrarë, ndersa policia tha se një numër i madh njerëzve u plagosën gjithashtu.
Kryeministri suedez Stefan Lofven tha se vendi ështe sulmuar, dhe vuri në dukje se ky ishte një akt terrorizmi.
Incidenti ndodhi në Drottninggatan, një nga rrugët kryesore këmbësore të qytetit.
Të shtëna u degjuan në një pjesë tjetër të qytetit, thotë korrespondenti i BBC Frank Gardner, duke cituar burime të sigurisë. Nuk dihet ende nëse dy incidentet janë të lidhura. /MESAZHI/

The post Stokholm, dy viktima nga goditja me kamion, dyshohet për sulm terrorist appeared first on Mesazhi.com.

NATO bllokon Serbinë për të marrë aeroplanët që ia dha Rusia

Posted: 07 Apr 2017 05:48 AM PDT

Anëtaret NATO-s Rumania dhe Bullgaria po kundërshtojnë që nëpër territoret e tyre të fluturojnë aeroplanët luftarak MIG 29 të cilat Beogradi i ka marrë prej Moskës, dhe për çfarë, ato do të arrijnë në Serbi në copë. Sipas analistëve, ky do të jetë shpenzim shtesë për Serbinë dhe shumë më e komplikuar sepse ata nuk janë të aftë që t'i montojnë vet.

Analisti ushtarak serb Miroslav Lazanski ka thënë se MIG-at ende nuk kanë ateruar në Serbi sepse shtetet fqinje "mike të Serbisë" nuk lejojnë që ato të fluturojnë nëpër territor të tyre.

"Do të ishte shumë më mirë dhe më madhështore që aeroplanët të vijnë te ne duke fluturuar, por në këto rrethana ata duhet të vijnë të copëtuar gjë që për ne do të jetë shumë më shtrenjtë dhe më komplikuar", ka thënë Lazanski.

The post NATO bllokon Serbinë për të marrë aeroplanët që ia dha Rusia appeared first on Mesazhi.com.

Shfaqet Asadi: Sulmi amerikan i pa matur dhe i papërgjegjshëm

Posted: 07 Apr 2017 05:41 AM PDT

Zyra e presidentit sirian e ka quajtur sulmin e SHBA kundër bazës së saj ajrore në Homs, të “të pa matur" dhe "të papërgjegjshme", raporton AP.

Deklarata ka thënë se sulmet pasqyrojnë vazhdimësinë e politikës, pavarësisht nga cila administratë që bazohet në shënjestër për t'i "nënshtruar njerëzit".

Më pas thuhet se sulmi nuk ishte bazuar në fakte të vërteta.

The post Shfaqet Asadi: Sulmi amerikan i pa matur dhe i papërgjegjshëm appeared first on Mesazhi.com.

NATO mbështet sulmet e SHBA-së kundër regjimit të Asadit

Posted: 07 Apr 2017 05:18 AM PDT

Damasku mban përgjegjësi të plotë për sulmin me raketa të SHBA-ve në një bazë ajrore të forcave të armatosura siriane, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

"Pas sulmeve të tmerrshme të armëve kimike të kësaj jave në Khan Shaykhun, nga të cilat u vranë dhjetëra njerëz, duke përfshirë shumë fëmijë, Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj aeroportit Shayrat në Siri. Regjimi sirian mban përgjegjësi të plotë për këtë zhvillim", ka thënë Stoltenberg në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai theksoi se çdo përdorim i armëve kimike është i papranueshëm dhe bëri thirrje për llogaridhënie.

"NATO mbështet të gjitha përpjekjet ndërkombëtare që synojnë arritjen e paqes dhe një zgjidhje politike në Siri", shtoi shefi i NATO-s.

The post NATO mbështet sulmet e SHBA-së kundër regjimit të Asadit appeared first on Mesazhi.com.

Thaçi: Populli sirian duhet të jetë i lirë

Posted: 07 Apr 2017 05:17 AM PDT

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se mbështet fuqishëm sulmet e SHBA-ve në Siri për luftimin e regjimit vrarës së Assadit.

Thaçi shkruan se Assad duhet të përballet me drejtësinë dhe populli sirian duhet të jetë i lirë.

"E mbështes fuqishëm veprimin e Donald Trump në luftimin e regjimit vrasës të Assad-it. Assad, duhet të përballet me drejtësinë dhe populli sirian duhet të jetë i lirë", ka shkruar Thaçi.

The post Thaçi: Populli sirian duhet të jetë i lirë appeared first on Mesazhi.com.

Related Posts: