Mesazhi.com: “Mustafa: Përmes këtij trendi të zhvillimit ekonomik do t’i zgjidhim të gjitha sfidat tjera” plus 9 more

Mesazhi.com: “Mustafa: Përmes këtij trendi të zhvillimit ekonomik do t’i zgjidhim të gjitha sfidat tjera” plus 9 more


Mustafa: Përmes këtij trendi të zhvillimit ekonomik do t’i zgjidhim të gjitha sfidat tjera

Posted: 14 Apr 2017 08:32 AM PDT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të takimeve konsultuese me bizneset kosovare, ka mbajtur sot një takim me përfaqësues të dhjetëra bizneseve të rajonit të Prizrenit.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Financave, Avdullah Hoti, përfaqësues nga Administrata Tatimore, Doganat, Oda Ekonomike e Kosovës, dhe institucionet tjera.

Kryeministri Mustafa falënderoi bizneset për interesimin e treguar për të gjetur zgjidhje të përbashkëta në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit.

"Nuk ka për Qeverinë ndonjë fushë më të rëndësishme sesa ajo e zhvillimit ekonomik, e punësimit dhe e konkurrencës, karshi mundësive që neve na janë dhënë me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim" tha kryeministri.

Ekonomia e Prizrenit, sipas kryeministrit, është më karakteristike sesa ajo e qyteteve tjera, meqë biznesmenët e suksesshëm arrijnë jo vetëm të përballojnë konkurrencën e brendshme, por edhe atë të jashtme. Andaj, kryeministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me biznese për të parë se çfarë duhet korrigjuar në politikat ekonomike, fiskale dhe tregtare, që edhe më tutje të lehtësohet të bërit biznes, dhe që bizneset mos të kenë as shpenzime e as ngarkesa më shumë sesa konkurrentët e tyre në rajon. E gjithë kjo, sipas kryeministrit, do të mundësoj që të ketë punësim produktiv dhe zgjidhje të problemeve sociale.

"Këto probleme ne jemi të interesuar që t'i zgjidhim përmes zhvillimit ekonomik, jo përmes politikave pasive sociale, përmes punësimit më të madh dhe vetë fakti që ne kemi njëzet mijë firma në Prizren, kemi pas një rritje të firmave prej rreth 6 mijë firmave nga viti 2015-2016 e deri më tani, flet se ambienti i të bërit biznes këtu është i mirë. Përndryshe, në disa vende ne kemi trende negative sa i përket themelimit të firmave të reja dhe shuarjes së firmave gjatë një viti, këtu kemi trende pozitive", tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa foli edhe për përfitimet nga pakoja e parë fiskale, e cila është bërë në konsultim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe përfaqësues nga bizneset. Përveç kësaj, kryeministri përmendi faljen e borxheve si njëra nga politikat më të rëndësishme, që shkarkoi bizneset nga ngarkesa e tepërt, si dhe politikat tjera të nxjerra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Bujqësisë. Për këtë arsye, kryeministri Mustafa tha se mbetet më e rëndësishme ekonomia sesa politika.

"E kemi pikën e parë, orientimin e parë, edhe pse ne po na imponohen temat politike, demarkacioni, asociacioni dhe temat tjera. Ato janë tema të cilat një shtet duhet t'i kapërcejë, por nuk jetohet shumë prej tyre. Ajo që ne duhet ta zhvillojmë për të jetuar dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve është zhvillimi ekonomik, arsimi cilësor, shëndetësia cilësore. Ju keni hapur edhe problemin e lëvizjes së lirë dhe atë se ju nuk po mund të qarkulloni dhe s'po mund të merrni pjesë në panaire dhe në kontakte me partnerët e juaj, sidomos në vendet e Evropës Perëndimore për shkak të regjimit të vizave. E di që është një çështje të cilën ne duhet ta tejkalojmë, sepse e kufizon mundësinë që ne të jemi të barabartë me të tjerët, të jemi pjesë e tregut evropian, ngase tregu evropian i ka disa karakteristika, e ka lëvizjen e lirë të mallrave, të njerëzve, të kapitalit dhe të dijes. Në qoftë se ne nuk kemi lëvizje të lirë të njerëzve, ne mund të themi se jemi pjesë e Evropës edhe e tregut evropian, por nuk kemi qasje në atë treg kur ju duhet të pritni nga 3 deri 6 muaj për të marrë një vizë, e cila fillon të skadojë ende pa u nisur atje, sepse ua japin me afat shkumë të shkurtër", tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa foli edhe për Agjendën Evropiane të Reformave, që synon rritjen e konkurueshmërisë së bizneseve brenda dhe jashtë. Rritja e prodhimit të brendshëm, për kryeministrin do të arrij dy efekte, të zvogëloj importin e produkteve që mund të zëvendësohen me produkte vendore, dhe të rris eksportin e prodhimeve vendore jashtë. Përveç kësaj, objektiv tjetër i kësaj Agjende është forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe harmonizimi i tregut të punës me arsimin.

"Kemi informata edhe prej bizneseve se ajo që ju kërkoni në tregun e punës nuk e gjeni nganjëherë si profil të njerëzve që juve ju nevojiten, ndërkaq kemi mjaftë shumë të ri që nuk është faji i tyre që shkollohen, kualifikohen, përgatiten për një treg për të cilin ata nuk gjejnë pastaj kërkesë dhe që ne jemi të interesuar këtë ta orientojmë", tha kryeministri.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi kërkoi që edhe biznesmenët, përveç përfitimeve nga pakot fiskale, të ndihmojnë shtetin në luftimin e informalitetit.

"Pakoja dy i ka 15 deri në 20 mijë produkte që lirohen nga Dogana. Prandaj është një lëvizje që ka me pas një kosto në të hyrat vetanake të shtetit. Do të ketë lehtësira, por do të kërkojmë nga ju që të na bashkoheni në luftimin e informalitetit dhe formalizimin e të punësuarve që punojnë tek ju", tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka prezantuar efektet e pakos së parë dhe masat që deri më tani janë përfshirë në pakon e dytë fiskale. Sipas Hotit, falja e borxheve, që shkon deri në 400 milionë euro, ka krijuar një momentum të ri për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa, sipas një analize në Ministrinë që ai drejton, përfitimet e drejtpërdrejta të bizneseve nga pakoja e parë janë rreth 47 milionë euro.

"Këto masa, së bashku me inflacionin që ka qenë pothuajse zero në dy vitet e fundit, e ka zvogëluar koston e jetesës, në veçanti për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që shumicën e atë ardhurave e shpenzojnë për të blerë mallra bazike ushqimore dhe mallra tjera", tha ministri Hoti.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomikë të Kosovës, ndër të tjera përmendi vlerësimet e faktorit ndërkombëtar për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Por, ai tha se nuk duhet të kënaqemi me këto të arritura.
"Jemi këtu që bashkë të gjejmë modalitete, të kemi nga ju rekomandime të cilat do të jenë në funksion të përmirësimit të ambientit biznesor, në funksion të fuqizimit të sektorit privat dhe në funksion të avancimit të prodhimit në Kosovë. Është e vërtet se ka indikator që na obligojnë të punojmë më tepër, por prania e kryeministrit dhe stafit të tij dëshmon se përkushtimi për proceset ekonomike dhe për zhvillim ekonomik nuk ka alternativë", tha Gërxhaliu.
Ai tha se arritja e stabilitetit politik, social, përmirësimi i imazhit dhe përshpejtimi i proceseve integruese, kanë një emërues të përbashkët, zhvillimin ekonomik.
Përfaqësuesit e bizneseve janë shprehur të kënaqur që më në fund Qeveria dhe Ministria e Financave i trajton ata si partnerë të devotshëm në bërjen e politikave të reja. Ata vlerësuan në veçanti përkrahjen e gjithanshme të kabinetit qeveritar për të adresua çdo shqetësim të tyre, e cila, siç u shprehën përfaqësuesit e bizneseve, ka rezultuar me përmirësim të madh të ambientit të të bërit biznes.
Ata kanë prezantuar edhe disa kërkesa dhe sfida me të cilat ballafaqohen, duke shprehur besimin e tyre se kjo Qeveri, përmes pakos fiskale dhe formave tjera do t'i eliminoj.

Në fund të debatit, kryeministri Mustafa, tha se edhe më tutje duhet të bëjmë korrigjime në ndërtimin e politikave, të cilat na bëjnë më konkurrent dhe më të mirë si ekonomi.
"Kemi disa vlerësime edhe nga institucionet ndërkombëtare lidhur me të bërit biznes dhe se jemi treguar më të mirë në një fushë në krijimin e këtyre kushteve të të bërit biznes dhe kemi marrë çmimin e parë në takimin botëror të bizneseve, por jemi të interesuar ta rrisim ekonominë edhe më tutje, të kemi rritjen më të madhe ekonomike sesa që kemi", tha kryeministri Mustafa.

Më tej kryeministri tha se është shënuar një rritje ekonomike prej 4 për qind gjatë këtyre dy viteve që është më e madhe sesa në regjion, por duke pasur parasysh nevojat duhet të arrijmë më tepër se 6 për qind për të përballuar nevojën e punësimit.
Kryeministri Mustafa, foli për pakon e dytë fiskale, duke siguruar se para fundit të këtij muaji do ta aprovojmë në Qeveri. "Do të punojmë rreth zonës ekonomike të cilën do ta bëjmë në Prizren, është punë e cila do të kryhet shumë shpejt. Tash i kemi kushtet më të mira me rregullimin e çështjeve pronësore, çështjet tjera mbetet të procedohen", tha kryeministri Mustafa, duke theksuar edhe themelimin e Fondit për inovacione, në mënyrë që ata që bëjnë zbulime të reja të kenë mbështetjen e Qeverisë.

Kryeministri tha se pas përmbylljes së pakos së dytë fiskale, do të punohet bashkë me biznese, me Odën ekonomike dhe asociacionet tjera të bizneseve të bëhen përgatitjet për fazën e tretë. "Ne do të krijojmë kushte ku duhet domosdoshmërisht ose të jemi të barabartë ose ta kapërcejmë konkurrencën jo vetëm në nivelin regjional, por edhe atë evropian. Atje mund të arrijmë dhe për këtë jam shumë i bindur sepse kemi njerëz shumë të dijshëm", tha kryeministri Isa Mustafa.

The post Mustafa: Përmes këtij trendi të zhvillimit ekonomik do t’i zgjidhim të gjitha sfidat tjera appeared first on Mesazhi.com.

Mustafa: Nëse Kuvendi nuk e ratifikon Demarkacionin, opsion zgjedhjet

Posted: 14 Apr 2017 07:30 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nëse Kuvendi nuk e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave.

Në këtë intervistë, Mustafa flet edhe në lidhje me kërcënimet e evidentuara nga individë e grupe të caktuara, kundër liderëve të shtetit të Kosovës dhe disa figurave politike.

Zoti kryeministër, shefi i diplomacisë gjermane dhe senatori amerikan, John McCain, adresuan mesazhe të qarta për institucionet e Kosovës që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave. Ku qëndrojnë procedurat dhe kur pritet të vihet në votim në Kuvend, demarkacioni?

Isa Mustafa: Ne zhvilluam dje biseda me dy përfaqësuesit e dy vendeve lidere, përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si vend lider botëror dhe Gjermanisë si vend lider i Bashkimit Evropian. Biseduam në lidhje me këtë çështje dhe e shtruam seriozitetin e këtij problemi, sepse kemi mbetur vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Kërkuam që të bëhet një zgjidhje, duke pasur parasysh që konsiderojmë se në mënyrë të padrejtë na është vënë kriteri i Demarkacionit të kufirit, i cili nuk ka vlejtur për vendet tjera. Megjithatë, neve na është vënë si kriter që nga viti 2012 dhe është shumë vështirë qa ta ndryshojmë tash, në vitin 2017.

Kërkuam që të gjendet ndonjë alternativë në mënyrë që të kapërcehet kjo çështje, por gjithsesi ta marrim si obligim që ne ta përmbushim. Është një porosi e qartë ndaj të cilës ne duhet të kemi respekt. Së pari, ne duhet të kemi respekt ndaj qytetarëve tanë që t'i nxjerrim nga izolimi dhe kjo është detyrë e Kuvendit dhe Qeverisë.

Por, po ashtu duhet të kemi respekt edhe ndaj vendeve të cilat japin vlerësime të tilla, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, duke pasur parasysh që ato na kanë përkrahur në të gjitha proceset dhe ato nuk të japin sugjerime dhe nuk të udhëzojnë në veprime të tilla, ngase janë shtete mike të Kosovës.

Ne tani do të merremi vesh me partnerët e koalicionit, me Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe me Listën Serbe dhe të tjerët se kur do të kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve në Kuvend, sepse ju e dini që deri më tani kemi pasur problem me mungesën e Listës Serbe.

Në momentin kur merremi vesh për kohën, ne do të procedojmë në Qeveri me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes. Do të shkojmë në Kuvend. Kuvendi duhet ta merr përgjegjësinë për këtë.

Mendoj që është përgjegjësi shumë e madhe, sepse natyrisht që një Kuvend i cili nuk e konsideron çështjen e nxjerrjes së qytetarëve të vet nga izolimi dhe i mbanë në izolim për kauza politike ose për interesa personale, ai Kuvend mandej shtrohet pyetja se a ka të drejtë morale edhe më tutje të ekzistojë apo ta rivlerësojë vetveten.

Tash kur Lista Serbe është kthyer në institucione, koalicioni qeverisës i ka rreth 90 vota në Kuvend. Kë e bëni ju përgjegjës për mos ratifikimin e demarkacionit, pushtetin apo opozitën. Kush po e mban peng liberalizimin?

Isa Mustafa: Unë mendoj se peng po e mbajmë të gjithë, sepse është detyrë e të gjithë deputetëve që të punojnë në interes të vendit. Në disa çështje ne mund të bëjmë pozitë e opozitë, por ne nuk mund të bëjmë pozitë dhe opozitë në çështjet që janë në interesin e vendit.

Mendoj se përgjegjësia më e madhe në këtë rast është e pozitës, pushtetit, deputetëve të pozitës, sepse programi ynë qeverisës është i pozitës. Por, në këtë rast unë nuk e kuptoj as opozitën, e cila për një kauzë, dëshiron ta mbajë peng qytetarin e Republikës së Kosovës.

Tani kemi, 30 deputetë të opozitës, kurse të tjerët janë kryesisht të pozitës dhe një numër i vogël i deputetëve të pavarur. Kështu që nëse stabilizohet ardhja e Listës Serbe në Kuvend ne duhet të procedojmë me këtë çështje, sepse numri formal sigurohet. Por, presim që deputetët ta marrin përgjegjësinë që ta votojnë dhe ta kapërcejmë këtë çështje.

Ju thatë se një Kuvend që nuk është në gjendje ta përmbush një mision në shërbim të qytetarëve duhet ta rishqyrtojë vetveten. A nënkupton kjo edhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme?

Isa Mustafa: Unë mendoj se edhe kjo nënkupton, sepse nuk do të ishte e arsyeshme që njerëzit të cilët nuk janë në gjendje ta marrin një përgjegjësi të tillë dhe marrin vendim për t'i lënë qytetarët të vetizoluar, që ata të vazhdojnë edhe më tutje të qeverisin me vendin, qoftë si parlament qoftë si qeveri.

Në këtë rast, Qeveria e ka bërë punën e vet, por Qeveria nuk mund ta përfundoj punën e vet pa parlamentin. Prandaj, në këtë rast mbetet përgjegjësi e deputetëve të subjekteve politike që janë në pushtet, por edhe të opozitës.

Mirëpo, po ashtu mbetet llogari se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kush do ta bëj këtë, sepse nëse ky është kusht për ne tash si koalicion qeverisës, i njëjti do të jetë kusht edhe për koalicionet dhe kuvendet e ardhshme.

Ne duhet të mendojmë për qytetarët dhe jo për vetveten, ashtu siç po shoh unë se si njerëzit po sillen në këtë situatë, sepse nuk është as morale dhe as e logjikshme kjo mënyrë e sjelljes.

Ndërkohë që Lista Serbe është kthyer në institucione, janë përmendur disa prioritete të saj, të paktën kështu kanë deklaruar për media, ku përfshihet themelimi Asociacionit dhe diskutimi me ju për demarkacionin. A i keni takuar ju përfaqësuesit e Listës dhe a i keni diskutuar këto çështje?

Isa Mustafa: Unë jam takuar me përfaqësuesit e Listës, por problemi tash është në mes tyre. Ata kanë problem se kush e drejton Listën Serbe, kush e drejton Grupin Parlamentar.

Ata vijnë me propozime që të bëhen ndryshime të zëvendësministrave si dhe për ministrin e Pushtetit Lokal. Unë kam kërkuar nga ata që t'i sqarojnë çështjet mes vete në mënyrë që të mos kemi dy apo tri adresa të komunikimit. Çështje tjera, tash për tash nuk i kanë hapur.

Çështja e Asociacionit, mendoj se duhet të adresohet dhe ne jemi të gatshëm që në çdo moment të ulemi me Listën Serbe, me ekipin menaxhues dhe me ndërkombëtarët që të adresojmë këtë çështje në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjet të cilat janë nënshkruar në Bruksel.

Kushte tjera dhe çështje tjera nuk ka pasur. Nuk kemi diskutuar as për votimin e Demarkacionit, sepse nuk kemi pasur rast që të ulemi dhe të merremi vesh, për arsye se janë akoma këto problemet mes tyre, të cilat nuk do të dëshiroja të ishin, e të cilat besoj se do t'i tejkalojnë.

USHTRIA BËHET ME SHBA-të, NATO-n DHE BE-në

Kryeministër Mustafa, ka një kohë që Qeveria ka pranuar projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të dorëzuar nga Presidenti në Kuvendin e Kosovës. Por, i njëjti, duket se është tërhequr, për t'u hapur rrugë ndryshimeve kushtetuese, fillimisht. Cila mendoni se është rruga më e mirë për krijimin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës?

Isa Mustafa: Po, mendoj se rruga është kjo tani, që ky transformim të bëhet në bashkërenditje me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e bashkimit Evropian. Të jetë një proces, për aq sa të jetë i mundur, gjithëpërfshirës në mënyrë që të punojmë me të gjithë. Me të gjithë qytetarët, me të gjitha komunitetet. Në këtë rast problemi adresohet veçmas te komuniteti serb dhe deputetët serb në Kuvendin e Kosovës të cilët duhet ta votojnë ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që transformimi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, sepse është mënyra më e mirë që të bëhet ky transformim.

Mendoj që ne jemi të gatshëm dhe kemi treguar gatishmërinë dhe synimin si institucione të Kosovës, duke u nisur nga Presidenti, Kuvendi, Qeveria dhe të tjerët, që ne ta bëjmë punën maksimalisht.

Të bisedojmë me të gjithë, t'i bindim të gjithë dhe ta argumentojmë se Forca e Armatosur e Kosovës është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Se integriteti i vendit është po ashtu interes i të gjithëve. Se pjesëmarrja e kësaj Force në misionet paqeruajtëse dhe në misionet tjera humanitare jashtë është, po ashtu, në interes të rajonit, të stabilitetit të paqes në Ballkan e më gjerë. Ne do të mundohemi ta japim maksimumin që t'i bindim serbët që këtë ta votojnë.

Por, duhet ta kemi parasysh edhe faktin që nuk mundet themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës të mbetet peng i vetëm një komuniteti, apo i vetëm një grupi parlamentar, sepse fjala është për interesin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

KA INFORMACIONE PËR PËRGATITJEN E SULMEVE KUNDËR LIDERËVE POLITIK

Kryeministër, dje Ambasada amerikane në Prishtinë u ka drejtuar një këshillë, sugjerim qytetarëve që të bëjnë kujdes këto ditë, sidomos gjatë festës së Pashkëve. Keni ju informacione se vendi është i kërcënuar në aspektin e sigurisë nga individë apo grupe terroriste?

Isa Mustafa: Ne kemi zhvilluar dje një mbledhje të Këshillit për Siguri të Kosovës. I kemi vlerësuar disa informata të cilat i kemi marrë nga organet kompetente të cilat e përcjellin çështjen e sigurisë në Kosovë.

Jemi informuar se ka individë dhe grupe të cilët tentojnë të kryejnë veprime kundër bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe disa liderëve politik.

Individë të tillë janë të lidhur edhe me njerëz jashtë Kosovës dhe me shërbime të ndryshme të cilat nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës dhe e rrezikojnë rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve.

Po ashtu, duke pas parasysh se çfarë po ndodh në vendet e tjera, kemi marrë masa që të shtojmë vigjilencën dhe prezencën e organeve të sigurisë. Të jetë kjo prezencë më e madhe, sidomos tani gjatë festave fetare në mënyrë që ato të mos shfrytëzohen për ndonjë akt i cili do të rrezikonte, dëmtonte qytetarët.

Ne kemi kërkuar një vigjilencë më të madhe, një prezencë më të madhe, një aktivizim më të madh të gjitha organeve të sigurisë. Po ashtu, kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ato të ndërmarrin masa ndaj individëve të cilët e rrezikojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve.

The post Mustafa: Nëse Kuvendi nuk e ratifikon Demarkacionin, opsion zgjedhjet appeared first on Mesazhi.com.

Delawie: Miratoni ligje të rëndësishme për ta luftuar korrupsionin

Posted: 14 Apr 2017 07:28 AM PDT

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka bërë thirrje për miratimin e Ligjit të ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët, në mënyrë që të luftohet korrupsioni në vend.

Përmes një videomesazhi Delawie ka folur për rëndësinë e këtyre dy ligjeve dhe ka thënë që me miratimin e tyre mund të mposhtet korrupsioni.

Më poshtë mund të lexoni fjalimin e plotë të tij.

"Me ndryshimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale Kosova mund të sigurojë që të gjithë të burgosurit të trajtohen barabartë pa marrë parasysh lidhjet e tyre politike apo statusin e "njerëzve të famshëm".

Kur kam ardhur në Kosovë herën e parë u befasova kur mësova se disa të burgosur të dënuar ishin lejuar që thjeshtë të bredhin lirshëm me arsyetime të rrejshme mjekësore. Këta kriminelë me lidhje të mira politike pretendonin se ishin të sëmurë, bënin presion në Ministrinë e Drejtësisë për t'i lënë jashtë burgut për trajtim mjekësor, dhe pastaj kalonin muaj të tërë duke udhëtuar nëpër rajon, dhe madje dhanë edhe intervista televizive. Kjo fare nuk është mënyrë për t'i treguar popullit të Kosovës se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kjo e shndërroi në farsë këtë parim themelor të sundimit të ligjit.

Prandaj, unë dhe qeveria ime vazhdimisht nxisnim qeverinë e Kosovës që të bëjë diçka për të mbyllur këto vrima ligjore. Jam i kënaqur që Ministrja e Drejtësisë dhe ekipi i saj kanë bërë ndryshime në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të cilat do ta kalojnë vendimmarrjen për atë se kush do të lirohet për trajtim mjekësor në duart e mjekëve dhe gjykatësve, jo në duart e politikanëve. Kjo do t'i tregojë Kosovës dhe botës se udhëheqësit e Kosovës janë të përkushtuar ndaj drejtësisë.

Fatkeqësisht, Kuvendi i Kosovës nuk e ka kaluar këtë ligj ende edhe pse ka pasur disa herë mundësinë që ta bëjë këtë. Edhe më keq, disa anëtarë të Kuvendit paraqitën një amandament i cili automatikisht do t'i zvogëlonte dënimet e të gjithë të dënuarve për një të tretën – veprim ky i cili do të tallte autoritetin gjyqësor. Sot në burgjet e Kosovës ka terroristë të dënuar të cilët do të liroheshin menjëherë nëse ky amandament i paarsyeshëm do të bëhej ligj. E nxis Kuvendin që të miratojë ligjin e ri për Sanksione Penale pa kurrfarë amandamentesh. Kjo është një mënyrë për t'i treguar Evropës dhe botës se ju jeni të përkushtuar ndaj luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo poashtu do të tregojë se Kosova e meriton reputacionin e mirë që e ka në luftën ndërkombëtare kundër ISIS-it.

Udhëheqësit e Kosovës mund të shfaqin përkushtimin e tyre ndaj luftës kundër korrupsionit edhe duke miratuar Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët. Shumica e gjykatësve dhe prokurorëve angazhohen shumë për të kryer një punë të mirë në shërbim të bashkëqytetarëve të tyre. Por, është një pjesë e vogël e tyre veprimet e të cilëve minonjë drejtësinë dhe si rezultat i kësaj qytetarët dyshojnë në ndershmërinë e tërë sistemit. Kemi punuar ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë për të përpiluar ligje që do të reformojnë sistemin për të kërkuar llogaridhënie nga gjykatësit dhe prokurorët për efektshmërinë e tyre. Ky ligj është me gjasë hapi më kryesor që Kosova mund ta bëjë për të përmirësuar sistemin e drejtësisë duke e bërë atë diçka në të cilën populli i këtij vendi me të vërtetë mund të llogarisë. Pres që ky ligj të miratohet kur qeveria ta dorëzojë atë, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë më vonë gjatë këtij muaji.

Kosova gjendet vendosmërisht në shtegun e vet Evropian. Ju keni një Kushtetutë, një Qeveri, dhe një popull që i përqafon vlerat Euro-Atlantike. Unë jam i bindur se ju mund t'i miratoni ligjet për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe për procedurat disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët, dhe se ju mund ta mposhtni korrupsionin. Krejt çka duhet për këtë është vullneti politik dhe përkushtimi për ta vendosur popullin e Kosovës dhe fatin e tij në vend të parë. Ambasada ime dhe unë mbesim të përkushtuar për ta mbështetur popullin të Kosovës dhe rrugën e tij drejt zemrës së Evropës" ka thënë Delawie.

The post Delawie: Miratoni ligje të rëndësishme për ta luftuar korrupsionin appeared first on Mesazhi.com.

Këshilli për Siguri: Kemi zbuluar grupe dhe individë që duan ta destabilizojnë vendin

Posted: 14 Apr 2017 03:25 AM PDT

Pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik, Këshilli për Siguri i Kosovës informon qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues.

Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës.

Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës.

Institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale.

Këshilli për Siguri i Kosovës konsideron se synimet dhe aktet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, nga Qeveria, Parlamenti dhe shoqëria civile. Ndërkaq, organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë.

The post Këshilli për Siguri: Kemi zbuluar grupe dhe individë që duan ta destabilizojnë vendin appeared first on Mesazhi.com.

Organet e rendit: Situata është nën kontroll, nuk ka arsye për panik

Posted: 14 Apr 2017 02:53 AM PDT

Organet e sigurisë në vend një ditë më parë kanë mbajtur takime lidhur me gjendjen e sigurisë, ndërsa pas këtyre aktiviteteve dhe deklaratave të ndryshme, qytetarët e Kosovës janë alarmuar për mundësinë e ndonjë sulmi terroristë.

Megjithatë zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe burime të sigurta të Telegrafit brenda institucioneve të sigurisë në vend, thonë se nuk ka arsye serioze për tu shqetësuar dhe për të bërë panik.

Sipas tyre, i tërë mobilizimi i policisë dhe institucioneve tjera bëhet për shkak të zhvillimeve në botë dhe rajon dhe masave preventive që merren në prag të festave.

Gjatë ditë së djeshme është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë në vend, e cila mbledhje sipas ligjit në fuqi duhet të mbahet çdo tre muaj. Kujtojmë se mbledhja e fundit ishte mbajtur më 13 janar të këtij viti.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në një prononcim për Telegrafin sqaroi se mbledhja e Këshillit të Sigurisë ka qenë mbledhje e rregullt dhe në përputhje me ligjin e Kosovës.

Ajo bëri të ditur se në mbledhje u diskutua për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë theksoi se qytetarët nuk kanë arsye për panik, e tëra është duke u bërë në kuadër të planifikimeve.

"Në çdo shtet kur ka festa të ndryshme përgatitet çdo institucion, po ashtu edhe policia për t'i mbrojtur qytetarët e saj. Ne duhet të jemi të siguruar dhe s'ka nevojë për panik, sepse nuk kemi marrë as paralajmërime e as kërcënime për ndonjë sulm terroristë. Kosova është shtet stabil dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nëpër festa ka qarkullim të shtuar të qytetarëve dhe siguria nga ana e policisë është shumë normal, edhe pse nuk më takon të përzihem në punët e policisë", ka thënë Hoxha për Telegrafin.

Telegrafi ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani për të marrë informata lidhur me aktivitetet e shtuara të Policisë.

Kelani, në një prononcim për Telegrafin potencoi se Policia nuk ka asnjë paralajmërim ose kërcënim për ndonjë sulm terroristë.

I pyetur se pse ambasada Amerikane citon në njoftimin e saj "sulme terroriste", ai tha: "Ambasada Amerikane ka njoftuar qytetarët e saj ashtu siç bën në çdo njoftim që lëshon nëpër festa të ndryshme. Nuk ka nevojë për panik".

Por, burime të Telegrafit brenda institucioneve të sigurisë sqarojnë se përse janë disa aktivitete për rritjen e sigurisë në vend.

Sipas burimeve tona, ka indikator të jashtëm që janë të interesuar për destabilizim të rajonit.

Edhe pse vlerësohet se gjendja e sigurisë së Kosovës është stabile, organet e rendit duan të jenë në gjendje gatishmërie për çdo eventualitet.

Këto burime po ashtu thonë se nuk ka arsye për panik dhe shtimi i masave të sigurisë nuk është arsye për tu brengosur, por institucionet e sigurisë dëshirojnë të marrin masa preventive.

The post Organet e rendit: Situata është nën kontroll, nuk ka arsye për panik appeared first on Mesazhi.com.

Tarifat e reja shtrenjtojnë energjinë elektrike

Posted: 14 Apr 2017 02:40 AM PDT

Zbatimi i tarifave të reja të energjisë elektrike, ka ngritur çmimin e rrymës për një numër të madh të konsumatorëve, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, përderisa autoritetet thonë se çmimet e strukturës se re paraqesin çmime mesatare të tarifave të nivelit të vitit 2016.

Ndryshe, nga fillimi i këtij muaji, autoritetet kompetente kanë filluar zbatimin e tarifave të reja të energjisë elektrike të cilat, siç thuhet, synojnë thjeshtëzimin që konsumatorët të kontrollojnë konsumin e tyre.

Si rezultat i këtij ndryshimi, më nuk aplikohen tarifat sezonale (verë – dimër) kurse konsumatorët familjarë më nuk do të paguajnë sipas blloqeve tarifore në bazë të nivelit të konsumit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Adelina Murtezaj, zëdhënëse në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës, që njihet me shkurtesën ZRRE.

"Me strukturën e re, tek të gjithë konsumatorët do të aplikohen vetëm tarifat ditore – tarifa e lartë dhe e ulët (ditë-natë). Dhe kjo është bërë për shkak të konsumit të përgjithshëm dhe kapaciteteve të përgjithshme që Kosova ka për gjenerim të energjisë. Prej tash e tutje, çdo kilovat i orës për secilin konsumator për periudhën e natës do të kushtojë për 0.3 cent, kurse për tarifën e ulët të ditës do të kushtojë 0.7 cent", ka thënë Murtezaj.

Por, Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se tarifat e reja shtrenjtojnë energjinë elektrike për shumicën e konsumatorëve të amvisërisë të cilët kanë shpenzuar deri në 600 kilovat orë energji elektrike gjatë një muaji.

Sipas tij, mbi 80 për qind e konsumatorëve në Kosovë kanë shpenzuar deri në 600 kilovat.

Sipas hulumtimeve që ka bërë kjo organizatë, rezulton se energjia elektrike për një numër të konsumatorëve do të shtrenjtohet prej 15 deri në 30 për qind.

"Ne kemi bërë disa kalkulime për tre lloj konsumatorësh. Për ata që shpenzojnë më pak, mesatarisht dhe ata që shpenzojnë shumë dhe kemi dalur me kalkulime se në tërësi gjatë vitit, konsumatorët që kanë shpenzuar prej 400 deri 600 kilovat, do t'u shtrenjtohet rryma për 15 për qind si mesatare vjetore, kurse gjatë verës mbi 30 për qind".

"Kurse konsumatorëve më të mëdhenj, të cilët kanë shpenzuar nga 1000 – 2000 kilovat orë energji ata do të pësojnë një ulje e cila do të jetë ekuivalente me këtë rritjen, që do të paguajnë shtresat më të ndjeshme të shoqërisë", ka thënë Abazi.

Edhe disa qytetarë pohojnë se ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike, është maskim i formës se veprimit të autoriteteve kompetente. Aziz Islami, me profesion skulptor, konsideron se ndryshimi i tarifave nënkupton rritje të çmimit të këtij produkti.

"Është një formë kamuflazhe te qytetarët për të zbutur situatën. Zbatimi i tarifave të reja nuk është në favor të qytetarëve, sepse edhe ashtu çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë. Për mua kjo është kamuflazh që në një mënyrë më rehabilitu masën".

Tarifa e re e energjisë sipas autoriteteve kompetente do të nxis konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e ditës në kohën e natës.

Nga data 1 prill deri më 30 shtator tarifa gjatë ditës do të jetë tarifë e lartë që aplikohet në mes të orës 08:00h – 23:00h, ndërsa gjatë natës do të jetë tarifa e ulët e aplikueshme prej orës 23:00h – 08:00h.

Përderisa, nga 1 tetori deri më 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00h – 22:00h dhe tarifa gjatë natës do të jetë në mes të orës 22:00h – 07:00h.

Sidoqoftë, deri para këtij muaji në Kosovë janë zbatuar disa struktura të tarifave me pakicë të energjisë elektrike, me çmime të ndryshme, ndërsa janë ndarë edhe për sezonin veror dhe dimëror.

Gjatë sezonit të dimrit për konsumatorët që kanë shpenzuar deri në 600 kilovat, çmimi i energjisëka qenë nga 2.79 centë deri në 11.17 centë.

Kurse, gjatë sezonit të verës këta konsumatorë kanë paguar për kilovat të rrymës se shpenzuar nga 1.99 centë deri në 8.00 centë.

The post Tarifat e reja shtrenjtojnë energjinë elektrike appeared first on Mesazhi.com.

Veseli: Opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë

Posted: 14 Apr 2017 02:37 AM PDT

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë sot pas mbledhjes së kryesisë se vetëm mosvendimmarrja mund ta rrëzoj koalicionin qeverisës, shkruan arbresh.info.

Veseli ka thënë se opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë.

"Kosova nuk duhet të stagnoj por duhet të ecë përpara. Koalicioni mund të rrëzohet vetëm nëse nuk ka vendimmarrje por opozita nuk mundet me rrëzu. Unë pres shumë shpejt që të kemi vendimarrje të mëdha në Kuvend dhe Qeveri", ka thënë Veseli.

The post Veseli: Opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë appeared first on Mesazhi.com.

Thaçi i ndan “Urdhrin e lirisë” senatorit McCain

Posted: 14 Apr 2017 02:27 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë çmimin "Urdhri i lirisë", senatorit amerikan, John McCain. Ky çmim atij i është ndarë për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për thellimin e partneritetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Në botë ka pak njerëz si ju që mëshirojnë vlerat e lirisë. E tërë jeta e juaj është një moment i gjallë në përpjekjet e juaja për liri deri në vetëmohim", ka thënë me këtë rast, Thaçi.

"Në ditët tona më të vështira si komb, ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj. Ju u bëtë zëri ynë, kur ne nuk kishim zë", theksoi tutje presidenti i Kosovës.

"Ju me punën dhe angazhimin për çlirimin e Kosovës, dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit, por e drejtë fundamentale e të gjitha kombeve, e të gjitha vendeve", tha Thaçi, duke i ndarë medaljen presidenciale senatorit republikan, McCain.

Në anën tjetër, MCain tha se ndihej i nderuar për këtë çmim që pranoi nga presidenti dhe populli i Kosovës.

"Ndihem krenar që ndodhem këtu. Të gjithë e dimë se ka nevojë për më shumë punë dhe përparime, por ju keni arritur mjaftë shumë", tha McCain.

"Jam këtu të tregoj mbështetjen dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që Kosova të mbetet një vend i lirë, i fuqishëm dhe i bukur siç është edhe sot", ka thënë ndër tjera senatori amerikan.

Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rris ndikimin politik dhe ekonomik.

Të enjten, ai është pritur në Prishtinë nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ka vizituar ushtarët amerikan të KFOR-it.

Në një fjalim para Kuvendit të Kosovës, senatori John McCain ka premtuar vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, si edhe për rajonin në përgjithësi.

The post Thaçi i ndan "Urdhrin e lirisë" senatorit McCain appeared first on Mesazhi.com.

Mocioni ndaj Qeverisë, javën tjetër

Posted: 14 Apr 2017 01:58 AM PDT

Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë se janë në pritje të nënshkrimeve të deputetëve të pozitës për mocionin e votëbesimit për Qeverinë.

Ajo pret qe deri kah fundi i javës se ardhshme mocioni të procedohet në Kryesi të Kuvendit.

Bajrami nuk ka treguar numrin e nënshkrimeve qe kanë arritur deri më tani.

Ajo pret qe mocioni në fjalë të përkrahet edhe nga deputetët e pushtetit, raporton ‘Indeksonline’.

Bajrami pas mbledhjes se Kryesisë se Kuvendi, ka bërë me dije se më 18 prill do të mbahet vazhdimi i seancës, ndërsa më 19 prill do të ketë seancë të re.

The post Mocioni ndaj Qeverisë, javën tjetër appeared first on Mesazhi.com.

Thaçi takon senatorin amerikan McCain

Posted: 14 Apr 2017 01:21 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim senatorin amerikan dhe mikun e Kosovës, John McCain.

Senatori McCain i cili po qëndron për vizitë në Kosovë gjatë ditës së djeshme është takuar me kryeministrin Isa Mustafa, krye parlamentarin Kadri Veseli si dhe i është adresuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij para ligjvënësve kosovarë ka konfirmuar mbështetjen e ShBA-së për Kosovën dhe popullin e saj.

Gjithashtu ai ka thënë se Ushtria e Kosovës duhet të bëhet përmes ndryshimeve Kushtetuese.

Mes tjerash, amerikani ka deklaruar se dialogu me Serbinë është jetik për rrugën drejt integrimit evropian.

The post Thaçi takon senatorin amerikan McCain appeared first on Mesazhi.com.