“I zgjedhuri i Trumpit bën betimin si gjykatës i Gjykatës Supreme” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- I zgjedhuri i Trumpit bën betimin si gjykatës i Gjykatës Supreme
- Spanja ndalon një “haker rus” me kërkesë të SHBA-së
- Ekspertët: Kosova ka Kushtetutë jofunksionale
- Zyrtari i Këshillit të Evropës i shqetësuar për drejtësinë në Kosovë
- Maqedonia në bllokadë institucionale
- McCain: Zhvillimet në Evropën Lindore kanë rëndësi të madhe për SHBA-të
- Maqedoni: Qindra vetë protestuan kundër helmimit të qenve endacakë
- Ish-prokurori amerikan Bharara – therrë në sy për Rusinë
- Shqipëri: Protesta e opozitës – kërcënim për zgjedhjet lokale
- Budapest: Mijëra vetë demonstruan në mbështetje të Sorosit
- Rohani paralajmëron kundër aksioneve të tjera të SHBA-së ndaj Assadit
- Jep dorëheqje shefja e Bankës Qendrore të Ukrainës
- Lirohet nga burgu lideri opozitar rus
- Suedi: Përkujtohen viktimat e sulmit me kamion
- Kremlini: Nuk planifikohet takim Putin-Tillerson
- Faktorët që radikalizuan dhe i dërguan në luftë të rinjtë nga Kosova
- Bibilov fiton zgjedhjet presidenciale në Osetinë Jugore
- Navalny sot pritet të lirohet nga burgu
- Somali: Sulm vetëvrasës në një bazë ushtarake
- Digjet një tempull fetar në Tatarstan
| I zgjedhuri i Trumpit bën betimin si gjykatës i Gjykatës Supreme Posted: 10 Apr 2017 09:20 AM PDT Neil Gorsuch u betua si gjykatës i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, vetëm pak ditë pasi emërimi i tij nga presidenti Donald Trump u konfirmua në Senat. Gorsuch, 49 vjeç, bëri betimin në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë. Emërimi i gjykatësit Gorsuch në Gjykatën Supreme vjen pas një beteje njëvjeçare politike për të mbushur vendin bosh. Ligjvënësit republikanë kanë refuzuar të marrin në konsideratë gjykatësin Merrick Garland, i emëruar nga ish-presidenti Barack Obama, për të zëvendësuar gjykatësin Antonin Scalia, i cili ka vdekur në shkurt të vitit të kaluar. Republikanët kanë insistuar se vendi duhet të plotësohet nga presidenti i zgjedhur në zgjedhjet e nëntorit, 2016. Zgjedhja e Trumpit rikthen shumicën konservatore në gjykatë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Spanja ndalon një “haker rus” me kërkesë të SHBA-së Posted: 10 Apr 2017 08:08 AM PDT Autoritetet spanjolle thanë se kanë ndaluar një haker të dyshuar rus, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara. Pyotr Levashov u ndalua më 7 prill në Barcelonë, tha një zëdhënëse e Gjykatës Kombëtare të Spanjës për agjencinë Associated press. Televizioni rus RT citoi gruan e Levashovit, Maria, të ketë dhënë disa detaje për rastin. "Arrestimi është bërë në lidhje me një virus që duket se është krijuar nga burri im dhe lidhet me fitoren e (presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald) Trump", tha ajo. Policia spanjolle nuk e konfirmoi lidhjen me zgjedhjet në SHBA, ndërsa ambasada amerikane nuk pranoi të komentojë për AP-në. Por, agjencia e lajmeve AFP, duke u thirrur në burime të paidentifikuara, tha se Levashov "dyshohet se ka marrë pjesë në piraterimin e fushatës zgjedhore në SHBA". Në janar, komuniteti i ineligjencës në SHBA konstatoi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar ndërhyrjen në sistemin zgjedhor në SHBA, vitin e kaluar, për t'i ndihmuar Donald Trumpit të zgjidhet president. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ekspertët: Kosova ka Kushtetutë jofunksionale Posted: 10 Apr 2017 08:00 AM PDT Nëntë vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, aktin më të lartë juridik vazhdojnë ta përcjellin sfida të pakalueshme të ndryshimit. Për këto nëntë vjet, u ndërmorën disa nisma për ndryshimin dhe amendamentimin e kësaj Kushtetute, por të cilat në fund u përmbyllën pa sukses. Si shtet shumëetnik, Kosova ka një Kushtetutë e cila mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton vota e dy të tretave të numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë. Si e tillë, Kushtetuta e Kosovës, sipas ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, në disa raste e ka bllokuar vendin në shumë procese të rëndësishme. Aktualisht, ndryshimet kushtetuese po e mbajnë peng formimin e Ushtrisë së Kosovës. Ish-diplomati amerikan dhe shef i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën në vitin 2000, Louis Sell, i tha Radios Evropa e Lirë se bashkësia ndërkombëtare ia ka përshkruar Kosovës, në një mënyrë, një Kushtetutë jofunksionale dhe tani duhet t'i ndihmojë Kosovës që përmes procedurave kushtetuese ta krijojë ushtrinë. Sell thotë se është e kuptueshme që Kosova e do ushtrinë e saj, por ky proces varet nga marrëdhëniet e saj me vendet perëndimore dhe prandaj Kosova duhet ta kuptojë seriozisht atë që i thonë miqtë – që ky proces të kryhet përmes ndryshimeve kushtetuese. "Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare është ajo që, në një mënyrë, e ka ngarkuar Kosovën me një Kushtetutë jofunksionale, e cila një grupi i mundëson që nën udhëzimet e një shteti tjetër të bllokojë ndryshimet e mëdha, siç janë këto". "Tani varet nga bashkësia ndërkombëtare që duhet të përcjellë procedurat kushtetuese për të gjetur mënyrën se si të ndodh kjo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kosova duhet të shoh interesat e saj", tha Sell. Sipas tij 'Kosova duhet të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare gjithnjë deri sa ajo të luan drejt'. Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i në Qeverinë e Kosovës dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta, që nga miratimi i saj është sfiduar, por sipas tij, janë ndërtuar edhe mekanizma që e mbrojnë Kushtetutën nga sfidimet. "Ka nevojë që Kushtetuta të jetë edhe më evolutive se sa që është norma juridike. Natyrisht veçantia e ndryshimit ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve shtetërore. Kjo ka ndodhur edhe më herët. Por, tani ka të bëjë sa u përket kapaciteteve të armatës së Kosovës. Ajo çka dua të them që shtrirja e saj, respektimi i saj, është për tërë territorin e vendit, por njëkohësisht kërkohet, po e quaj, respektim nga të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës pa marrë parasysh etninë e tyre", tha Kuçi Kuçi tha se Kushtetuta e vendit ka lejuar që të vihen bazat e shtetit sovran dhe demokratik dhe, siç tha ai, aty janë të parapara mundësitë dhe detyrat që të inkorporohen minoritetet në kuadër të institucioneve dhe shoqërisë. "Ndryshimet politike që kanë ndodhur në vitin 2014 me Listën Serbe, kanë krijuar pengesa të tilla, e kundërta ka qenë më herët, kur asnjë pengsë në ndërtimin e institucioneve tona nuk ka ndodhur", tha Kuçi. Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute, rrjedh nga Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, i presidentit Marti Ahtisaari, ku u janë përshkruar të drejtat e veçanta grupeve minoritare. Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se në vend se Kushtetuta të shtyjë dhe ndihmojë proceset zhvillimore, ajo paraqitet si bllokuese dhe pengues e proceseve. "Koha ka dëshmuar, pas kaq vitesh aplikimi të Kushtetutës, që thjesht ato mekanizma janë më tepër bllokues dhe barriera krijues sesa shtytës, ndihmues dhe mobilizues të zhvillimit dhe të avancimit të proceseve edhe politike edhe të zhvillimit ekonomik- social dhe gjithëpërfshirës. E po ashtu edhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës. Instrumentet e instaluara në këtë Kushtetutë kanë vend në udhëkryq zhvillimin e mëtejmë të vendit, por edhe nxjerrjen ose miratimin e vendimeve me karakter dhe interes vital për vendin", tha Baraliu. Mekanizmat normativ që janë inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës, thotë Baraliu, kanë qenë politikë dhe imponues, andaj, sipas tij, ato tani duhet ndryshuar. "Kjo Kushtetutë, përkundër anësisë që ka historike, përkundër faktit që është një libër i shenjtë, ose do të duhej trajtuar si një lloj libri i shenjtë, ajo për faktin se është një produkt i imponuar apo më mirë thënë është produkt i një projekti politik i cili është tejkaluar, po flas për propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, i cili është i tejkaluar, andaj kjo Kushtetutë duhet domosdoshmërish të rishkruhet fill dhe fund", u shpreh Baraliu. Akti më i lartë juridik ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumëtnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera.(REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Zyrtari i Këshillit të Evropës i shqetësuar për drejtësinë në Kosovë Posted: 10 Apr 2017 07:20 AM PDT Komisionari për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muiznieks, ka shprehur sot shqetësim se 18 vjet pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, mijëra njerëzve ende u mohohet drejtësia. Zoti Muiznieks, i cili në muajin shkurt e kishte vizituar Kosovën, në memorandumin e publikuar sot në Internet, tha se Kosova, me popullatë shumicë shqiptare dhe me një minoritet serb, duhet "ta ndryshoj kursin dhe ta ndërtoj një shoqëri të drejtë dhe kohezive" duke i ndjekur penalisht krimet e kohës së luftës, me promovimin e tolerancës ndëretnike, duke u kujdesur për personat e zhvendosur dhe për qartësimin e 13 vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve në vitet e pasluftës. "Kushtet kryesore për arrritjen e kësaj, janë që të ndiqen penalisht dhe të dënohen efektivisht të gjithë personat e involvuar në krimet e kohës së luftës, qartësimit të fatit të të gjithë personave të zhdukur, viktimave të luftës tu jepet kompensimi adekuat dhe të lehtësohet kthimi vullnetar i personave të zhvendosur", tha Muiznieks. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedonia në bllokadë institucionale Posted: 10 Apr 2017 06:57 AM PDT Debati në Parlamentin e Maqedonisë për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni, që u propozua nga shumica e re parlamentare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, vazhdon të zgjatet përmes pengesave procedurale të VMRO- DPMNE-së. Social Demokratët në foltoren e parlamentit në vazhdimin e dhjetë të seancës parlamentare thanë se deputetët e VMRO DPMNE do të vazhdojnë të mos e përfillin rregulloren e punës së institucionit ligjvënës duke bllokuar kështu zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit të Maqedonisë gjersa të marrin një garanci përkatësisht siç thonë "një fletë e bardhë në të cilën do të shkruhet se amnistohet Nikolla Gruevski për krimet që ka bërë" "Bllokimi i zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë ka për qëllim që të mbrojë të gjithë ata të cilët kanë kryer aktivitetet kriminale dhe më e keqja është se akoma vazhdohet me krim përmes shpalljes së tenderëve në formë joligjore. Tani zhvillohet beteja që Maqedonia të shpëtojë nga vjedhja e pa skrupull e atyre që me vite e kanë uzurpuar shtetin", ka theksuar deputetja e LSDM-së Radmilla Shekerinska. Sipas saj, demokracia në vend "po shkelet sepse VMRO DPMNE nuk dëshiron ta përfillë shumicën parlamentare dhe VMRO DPMNE pasi më nuk i ka numrat, të shkojë në opozitë dhe t'i çlirojë institucionet nga uzurpimi partiak". Nga ana tjetër deputetët e VMRO DPMNE -së vazhdojnë të fokusojnë debatin në funksion të mbrojtjes së shtetit nga siç kanë theksuar implementimi i "Platformës së Tiranës" së firmosur nga partitë politike shqiptare përmes së cilës siç kanë theksuar Zoran Zaev dëshiron të bëhet kryeministër. "Që të mos kemi destabilizim të shtetit, mos të kemi probleme, trazira ka një zgjidhje të thjeshtë. Ajo është; të shpaloset gjithçka për çka është arritur ujdi në Tiranë. Qytetarët duhet të jenë të informuar. Kërkojmë të shkohet sërish në zgjedhje dhe ajo platformë të marrë dhe pëlqimin e qytetarëve dhe pastaj Zaevi nëse arrinë të fitojë zgjedhjet të bëhet kryeministër dhe jo duke premtuar rrymë më të lirë, rritjen e pagës minimale ose heqjen e testimit ekstern për nxënësit e shkollave të mesme dhe atyre fillore dhe tash të futet në pushtet përmes platformës së një shteti të huaj", ka theksuar Ilia Dimovski deputet i VMRO DPMNE-së. Ndërkohë, Brukseli ka ripërsëritur qëndrimin se Komisioni Evropian pret që të gjithë liderët politik dhe institucionet në Maqedoni të lejojnë që të zhvillohen proceset demokratike, që sipas BE-së, të prezantuara nga zëdhënësja e KE Maja Kocijançiq, nënkupton zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit e më pas edhe Qeverinë e re pa humbur kohë. "Ne jemi duke ndjekur zhvillimin e ngjarjeve dhe në vazhdimësi flasim se si duhet të respektohen rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe ngecja e tanishme dhe Qeveria duhet të vendosen pa humbje kohe, bazuar në shumicën parlamentare e cila ekziston". "E dini se të dy, edhe përfaqësuesja e lartë dhe komisioneri Hahn kanë i kanë bërë thirrje kryetarit që të shqyrtojë pozicionin e tij. Ne tani presim që liderët politik dhe institucionet të lejojnë proceset demokratike të zhvillohen, ndërsa kjo përfshinë edhe përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që ne dëshirojmë ta shohim pa anulime", ka thënë Kocijançiq. Ndryshe, katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilët erdhën si rrjedhojë e krizës së thellë politike pas publikimit të bisedave të përgjuara mbetet e bllokuar seanca për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe konsolidimi i organeve të institucionit ligjvënës. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| McCain: Zhvillimet në Evropën Lindore kanë rëndësi të madhe për SHBA-të Posted: 10 Apr 2017 06:43 AM PDT Senatori amerikan, John McCain, ka thënë sot në Beograd se çdo gjë që ndodhë në pjesën lindore të Evropës është e rëndësisë jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Në konferencën e some për shtyp në Beograd, së bashku me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zoti McCain tha se është biseduar për atë se dy luftëra botërore kanë filluar në rajonin e Evropës Lindore dhe se nuk guxon të lejohet që të krijohet situatë në të cilën mund të përkeqësohet gjendja në rajon. Senatori McCain tha se shpreson se do të ketë zgjidhje paqësore, raporton agjencia Beta. "Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, mesazhi për kolegët e mi në Senat, presidentin dhe popullin amerikan, është se çdo gjë që ndodhë në pjesën lindore të Evropës është me interes jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve", tha McCain. Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët se a ka kërkuar senatori McCain, që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe t'i mbështesë sanksionet kundër Rusisë, kryeministri, Aleksandar Vuçiq, tha se me zotin McCain është biseduar "sinqerisht dhe hapur", por asnjëra prej këtyre çështjeve nuk është inicuar "në këtë mënyrë". "Kam thënë se ne dëshirojmë neutralitet ushtarak. Kemi bashkëpunim partneriteti me NATO-n, bëjmë ushtrime uhstarake edhe me rusët dhe me amerikanët. Dëshirojmë lidhje të mira me Rusinë, por nga aspekti strategjik gjendemi në rrugën evropiane. Kjo është politika jonë reale, prandaj Serbia është partner i besueshëm dhe për këtë arsye na respektojnë në Moskë, Uashington dhe Bruksel", tha Vuçiq. Mëtutje, ai ka theklsuar se senatorin amerikan e ka njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohet Beogradi në vazhdimin e procesit të dialogut me shqiptarët e Kosovës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedoni: Qindra vetë protestuan kundër helmimit të qenve endacakë Posted: 10 Apr 2017 06:24 AM PDT Qindra vetë kanë marrë pjesë dje në Shkup në protestën kundër helmimit aktual të qenve endacakë në disa qytete në Maqedoni. Pamjet e dhjetëra qenve të helmuar vetëm në Shkup, gjatë muajit të kaluar, i kanë alarmuar aktivistët për mbrojtjen e shtazëve, raporton agjencia, Associated Press. Radmilla Peshteva, nga grupi për mbrojtjen e shtazëve, Anima Mundi, ka tërhequr vërejtjen se furnizimi me helm është legal në treg dhe ka kërkuar nga autoritetet që ta rregullojnë shitjen e tij. Ajo, po ashtu, kërkon ndëshkimin e atyre që i helmojnë qentë. Helmimi i qenve endacakë ka filluar para një muaji, meqë një çun 4 vjeçar, pat vdekur në spital, disa ditë pasi ishte sulmuar nga qentë afër qytetit të Kërçovës. Pas vdekjes së tij, në mediat sociale ka pasur thirrje të shumta për zhdukjen e qenve endacakë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ish-prokurori amerikan Bharara – therrë në sy për Rusinë Posted: 10 Apr 2017 06:16 AM PDT Mbështetësit e ish-prokurorit, Preet Bharara, ndoshta mund ta kritikojnë shkarkimin e tij nga posti i prokurorit federal, që nga administrata e presidentit, Donald Trump, është karakterizuar si ndërrim rutinor nën presidentin e ri. Por, me gjasë, shkarkimi i Bhararës nga Moska nuk do të ndiqet me derdhje të lotëve, por përkundrazi kjo mund t'i gëzoj rusët. Dikur prokuror amerikan për Qarkun Jugor të Nju Jorkut, i emëruar në vitin 2009, ai i ka udhëhequr shumë raste të profilit të lartë të ndjekjeve penale, që i kanë trazuar qarqet e fuqishme në Moskë. Kjo, përfundimsisht, ka çuar në përfshirjen e tij në listën e sanksioneve të Rusisë. Në vazhdim i paraqesim disa nga rastet e ndërlidhura me Rusinë, të proceduara nga Zyra e prokurorit të dikurshëm, Preet Bharara, gjatë mandatit të tij shtatëvjeçar. "Shitësi i vdekjes" dhe piloti Ekziston pajtueshmëri e përgjithshme se dy rastet e zotit Bharara, që në mënyrë publike e kanë zemëruar më së shumti Moskën, janë ai i shitësit të armatimit ushtarak, Viktor Bout, ish-oficer i forcës së dikurshme ajrore sovjetike, i njohur edhe me ermin "Shitësi i vdekjes", dhe piloti, Konstantin Yaroshenko. Të dy ata janë shtetas të Rusisë dhe aktualisht janë në vuajtje të dënimeve të gjata me burg në Shtetet e Bashkuara, pasi janë shpallur fajtorë për akuza për konspiracion, të ndërlidhura me trafikim të armatimit (Bout) dhe narkotikëve (Yaroshenko). Të dykëta njerëz janë zënë në vendet e treta dhe menjëherë janë ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, praktikë që është kritikuar ashpër nga Moska, e cila i ekstradimet e tyre i ka cilësuar si rrëmbime. Në atë që gjërësisht konsiderohet si hakmarrje për involvimin e tij në këto dy raste, Bharara është përfshirë në listën e sanksioneve të Rusisë, në vitin 2013, të publikuar si përgjegje ndaj listës amerikane, Akti Magnitsky, ku janë përfshirë, shkelsit e të drejtave të njeriut në Rusi. Gjatë shpalljes së listës së zezë, Ministria e jashtme e Rusisë pat thënë se Bharara i kishte shkelur "të drejtat dhe liritë e shtetasve rusë jashtë vendit". Hakerët Zyra e prokurorit të dikurshëm, Preet Bharara, i ka proceduar disa raste kundër hakerëve rusë dhe kriminelëve të tjerë kibernetikë. Këto raste, po ashtu e kanë tmerruar Moskën. Në këto raste në shënjestër ishin rusët e akuzuar për shkallë të gjërë të vjedhjes me kartela kreditore dhe me depërtime në xhirollogaritë bankare. Njëri prej këtyre të dyshuarve, me sukses i ndjekur nga zyra e Bhararës, ishte Nikita Kuzmin, djali i yllit të rok muzikës ruse, Vladimir Kuzmin, që nga këngëtarë amerikanë ishte dikur cilësuar si "super talent muzikor". Mospajtimi kryesor i Rusisë me akuzat për krime kibernetike kundër rusëve, të udhëhequra nga Zyra e zotit Bharara, ishte praktika e arrestimeve në vendin e tretë. Në një rast të tillë ishte i involvuar, Vladimir Drinkman, të cilin Holanda e dorëzoi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2015, dhe i cili përfundimisht e pranoi fajësinë për involvim në një skemë masive të krimit kibernetik, në shënjestër të të cilit ishin kompanitë kryesore amerikane dhe ato multinacionale, siç janë, NASDAQ, Carrefour, Dow Jones, Jet Blue, e të tjera. Pas ekstradimit të të akuzuarit Drinkman, Ministria e jashtme e Rusisë, u ka tërhequr vërejtjen shtetasve rusë për rreziqet e udhëtimit në vendet të cilat kanë marrëveshje të ekstradimit me Shtetet e Bashkuara. Vigjilent kundër spiunëve Zyra Bharara ishte thellë e involvuar në rastn më të njohur Shtetet e Bashkuara – Rusi, prej rënies së Bashkimit Sovjetik: arrestimi i 10 agjentëve sekretë rusë në vitin 2010, të cilët përfunndimisht iu dorëzuan Moskës në këmbimin e spiunëve. Këtë rast e ka ndjekur Qarku Jugor në Nju Jork, në të cilin rusët e pranuan fajësinë se kanë vepruar si agjentë të jashtëm të paregjistruar, ndërsa për kushtet e marrëveshjes për këmbim, ishin zhvilluar negociata të nivelit më të lartë të qeverive të dy vendeve. "Këro arrestime dhe ndjekjet penale dërgojnë mesazh te secila agjenci tjetër e inteligjencës se nëse ju vini në Amerikë dhe spiunoni kundër amerikanëve në Amerikë, ju do të zbuloheni dhe arrestoheni", u pat thënë Bharara gazetarëve, pasi rusët u ishin dorëzuar autoriteteve qeveritare të Rusisë, në aeroportin e Vjenës, në korrik të vitit 2010. Këtë rast, zoti Bharara e ka përmendur edhe derisa prokurorët federalë patën shpallur akuza kundër personit, Yevgey Buryakov, i cili ishte akuzuar se punonte për inteligjencën ruse në Nju Jork, i fshehur si nëpunës i bankës zhvillimore, Vneshekonombank, që ishte pronë shtetërore ruse. "Pas ndjekjes së mëparshme penale së bashku me FBI-në, të spiunëve rusë, të cilët janë dëbuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2010, arrestimi i Yevgeny Buryakovit dhe akuzat kundër tij dhe bashkëfajtorëve, e bëjnë të qartë se më tepër se dy dekada prej përfundimit të supozuar të Luftës së Ftohtë, spiunët e Rusisë vazhdojnë të synojnë të operojnë të fshehur në mesin tonë", tha Bharara. Moska e ka kritikuar arrestimin e Buryakovit, duke i akuzuar amerikanët se po ndërmarrin "fushatë antiruse" dhe po "i ripërtrijnë praktikat e tyre favorite të rritjes së pasioneve për spiunim". Buryakov përfundimisht e pranoi fajësinë dhe është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, në maj të vitit 2016. Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shqipëri: Protesta e opozitës – kërcënim për zgjedhjet lokale Posted: 10 Apr 2017 06:13 AM PDT Partitë opozitare në Shqipëri kanë njoftuar sot se do të mbajnë një protestë kombëtare më 7 maj, në qytetin e Kavajës, ku mbahen zgjedhje lokale. Njoftimi i sotëm i opozitës sugjeron se planifikohet shkatërrim i votimeve. Partia Demokratike opozitare tha se nuk do të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kështu që kjo do të thotë se i bojkoton zgjedhjet në Kavajë dhe ato parlamentare më 18 qershor, derisa koalicioni aktual qeverisës të pajtohet për krjimin e një qeverie teknike, që do ta çonte Shqipërinë në zgjedhje. Në Kavajë mbahen zgjedhje të reja, pasi mandati i ish-kryetarit të qytetit ishte anuluar për shkak të së kaluarës së tij kriminale, raporton AP nga Tirana. Prej mesit të muajit shkurt, anëtarët e opozitës e kanë bllokuar bulevardin kryesor të Tiranës. Opozita, po ashtu, po e bojkoton edhe Kuvendin e Shqipërisë, duke e pamundësuar fillimin e reformave në drejtësi, që do t'i mundësonte Shqipërisë lansimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Budapest: Mijëra vetë demonstruan në mbështetje të Sorosit Posted: 10 Apr 2017 06:06 AM PDT Dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar dje rrugëve të kryeqytetit Budapest në Hungari, për të protestuar kundër legjislacionit të ri, i cili mund ta detyroj një unviersitet të financuar nga miliarderi amerikan, George Soros, që të largohet nga Hungaria. Demonstruesit kanë kërkuar nga presidenti i Hungarisë, Janos Ader, që të mos e nënshkruaj një legjislacion lidhur me këtë çështje dhe ta dërgoj atë në Gjykatën Kushtetuese. Më 4 prill, parlamenti i Hungarisë e ka miratuar këtë ligj, i cili kërkon që universitetet e jashtme në Hungari ta kenë kompleksin e tyre dhe në vendet e tyre të origjinës të kenë kurse të ngjashme. Shumë persona në Hungari mendojnë se ky legjislacion e ka në shënjestër Universitetin e Evropës Qendrore (CEU) në Budapest, të cilin qeveria nacionaliste e kryeministrit, Viktor Orban, e sheh si qendër të fuqishme të opozitës liberale. Sipas legjislacionit, CEU do të mund të detyrohej të mos pranonte studentë në vitin 2018 dhe përfundimisht të mbyllej në vitin 2021. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rohani paralajmëron kundër aksioneve të tjera të SHBA-së ndaj Assadit Posted: 10 Apr 2017 05:51 AM PDT Presidenti iranian, Hassan Rohani ka paralajmëruar kundër aksioneve të mëtejme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara ndaj qeverisë së presidentit sirian Bashar al-Assad, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte "shumë e rrezikshme" për rajonin. Këto komente Rohani i bëri më 10 prill në një konferecnë për media në Teheran. Më 7 prill, SHBA sulmoi me 59 raketa të tipit tomahawk një bazë ajrore në Siri, në përgjigje të sulmit kimik ndaj civilëve në Siri. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, po atë ditë tha se SHBA është e "përgatitur të bëjë më shumë", por tha se shpreson që nuk do të jetë e nevojshme për një gjë të tillë. Rohani, vendi i të cilit mbështetë Assadin, ka ripërsëritur dënimin e sulmeve të SHBA-së dhe thirrjet për hetim ndërkombëtar për incidentin vdekjeprurës në qytetin sirian, Khan Sheikhoun. Rusia dhe qeveria e Assadit kanë thënë se forcat qeveritare kanë goditur një ndërtesë në zonën e kontrolluar nga rebelët. Sipas tyre, në atë ndërtesë kishte pasur armë kimike. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Jep dorëheqje shefja e Bankës Qendrore të Ukrainës Posted: 10 Apr 2017 05:17 AM PDT Shefja e bankës qendrore të Ukrainës, Valeria Hontareva ka dhënë dorëheqje për shkak të presionit politik. Hontareva, një reformiiste që ka marrë mbështetjen nga Perëndimi, u ka thënë gazetarëve në Kiev se ajo ja ka dërguar letrën e dorëheqjes, presidentin Petro Poroshenko. "Mendoj se misioni im është kryer pasi reformat janë zbatuar", ka thënë ajo. Ajo ka shtuar se pasardhësi i saj do të përballet me presionin e njëjtë politik, me të cilin është ballafaquar ajo. Hontareva ka shtuar se ajo dëshiron që Banka Kombëtare e Ukrainës, të jetë e pavarur nga politika. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Lirohet nga burgu lideri opozitar rus Posted: 10 Apr 2017 05:12 AM PDT Një bashkëpunëtor i liderit opozitar rus, Aleksei Navalny ka thënë se kritiku i Kremlini është liruar nga burgu, pasi ka vuajtur dënimin prej 15 ditësh burgim, për shkak të organizimit të protestave anti-korrupsion në Moskë. Bashkëpunëtori i Navalny, Leonid Volkov, u ka thënë gazetarëve, të cilët ishin mbledhur para ndërtesës së burgut, se ai ishte dërguar në një ndërtesë tjetër në Moskë, prej ku ishte liruar nga burgu. Navalny ishte dënuar me 15 ditë burgim për organizimin e protestave të 26 marsit. Qeveria ruse ka thënë se protestat ishin të paligjshme, pasi autoritetet në Moskë nuk kishin dhënë leje për mbajtjen e tyre. Më 26 mars, në dhjetëra qytete në mbarë Rusinë u organizuar protesta anti-qeveritare. Vetëm në Moskë u arrestuan mbi 1 mijë persona. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Suedi: Përkujtohen viktimat e sulmit me kamion Posted: 10 Apr 2017 04:59 AM PDT Në Suedi është mbajtur një minutë heshtje, në kujtim të viktimave nga sulmi i javës së kaluar me kamion, që dyshohet se u krye nga një person nga Uzbekistani. Një turmë e madhe u mblodh në rrugën Drottininggatan, ku sulmuesi përplasi kamionin e tij në turmën e njerëzve, duke vrarë katër persona dhe plagosur 15 të tjerë. Një ceremoni e ngjashme zyrtare është mbajtur po ashtu në Stokholm, ku kanë marrë pjesë kryeministri Stefan Lofven, Mbreti Carl XVI Gustaf dhe shumica e anëtarëve e familjes mbretërore dhe kryetari i Stokholmit, Karin Wanngard. "Ne kurrë nuk do të dorëzohemi përpara dhunës. Ne kurrë nuk do lejojmë që terrori të fitojë", ka thënë Wanngard. "Stokholmi do të vazhdojë të jetë qyteti i hapur dhe tolerant", ka shtuar ai. I dyshuari i këtij sulmi është arrestuar disa orë pas sulmit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kremlini: Nuk planifikohet takim Putin-Tillerson Posted: 10 Apr 2017 04:02 AM PDT Kremlini thotë se nuk është planifikuar që Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës që kësaj jave do të zhvillojë në Moskë kryediplomati amerikan. "Ne nuk kemi njoftuar për asnjë takim dhe deri më tani nuk është planifikuar asnjë takim në mes të Tillersonit dhe presidentit", ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Tillerson është zyrtari më i lartë i SHBA-së që udhëton në Rusi, që prej se Donald Trump u zgjodh president. Ai pritet që më 12 prill të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Vizita e Tillersonit vjen në kohën kur raportet SHBA-Rusi janë përkeqësuar që prej sulmit me raketa të SHBA-së ndaj një baze ajrore siriane, të cilin, SHBA e kreu në kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike mbi civilët sirianë. Peskov ka thënë se aksionet e SHBA-së kanë treguar mungesën totale të vullnetit për të bashkëpunuar për Sirinë, dhe ka përsëritur thirrjet se largimi nga pushteti i presidentit sirian, Bashar al-Assad nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e krizës. Rusia ka mbështetur Assadin, në luftën civile gjashtëvjeçare, që ka lënë të vdekur mbi 300 mijë persona. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Faktorët që radikalizuan dhe i dërguan në luftë të rinjtë nga Kosova Posted: 10 Apr 2017 03:46 AM PDT Zanafilla e përhapjes së radikalizmit në Kosovë ndërlidhet me propagandën dhe veprimtarinë e disa organizatave të jashtme, të cilat krahas aktivitetit humanitar për çka ishin licencuar, zhvilluan edhe aktivitet propagandues e ideologjik. Kështu thuhet në raportin më të ri të Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, të titulluar: "Faktorët ndikues në radikalizim dhe ekstremizëm të dhunshëm". Ky raport është bazuar në hulumtimet e bëra në pesë qytete të Kosovës, ku përfshihen Peja, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj dhe Kaçaniku. Aty përmenden 19 faktorë që kanë ndikuar në përhapjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në zanafillën e përhapjes së radikalizmit, besohet se bën pjesë aktiviteti i disa organizatave të jashtme, kryesisht humanitare që vinin nga vendet e Lindjes së Mesme, por të cilat aktivitetin e tyre e kishin shtrirë për përhapjen ideologjive ekstremiste. Po ashtu, si faktorë me rëndësi veçohen edhe propaganda dhe ndikimi i rrjeteve sociale te të rinjtë, të cilët kishin rënë viktimë e përhapjes së ideologjive të dhunshme që përdornin fenë si instrument. Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti, tha se propagandat përmes së cilave bëhej instrumentalizomi i fesë për përhapjen e ideologjive ekstremiste të dhunshme, ishin përkthyer në gjuhën shqipe, çka kishte ndikuar edhe më shumë në përhapjen e tyre. "Mediat, kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të madh, fjala është për rrjetet sociale të jashtme, të përkthyera në gjuhën shqipe dhe gjuhët tjera, duke paraqitur formën e interpretimit të islamit sipas metodologjisë ekstremiste, radikale e cila është zhvilluar dhe zhvillohet në disa vende të Lindjes së Mesme", ka thënë Hamiti. Ndërkohë, drejtori i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, Burim Ramadani tha se të rinjtë ishin viktimë e propagandës dhe rrjeteve sociale, ngase shpesh ata i kuptuan mesazhet ideologjike si pjesë të informimit të tyre për fenë. Andaj, ai tha se me këtë hulumtim, u janë bërë disa rekomandime qeverisë, Kuvendit, komunave, organeve përkatëse dhe Bashkësisë Islame të Kosovës që të trajtojnë me seriozitet përhapjen e ideologjive të rrezikshme, duke shtrirë informimin e drejtë mbi fenë dhe tolerancën. "Për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) rekomandojmë që të përpilojë dhe fillojë zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për t'u përballur me propagandat të cilat kanë ndikim, respektivisht kanë qëllim indoktrinimin e të rinjve. Besojmë se askush më mirë se BIK-u nuk mund ta luftojë në mënyrë substanciale propagandën e tillë", ka theksuar Ramadani. Bashkësisë Islame të Kosovës i është rekomanduar po ashtu që të 'rris angazhimin dhe komunikimin me komunitetet dhe qytetarët në avancimin e promovimit të vlerave kombëtare dhe traditës fetare në Kosovë'. Si rezultat i propagandës, shumë të rinj në Kosovë, të cilët në masë të madhe mbeten të izoluar, pa punë dhe në gjendje jo të mirë ekonomike, e kuptuan fenë në mënyrë të gabuar, ka thënë profesori Hamiti. Ai ka sqaruar se feja islame dhe asnjë fe tjetër, nuk e promovon dhunën në asnjë rast. "Ata të cilët e përmendin emrin e Zotit për t'i luftuar të tjerët në emër të Zotit, ata janë kundër Zotit. Prandaj ne nuk kemi nevojë që praktikat e shoqërive që e kanë përdorur këtë metodë, t'i marrim dhe t'i provojmë në shoqërinë tonë, kur po shihet se ato janë të denigruara", ka thënë Hamiti. Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon. Autoritetet e sigurisë thonë se edhe rreth 140 persona kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë gra dhe fëmijë. Një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që një pjesë tjetër ende po përballen me drejtësinë. Autoritetet në Kosovë thonë se rehabilitimi i të radikalizuarve nuk mund të bëhet përmes amnistisë, por përmes "programeve rehabilituese dhe të risocializimit", pa përjashtuar edhe masat ligjore. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Bibilov fiton zgjedhjet presidenciale në Osetinë Jugore Posted: 10 Apr 2017 02:21 AM PDT Zyrtarët në rajonin separatist të Osetisë Jugore kanë thënë se kryeparlamentari i parlamentit de fakto, Anatoly Bibilov, ka fituar zgjedhjet presidenciale, të cilat nga Tbilisi dhe Perëndimi janë cilësuar si jolegjitime. Sipas komisionit të zgjedhjeve, pas 90 për qind të votave të numëruara, Bibilov ka fituar rreth 58 për qind të votave, që janë të mjaftueshme për të shmangur raundin e balotazhit. Ndërkaq, 78 për qind e votuesve kanë mbështetur propozimin për ndryshimin e emrit të rajonit nga Republika e Osetisë Jugore në Republika e Osetisë Jugore-Alania. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjeorgjia kanë thënë se zgjedhjet e 9 prillit janë të paligjshme dhe kanë thënë se nuk do të njohin rezultatin zgjedhor. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Navalny sot pritet të lirohet nga burgu Posted: 10 Apr 2017 02:20 AM PDT Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny pritet që të lirohet sot, pasi ka mbajtur 15 ditë burgim. Navalny ishte dënuar më 27 mars, vetëm një ditë pasi u arrestua gjatë protestës kundër korrupsionit, që e kishte organizuar në Moskë. Qeveria ruse thotë se protesta ishte e paligjshme, pasi autoritetet e qytetit nuk kishin dhënë leje për mbajtjen e saj. Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në disa qytete në mbarë Rusinë më 26 mars, që konsiderohen si protestat më masive kundër qeverisë, që prej një serie të tubimeve më 2011-2012, të cilat Navalny kishte ndihmuar të organizohesin. Vetëm në Moskë, mbi 1 mijë persona u arrestuan në protestën e 26 marsit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Somali: Sulm vetëvrasës në një bazë ushtarake Posted: 10 Apr 2017 01:49 AM PDT Një sulmues vetëvrasës ka shpërthyer eksplozivët e tij në një akademi ushtarake në perëndim të kryeqytetit somalez, duke lënë të vrarë të paktën 5 ushtarë, raporton AP. Koloneli Abdi Hassan ka thënë se sulmuesi ishte veshur me uniformë ushtarake dhe kishte hyrë në kampin trajnues mëngjesin e së hënës. Ai kishte detonuar eksplozivët e tij, pranë ushtarëve dhe oficerëve. Grupi ekstremist islamik në Somali, al-Shabab, ka marrë përgjegjësinë për sulmin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Digjet një tempull fetar në Tatarstan Posted: 10 Apr 2017 12:49 AM PDT Një trup i pajetë është gjetur pasi një zjarr shpërtheu në një ndërtesë në Tatarstan të quajtur "Tempulli i të gjitha feve". Ministria e Emergjencave të Tatarstanit ka thënë se trupi i pajetë është gjendur brenda ndërtesës, pasi zjarri ishte shuar. Zjarri shpërtheu në mëngjesin e 10 prillit. Ndërtesa gjendet në kryeqytetin Kazan. Viktima akoma nuk është identifikuar dhe po ashtu shkaku i vdekjes mbetet i panjohur. Hetuesit janë duke shikuar nëse zjarri ishte i qëllishëm apo ishte akisdent. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





