“Delawie kërkon miratimin e ligjeve për të luftuar korrupsionin” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Delawie kërkon miratimin e ligjeve për të luftuar korrupsionin” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Delawie kërkon miratimin e ligjeve për të luftuar korrupsionin

Posted: 14 Apr 2017 09:03 AM PDT

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, tha se Kosova mund të bëjë dy gjëra për të luftuar korrupsionin: ta miratojë Ligjin e ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe të miratojë Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët. "Me ndryshimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Kosova mund të sigurojë që të gjithë të burgosurit të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh lidhjet e tyre politike apo statusin e 'celebritëve'", tha Delawie nëpërmjet një videoje të postuar në llogarinë e tij në Twitter. "Kur kam ardhur fillimisht (në Kosovë) jam befasuar kur kam mësuar se disa të burgosur të dënuar janë lejuar të bredhin lirshëm me arsyetime të rreme mjekësore. Këta kriminelë - me lidhje të mira politike - kanë pretenduar se janë të sëmurë, i kanë bërë presion Ministrisë së Drejtësisë për t'i lëshuar jashtë burgut për trajtim mjekësor dhe pastaj kanë kaluar muaj të tërë duke udhëtuar nëpër rajon. Ata, madje, kanë dhënë edhe intervista televizive". tha Delawie. Sipas ambasadorit amerikan, kjo "nuk është mënyra për t'i treguar popullit të Kosovës se të gjithë janë të barabartë para ligjit". Delawie po ashtu tha se udhëheqësit e Kosovës "mund të shfaqin përkushtimin ndaj luftës kundër korrupsionit edhe duke miratuar Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët".    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia nuk e transmeton Eurovizionin

Posted: 14 Apr 2017 08:51 AM PDT

Transmetuesi rus Kanali Një nuk do të transmetojë Festivalin Evropian të Këngës, muajin e ardhshëm, pasi këngëtarja ruse është ndaluar të hyjë në Ukrainë, vendin nikoqir të Eurosong-ut. Vendimi i heq çdo shans Rusisë për të konkurruar këtë vit, tha Unioni i Transmetuesve Evropianë. Ukraina refuzon t'i lejojë këngëtares Julia Samoilova të performojë në Eurovizion, sepse ajo ka vizituar Krimenë, gadishullin e aneksuar nga Rusia më 2014. Unioni i Transmetuesve Evropianë e ka dënuar këtë ndalim. Unioni, i cili prodhon Eurovizionin, ka thënë se Ukraina po dëmton natyrën jopolitike të garës. Unioni i Transmetuesve Evropianë po ashtu ka thënë se i ka ofruar Kanalit Një dy zgjidhje të mundshme: një ishte që Samoilova të këndojë nga Rusia, përmes satelitit, dhe tjetër ishte mundësia që një garues tjetër të shkonte në Ukrainë. Të dyja propozimet janë refuzuar nga Rusia.   

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kina druan nga konflikti SHBA-Kore e Veriut

Posted: 14 Apr 2017 08:13 AM PDT

Nuk do të ketë fitues nëse shpërthen konflikt i armatosur midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, për shkak të armëve bërthamore të Phenjanit, tha ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, duke ofruar mbështetjen e Kinës për dialog midis dy palëve. Komentet e Wangut vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se problemi i Koresë së Veriut "do të rregullohet" dhe pasi janë rritur spekulimet se Phenjani mund të jetë duke përgatitur një provë të re bërthamore ose raketore. "Tensionet janë rritur dhe lihet përshtypja se konflikti mund të shpërthejë në çdo moment", tha Wang. Trump ka dërguar aeroplanmbajtëse në Gadishullin Korean. Kina, aleatja e vetme e Koresë së Veriut, druan se konflikti mund të shkaktojë rënien e regjimit komunist në Phenjan dhe probleme në kufirin e saj.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova nën kërcënimin e grupeve kriminale

Posted: 14 Apr 2017 07:04 AM PDT

Këshilli për Siguri i Kosovës, përmes një komunikate për opinion u është drejtuar të premten qytetarëve të Kosovës, për t'i njoftuar ata se "institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues". Në komunikatë thuhet gjithashtu se "grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës".  Këshilli për Siguri i Kosovës, ka vlerësuar se veprimet e tilla "mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara, të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës", thuhet në komunikatën e këtij këshilli. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka komentuar situatën e sigurisë në vend dhe i ka ftuar qytetarët për vigjilencë. "Ftoj të gjithë qytetarët e vendit tonë që të jenë sa më vigjilentë, në mënyrë që Kosova të mos shndërrohet pre e asnjë lufte speciale, e cila vjen nga faktorët, të cilët e atakojnë çdo ditë Republikën e Kosovës. Kosova është vend stabil. Kosova është vend i orientuar tërësisht perëndimor. Kosova është vend evropian, është vend i cili e ndërton dhe çdo ditë e çimenton miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë faktorët që tentojnë destabilizimin e Kosovës, janë faktorë të cilët janë kundër shtetit të Kosovës", ka thënë Veseli. Në anën tjetër, ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, përmes faqes zyrtare, kanë këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë pushimeve të ardhshme fetare (Festën e Pashkëve) dhe gjatë pjesëmarrjes në festivale apo ngjarje të caktuara. "Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike", është thënë në komunikatën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Në rrugët magjistrale Kosovë, si dhe në sheshet dhe zonat me qarkullim më të dendur të qytetarëve, është vërejtur prani e shtuar e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Zëvendësministri i Punëve të brendshme i Qeverisë së Kosovës, Valdet Hoxha, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se vlerësimi i kësaj ministrie është se gjendja aktuale e sigurisë së përgjithshme në vend është e qetë dhe stabile. "Në këtë kuptim, Policia e Kosovës, si një nga agjencitë më të mëdha dhe nga agjencitë kompetente për sigurinë në vend, është duke i zhvilluar dhe planifikuar disa veprime operacionale të zakonshme në prag të festave. Siç e dini, tani jemi në prag të festave të Pashkëve dhe po zhvillohen disa veprime operacionale, në kuptim të parandalimit të ndonjë incidenti të mundshëm, por që nuk ka ndonjë rrezik konkret apo ndonjë kërcënim konkret lidhur me ndodhjen e ndonjë akti të mundshëm". Sidoqoftë, Këshilli për Siguri i Kosovës, në komunikatën për opinion, ka thënë se, "institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe kriminale". (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia, Irani dhe Siria i tërheqin vërejtjen Uashingtonit

Posted: 14 Apr 2017 06:25 AM PDT

Rusia, Siria dhe Irani, sot i kanë tërhequr vërejtjen Shteteve të Bashkuara kundër lansimit të sulmeve të reja në Siri dhe kanë kërkuar hetim ndërkombëtar lidhur me sulmin kimik në këtë vend, më herët këtë muaj. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavorv, i cili ishte mikpritës i kolegëve nga Irani dhe Siria, në një takim trepalësh në Moskë, vlerësoi se sulmi ajror amerikan i javës së kaluar kundër një baze ushtarake siriane, ishte "shkelje flagrante" e së drejtës ndërkombëtare dhe ka tërhequr vërejtjen se ndonjë aksion i tillë i mëtejshëm do të ketë "pasoja të rënda jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për atë globale". Ministri i jashtëm sirian, Walid Moallem, tha se takimi ka dërguar "mesazh të fuqishëm" për Uashingtonin, ndërsa iraniani, Mohammad Javad Zarif, ka theksuar se pjesëmarrësit kanë tërhequr vërejtjen se çfarëdo aksioni i njëanshëm nga Shtetet e Bashkuara është i papranueshëm. Uashingtoni e ka fajësuar qeverinë e Sirisë për lansimin e sulmit kimik vdekjeprurës në Kan Sheikoun, më 4 prill, nga i cili janë vrarë më se 80 vetë, dhe Shtëpia e Bardhë është përgjigjur me sulm raketor ndaj një baze ajrore siriane. Moska dhe Damsaku thonë se viktimat ishin vrarë nga gazi helmues, që ishte liruar nga një depo e kryengritësve dhe kanë tër hequr vërejtjen kundër fajësimit të Sirisë pa u kryer një hetim ndërkombëtar. Rusia ishte mbështetësi më i rëndësishëm i presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe është involvuar në operacione ushtarake në favor të qeverisë së Assadit, prej shtatorit të vitit 2015. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zgjidhja e krizës politike, garanton sigurinë

Posted: 14 Apr 2017 06:15 AM PDT

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë bën të ditur se ka marrë vendim që të përforcojë masat e sigurisë në tërë territorin e saj gjatë festave të Pashkëve. Siç njoftojnë nga dikasteri i policisë maqedonase, këto masa ndërmerren për shkak të kërcënimeve globale terroriste nga ISIS, synim i të cilave janë edhe vendet e Ballkanit, mes të cilave është edhe Maqedonia si shtet. "Duke pasur parasysh kërcënimet globale terroriste, ku në cak janë edhe objektet fetare (siç ishin rastet e sulmeve në Egjipt), më pas targetimi i vendeve të Ballkanit, mes të cilave është edhe Maqedonia, përfshirë tubimet e mëdha të qytetarëve, nga ana e grupit terrorist ISIS, MPB do t'i forcojë masat e sigurisë në ditët në vijim në tërë territorin e shtetit", theksohet në kumtesën për media të dikasterit të policisë së Maqedonisë. Nga dikasteri i policisë edhe kundrejt insistimit të Radios Evropa e Lirë, nuk kanë dhënë informacione nëse "ai disponon me informacione rreth ndonjë kërcënimi konkret që ka të bëjë me Maqedoninë si shtet rreth sulmeve terroriste". Ekspertët e sigurisë thonë se Maqedonia si shtet nuk është imune ndaj sulmeve terroriste veçanërisht situatës delikate në të cilën ndodhet vendi tanimë më shumë se dy vite e zhytur në krizë të thellë politike. "Aktualisht në Republikën e Maqedonisë kemi të bëjmë me disa momente "latente" , rreziqe të fshehura sa i përket sulmeve eventuale terroriste të cilat mund të jenë me karakter të brendshëm ose të jashtëm sa  përket sulmeve terroriste". "Sa më parë në Maqedoni duhet të zgjidhet kjo krizë "e uzurpimit të institucioneve nga ana e grupacioneve kriminale dhe organet e sigurisë të depolitizohen që me sukses të mund t'u përgjigjen sfidave me rreziqet që kanë të bëjnë me terrorizmin",  thekson për Radion Evropa e Lirë, Vladimir Pivovarov ish drejtues i agjencisë ushtarake në Maqedoni për zbulim dhe kundërzbulim. Përdërderisa, Stojan Sllavevski, ekspert për çështje të sigurisë vlerëson se Maqedonia si shtet është i rëndësishëm për sigurinë globale. Sllavevski thotë se me rëndësi të veçantë është këmbimi i informacioneve me strukturat relevante në nivel botëror, veçanërisht pasi përmes territorit të Maqedonisë edhe pas mbylljes së rrugës ballkanike akoma përmes kanaleve ilegale lëvizin migrantët të cilët ikin nga visete prekura nga lufta nga lindja e Mesme dhe Afrikë e Veriut në mesin e të cilëve mund të infiltrohen dhe grupacione ekstremiste. "Kjo që ndodh për momentin do të thosha partizimin e skajshëm të strukturave të inteligjencës, vendosjen e personave me përgatitje jo adekuate në strukturat e sigurisë në pozita shumë të ndjeshme që kanë të bëjnë me sistemin e sigurisë së Maqedonisë sigurisht se ka impakt negativ sa i përket aktiviteteve që ndërmerr Maqedonia si shtet për tu mbrojtur nga terrorizmi", thotë Sllavevski. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mustafa: Nëse Kuvendi nuk e ratifikon Demarkacionin, opsion zgjedhjet

Posted: 14 Apr 2017 05:50 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nëse Kuvendi nuk e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave. Në këtë intervistë, Mustafa flet edhe në lidhje me kërcënimet e evidentuara nga individë e grupe të caktuara, kundër liderëve të shtetit të Kosovës dhe disa figurave politike. Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, shefi i diplomacisë gjermane dhe senatori amerikan, John McCain, adresuan mesazhe të qarta për institucionet e Kosovës që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave. Ku qëndrojnë procedurat dhe kur pritet të vihet në votim në Kuvend, demarkacioni? Isa Mustafa: Ne zhvilluam dje biseda me dy përfaqësuesit e dy vendeve lidere, përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si vend lider botëror dhe Gjermanisë si vend lider i Bashkimit Evropian. Biseduam në lidhje me këtë çështje dhe e shtruam seriozitetin e këtij problemi, sepse kemi mbetur vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Kërkuam që të bëhet një zgjidhje, duke pasur parasysh që konsiderojmë se në mënyrë të padrejtë na është vënë kriteri i Demarkacionit të kufirit, i cili nuk ka vlejtur për vendet tjera. Megjithatë, neve na është vënë si kriter që nga viti 2012 dhe është shumë vështirë qa ta ndryshojmë tash, në vitin 2017. Kërkuam që të gjendet ndonjë alternativë në mënyrë që të kapërcehet kjo çështje, por gjithsesi ta marrim si obligim që ne ta përmbushim. Është një porosi e qartë ndaj të cilës ne duhet të kemi respekt. Së pari, ne duhet të kemi respekt ndaj qytetarëve tanë që t'i nxjerrim nga izolimi dhe kjo është detyrë e Kuvendit dhe Qeverisë. Por, po ashtu duhet të kemi respekt edhe ndaj vendeve të cilat japin vlerësime të tilla, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, duke pasur parasysh që ato na kanë përkrahur në të gjitha proceset dhe ato nuk të japin sugjerime dhe nuk të udhëzojnë në veprime të tilla, ngase janë shtete mike të Kosovës. Ne tani do të merremi vesh me partnerët e koalicionit, me Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe me Listën Serbe dhe të tjerët se kur do të kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve në Kuvend, sepse ju e dini që deri më tani kemi pasur problem me mungesën e Listës Serbe. Në momentin kur merremi vesh për kohën, ne do të procedojmë në Qeveri me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes. Do të shkojmë në Kuvend. Kuvendi duhet ta merr përgjegjësinë për këtë. Mendoj që është përgjegjësi shumë e madhe, sepse natyrisht që një Kuvend i cili nuk e konsideron çështjen e nxjerrjes së qytetarëve të vet nga izolimi dhe i mbanë në izolim për kauza politike ose për interesa personale, ai Kuvend mandej shtrohet pyetja se a ka të drejtë morale edhe më tutje të ekzistojë apo ta rivlerësojë vetveten.  Radio Evropa e Lirë: Tash kur Lista Serbe është kthyer në institucione, koalicioni qeverisës i ka rreth 90 vota në Kuvend. Kë e bëni ju përgjegjës për mos ratifikimin e demarkacionit, pushtetin apo opozitën. Kush po e mban peng liberalizimin? Isa Mustafa: Unë mendoj se peng po e mbajmë të gjithë, sepse është detyrë e të gjithë deputetëve që të punojnë në interes të vendit. Në disa çështje ne mund të bëjmë pozitë e opozitë, por ne nuk mund të bëjmë pozitë dhe opozitë në çështjet që janë në interesin e vendit. Mendoj se përgjegjësia më e madhe në këtë rast është e pozitës, pushtetit, deputetëve të pozitës, sepse programi ynë qeverisës është i pozitës. Por, në këtë rast unë nuk e kuptoj as opozitën, e cila për një kauzë, dëshiron ta mbajë peng qytetarin e Republikës së Kosovës. Tani kemi, 30 deputetë të opozitës, kurse të tjerët janë kryesisht të pozitës dhe një numër i vogël i deputetëve të pavarur. Kështu që nëse stabilizohet ardhja e Listës Serbe në Kuvend ne duhet të procedojmë me këtë çështje, sepse numri formal sigurohet. Por, presim që deputetët ta marrin përgjegjësinë që ta votojnë dhe ta kapërcejmë këtë çështje. Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se një Kuvend që nuk është në gjendje ta përmbush një mision në shërbim të qytetarëve duhet ta rishqyrtojë vetveten. A nënkupton kjo edhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme? Isa Mustafa: Unë mendoj se edhe kjo nënkupton, sepse nuk do të ishte e arsyeshme që njerëzit të cilët nuk janë në gjendje ta marrin një përgjegjësi të tillë dhe marrin vendim për t'i lënë qytetarët të vetizoluar, që ata të vazhdojnë edhe më tutje të qeverisin me vendin, qoftë si parlament qoftë si qeveri. Në këtë rast, Qeveria e ka bërë punën e vet, por Qeveria nuk mund ta përfundoj punën e vet pa parlamentin. Prandaj, në këtë rast mbetet përgjegjësi e deputetëve të subjekteve politike që janë në pushtet, por edhe të opozitës. Mirëpo, po ashtu mbetet llogari se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kush do ta bëj këtë, sepse nëse ky është kusht për ne tash si koalicion qeverisës, i njëjti do të jetë kusht edhe për koalicionet dhe kuvendet e ardhshme. Ne duhet të mendojmë për qytetarët dhe jo për vetveten, ashtu siç po shoh unë se si njerëzit po sillen në këtë situatë, sepse nuk është as morale dhe as e logjikshme kjo mënyrë e sjelljes. Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë që Lista Serbe është kthyer në institucione, janë përmendur disa prioritete të saj, të paktën kështu kanë deklaruar për media, ku përfshihet themelimi Asociacionit dhe diskutimi me ju për demarkacionin. A i keni takuar ju përfaqësuesit e Listës dhe a i keni diskutuar këto çështje? Isa Mustafa: Unë jam takuar me përfaqësuesit e Listës, por problemi tash është në mes tyre. Ata kanë problem se kush e drejton Listën Serbe, kush e drejton Grupin Parlamentar. Ata vijnë me propozime që të bëhen ndryshime të zëvendësministrave si dhe për ministrin e Pushtetit Lokal. Unë kam kërkuar nga ata që t'i sqarojnë çështjet mes vete në mënyrë që të mos kemi dy apo tri adresa të komunikimit. Çështje tjera, tash për tash nuk i kanë hapur.  Çështja e Asociacionit, mendoj se duhet të adresohet dhe ne jemi të gatshëm që në çdo moment të ulemi me Listën Serbe, me ekipin menaxhues dhe me ndërkombëtarët që të adresojmë këtë çështje në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me marrëveshjet të cilat janë nënshkruar në Bruksel. Kushte tjera dhe çështje tjera nuk ka pasur. Nuk kemi diskutuar as për votimin e Demarkacionit, sepse nuk kemi pasur rast që të ulemi dhe të merremi vesh, për arsye se janë akoma këto problemet mes tyre, të cilat nuk do të dëshiroja të ishin, e të cilat besoj se do t'i tejkalojnë. USHTRIA BËHET ME SHBA-të, NATO-n DHE BE-në Radio Evropa e Lirë: Kryeministër Mustafa, ka një kohë që Qeveria ka pranuar projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të dorëzuar nga Presidenti në Kuvendin e Kosovës. Por, i njëjti, duket se është tërhequr, për t'u hapur rrugë ndryshimeve kushtetuese, fillimisht. Cila mendoni se është rruga më e mirë për krijimin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës? Isa Mustafa: Po, mendoj se rruga është kjo tani, që ky transformim të bëhet në bashkërenditje me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e bashkimit Evropian. Të jetë një proces, për aq sa të jetë i mundur, gjithëpërfshirës në mënyrë që të punojmë me të gjithë. Me të gjithë qytetarët, me të gjitha komunitetet. Në këtë rast problemi adresohet veçmas te komuniteti serb dhe deputetët serb në Kuvendin e Kosovës të cilët duhet ta votojnë ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që transformimi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, sepse është mënyra më e mirë që të bëhet ky transformim. Mendoj që ne jemi të gatshëm dhe kemi treguar gatishmërinë dhe synimin si institucione të Kosovës, duke u nisur nga Presidenti, Kuvendi, Qeveria dhe të tjerët, që ne ta bëjmë punën maksimalisht. Të bisedojmë me të gjithë, t'i bindim të gjithë dhe ta argumentojmë se Forca e Armatosur e Kosovës është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Se integriteti i vendit është po ashtu interes i të gjithëve. Se pjesëmarrja e kësaj Force në misionet paqeruajtëse dhe në misionet tjera humanitare jashtë është, po ashtu, në interes të rajonit, të stabilitetit të paqes në Ballkan e më gjerë. Ne do të mundohemi ta japim maksimumin që t'i bindim serbët që këtë ta votojnë. Por, duhet ta kemi parasysh edhe faktin që nuk mundet themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës të mbetet peng i vetëm një komuniteti, apo i vetëm një grupi parlamentar, sepse fjala është për interesin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. KA INFORMACIONE PËR PËRGATITJEN E SULMEVE KUNDËR LIDERËVE POLITIK Radio Evropa e Lirë: Kryeministër, dje Ambasada amerikane në Prishtinë u ka drejtuar një këshillë, sugjerim qytetarëve që të bëjnë kujdes këto ditë, sidomos gjatë festës së Pashkëve. Keni ju informacione se vendi është i kërcënuar në aspektin e sigurisë nga individë apo grupe terroriste? Isa Mustafa: Ne kemi zhvilluar dje një mbledhje të Këshillit për Siguri të Kosovës. I kemi vlerësuar disa informata të cilat i kemi marrë nga organet kompetente të cilat e përcjellin çështjen e sigurisë në Kosovë. Jemi informuar se ka individë dhe grupe të cilët tentojnë të kryejnë veprime kundër bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe disa liderëve politik. Individë të tillë janë të lidhur edhe me njerëz jashtë Kosovës dhe me shërbime të ndryshme të cilat nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës dhe e rrezikojnë rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve. Po ashtu, duke pas parasysh se çfarë po ndodh në vendet e tjera, kemi marrë masa që të shtojmë vigjilencën dhe prezencën e organeve të sigurisë. Të jetë kjo prezencë më e madhe, sidomos tani gjatë festave fetare në mënyrë që ato të mos shfrytëzohen për ndonjë akt i cili do të rrezikonte, dëmtonte qytetarët. Ne kemi kërkuar një vigjilencë më të madhe, një prezencë më të madhe, një aktivizim më të madh të gjitha organeve të sigurisë. Po ashtu, kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ato të ndërmarrin masa ndaj individëve të cilët e rrezikojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vizita e Tillersonit në Moskë bëri pak për zbutje të plasaritjes

Posted: 14 Apr 2017 05:25 AM PDT

Vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Rex Tillerson, këtë javë në Moskë, duket se ka bërë pak për zbutje të raporteve ndërmjet dy superfuqive, pasi mbetet çarja e madhe lidhur me sulmin e dyshuar me armatim kimik në Siri dhe konfuzioni lidhur me drejtimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Pas takimit ballë për ballë të nivelit më të lartë ndërmjet zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, zuyrtarët e administratës së presidentit, Donald Trump, thanë se të dy palët në mënyrë të kujdesshme i kanë mbështetur përpjekjet për përmirësim të lidhjeve, që aktualisht janë në "nivelin më të ulët të të gjitha kohërave". Por, titujt kumbues dhe komentet e analistëve nga e gjithë bota kanë sugjeruar se kishte pak terren të përbashkët kur Tillerson u takua me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe presidentin Vladimir Putin. Nën titullin "Tillerson dhe Putin gjetën pak më tepër se mospajtim në takim", e përditshmja, New York Times, ka shkruar se të dy zyrtarët e lartë dukeshin të paaftë bile për tu pajtuar për faktet që e rrethojnë sulmin e dyshuar me armatim kimik në Siri, javën e kaluar, i cili shkaktoi që Trump t'i urdhërojë forcat amerikane për t'i lansuar 59 raketa Tomahawk kundër një baze ajrore në Siri, që është e përfshirë nga lufta shkatërruese. Dëshmi e rënies së raporteve SHBA-Rusi "Udhëtimi i sekretarit amerikan të shtetit në Moskë të mërkurën, ishte dëshmi e mëtejshme se sa poshtë kanë rënë raportet ruso-amerikane", ka shkruar Bordi editorial i gazetës, New York Times, në një koment. "Një pyetje e rëndësishme është nëse ftohja në marrëdhënie do ta bëjë më të vështirë për zotin Trump që ta angazhojë Moskën në luftën për ta mposhtur Shtetin Islamik në Siri; bashkëpunimi në këtë front, çdoherë i diskutueshëm, tash duket i pamundur", shkruan gazeta. Nuk ka pasur indikime se të dy palët i kanë ndryshuar pozicionet e tyre për çështjen e Sirisë, që kanë shkaktuar kritika të ashpra të dyanshme para dhe gjatë vizitës së Rex Tillersonit në Moskë. Tillerson tha se qeveria e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, i ka kryer më se 50 sulme kimike gjatë luftës gjashtë vjeçare në Siri dhe se lideri i Sirisë mund të ballafaqohet me akuza për krime të luftës. Lavorv, megjithatë, goditjen raketore ajrore amerikane e ka përshkruar si "sulm të paligjshëm kundër Sirisë" dhe se aksionet e tilla të mëtejshme do të duhej të parandaloheshin. Bile, vetë presidenti Trump dukej më pak i bindur për perspektivën e raporteve të përmirësuara ndërmjet Uashingtonit dhe Kremlinit. Ai ka shfaqur shpresën për përmirësim të lidhjeve me Putinin, por me të shpejtë ka shtuar se "ne do të shohim se çka do të ndodhë". "Palët ishin sjellur sikur ata t'i kishin borxh njëri-tjetrit", është cituar nga gazeta londineze, Guardian, se ka thënë, Alexander Baunov, nga Qendra Carnegie në Moskë. "Tash askush nuk vepron sikur ndokush ka borxh çdo gjë", tha Baumnov. Rusia e pasigurt se çka do të bëjnë SHBA-të Shumë analistë kanë argumentuar se sulmet në Siri paraqesin kthesë prej 180 shkallëve në politikën e Shteteve të Bashkuara, që i ka befasuar jo vetëm rusët, por edhe pjesën më të madhe në botë. Sipas analistit, Mark Galeotti, nga Instituti për Raporte Ndërkombëtare, me seli në Pragë, ky rol i ndryshuar, ka shkaktuar konfuzion në Moskë. "Në këtë pikë, rusët tashmë ishin mbështetur në faktin se ata mund të luanin rol të paparashikuar, pasi ata ndjejnë, me një mbështetje të konsideruar, se ata i kishin identifikuar vijat e kuqe reale të politikës së Shteteve të Bashkuara dhe se ata e dinin se çka do të bënin amerikanët në shenjë të përgjigjes", tha Galeotti dhe ka shtuar se "ata tash befas po e gjejnë vetveten në një rol shumë reagues dhe ata, sinqerisht nuk dinë se çka të bëjnë". Duke e ndërlikuar edhe më tepër situatën, presidenti Trump tha këtë javë se NATO tash po bënë më tepër në luftimin e terrorizmit dhe se "tashmë nuk është e vjetruar", që është një ndryshim nga deklarimet e përparshme, se aleanca veriatlantike e sigurisë nuk po i shërbente qëllimit të saj. Kjo lëvizje, sigurisht, do ta armiqësoj Rusinë. "Në sytë e Putinit, ne jemi një superfuqi jashtë kontrollit, e cila duhet të kundërshtohet", thotë Michael O'Hanlon, nga Insntituti Brukings, në një artikull në të përditshmen, Los Angeles Times. "Pikëpamja e tij është e shtrembëruar, por duket se është e sinqert", shkruajti O'Hanlon. Jeffrey Mankoff, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, ka sugjeruar se mungesa e parashikueshmërisë së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara nën administratën Trump, e ka acaruar nivelin përkeqësues të besimit ndërmjet vendeve dhe mund të çoj në probleme më të thella. "Natyrisht, ekziston po ashtu, në disa mënyra, çështja më ekzistenciale e faktit se përleshja direkte ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, mund të jetë ekstremisht e rrezikshme, duke pasur parasysh kapacitetet ushtarake, e veçanërisht ato atomike, të të dy palëve", i tha eksperti Mankoff emisionit në radio, The World Today. "Unë nuk mendoj se një lloj i tillë i përleshjes ka gjasë të ndodhë, dhe është sigurisht diçka që duhet të jetë në mendjen e çdokujt, i cili shikon në këto raporte", tha Mankoff. Fitorja në zgjedhjet presidenciale amerikane më 8 nëntor të vitit të kaluar, e zotit Trump, ishte përcjellur me pritje të afrimit ndërmjet dy vendeve, duke pasur parasysh se kandidati republikan, Donald Trump, e kishte lavdëruar Putinin gjatë fushatës së tij zgjedhore. Prej atëherë, një seri e çështjeve, prej hetimeve amerikane për përzierjen ruse në fushatë e deri te bombardimi i Sirisë, e kanë ndryshuar pamjen politike. "Në prapavijë është tërheqja zhgënjyese e pranimit euforik nga ana e Rusisë, për fitoren zgjedhore të Trumpit. Ajo i kishte sjellur pritjet për ripërtritje të marrdhënieve dhe, me gjasë, për një marrëveshje madhore, e cila do të çonte në tërheqje të sanksioneve për shkak të intervienimit të Moskës në Ukrainë", ka shkruar korrespondetja e BBC-së në Shtetet e Bashkuara, Barbara Plett Usher. "Zyrtarët e lartë të Trumpit përfundimisht e pëlcitën këtë flluskë", shkruajti Usher. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

NASA: Dy hëna në Sistemin Diellor kanë përbërësa që e mundësojnë jetën

Posted: 14 Apr 2017 05:17 AM PDT

Dy hëna – njëra në fluturim orbital rreth Saturnit, e tjetra rreth Jupiterit – kanë përbërësa të nevojshëm për mbështetjen e jetës mikrobiale, tha mbrëmë agjencia amerikane, NASA. Këto gjetje në Enceladus, që është hëna e Saturnit, ishin bërë nga sonda e gjithësisë, Cassini, e cila është në fluturim orbital rreth Saturnit për 13 vite. Të gjeturat në Europa, që është hëna e Jupiterit, ishin zbuluar nga teleskopi kozmik, Hubble. Shkencëtarët e agjencisë amerikane të gjithësisë, NASA, thanë se tufat e mëdha të gazit të prodhuar në sipërfaqe të Enceladusit indkikojnë prani të gazit të hidrogjenit, i cili potencialisht mund të furnizoj si burim i energjisë kimike për jetë mikrobiale. Burimi i tufave paraqet aktivitet hidrotermal në shtresën e një oqeani të Enceladusit. Kërkuesit thanë se mikrobet – nëse ndonjë ekziston atje – mund ta përdorë gazin për të siguruar energji duke e kombinuar hirdogjenin me karbon dioksid të tretur në ujë, që është proces i cili e mbështet jetën mikrobiale në oqeanët e thellë të Tokës. Në Europa, hëna e Jupiterit, teleskopi Hubble ka vëzhguar tufa që "me gjasë" kanë shpëthyer në vitin 2014 dhe 2016, dhe indikojnë për atë që shkencëtarët besojnë se është formë e energjisë kimike, që mund të jetë e nevojshme për jetë. "Ky është shikimi më i afërt që ne e kemi pasur deri tash, për identifikimin e vendit me disa përbërësa të nevojshëm për ambient të përshtatshëm për jetë", tha zyrtari i lartë i NASA-s, Thomas Zurbuchen.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryeministri Mustafa paralajmëron zgjedhje

Posted: 14 Apr 2017 05:13 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nëse Kuvendi nuk e ratifikon Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA dhe Franca i hedhin poshtë pretendimet e Assadit

Posted: 14 Apr 2017 03:45 AM PDT

Departamenti amerikan i shtetit i ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, se akuzat për sulm me armatim kimik nga forcat e tij, ishin "100% fabrikim" dhe e ka kritikuar Sirinë dhe aleatin e saj Rusinë, për përpjekje për "ta varrosut të vërtetën". Në një intervitë për agjencië franeze të lajmeve, AFP, të publikuar dje, Assad tha se qeveria e tij i ka dorëzuar të gjitha armatimet kimike. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, ka vlerësuar se pretendimet e Assadit janë "të stilit të Assadit". Kjo është një përpjekje nga ai për të ngritur flamuj të rrejshëm, për të krijuar konfuzion. Sinqerisht, është taktikë që ne e kemi parë edhe nga pala e Rusisë, po ashtu", tha Toner. Ministri i jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault, tha se komentet e Assadit janë krejtësisht të rrejshme. "Janë 100% të rrejshme dhe propagandë", tha sot Ayrault gjatë vizitës në Kinë dhe ka shtuar se "është 100% mizori dhe cinizëm", duke e pasqyruar terminologjinë, që është përdorë nga vetë Assadi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Senatori McCain pranon çmimin "Urdhri i lirisë"

Posted: 14 Apr 2017 03:02 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë çmimin "Urdhri i lirisë", senatorit amerikan, John McCain. Ky çmim atij i është ndarë për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për thellimin e partneritetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

PinkTaxi - Shërbim udhëtimesh vetëm për gra

Posted: 14 Apr 2017 02:59 AM PDT

Në Pakistan ka filluar të ofrohet shërbimi i transportit me anë të taksit që ka vetëm gra shofere dhe pasegjeret mund të jenë vetëm femra.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi i ndan “Urdhrin e lirisë” senatorit McCain

Posted: 14 Apr 2017 01:29 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë çmimin "Urdhri i lirisë", senatorit amerikan, John McCain. Ky çmim atij i është ndarë për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për thellimin e partneritetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Në botë ka pak njerëz si ju që mëshirojnë vlerat e lirisë. E tërë jeta e juaj është një moment i gjallë në përpjekjet e juaja për liri deri në vetëmohim", ka thënë me këtë rast, Thaçi. "Në ditët tona më të vështira si komb, ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj. Ju u bëtë zëri ynë, kur ne nuk kishim zë", theksoi tutje presidenti i Kosovës. "Ju me punën dhe angazhimin për çlirimin e Kosovës, dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit, por e drejtë fundamentale e të gjitha kombeve, e të gjitha vendeve", tha Thaçi, duke i ndarë medaljen presidenciale senatorit republikan, McCain. Në anën tjetër, MCain tha se ndihej i nderuar për këtë çmim që pranoi nga presidenti dhe populli i Kosovës. "Ndihem krenar që ndodhem këtu. Të gjithë e dimë se ka nevojë për më shumë punë dhe përparime, por ju keni arritur mjaftë shumë", tha McCain. "Jam këtu të tregoj mbështetjen dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që Kosova të mbetet një vend i lirë, i fuqishëm dhe i bukur siç është edhe sot", ka thënë ndër tjera senatori amerikan. Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rris ndikimin politik dhe ekonomik. Të enjten, ai është pritur në Prishtinë nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ka vizituar ushtarët amerikan të KFOR-it. Në një fjalim para Kuvendit të Kosovës, senatori John McCain ka premtuar vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, si edhe për rajonin në përgjithësi. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kabul: Nga bomba masive amerikane janë vrarë dhjetëra militantë të IS-it

Posted: 14 Apr 2017 12:48 AM PDT

Zyrtarët afganë thonë se nga sulmi me bombën më të madhe joatomike të shfrytëzuar ndonjëherë në operacion luftarak nga ana e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, në kompleksin e tuneleve në pjesën lindore të Afganistanit, janë vrarë së paku 36 luftëtarë të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS). Ministria e mbrojtjes e Afganistanit tha se nga ky sulm, po ashtu, janë shkatërruar disa shpella të IS-it dhe bunkerë të municionit. Numri i të vrarëve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, por zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes, Dawlat Waziri, tha se civilët nuk janë dëmtuar në këtë sulm ajror, që ka shkaktuar shpërthim masiv. Në kumtesën e djeshme, ushtria amerikane tha se bomba e tipit, GBU-43/B, ishte hedhur në një kompleks të tuneleve, që shfrytëzohej nga luftëtarët e IS-it në qarkun Açin në Afganistan, afër kufirit me Pakistanin. Pentagoni tha se ky ishte përdorimi i parë luftarak i të gjitha kohërave i bombës e cila i përmbanë 11 tonelata eksploziv. Kësaj bombe i ishte dhënë nofka Nëna e të Gjitha Bombave.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Azerbajxhan: Bllokohet Radio Evropa e Lirë në Internet

Posted: 14 Apr 2017 12:19 AM PDT

Njëri nga realizuesit më të mëdhenjë të shërbimeve në Internet në Azerbajxhan, duket se e ka bllokuar qasjen në faqen e Radios Evropa e Lirë, programi për Azerbajxhanin. Në deklaratën e djeshme, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, tha se bllokada nga Delta Telecom, ka filluar më 27 mars dhe është dokumentuar më 10 prill, në raportin e grupit Qurium, që është një shërbim jofitimprurës i sigurisë digjitale. Presidenti i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Thomas Kent, e ka dënuar këtë ndërhyrje duke e cilësuar si "keqpërdorim flagrant të autoriteteve të Azerbajxhanit për ta penguar misionin e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, për dhënie të informacioneve të pavarura dhe raportim për audiencën në Azerbajxhan". Bllokada e fundit u bë pas publikimit të hetimeve nga ana e Redaksisë për Azerbajxhanin, në bashkëpunim me Projektin për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me seli në Sarajevë, për aktivitetet financiare të ndërlidhura me anëtarët e familjes së presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe qarqeve të afërta me të.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tarifat e reja shtrenjtojnë energjinë elektrike

Posted: 13 Apr 2017 11:30 PM PDT

Zbatimi i tarifave të reja të energjisë elektrike, ka ngritur çmimin e rrymës për një numër të madh të konsumatorëve, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, përderisa autoritetet thonë se çmimet e strukturës se re paraqesin çmime mesatare të tarifave të nivelit të vitit 2016. Ndryshe, nga fillimi i këtij muaji, autoritetet kompetente kanë filluar zbatimin e tarifave të reja të energjisë elektrike të cilat, siç thuhet, synojnë thjeshtëzimin që konsumatorët të kontrollojnë konsumin e tyre. Si rezultat i këtij ndryshimi, më nuk aplikohen tarifat sezonale (verë – dimër) kurse konsumatorët familjarë më nuk do të paguajnë sipas blloqeve tarifore në bazë të nivelit të konsumit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Adelina Murtezaj, zëdhënëse në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës, që njihet me shkurtesën ZRRE. "Me strukturën e re, tek të gjithë konsumatorët do të aplikohen vetëm tarifat ditore – tarifa e lartë dhe e ulët (ditë-natë). Dhe kjo është bërë për shkak të konsumit të përgjithshëm dhe kapaciteteve të përgjithshme që Kosova ka për gjenerim të energjisë. Prej tash e tutje, çdo kilovat i orës për secilin konsumator për periudhën e natës do të kushtojë për 0.3 cent, kurse për tarifën e ulët të ditës do të kushtojë 0.7 cent", ka thënë Murtezaj. Por, Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se tarifat e reja shtrenjtojnë energjinë elektrike për shumicën e konsumatorëve të amvisërisë të cilët kanë shpenzuar deri në 600 kilovat orë energji elektrike gjatë një muaji. Sipas tij, mbi 80 për qind e konsumatorëve në Kosovë kanë shpenzuar deri në 600 kilovat. Sipas hulumtimeve që ka bërë kjo organizatë, rezulton se energjia elektrike për një numër të konsumatorëve do të shtrenjtohet prej 15 deri në 30 për qind. "Ne kemi bërë disa kalkulime për tre lloj konsumatorësh. Për ata që shpenzojnë më pak, mesatarisht dhe ata që shpenzojnë shumë dhe kemi dalur me kalkulime se në tërësi gjatë vitit, konsumatorët që kanë shpenzuar prej 400 deri 600 kilovat, do t'u shtrenjtohet rryma për 15 për qind si mesatare vjetore, kurse gjatë verës mbi 30 për qind". "Kurse konsumatorëve më të mëdhenj, të cilët kanë shpenzuar nga 1000 – 2000 kilovat orë energji ata do të pësojnë një ulje e cila do të jetë ekuivalente me këtë rritjen, që do të paguajnë shtresat më të ndjeshme të shoqërisë", ka thënë Abazi.  Edhe disa qytetarë pohojnë se ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike, është maskim i formës se veprimit të autoriteteve kompetente. Aziz Islami, me profesion skulptor, konsideron se ndryshimi i tarifave nënkupton rritje të çmimit të këtij produkti.  "Është një formë kamuflazhe te qytetarët për të zbutur situatën. Zbatimi i tarifave të reja nuk është në favor të qytetarëve, sepse edhe ashtu çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë. Për mua kjo është kamuflazh që në një mënyrë më rehabilitu masën".  Tarifa e re e energjisë sipas autoriteteve kompetente do të nxis konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e ditës në kohën e natës. Nga data 1 prill deri më 30 shtator tarifa gjatë ditës do të jetë tarifë e lartë që aplikohet në mes të orës 08:00h – 23:00h, ndërsa gjatë natës do të jetë tarifa e ulët e aplikueshme prej orës 23:00h – 08:00h. Përderisa, nga 1 tetori deri më 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00h – 22:00h dhe tarifa gjatë natës do të jetë në mes të orës 22:00h – 07:00h. Sidoqoftë, deri para këtij muaji në Kosovë janë zbatuar disa struktura të tarifave me pakicë të energjisë elektrike, me çmime të ndryshme, ndërsa janë ndarë edhe për sezonin veror dhe dimëror. Gjatë sezonit të dimrit për konsumatorët që kanë shpenzuar deri në 600 kilovat, çmimi i energjisëka qenë nga 2.79 centë deri në 11.17 centë. Kurse, gjatë sezonit të verës këta konsumatorë kanë paguar për kilovat të rrymës se shpenzuar nga 1.99 centë deri në 8.00 centë. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA nuk merr pjesë në një takim për Afganistanin të organizuar nga Rusia

Posted: 13 Apr 2017 11:30 PM PDT

Uashingtoni planifikon t'i shmanget konferencës për pajtim në Afganistan, të cilën sot e organizon Rusia, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner. "Ne nuk planifkojmë të marrin pjesë në këto bisedime rajonale", tha mbrëmë Toner dhe ka shtuar se "ishte e paqartë se cili është qëllimi" i bisedimeve. "Duket se është një përpjekje e njëanshme e Rusisë për të synuar ndikim në rajon", tha Toner. Moska i ka ftuar 12 shtete në këto konsultime që thuhet se kanë për qëllim procesin e pajtimit në Afganistan dhe fillimin e bisedimeve direkte ndërmjet qevrisë afgane dhe talibanëve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

NATO: Aktivizohet një batalion në Poloni afër kufirit me Kaliningradin

Posted: 13 Apr 2017 11:21 PM PDT

NATO-ja e ka aktivizuar një batalion të ri shumëkombësh në Poloni, afër kufirit me Kaliningradin e Rusisë, derisa presidenti i Polonisë, ka vlerësuar se ky ishte "një moment historik", për vendin e tij. Zyrtarët thanë dje se batalioni ishte stacionuar afër vendit Orzyzh, 60 kilometra nga kufiri me Kaliningradin, që është një territor rus i ndarë nga Rusia, në Detin Baltik. Kjo njësi do të jetë nën komandën e Shteteve të Bashkuara dhe do t'i ketë afro 1 mijë ushtarë, përfshirë pjesëtarët nga Rumania dhe Britania, ndërsa pritet që ushtarët nga Kroacia do të bashkohen më vonë. Aleanca veriatlantike po e forcon praninë e saj në pjesën lindore të Evropës, për t'i siguruar aleatët në periudhën e një vetëbesimi të rritur të Rusisë, pas aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës dhe mbështetjes së Moskës për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shefi i CIA-s thotë se WikiLeaks ishte shfrytëzuar nga inteligjenca ruse

Posted: 13 Apr 2017 10:42 PM PDT

Drejtori i agjencisë amerikane CIA, Mike Pompeo, e ka kritikuar organizatën, WeikiLeaks, dhe themeluesin e saj dhe i ka akuzuar se ishin "agjenci armiqësore e inteligjencës", që ishte përdorë nga inteligjenca ushtarake ruse, për përzierje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Këto komente të djeshme të zotit Pompeo në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington, ishin pasqyrim i mendimeve për një kohë të gjatë në mesin e ligjvënësve dhe politikbërësve amerikanë për WikiLeaksin dhe themeluesin e saj, Julian Assange. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, kjo organizatë në Internet i ka publikuar emailat e zyrtarëve të Partisë Demokratike dhe të shefit të fushatës së kandidates demokrate, Hillary Clinton. Agjencitë e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, në muajin janar, thanë se sulmet kibernetike kishin për qëllim dëmtimin e zonjës Clinton dhe përfitim për Donald Trumpin, i cili përfundimisht i fitoi zgjedhjet. Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, dhe agjencinë udhëheqëse të sigurisë në Rusi, FSB, se ishin të involvuara në sulmet kibernetike dhe në ndërhyrje të tjera lidhur me zgjedhjet. Zoti Trump, nga ana e tij, e pat mbështetur WikiLeaksin gjatë fushatës, duke thënë se kishte kënaqësi që i ka publikuar emailat e Hillary Clintonit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now