“30 të vdekur nga vërshimet në veriperëndim të Iranit” plus 17 more Radio Evropa e Lirë |
- 30 të vdekur nga vërshimet në veriperëndim të Iranit
- Khodorkovsky bën thirrje për mbështetjen e Navalnyt në zgjedhjet presidenciale
- Dhjetëra të vrarë nga një shpërthim në afërsi të Alepos
- Hyseni: Masat e sigurisë nuk kanë të bëjnë me ndonjë kërcënim konkret
- Turqia përgatitet për referendumin për ndryshimet kushtetuese
- Pakistan: 8 persona akuzohen për vrasjen e një studenti
- Një tërmet i fuqishëm godet Kilin
- Gorbachev paralajmëron për një Luftë të re të Ftohtë
- Kriza politike shton shkeljet e kodit etik në media
- Zeka: Qeveria e ngathtë në zgjidhjen e problemeve ekonomike
- SHBA heton shpërlarjen e dyshuar të parave të Rusisë në Qipro
- Pence pritet të nisë turneun aziatik
- Rritet numri i të vrarëve nga shpërthimi i bombës jobërthamore
- Koreja e Veriut thotë se është gati për “luftë bërthamore”
- Shpëtohen mbi 2 mijë migrantë në Mesdhe
- Partitë politike premtuan ‘përralla’, humbin besimin
- Senatori McCain vizitoi Shqipërinë
- SHBA: Bomba masive kundër IS-it, arma e duhur për këtë grup
| 30 të vdekur nga vërshimet në veriperëndim të Iranit Posted: 15 Apr 2017 09:35 AM PDT Nga vërshimet në një provincë në veriperëndim të Iranit, kanë vdekur të paktën 30 persona, ka raportuar sot televizioni shtetëror. Zyra për Menaxhimin e Krizave ka thënë se 16 trupa të pajetë janë gjetur në qytetin Ajabshir, ndërkaq 14 të tjerë në qytetin Azarshahr. Drejtori për Menaxhimin e Krizave, Khalil Saei ka thënë se punëtorët e Gjysmëhënës së Kuqe, ajroambulancat, policia dhe ushtria, janë duke ju ofruar ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet, të cilat u shkaktuan pas reshjeve të shiut. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Khodorkovsky bën thirrje për mbështetjen e Navalnyt në zgjedhjet presidenciale Posted: 15 Apr 2017 08:53 AM PDT Mikhail Khodorkovsky, ish-manjati rus i naftës, që ishte burgosur nga Kremlini, ka bërë thirrje që të mbështetet kandidatura për president, e aktivistit anti-korrupsion, Aleksei Navalny, në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Këto deklarata, Khodorkovsky i bëri sot gjatë mbledhjes së organizatës së tij "Rusia e Hapur". Këto janë manovrat e fundit politike, përpara zgjedhjeve të vitit 2018, në të cilat, presidenti aktual rus, Vladimir Putin, pritet të kërkojë mandatin e dytë. Opozita ndaj Putinit është e ndarë në shumë grupe, parti dhe individë, shumë prej të cilëve, kanë kundërshtuar njëri-tjetrin për vite të tëra. Që prej se u fal nga Putini më 2013, Khodorkovsky ka përdorur lëvizjen e tij "Rusia e Hapur", për të tentuar që të ndërtojë një lëvizje më të qëndrueshme opozitare. Popullariteti i Navalny është rritur, duke rritur shpresën se grupet opozitare do të bashkohen rreth tij. "Zëvendësimi i Putinit me një Putin tjetër, nuk do të funksionojë për ne. Prandaj, unë propozoj që ta mbështesim Navalnyn në ztjedhjet presidenciale", ka shkruar Khodorkovsky në rrjetin social Twitter. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Dhjetëra të vrarë nga një shpërthim në afërsi të Alepos Posted: 15 Apr 2017 08:04 AM PDT Të paktën 22 persona janë vrarë, pasi një makinë-bombë ka goditur autobusë që bartnin sirianë të cilët po evakuoheshin nga qytetet e rrethuara nga rebelët. Media shtetërore ka raportuar se një sulmues vetëvrasës ka shpërthyer eksplozivët që kanë lënë të vdekur 22 persona. Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut ka thënë se nga ky shpërthim janë vrarë mbi 24 persona. Autobusët po bartinin mijëra shiitë, të cilët mbështesin qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad, Ata po evakuoheshin për në Alepo nga disa disa fshatëra që gjenden në vijat e luftës, ndërmjet forcave qeveritare dhe grupeve rebele. Shumica e popullsisë në Siri janë sunitë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Hyseni: Masat e sigurisë nuk kanë të bëjnë me ndonjë kërcënim konkret Posted: 15 Apr 2017 07:11 AM PDT Masat e shtuara të sigurisë në Kosovë, nuk ndërlidhen me ndonjë kërcënim konkret, por kanë si qëllim ofrimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët gjatë festës së Pashkëve, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni. Nga dita e enjte, vërehet shtim i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nëpër rrugë, sheshe, qytete dhe pranë objekteve të ndryshme fetare. Ministri Hyseni ka theksuar se situata e përgjithshme e sigurisë në vend vlerësohet stabile dhe pa asnjë shenjë përkeqësimi. Kështu që, sipas tij, qytetarët nuk kanë nevojë për panik. "Duke pasur parasysh zhvillimet e ndryshme, aktet e ndryshme terroriste në Stokholm, Dortmund dhe gjithandej Evropës, është krejtësisht e natyrshme që institucionet e sigurisë t'i shtojnë masat gjatë festave të ndryshme, ose gjatë festave fetare". "Kjo bëhet për të shtuar sigurinë dhe assesi për të krijuar panik. Pra, qytetarët në vend që të mos ndjehen në panik, duhet të kenë një ndjenë më të fortë të sigurisë, sepse këto masa të sigurisë shtohen që atyre t'u mundësojnë një festim të lirë dhe pa asnjë brengë", ka thënë Hyseni. Nisur nga disa informacione që posedonin organet e sigurisë në Kosovë dhe rajon, Këshilli për Siguri i Kosovës, kishte njoftuar se ka kërcënime që drejtoheshin kundër bartësve të institucioneve të shtetit dhe kundër objekteve qeveritare e fetare në Kosovë. Por, ministri Skender Hyseni tha se angazhimi i policisë edhe sot do të jetë sikurse edhe viteve tjera, në festa të ndryshme. "Prandaj këto masa nuk lidhen me asgjë konkrete, me asnjë kërcënim konkret. Por, është shtim rutinë i masave të sigurisë karshi festës fetare kësaj radhe. Nëse iu kujtohet, apriori gjatë festave të ndryshme bëjmë kësi lloji veprimesh, bëjmë shtim të masave të sigurisë. Policia e Kosovës i bën vlerësimet e saj profesionale dhe mbi vlerësimet profesionale edhe vlerëson masat", ka thënë Hyseni. Për dallim nga ministri Hyseni, ekspertë të çështjeve të sigurisë, thonë se ka kërcënime dhe se Kosova po ndërmerr masa parandaluese. Agim Musliu, ekspert i kësaj fushe, ka thënë se që sipas informacioneve të siguruara nga institucionet e sigurisë ekziston një kërcenim real sa i përket festës se Pashkëve, për ndonjë veprimi eventual. Për këtë arsye thotë ai, janë shtuar edhe masat e sigurisë në territorin e Kosovës. Megjithatë, Musliu shprehet se qytetarët nuk duhet të shqetësohen dhe të mbështeten në organet e sigurisë se Kosovës. "Kërcënimet eventuale mund të jenë të aspektit fetar, por edhe ato të sigurisë së personaliteteve të shquara dhe qytetarëve të Kosovës". Këto masa janë masa preventive për parandalimin eventual të çdo vepre kriminale. Por, mesazhi që duhet të marr qytetari i Kosovës është që duhet të kemi plotësisht mbështetjen e Policisë se Kosovës dhe instrumentit të sigurisë dhe të mbështetemi në punën dhe veprimin e tyre .Dhe, thjeshtë të mësohemi të jetojmë me rreziqe potenciale sikurse e gjithë bota e qytetëruar", ka thënë Musliu për Radion Evropa e Lirë. Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të premten, ka thënë se "është kërkuar një vigjilencë më e madhe, një prezencë më të madhe, një aktivizim më të madh të të gjitha organeve të sigurisë". "Kemi kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ato të ndërmarrin masa ndaj individëve të cilët e rrezikojnë rendin kushtetues dhe e rrezikojnë jetën e qytetarëve", ka thënë kryeministri Mustafa. Kurse, ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, përmes faqes zyrtare, kanë këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë pushimeve të ardhshme fetare (Festën e Pashkëve) dhe gjatë pjesëmarrjes në festivale apo ngjarje të caktuara. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Turqia përgatitet për referendumin për ndryshimet kushtetuese Posted: 15 Apr 2017 06:35 AM PDT Të shtunën është dita e fundit e fushatës për referendumin për rritjen e pushtetit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Erdogan është paraparë që të mbajë katër tubime në Stamboll, përpara se fushata për referendum të përfundojë në orën 18:00, sipas kohës lokale. Zyrtarët nga partia e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), gjithashtu do të mbajnë tubime, gjatë orëve të fundit të fushatës. Referendumi i 16 prillit po organizohet, teksa shteti është në gjendje të jashtëzakonshme, që është shpallur pas grushtshtetit të dështuar në korrikun e vitit të kaluar. Që atëherë, dhjetëra mijëra persona janë arrestuar, përfshirë dhjetëra gazetarë dhe disa media janë mbyllur. Kundërshtarët e referendumit janë penguar, duke ju kufizuar aktivitetet e tyre në mediat që favorizojnë Erdoganin. Kështu ka thënë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Një një raport të fundit të OSBE-së, thuhet se gjatë javëve të fundit, "disa politikanë dhe shërbyes civilë, përfshirë presidentin, kryeministrin dhe zëvendësprokurorin publik të Antalisë, kanë barazuar fushatën për votën 'Jo' në referendum dhe votuesit që nuk përkrahin ndryshimet kushtetuese, me organizatat terroriste". Erdogan ka hedhur poshtë gjetjet e këtij raporti. "Tash ata (zyrtarët e OSBE-së), thonë se nëse në referendumin në Turqi fiton vota 'po', do të thotë se do të ketë shumë probleme. Kush janë ata (zyrtarët e OSBE-së)? Pikë së pari, ju duhet ta dini vendin tuaj. Kjo nuk është detyra juaj. Ju nuk mund të thoni se çfarë do të ndodhë nëse rezultati është Po ose Jo", ka thënë Erdogan më 14 prill , gjatë një tubimi në Konya. Përderisa Erdogan dhe mbështetësit e tij thonë se me ndryshimet kushtetuese, pra, ndryshimi i sistemit politik, do të përmirësojë demokracinë dhe stabilitetin, kundërshtarët kanë paralajmëruar se një gjë e tillë do të prishë balancën dhe do t'i jap më shumë pushtet zyrës së presidentit. Lideri opozitar turk, i partisë sekulariste, Partia Popullore Republikane, Kemal Kilicdaroglu, ka bërë thirrje për mbrojtjen e republikës. "Le ta mbrojmë së bashku republikën. Të mos lëshohemi në aventuara dhe ta shkatërrojmë republikën tonë. Të mos luajmë bixhoz me atë ardhmën e fëmijëve tanë. Të mos e sakrifikojmë mundësinë e barabartë, barazinë e drejtësisë dhe të drejtën tonë që t'i mbajmë përgjegjës autoritetet", ka thënë ai. Sondazhet tregojnë se do të jetë një garë e ngushtë në mes të përpjekjeve të Erdoganit për të zhvendosur Turqinë nga një sistem paralamentar, në një sistem të centralizuar presidencial. Kampi për votën "Po" në referendum, besohet se ka një avantazh, por fushata shpesh është polizuar dhe ka qenë e mbushur me tensione. Më 14 prill, Erdogan i tha televizionit shtetëror TRT se pas referendumit, ai dhe qeveria e tij, do të shqyrtojnë të ardhmen e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Evropës. Presidenti turk ka thënë se Turqia, që është kandidate që një kohë të gjatë që t'i bashkohet Bashkimit Evropian, padrejtësisht është lënë jashtë bllokut. Gjatë fushatës për rerefendum tensionet u rritën mes Turqisë dhe Evropës, veçanërisht Gjermanisë dhe Holandës. Erdogan i ka quajtur veprimet e disa liderëve perëndimor, si tillë si kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrit holandez Mark Rutte si veprime "fashiste", dhe i ka akuzuar ata për sjellje "naziste", pasi Gjermani dhe Holanda ndaluan disa tubime për referendum të qeveritarëve të Turqisë. Erdogan është në krye të Turqisë që prej vitit 2003, një herë si kryeministër dhe që nga viti 2014, si president. (REL) Përgatiti: Mimoza Sadiku This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pakistan: 8 persona akuzohen për vrasjen e një studenti Posted: 15 Apr 2017 05:50 AM PDT Zyrtarët pakistanezë kanë thënë se 8 persona janë akuzuar për vrasjen brutale të një studenti. Një grup i studentëve të Universitetit Abdul Wali Khan, në qytetin Mardan, kishin rrahur për vdekje studenin Mashal Khan, më 13 prill, duke e akuzuar atë se në mediat sociale ka shpërndarë përmbajtje blasfemike. "Tetë studentë sot janë paraqitur në gjykatën anti-terrorizëm në Mardan n5n akuzat për vrasje", ka thënë prokurori publik, Rafiullah Khan. Në një video të publikuar të sulmit, shfaqet viktima, i identifikuar si 23-vjeçari, Mashal Khan, teksa është i shtrirë në tokë dhe goditet nga studentët me dërrasa druri. Viktima u varros më 14 prill në qytetin e tij të lindjes Suabi. Të paktën 65 persona janë vrarë në Pakistan, nën akuzat për blasfemi që prej vitit 1990. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Një tërmet i fuqishëm godet Kilin Posted: 15 Apr 2017 05:29 AM PDT Një tërmet prej 6.1 shkallësh ka goditur sot në veri të Kilit. Sipas Shërbimit Gjoeologjik të Shteteve të Bashkuara, tërmeti ka goditur 144 kilometra në juglindje të qytetit Calama, me thellësi prej 188 kilometrash. Fillimisht tërmeti ishte regjistruar në magnitudë 6.2 ballësh. Ai ndodhi në orën 5:15 të mëngjesit të sotëm, sipas kohës lokale. Nuk ka asnjë raportim se nga ky tërmet ka viktima në njerëz apo dëme materiale. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Gorbachev paralajmëron për një Luftë të re të Ftohtë Posted: 15 Apr 2017 04:56 AM PDT Lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, i ka bërë thirrje Perëndimit të "ripërtrijë besimin" me Rusinë dhe ka paralajmëruar se dy kundërshtarët e vjetër, janë nisur drejt një Lufte të Ftohtë. "Të gjitha indikacionet e Luftës së Ftohtë janë këtu", tha ai në intervistën dhënë për gazetën gjermane Bild. "Gjuha e politikanëve dhe personelit të lartë ushtarak po bëhen gjithnjë e më shumë militante. Doktrinat ushtarake janë formuluar dhe janë gjithnjë e më të ashpëra. Media po i shton benzinë zjarrit. Marrëdhëniet mes dy fuqishme më të mëdha po vazhdojnë të përkeqësohen", ka thënë ai. Sipas Gorbachev, një garë e re e armëve mes Rusisë dhe Perëndimit tashmë ka nisur. "Nuk është vetëm e pashmangshme. Në disa vende, tashmë ka aktivitet të plotë. Trupat janë vendosur në Evropë, duke përfshirë edhe pajisje të rënda, të tilla si tanket dhe makinat e blinduara", është shprehur ai. Gorbachev ka thënë se "Lufta e re e Ftohtë", mund të shdërrohet në luftë të nxehtë, nëse dy palët nuk bëjnë asgjë për ta parandaluar. "Gjithçka është e mundur", nëse përkeqësimi aktual i raporteve vazhdon, ka thënë ai. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kriza politike shton shkeljet e kodit etik në media Posted: 15 Apr 2017 04:51 AM PDT Këshilli i Etikës në Media në Maqedoni, konsideron se thellimi i krizës politike dhe bllokimi i institucioneve për shkak të pengesave që po bëhen rreth transferimit të pushtetit katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni ka bërë që gjithnjë e më shumë të jenë të pranishme shkeljet e Kodit Etik të Gazetarëve. "Mediat gjithnjë e më shume janë duke e keqpërdorur hapësirën e tyre mediatike duke shpërndarë informata të cilat shërbejnë për realizim të qëllimeve të dhëna ideologjike, megjithëse nuk i shërbejnë interesit publik". "Nuk them se të gjitha mediat janë të tilla, por kemi regjistruar përpjekje të mjaftueshme të cilat janë kërcënuese dhe të cilat nënkuptojnë shmangie nga rregullat e informimit profesional dhe etik", thekson për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media, Marina Tuneva. Nga Këshilli i Etikës së Mediave në Maqedoni, janë regjistruar gjithnjë e më shumë përpjekje për ikje nga vetërregullimi. Drejtoresha e Këshillit Etik të Mediave, Marina Tuneva, njëherësh konsideron se vetërregullimi në hapësirën mediatike në Maqedoni nuk mund të jetë plotësisht i suksesshëm përderisa mungon bashkëpunimi edhe me institucionet e tjera relevante, siç është Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuele si dhe Prokuroria Publike. Ndërkaq ekspertët vlerësojnë se shkeljet më të shpeshta të kodit etik në Maqedoni kanë të bëjnë me publikimin e informacioneve të pa aprovuara, të pasakta si dhe informimi tendencioz në disa media kombëtare të cilat burim kryesor kanë mjetet nga arka e shtetit përmes fushatave të ndryshme të promovimit të politikave qeveritare. Shkeljet të eikës gazetareske janë më të pranishme dhe mediat online veprimi i të cilave nuk është i definuar qartë me ligj. Xhelal Neziri nga Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP, për Radion Evopa e Lirë thotë se për t'ju shmangur trysnisë që po i bëhet mediave si në aspektin ekonomik ashtu dhe atë politik, nevojitet të implementohet praktika evropiane për funksionimin e mediave përkatësisht përpilimi i një regjistri të mediave ku qartë do të definohet karakteri i mediave. "Në rradhë të parë duhet punuar në drejtim të asaj që të bëhet një dallim mes atyre mediave që respektojnë standardet profesionale dhe etikën gazetareske dhe mediave të caktuara, veçanërisht web faqet (portalet), as që kanë lexuar standardet e informimit të mirëfilltë dhe as që e dinë se çka paraqet etikë gazetareske". "Nuk them se duhet të mbyllen apo të ndalohen tërësisht këto media mirëpo duhet të vendosen në një listë ku lexuesve do t'u bëhet e qartë se atë që lexojnë në këto media nuk është e verifikuar dhe nuk ka kaluar filtrat profesioal përmes ë cilave kalon lajmi në mediat e standardizuara", thotë Neziri. Në mungesë të një regjistri të këtillë, shton ai, partitë politike do të themelojnë media dhe do të plasojnë lajme në opinion në favor të tyrin pa mbajtur llogari për dëmin që i bëhet opinionit publik. Ndryshe, gjatë dy viteve të fundit, përkatësisht nga janari i vitit 2015, në Këshillin për Etikë të Mediave në Maqedoni kanë arritur rreth 200 ankesa ku pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë me informim të njëanshëm, diskriminim në forma të ndryshme, gjuhë e urrejtjes dhe problemeve gjatë informimit në media. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Zeka: Qeveria e ngathtë në zgjidhjen e problemeve ekonomike Posted: 15 Apr 2017 04:35 AM PDT "Kjo qeveri e cila ka dy vite e gjysmë që është në pushtet nuk po arrin të kompletojë një pako fiskale. Më i dhimbshëm është fakti që kjo pako fiskale është dashur të jetë në funksion të prodhuesve shumë më parë në mënyrë që efektet e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të jenë më të mëdha dhe në favor të zhvillimit ekonomik", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka. Zeka thotë se edhe pas nëntë viteve atëherë kur të gjitha detyrimet doganore do të hiqen për produktet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, presioni konkurrues për prodhuesit tanë do të jenë i rëndë. Radio Evropa e Lirë: Janë bërë një vit që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asoscimit, cilat janë efektet që ka pasur Kosova nga kjo marrëveshje? Arian Zeka: Realisht efektet nuk kanë qenë të dëshiruara, jo ato që i kemi pritur. Ajo që duhet të potencohet është që Kosova edhe para hyrjes në fuqi të MSA-së, në atë kohë ka qenë duke përfituar nga masat preferenciale tregtare me shtetet e Bashkimit Evropian, edhe pse statusi i atëhershëm ka pasur disa kuota. Ajo çfarë duhet të thuhet është që prodhuesit kosovarë kanë kapacitet të kufizuara të prodhimit dhe realisht të njëjtat i kanë pasur edhe para 1 prillit të viti t2016, përjashtokëtu sektorin e verarisë. Ato kuota nuk kanë arritur të përmbushen asnjëherë që do të thotë edhe pas hyrjes në fuqi të MSA-së efektet tona sidomos të reflektuar në eksportet e Kosovës drejt vendet të BE-së pothuajse kanë mbetur të njëjta. Kjo dëshmohet edhe me statistikat tregtare dhe me bilancin tregtar të vitit 2016 që pothuajse ka mbetur i njëjtë krahasuar me vitin 2015, madje ka pasur edhe rënie të eksportit dhe kjo i referohet edhe gjendjes në të cilën është karakterizuar njëri nga gjigantet më të mëdhenj industrial "Ferronikeli", i cili qoftë për shkak se disa muaj nuk ka punuar qoftë në rënien e çmimit të niklit në berzën ndërkombëtare ka ndikuar dukshëm në bilancin e eksporteve të Kosovës. Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet bërë që prodhimet e Kosovës të depërtojnë më shumë dhe më lehtë në tregjet evropiane? Arian Zeka: Gjendja e eksporteve që karakterizon Kosovën është realisht reflektim i pozitës industriale që mbizotëron në Kosovë. Prodhuesit për vite janë përballur me politika të pafavorshme fiskale dhe kjo realisht nuk ka ndryshuar edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është kërkuar nga asociacionet e biznesit që këto politika të përmirësohen dhe të vihen në shërbim të prodhueseve. Krejt çfarë është kërkuar dhe që duhet të bëhet është që pozita e prodhuesve tanë të sillet në pozitë të barabartë me pozitën e prodhuesve të vendeve të rajonit. Është nisur një reformë fiskale që në fund të vitit 2013, por dinamizmi i kompletimit të kësaj reforme ka qenë shumë i ngadaltë. Luhet me emra, reforma fiskale 1, reforma fiskale 2.0, por që realisht është një reformë fiskale e cila nuk arrin të kompletohet tash e sa vite. Nisë me dy masa të thjeshta lirimi i të gjitha lëndëve të para nga detyrimet doganore që është shembull që aplikohet në vendet e Ballkanit Perëndimor edhe krejt çka duhet të bëhet është e njëjta të aplikohet edhe ne vendin tonë, dhe kërkesa tjetër është futja në fuqi e pushimeve tatimore, prej të cilave do të përfitonin bizneset e reja dhe investitorët që do të vinin në vendin tonë. Për këto dy masa aprovimi do të merrej shumë lehtë edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë. Kjo qeveri ka diku dy vite e gjysmë që është në pushtet dhe realisht nuk po arrin të kompletoj një pako fiskale dhe ajo që është më e dhimbshme është që tash një vit u bënë që nga hyrja në fuqi e MSA-së dhe pakoja fiskale do të duhej të ishte në funksion të prodhuesve tanë në mënyrë që MSA-ja të shfrytëzohet më mirë. Kam drojën që edhe nëntë vite prej kur të gjitha detyrimet doganore do të hiqen për produktet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, do të kalojë shumë shpejt, pastaj presioni konkurrues për prodhuesit tanë do të jenë i rëndë. Radio Evropa e Lirë: Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, ndërkohë rritja ekonomike nuk ka arritur të nivelin e duhur që të zbut këto probleme thelbësore që kanë qytetarët e Kosovës. Ku kanë ngecur institucionet? Arian Zeka: Besoj që faji kryesor rëndon mbi institucionet e vendit që natyrisht na sjellën në këtë situatë. Institucionet nuk po arrijnë të krijojnë një mjedis më të favorshëm për investitorët e huaj. Zhvillimi më i hovshëm ekonomik nuk mund të ndodh duke u bazuar vetëm në kapacitet e brendshme afariste. Ne duhet të jemi shumë më agresiv në promovimin e mundësive për të investitorët e huaj që të investojnë në vendin tonë. Ne këtu nuk punojmë sa duhet sidomos nuk punojmë sa duhet nëse krahasohemi me shtetet e rajonit. Treguesi më i mirë sesa pak bëjmë për tërheqjen e investime të jashtme janë edhe statistikat e vitit 2016 ku tregojnë se nga viti në vit kemi pasur rënie. Pavarësisht se sa mirë rangohemi në raportin e Bankës Botërore apo raportet e organizatave tjera, ku zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës flasin me shumë mburrje e njëjta nuk po përkthehet në të arritura në terren, me shtim të vlerës së investimeve të huaj dhe investitorëve serioz dhe të rinj. As në aspektin politik as në aspektet të tjera si sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit shtete e rajonit nuk janë kampion ose që ndërmarrin masa të caktuara, por ata janë më të suksesshëm në promovimin e mundësive për të investuar në vendet e tyre. Ky promovim neve si shtet na mungon. Radio Evropa e Lirë: Ligji për investime strategjike në Kosovë i miratuar tanimë sa është arritur të promovohet tek investitorët potencial dhe si i tillë ky ligj a ka arritur që të tërheq vëmendjen e investitorëve në veçanti atyre amerikanë? Arian Zeka: Ne vazhdimisht si Odë Amerikane, flasim për çështjen e dinamikës së ngathtë institucionale në rregullimin e të gjitha problemeve që e karakterizojnë vendin tonë. Është mirë që Kuvendi i Kosovës ka miratuar këtë ligj, po ashtu është mirë që Gjykata Kushtetuese e ka dhënë dritën e gjelbër se ky ligj nuk cenon parimet kushtetuese të vendit tonë, por ky ligj duhet të përcillet me legjislacionin sekondar dhe institucionet tona atë afatin maksimal prej gjashtë muajve po e respektojnë pavarësisht faktit që në këtë rast bëhet fjalë për diçka të natyrës më urgjente. Për momentin, Ligji për Investime Strategjike nuk mund të zbatohet pasi që nuk ekzistojnë dispozitat e legjislacionit dytësor të cilat do të mund të ju ofrojnë përfitime investitorëve potencial strategjik. Si Odë Amerikane nuk kemi synuar që të promovojmë ende këtë mundësi para investitorëve si dhe kemi organizuar ngjarje në SHBA apo ne vende tjera evropiane pasi që dëshirojmë që nëse ka interesim të investitorëve potencial ata ta kenë tërë kornizën ligjore të kompletuar për këtë ligj. Po presim nga ana e institucioneve të Kosovës që të finalizojnë udhëzimet administrative të këtij ligji që më pas investitorët të vinë dhe të mund të nisin negociatat me trupat ndërqeveritar duke përfituar nga ekzistimi i një ligji të tillë. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| SHBA heton shpërlarjen e dyshuar të parave të Rusisë në Qipro Posted: 15 Apr 2017 03:36 AM PDT Një anëtarë i Kongresit, që po heton përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA,ka udhëtuar për në Qipro, për të hetuar operacionet e shpërlarjes së parave, që mund të jenë përdorur nga Kremlini. Qiproja prej kohësh përdoret si strehë për rusët e pasur për të fshehur fondet e tyre. Në Qipro dyshohet se Rusia ka shpërlarë miliona dollarë, si pjesë e fushatës së tyre për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale. "Llogaritë offshore, si ato që janë përdorur në Qipro, janë një prej shumë mjeteve që Kremlini përdor për të ushtruar ndikim jashtë vendit", ka thënë përfaqësuesi demokrat Mike Quigley, i cili është anëtarë i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA. "Udhëtimet e tilla i ndihmojë Komitetit tonë që të vazhdojë t'i lidhë pikat specifike të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje dhe aktiviteteve të tjera që kanë ndërmarrë në mbarë botën", ka thënë ai, duke e quajtur udhëtimin e tij si "informativ dhe në kohën e duhur". Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin se ka organizuar fushatën e sulmeve kibernetike dhe dezinformuese, që rezultati i zgjedhjeve të nëntorit të shkojë në favor të republikanit, Donald Trump. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pence pritet të nisë turneun aziatik Posted: 15 Apr 2017 02:08 AM PDT Nënpresidenti amerikan, Mike Pence do të nisë turneun e tij në rajonin e Azi-Paqësorit, pas rritjes së tensioneve në Korenë Veriore, për shkak të lansimit të raketave dhe programit bërthamor. Pence pritet të arrijë në Korenë e Jugut më 16 prill. Ai do të vizitojë edhe Japoninë gjatë turneut të tij dhjetëditor. Udhëtimi i tij në rajonin e Azi-Paqësorit, vjen pas indikacioneve se Koreja e Veriut mund të jetë duke përgatitur testin e gjashtë bërthamor ose lansimin e ndonjë rakete, që mund të jetë testimi i parë i një rakete balistike interkontinentale. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u ka thënë gazetarëve këtë javë se "Koreja e Veriut është problem. Problemi do të zgjidhet". Ai vazhdimisht ka deklaruar se nëse Kina, që është partneri kryesor tregtar i Koresë së Veriut, nuk ka vullnet që të bëjë më shumë për të zgjidhur problemin e Veriut, SHBA do ta marrë këtë çështje në duart e veta. Këto komente ai i ka bërë përderisa avionmbajtësit e SHBA-së janë nisur për në Gadishullin Korean. Sidoqoftë, zyrtarët ushtarakë kanë thënë se SHBA nuk ka për qëllim që të përdor forcë ushtarake ndaj Koresë së Veriut, si përgjigje për testet bërthamore dhe lansimit të raketave nga Pheniani. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rritet numri i të vrarëve nga shpërthimi i bombës jobërthamore Posted: 15 Apr 2017 01:34 AM PDT Zyrtarët afganë thonë se numri i luftëtarëve të Shtetit Islamik, të vrarë nga bomba më e fuqishme jobërthamore e SHBA-së, ka arritur në 94. SHBA për herë të parë ka përdorur bombën GBU-43/B më 13 prill, ku ka goditur pozicionet e IS-it në provincën Nangarhar të Afganistanit. Guvernatori provincial, Muhammad Isail Shinwari, ka thënë më 15 prill se katër komandatë kyç janë në mesin e militantëve të vrarë. Ai ka shtuar se nga shpërthimi i bombës më të fuqishme jobërthamore të përdoror ndonjëherë, nuk ka asnjë viktimë në mesin e civilëve. Ministria e Mbrojtjes së Afganistanit, më 14 prill ka raportuar se nga shpërthimi në qarkun Açin janë vrarë 36 militantë të IS-it, kur bomba goditit një komples të tunelit të përdorur nga IS-i si depo e municionit dhe qendër komanduese. Bomba GBU-43/B njihet me njofkën "Nëna e të gjitha bombave". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Koreja e Veriut thotë se është gati për “luftë bërthamore” Posted: 15 Apr 2017 01:12 AM PDT Koreja e Veriut ka shfaqur raketa balistike interkontinentale dhe pajisje të tjera ushtarake në një paradë masive më 15 prill dhe është zotuar se është "gati për të goditur sërish me sulme bërthamore", kundër armiqëve. Parada, që është organizuar për të shënuar ditëlindjen e 105-të të Kim Il Sung, gjyshit të liderit aktual Kim Jong Un, është organizuar në kohën e ngritjes së shqetësimeve se Koreja e Veriut ndoshta është duke përgatitur testin e gjashtë bërthamorë, dhe lansimin eventual të ndonjë rakete, siç mund të jetë prova e parë e fluturimit të një ICBM. Televizioni shtetëror ka shfaqur liderin Kim, duke duartokitur. Ai ishte i rrethuar nga zyrtarët e tjerë qeveritarë, të cilët po shikonin mijëra ushtarë dhe civilë të cilët morrën pjesë në sheshin Kim Il Sugn në Phenian. Kim Jong Un nuk ka folur në këtë paradë. Por Choe Ryong Hae, që raportohet se është zyrtari i dytë më i pushtetshëm në vend, ka thënë se Pheniani është i përgatitur nga çdo kërcënim që vjen nga Shtetet e Bashkuara. Ai ka kritikuar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për "krijimin e një situate të luftës" në Gadishullin Korean, pas vendosjes së aseteve strategjike ushtarake në rajon. "Ne do të përgjigjemi ndaj luftës së hapur me luftë të hapur, dhe me luftë bërthamore të stilit tonë të sulmeve bërthamore", ka thënë Choe. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shpëtohen mbi 2 mijë migrantë në Mesdhe Posted: 15 Apr 2017 12:48 AM PDT Më shumë se 2 mijë migrantë, që po tentonin të arrinin në Evropë janë shpëtuar, pasi anijet me të cilat po udhëtonin u fundosën në Detin Mesdhe. Zyrtarët kanë thënë se më 14 prill, një migrantë është gjetur i vdekur. Një zëdhënës i gardës detare italiane, ka thënë se janë ndërmarrë 19 operacione të shpëtimit nga garda detare dhe organizatat joqeveritare, ku janë shpëtuar 2,074 migrantë, të cilët po udhëtonin me 16 gomone dhe 3 anije të vogla prej druri. Ndërkaq, një adoleshent është gjetur i vdekur në njërën prej anijeve. Migrantët e shpëtuar janë dërguar në portet italiane. Autoritetet turke dhe spanjolle raportohet se po ashtu kanë ndërmarrë operacione të shpëtimit të migrantëve. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrantë, rreth 32 mijë migrantë kanë arritur në Evropë përmes detit vetëm gjatë këtij viti. Mbi 650 të tjerë kanë vdekur ose konsiderohen të zhdukur. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Partitë politike premtuan ‘përralla’, humbin besimin Posted: 14 Apr 2017 11:55 PM PDT Partitë politike, vlerësohet se po e humbin në vazhdimësi besimin e qytetarëve të Kosovës. Këto të dhëna dalin si rezultat i sondazheve, përfshirë edhe ato ndërkombëtare. Korrupsioni, nepotizmi, pasurimet e dyshimta, mungesa e ndëshkimit penal e deri te premtimet pa asnjë mbulesë, veçohen si faktorët që kanë ndikuar në rënien drastike të besimit te partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre në institucionet e shtetit, në të dyja nivelet. Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë kryesisht dy lloje të deklaratave pa asnjë mbulesë, që liderët dhe politikanët kosovarë i bëjnë, qoftë gjatë fushatave zgjedhore apo ushtrimit të mandatit në institucione. "Të parat, janë deklarata dhe premtime të cilat bëhen pa një mbulesë dhe jashtë kompetencave të bartësve të këtyre posteve". "Pra, janë premtime që nuk mund të realizohen dhe nuk varen në vullnetin e këtyre politikanëve dhe lloji tjetër i premtimeve e deklaratave, të cilat nuk janë realiste, siç ishte rasti me deklaratat për krijimin e 200 mijë vendeve të punës", thotë Krasniqi. Deklarata e tilla, sipas Krasniqit, prodhojnë disa efekte. Së pari, ai thotë se përmes tyre dëmtohet konkurrenca mes partive politike në fushatë dhe nxitë edhe partitë tjera që t'i shtojnë premtimet pa mbulesë, por që në anën tjetër si pasojë negative sjell rritjen e mosbesimit te votuesit. "Çfarëdo dalje e ulët në zgjedhje, përveç që dëmton legjitimitetin e partive politike u jep mundësi më shumë këtyre partive të cilat nuk janë serioze dhe nuk i bartin përgjegjësitë të cilat i kanë marrë nga qytetari të mos i ushtrojnë në institucione", ka thënë Krasniqi. Duke u thirrur në hulumtimet vendore e ndërkombëtare, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairi O'Connell thotë së humbja e besimit te partitë politike, do të duhej të përbënte një shqetësim të madh. "Është shqetësim i madh që njerëzit në Kosovë ju besojnë më së paku partive politike. Po ashtu është shumë keq që personat e akuzuar për krime vazhdojnë të qëndrojnë nëpër parti politike", ka thënë ambasadori britanik. Këtë deklaratë ambasadori O'Connell e ka dhënë në konferencën "Lansimi i programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë", ku kishte dalë si rezultat se partive politike u besohet më së paku në Kosovë. Marrë parasysh deklaratat pa mbulesë të liderëve e përfaqësuesve politik, Albert Krasniqi thotë se mediat, shoqëria civile dhe publiku në përgjithësi, duhet t'i mbajë përgjegjës ata liderë dhe ato parti politike që politikën e tyre e mbështesin në një strategji të tillë premtimesh, të cilat në asnjë rast nuk mund t'i realizojnë. Në fushatën e vitit 2014, kryetari i Lidhjes Demokratike, aktualisht kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte premtuar edhe ndërrimin e simboleve të shtetit nëse LDK do të vinte në pushtet. "Ne do t'ia kthejmë Kosovës flamurin dardan që e keni përpara, si flamur shtetëror të Republikës së Kosovës, të cilin e propozoi presidenti Ibrahim Rugova. Ne do t'ia kthejmë Kosovës, me pëlqimin e të gjithëve, himnin "Kur ka ra kushtrimi n'Kosovë", që po ashtu e deshi Rugova", pati deklaruar Mustafa. Ndërkohë që nga premtimet pa mbulesë, analistët veçojnë edhe ato të ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, tani presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi për krijimin e 200 mijë vendeve të punës. Thaçi, edhe nga pozita e presidentit, vlerësohet se doli mjaftë kontravers me premtimet e tij për krijimin e ushtrisë së Kosovës. "Këto ditë është thënë qartë se Lista Serbe nuk do të votojë kurrë për ushtrinë e Kosovës, pasi ata punojnë me interesa të Qeverisë së Serbisë. Kjo do të thotë që ne nuk mundemi të shkojmë me ndryshimet kushtetuese, por me projektligj", kishte deklaruar fillimisht Thaçi. Por, pas presioneve ndërkombëtare, Thaçi e ndërroi mendjen dhe deklaratën, duke thënë se ende kishte hapësirë për negociata me serbët. "Unë konsideroj se institucionet tona ende e kanë kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjmë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës", kishte deklaruar Thaçi. Nisur nga premtimet pa ndonjë plan zbatimi në praktike, analisti nga Demokraci Plus, Driton Selmanaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në të kaluarën, votuesit edhe mund t'u besonin premtimeve pa asnjë mbulesë të liderëve dhe partive politike. Por, për rrethanat aktuale, ai thotë se elektorati është i vetëdijesuar çka e dëshmojnë edhe sondazhet e ndryshme të cilat partitë politike i rendisin si më së paku te besueshmet në Kosovë. "Po del që besimi ndaj institucioneve dhe partive politike është minimal dhe se trendi tregon rënie të vazhdueshme. Ky është rreziku më i madh". "Në shoqëritë të cilat nuk besojnë në elitat e tyre politike, në institucionet publike, ekziston rreziku i daljes nga kontrolli, rreziku nga veprimet jo racionale, jodemokratike, sepse një shoqëri e mbanë kompakt besimi reciprok", ka thënë Selmanaj. Një gjendje e tillë mos besimi, i shtyn më pas votuesit që të mos dalin në zgjedhje, çka sipas Selmanaj, vërehet rënie e përqindjes së daljes në zgjedhje nga procesi në proces. Partitë politike po ballafaqohen me krizën e ofrimit të ofertave serioze zhvillimore, thekson Selmanaj. Andaj sipas tij, kur dëgjohen premtime të tilla, njeriu mund të mendoj se po dëgjon përralla. Krahas partive në pushtet, edhe opozita, sipas Selmanajt, në vend se të ofrojë një program zhvillimor prezanton vetëm qasje ndryshe për proceset e mëdha politike, por të cilat nuk e përmirësojnë me asgjë jetën e qytetarëve të vendit. "Opozita në vend që ta sfidojë qeverinë me ofertë konkrete programore për zhvillimin e vendit, opozita ka zgjedhur tema nacionale si Asociacioni, Demarkacion i FSK-ja, e kështu me radhë, që të bëj opozitën. Por, kjo nuk është ofertë. Kjo tregon për ndërrim të qasjes, por jo atë të zhvillimit, të cilën populli i Kosovës e pret dhe e dëshiron", vlerëson Selmanaj. Krahas defekteve tjera me të cilat po ballafaqohen partitë politike në Kosovë, ato janë kritikuar nga mekanizmat ndërkombëtar edhe për mungesë transparence, fshehje të fondeve dhe për pengim të reformave demokratike. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Senatori McCain vizitoi Shqipërinë Posted: 14 Apr 2017 09:50 PM PDT Zëri i Amerikës Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John McCain, vizitoi Shqipërinë të premten, në vijim të turit zyrtar nëpër disa kryeqytete të Ballkanit. Senatori McCain, i cili shërben si kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, u takua me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe udhëheqësin e opozitës Lulzim Basha. Senatori McCain po ashtu vëzhgoi ushtrime ushtarake dhe u takua me anëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Senatori McCain, sipas një njoftimi të ambasadës amerikane në Tiranë, në këto takime theksoi partneritetin ushtarak SHBA-Shqipëri, rëndësinë e reformës në drejtësi në vend, si dhe përpjekjet për të mundur ISIS. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, theksoi në takimin me të se Shqipëria do të vazhdojë të japë ndihmesën e saj dhe të përmbushë përgjegjësitë ushtarake dhe financiare në kuadër të NATO-s. Ai e siguroi Senatorin McCain se Shqipëria dhe forcat e saj të armatosura do të vazhdojnë ta luajnë këtë rol edhe në të ardhmen. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe Senatori John McCain, biseduan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, situatën politike në vend dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Zoti Meta theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit shqiptaro-amerikan në shërbim të forcimit të kredencialeve demokratike të Shqipërisë dhe të paqes e qëndrueshmërisë së rajonit. Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain ndanë bindjen se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe aleate besnike e SHBA-ve duhet të rrisë kontributin buxhetor në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se investimi në fushën e sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në Ballkan. Kryeministri Edi Rama shkroi nw rrjetet sociale pas takimit me zotin McCain se kishte biseduar për "120 minuta të paharrueshme me një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave që bëjnë shtet". Senatori McCain u takua po ashtu me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Zoti Basha i përcolli senatorit shqetësimin për "gjendjen kritike të vendit" në raport me sigurinë dhe krimin e organizuar për shkak të "shumëfishimit galopant të kultivimit dhe trafikut të drogës" dhe pranisë së personave me rekorde të rënda kriminale në parlament, bashki dhe funksione të larta publike. *Ky tekst fillimisht u publikua në faqen e VOA Shqip This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| SHBA: Bomba masive kundër IS-it, arma e duhur për këtë grup Posted: 14 Apr 2017 10:31 AM PDT Komandanti i forcave amerikane në Afganistan, John Nicholson, tha se vendimi për të përdorur njërën prej bombave më të mëdha jobërthamore kundër grupit militant Shteti Islamik në Afganistan është marrë në komunikim me zyrtarët në Uashington. "Ka qenë arma e duhur kundër objektivës së duhur", tha Nicholson për gazetarët në Kabul. Numri i të vrarëve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, por zëdhënësi i Ministrisë afgane të Mbrojtjes, Davlat Vaziri, tha se 36 luftëtarë të Shtetit Islamik janë vrarë nga shpërthimi masiv, ndërsa civilët nuk janë dëmtuar. Bomba është hedhur në qarkun Açin të provincës Nangarhar. Kryeshefi ekzekutiv i Afganistanit, Abdullah Abdullah, konfirmoi se sulmi është kryer në koordinim me qeverinë dhe se është bërë "kujdes i madh për civilët". Bomba që është hedhur GBU-43/B është zhvilluar për përdorim në luftën në Irak dhe për herë të parë është testuar në vitin 2003. Ajo nuk është përdorur kurrë në aksione deri më 13 prill. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





