Deputeti Alfred Peza nën hetim
për pastrim parash
Pas hetimit administrativ të hapur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, (ILDKPKI), Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka regjistruar hapjen e hetimeve "kryesisht" në ngarkim të deputetit Alfred Peza pasi bashkëshortja e këtij të fundit bleu 113 milionë lekë aksione në Bankën Credins.Banka Credins është aktualisht një nga dy bankat e vetme me kapital kryesisht shqiptar në Shqipëri. Sipas të dhënave mbi aksionerët e kësaj banke të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Ndini bleu afro 523 mijë aksione ose 1 për qind të aksioneve të bankës me vlerë nominale prej 54 milionë lekësh nga Aleksandër Pilo, një nga aksionerët më të hershëm të bankës. Kontrata e transferimit, e publikuar në prill 2015 në QKB tregon se këto aksione u blenë nga Ndini për 113 milionë lekë. Që nga prilli i vitit 2015, Banka Credins ka ndërmarrë disa herë rritje të kapitalit aksioner përmes moshpërndarjes së fitimeve apo përmes emetimit të kuotave të reja të aksioneve. Aktualisht Ndini disponon 0.79 për qind të aksioneve të bankës.
Inspektoriati dhe drejtuesi i inspektoriatit Shkëlqim Ganaj kanë qenë nën akuza gjatë kohëve të fundit për inaktivitet në hetimin e rasteve të dyshuara për pasuri të pajustifikuara për konflikt interesi. Prokuroria e Përgjithshme ka hapur aktualisht hetime ndaj Ganajt për mungesë hetimesh.
Zyrtarët e lartë të zgjedhur apo të emëruar kanë detyrimit të deklarojnë pasuritë dhe interesat e tyre private që nga viti 2003.
Inspektoriati pritet ta hetojë Pezën jo vetëm për burimin e pasurisë, por edhe për mundësinë e konfliktit të interesave. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, deputetët nuk mund të kenë interesa në kompani që ka “veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Mbetet për t’u parë nëse aktiviteti i zakonshëm i Bankës Credins bie apo jo në këtë klauzolë të Kushtetutës.
Prokuroria e Përgjithshme nis hetimet ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Alfred Peza. Peza vendoset në hetim për evazion fiskal, deklarim i rremë i pasurisë dhe falsifikim dokumentesh. Deputeti i PS pritet të merret në pyetje nga dy prokurorë të caktuar me cështjen në ngarkim të tij.
Këtë të premte në prokurori është paraqitur dhe ish-bashkëshortja e Alfred Pezës, Adelina Toli.
Ajo ka pranuar që të bashkëpunojë me institucionet e akuzës me kushtin që ti sigurohet jeta e djalit, pasi ka frikë për sigurinë e tij.
"Jam e gatshme të bashkëpunoj me drejtësinë, frika ime e vetme siguria e djalit që kam me ish-bashkëshortin Alfred Peza" mësohet se është shprehur ajo para prokurorëve që po hetojnë dosjen.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se kreu ILDKP, Shkëlqim Ganaj dhe kreu i KLSH, Bujar Leskaj po zhvillojnë një takim me Prokurorin e Përgjithshëm.
Hetimi për deputetin e PS nisi pas publikimit të lajmit në lidhje me blerjen e aksioneve në bankën Credins nga bashkëshortja e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Alfred Peza, me vlerë rreth 1,13 miliardë lekë.
Peza është shprehur se mirëpret vendimin e ILDKPI për kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ mbi pasurinë e familjes së tij, pasi 'aksionet i kemi blerë nga kursimet e shumë viteve punë'.
Por Shqiptarja.com zbardhi pak ditë më parë një dokument, i paraqitur para gjykatës për një çështje private, nga i cili rezulton se, paga bruto e Alfred Pezës tek Ora Neës ishte 80 mijë lekë në muaj. Në vitin 2010, për një çështje private, Peza ka paraqitur një vërtetim page, lëshuar nga Ora Neës.
Sipas dokumentit zyrtar që punëdhënësi ia ka lëshuar Pezës, rroga e këtij të fundit rezulton 80 000 lekë. Meqenëse në vërtetim reflektohet paga bruto, paga e tij neto është rreth 60 mijë lekë.





