Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës, do të mblidhet sot për herë të parë.


Qeveria e Kosovës më 18 janar 2017  u ka bërë thirrje partive opozitare të marrin pjesë me përfaqësuesit e tyre në këtë takim.

“Duke pasur parasysh interesat vitale të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj si dhe duke ditur zhvillimet e fundit dhe domosdoshmërinë për unifikim rreth kauzave shtetërore, Qeveria e Republikës së Kosovës i fton përfaqësuesit e tri subjekteve politike, Lëvizjes Vetëvendosje!, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, që t’i dërgojnë ekspertët e tyre në komision, kontributi i të cilëve do të ishte tejet i çmuar në këtë proces shtetëror”, është thënë në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Pjesëmarrjen në punën e këtij komisioni e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët, përveç ata të tri subjekteve opozitare.



Përbërja e komisionit për matjen e territorit

Në këtë komision janë ftuar në cilësinë e anëtarëve përfaqësues nga:

- Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës;

- Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore;

- Lëvizja Vetëvendosje;

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;

- Nisma për Kosovën;

- Dy ekspertë nga organizatat e shoqërisë civile;

- Agjencia e Kadastrës;

- Agjencia e Ujërave;

- Agjencia e Pyjeve;

- KOSTT-i;

- Agjencia Kosovare e Privatizimit;

- Policia e Kosovës;

- Agjencia e Statistikave të Kosovës;

- Komuna e Pejës;

- Komuna e Deçanit;

- Komuna e Istogut;

- Komuna e Junikut;

- Dy përfaqësues nga zona e Rugovës së komunës së Pejës.

Kurse në cilësinë e anëtarëve vëzhgues janë ftuar përfaqësues nga:

- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë;

- Bashkimi Evropian;

- KFOR-i.