“Rama përdor çdo mundësi, që të fyejë Serbinë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte sot në Beograd, ndërsa si duket deklaratat e tij nuk u pëlqyen nga të gjithë.


Është pikërisht anëtari i Partisë Demokratike të Serbisë, Jovan Palaliq, i cili ka theksuar se Edi Rama me deklaratat e tij se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe se “Trepça” duhet ti takojë Prishtinës, dëshmon se është promotori kryesor i idesë së krijimit të ashtuquajturës ‘Shqipëria e Madhe’.

Sipas Palaliq, Rama përdor çdo mundësi, kur është fjala që të fyejë Serbinë në Beograd, institucionet e saj dhe historinë.

“Edi Rama vazhdon të mbështesë separatistët dhe kriminelët në Prishtinë. Trepça dhe Kosova do të mbeten të serbëve, dhe Serbia dhe Rusia janë aleatët më të ngushtë dhe miqtë më të afërt”, thuhet në deklaratën e Palaliq.


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili po qëndron në Serbi për të marrë pjesë në panelin me temën marrëdhëniet shqiptaro-serbe, ka takuar gjatë ditës së sotme përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Gjatë takimit Rama ka siguruar ata se nuk ka asnjë pengesë për njohjen e diplomave.

Ai tha se kryeministri serb Aleksandar Vuçiq është angazhuar për një proces që ka shumë hije të së shkuarës për t’i lënë pas.


“Do vazhdojmë me vullnet të plotë të promovojmë ndërtimin e urave mes Shqipërisë dhe Luginës së Shqipërisë”, ka deklaruar Rama.