A duhet ta lejojmë kryeministrin shqiptar të negocioj për Kosovën?


Gani Mehmetaj


Kur kombëtarja shqiptare humbi për faqe të zezë në Elbasan nga Serbia, s’kishte kush të më bindte që nuk ishte kurdisje politike-mafioze. E turpëruam Serbinë në Beograd, e turpëruan serbët vetën me sjelljet prej bishe, kështu që zyrtarët e të dy shteteve u morën vesh që turpi të mos dyfishohet, por kësaj radhe të turpërohen shqiptarët.

Disa ditë para ndeshjes policia shqiptare më urdhër nga lartë e arrestoi Ballistin, protagonistin për të cilin u tha se ua luajti lojën serbëve. Disa e quajtën spiun, ndërsa përpiqeshin të na bindin se serbët janë aq të marr sa ta turpërojnë vetën në kryeqytetin e tyre përmes Ballistit. Një ditë më parë zyrtarët e policisë shqiptare kërcënuan tifozët kuq e zi se do t’i shkallmonin me dajak e shkelin me autoblinda po krijuan trazira. Nuk ishte vështirë të lexohej se po gatitej disfata e kombëtares shqiptare, prandaj duhej frenuar e frikësuar për tmerr të pakënaqurit. Policia shqiptare demonstronte fuqi si të bëhej fjalë për armikun e jo për tifozët kuq e zi që erdhën nga Kosova e territoret tjera etnike që ta mbështesnin shtetin amë. Turp më të madh kombëtarja shqiptare nuk pati.

Dhe sot është mafia e sportit shqiptar ajo që ka nis fushatë denigrimi kundër shtetit të Kosovës, në vend që ta ndihmojnë ekipin e ri, ashtu sikurse e ndihmoi në dhjetëvjetëshin e fundit diplomacia shqiptare. Këndellja e kombëtares së Kosovës është në të mirën e shtetit shqiptar. Vetëm po menduan serbisht, mund të mendojnë ndryshe. Zvicra që i rriti e mëkoi sportistët tonë, nuk bëri asnjë presion, përkundrazi na mbështeti, ndërsa mafiozet e sportit shqiptar që nuk u dhanë asgjë sportistëve tanë, na fyejnë e denigrojnë. Kosova është shtet. Është shteti i dytë shqiptar. Këtë fakt nuk e pranon vetëm Serbia dhe një grusht të ndërsyerish nga Serbia.

Disa kohë pas turpit të Elbasanit, kryeministri shqiptar shkoi në Beograd i ndjekur nga televizionet si te ishte yll muzike, ndërsa mori me vete dy ish-spiuj të UDB-së të kohës së Miloshevqit nga Kosova. Mediet shqiptare krijuan atmosferë sikur ai po e pushtonte Beogradin e jo që zyrtarët shqiptar po i përuleshin Beogradit. U harruan 20 mijë shqiptarë të Kosovës që i vrau Serbia, kush nuk e përmendi kërkim faljen për krimet serbe. Jemi mësuar më harresa të zyrtarëve të Tiranës, na kanë përvëluar marrëveshjet e fshehta.

Pompa e vizitës së Ramës në Preshevë ishte një spektakël tjetër cirku, që e bënin zyrtarët shqiptar, ndërsa më vinte të qaja sa më emocione të natyrshme e prisnin shqiptarët jetimë të Luginës. Më të ikur kryeministri shqiptar, Beogradi iu vërsul Luginës së Preshevës më polici e ushtri, nisi t’i terrorizonte si asnjëherë më parë shqiptarët, ua ndaloi në kufi librat shqip për të cilat sapo u morën vesh Tirana e Beogradi. Njëkohësisht dikush ia shkeli syrin Ankarasë që t’i vërsulej më xhami e propagandë shkombëtarizuese këtij territori shqiptar. Tirana nuk e bëri asnjë reagim. Reagoi flashkët Prishtina. Zyrtarët shqiptar ishin të zënë më koncesionet që ia jepnin avionëve serb në aeroportin e Tiranës. Kështu Tirana tash do të lidhet më botën përmes Beogradit, në vend që të lidhej si dikur përmes Romës, Frankfurtit e Vjenës.

Kosova ka zot shtëpie

Shqiptarët e Luginës së Preshevës të tradhtuar nga Tirana, të harruar e të shpërfillur nga Prishtina, kanë nis grupe-grupe t’i hidhen në prehër Erdoganit. Shqiptarët e Maqedonisë i ka tradhtuar Tirana e Prishtina shumë më herët, duke i lënë në mëshirën e policisë sllave, apo nën terrorin propagandistikë e trush përlarjen e Turqisë, Arabisë Saudite e Iranit.

Në frymën e shitjes së interesave kombëtare për interesa personale është edhe takimi i kryeministrit shqiptar me kryeministrin serb. Temë e bisedimeve do të jetë kalimi i automjeteve e mallrave serbe përmes territorit të Kosovës pa e njohur shtetin tonë dhe pa i ftuar zyrtarët shqiptar të Kosovës. Gatishmëria e kryeministrit shqiptar që të negocioj në kurriz të interesave të Kosovës është një thikë pas shpine, ashtu sikurse ua nguli thikën shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ashtu sikurse i shiti interesat e shqiptarëve në Maqedoni. Serbia nuk e pranon shtetin e Kosovës, ndërsa e fton kryeministrin shqiptar që të nënshkruaj për kalimin e serbëve nëpër territorin e saj. Serbia ia kërkoi Tiranës që ta ndajë Kosovën, ashtu sikurse ia kërkonte dikur Milosheviqi Nanos. Zyrtarët shqiptar nuk dhanë asnjë përgjigje publike, për diplomacinë e fshehtë nuk dimë.