Herion Mesi
Partia Demokratike depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj Kryeministrit Edi Rama në lidhje me skandalin e fotografisë që Edi Rama në cilësinë e ish-kreut të opozitës me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama në tetor të vitit 2012. Në një prononcim për mediat menjëherë pas dorëzimit të kallëzimit, deputeti demokrat, Eduard Halimi, deklaroi dje se kryeministri Rama ka kryer elementët e tri veprave penale, si mashtrimi, pastrimi i parave dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm. “Dorëzuam në emër të grupit parlamentar kallëzimin ndaj Kryeministrit, për faktet dhe grup faktet botërisht të njohura për rastin e vitit 2012, ku tregohet qartë që kryeministri ka konsumuar elementët e tre veprave penale, atë të mashtrimit, të pastrimit të parave, duke ushtruar ndikim të paligjshëm dhe duke përfituar drejtpërdrejt. Faktet e mbledhura nga organet ligjzbatuese amerikane tregojnë qartë se 80 mijë dollarë janë paguar nga Shqipëria nga burime tërësisht të dyshimta të padeklaruara nga kryeministri, me një qëllim të vetëm përdorimin e një takimi me një foto me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama”, u shpreh Halimi. Më tej, ai shtoi se faktet dhe grupfaktet plotësojnë të gjithë elementët e figurave penale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar. “Po kështu, edhe precedenti i Rumanisë shumë vite më parë Viktor Ponta për shuma shumë herë më të vogla se këto që akuzohet kryeministri. Tani është momenti që Prokuroria të thërrasë kryeministrin, i cili është i detyruar t’u japë përgjigje pyetjeve të opozitës” – tha Halimi. Teksa kryeministri e ka mohuar një fakt të tillë, deputeti demokrat tha se të gjitha faktet e agjencive ligjzbatuese amerikane tregojnë se ishte kryeministri Rama ai që ka dërguar paratë me qëllim marrjen e një fotoje me Presidentin Obama.
Reagimi i Kryeministrisë
Pas kallëzimit të bërë nga Partia Demokratike për një fotografi të Edi Ramës me Presidentin Obama katër vite më parë ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrisë. Në një komunikatë për mediat, që u shpërnda dje nga zyra e shtypit e Kryeministrisë, thuhet se Edi Rama ka bërë vetëm një ‘krim’, që ka dalë në foto me Obamën në një kohë kur Berishës i ishin mbyllur të gjitha dyert jashtë Shqipërisë. “Kallëzimi i PD-së për fotografinë e vitit 2012 me Presidentin Obama, kur Kryeministri i sotëm ishte në opozitë dhe akuza për financim të paligjshëm nga ana e tij të fushatës së Presidentit Obama, përben një tjetër rast për qytetarët për të parë se në çfarë niveli dëshpërimi gjendet opozita e sotme. Kryeministri Rama s’ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm dhe i vetmi “krim” që ka bërë në vitin 2012 është se ka dalë në fotografi me Presidentin e SHBA në një kohë kur qeverisë shqiptare dhe shefit të saj i ishin mbyllur të gjitha dyert dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë vuanin rrënimin e imazhit të vendit tonë për shkak të keqqeverisjes”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë. Më tej, Rama i bën sërish thirrje Opozitës që të votojë Reformën në Drejtësi dhe të mos bëhet pengesë për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të kësaj reforme. “Edhe sot, Partia Demokratike vazhdon të paguajë për të nxjerrë artikuj në gazeta të dorës së dytë e të tretë matanë oqeanit, që përpiqet t’i shesë në Shqipëri si “bomba” kundër qeverisë së sotme, e cila u prit zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë pas vitesh të tëra dyersh të mbyllura. Rama përfiton edhe një herë nga rasti për t’i bërë publikisht thirrje Partisë Demokratike që përveç propagandës së baltës dhe kallëzimeve që janë pjesë e kësaj propagande, të merret seriozisht me nevojën historike të vendit për Reformën në Drejtësi. Një drejtësi e çliruar nga kthetrat e korrupsionit politik e financiar, do të çlirojë më në fund edhe të vërtetën e gjithë akuzave të Partisë Demokratike, si dhe të vërtetën e krimeve të pandëshkuara në gjithë këto vite”, përfundon reagimi i Kryeministrisë lidhur me kallëzimin e demokratëve. Por në mënyrë të menjëhershme ka reaguar PD-ja ndaj qëndrimit të qeverisë, duke e cilësuar deklaratën e Kryeministrisë si të dëshpëruar.
“Ky që nuk mungon të komentojë gjithçka mbi këtë rruzull, ka 5 ditë që hesht teksa zyra e tij e propagandës cilëson Reuters dhe Zërin e Amerikës si media të paguara nga Partia Demokratike. Ndërkohë që e pret një tjetër padi për këtë shpifje të pacipë, Edi Rama vazhdon të mos ju përgjigjet pyetjeve: “Ku i mori 80 mijë dollarë Edi Rama kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë euro? A janë këto 80 mijë dollarë para ryshfeti apo korrupsioni? Çfarë ju premtua në këmbim sponsorizuesit të 80 mijë dollarëve?” Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të mos fshihet pas zyrës së propagandës, por të dalë para shqiptarëve dhe para drejtësisë për t’u përballur me të vërtetën”, thuhet në reagimin e PD-së.






