Raportuesja për Kosovën në PE, Fajon, tha se vendimi erdhi nga mosratifikimi i demarkacioni

fajon-deklarata-e-ram-euml-s-

Mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ka detyruar Parlamentin Europian që ta shtyjë votimin për regjimin pa viza për Kosovën nga 12 korriku deri më 5 shtator. Raportuesja për regjimin pa viza për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajonin, duke shprehur keqardhjen sqaroi se e mori këtë vendim për ta shtyrë votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën deri në shtator, sepse nuk është bërë përparim i mjaftueshëm sa i përket përmbushjes së kritereve të fundit, veçanërisht ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. “Shpresoj që Parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe para pushimeve të verës, sepse kjo do të më lejonte mua që të vazhdoja me votimin në vjeshtë, si dhe të siguroja përkrahjen e plotë të Komitetit përgjegjës për rekomandimin tim për t’i hequr vizat për Kosovën” informoi ajo. Fajon theksoi se do të përpiqet që ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj për lëvizjen pa viza. “Lëvizja e lirë, përfshirë udhëtimin pa viza në vendet Schengen është ajo çka njerëzit meritojnë, veçanërisht rinia. Pasi disa takimesh me zyrtarët e BE-së dhe Kosovës përgjatë javëve të fundit në një përpjekje për ta çuar Kosovën më tej në rrugën e saj europiane, kam ardhur në përfundim se topi tani është në anën e Parlamentit të Kosovës. Unë besoj fuqishëm se me ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, PE-ja do të jetë në gjendje të japë përkrahjen e tij për heqjen e vizave për Kosovën nga fundi i këtij viti”. Për zyrtaren e BE-së, kjo do të ishte një lëvizje vendimtare për qytetarët e Kosovës, të cilët ende jetojnë të mbyllur brenda kufijve. Ajo shtoi se tani është koha të veprohet dhe u bëri thirrje politikanëve përgjegjës në Kosovë që ta bëjnë këtë hap final dhe ta hapin derën për lëvizje pa viza. “Si raportuese, do të bëj gjithçka në fuqinë time për të siguruar një votë pozitive në Parlamentin Europian sepse jam e bindur se Kosova meriton heqjen e vizave”, përfundoi Fajon, që heqjen e vizave e shikon si hap historik për vendin dhe për brezat e rinj të tij.