POEZI QË DËSHMON DALËNGADALË PJEKURINË
nga STEFAN MARTIKO
Kam në dorë librin e tretë poetik të Andi Meçajt. Një libërth me rreth 40 poezi, pak më shumë se ç’është sot në modë të botohen poetët modernë bashkëkohorë. Vë re me kënaqësi se poezia zhvillohet e qetë e pa zhurmë, me tone të përmbajtur për të dëshmuar se ajo po e prek thellësinë, thellësinë e vërtetë prej nga vijnë ato vibrime mbresëlënëse. Me ciklin e poezive të Tablove, Peisazh këmbësh dhe Letërkëmbimi me një fantazmë Andi Meçaj krijon një arqitekturë poetike të vetën, ndan përfytyrimin në pjesë dhe pastaj e bashkon të tërën me një mesazh poetik që tregon një seriozitet në rritje, një përkushtim që të bind se ky hap është nisur për larg. Poezia e Andit ruan plot enigma të tjera dhe e fton lexuesin të zhytet thellë ende pa i veshur mirë pajisjet e zhytësit dhe ndoshta duke harruar të marrë me vete dhe bombolën e oksigjenit. Më vjen mirë që në këtë klimë poetike të një gare të fortë po zhvillohen tre talente njëherësh: Armela Hysi, Andi dhe Algert Siqeca. Andi midis tyre është kaq i kursyer në fjalë dhe duke buzëqeshur pak pohon të vërteta serioze. Është poezi që kërkon vëmendje jo thjesht për ta studjuar e përftuar kënaqësi estetike, por pse jeta atje është tepër e konçentruar dhe të bën përshtypje mënyra si mjetet artistike ndihmojnë idenë për t’u përftuar intelektualisht një rezonancë e bashkëkohësisë. Studiuesit e letërsisë kanë detyra të tjera për ta parë këtë poezi dhe gjithçka tjetër shkruhet sot në një kuadër më të gjërë interesash estetike, gjuhësore, shoqërore e më tej. Andi Meçaj përmes toneve të ulët të ligjërimit poetik përcjell një urtësi që dikujt mund t’i duket e parakohshme. Ai është duke u rritur shpejt dhe unë me këtë nxitim kam nënvizuar mjaft poezi në bllok ose pjesë, lëvizje nëntokësore të masave të thella. Në sipërfaqe ne kemi të drejtën të shohim vetëm shpërthimin e asaj pranvere që është përgatitur nën tokë prej tre stinëve të tjera. Por edhe më me vlerë do të ishte pohimi tjetër se Andi Meçaj nuk është thjesht hije nën poezinë, tashmë pronë e letërsisë shqipe të të atit të vet Hiqmet Meçaj. Ai është diçka më shumë, siguri dhe qartësi, përgjegjësi për vlerat, detyrim ndaj një misioni të vështirë. Ja pse unë nuk guxoj më ta quaj Andin një poet të ri ose një talent dhe aq. Shumë poezi si Jepuni të pijnë, Peisazh nate, Vetmia e vdekjes së gjetheve, Më kalëron koha, Pasqyra e të tjera përbëjnë pjesën më të shëndetshme poetike, ku dallohen mirë stili dhe prirjet e autorit drejt një poezie moderne bashkëkohore. Ne nuk i dimë ku i ka ajo rrënjët, por është aq sa shqiptare aq edhe botërore. Ndoshta datojnë që nga Remboja, nga Apolineri, te Elioti, jehona të poezisë kadarejane, por në fund të fundit unë e shoh atë si një degë të fortë të këtij trungu.