Ja problemet më të cilat përballen qytetarët e Tropojës, 30 projektet që presin financimin e qeverisë Rama si dhe çfarë është bërë deri më tani për Bajram Currin
Deklarata/Kryebashkaiku i Bajram Currit: Pas spastrimeve në administratë, tropojanët janë zëvendësuar me të ardhur
Agron Demushi kryetar i bashkisë së Bajram Currit i cili është në fundin e mandatit të parë, në një intervistë flet për mungesën e mbështetjes së financimit të projekteve për Bajram Currin, por dhe komunat e tjera të Tropojës nga qeveria Rama, problemet që i janë krijuar pushtetit vendor me bllokimin lejeve të ndërtimit apo dhe dhunimin e kompetencave siç ishte vjela e taksave vendore, flet për një mungesë bashkëpunimi me ekzekutivin ku nuk fsheh as zhgënjimin pas pritjes që iu ka bërë në zyrë disa zyrtarëve të qeverisë dhe pas premtimeve ët tyre, ata as janë kujtuar më se ku bie Tropoja duke mos iu përgjigjur interesimit të tij. Në vijim të intervistës z.Demushi flet për problemet me të cilët përballen banorët e kësaj zone sot, të radhit investimet që presin financimin e qeverisë e cila nuk e trajton Tropojën si pjesë të Shqipërisë, pa harruar të përmend dhe ato çfarë ka bërë deri më tani në këtë mandat. Kryebashkiaku i Bajram Currit nuk harron të flas dhe për shkelje të të drejtave të njeriut që bëhen në qytetin e tij apo dhe komunat e Tropojës. Ja si shprehet më tej ai.
Zoti Demushi pyetja e parë që vjen vetiu është se sa Bashkia e Bajram Currit në qeverisjen e majtë a ka pasur mbështetjen e ekzekutivit në financimin e projekteve të cilat keni kërkuar financim?
Ju faleminderit për mundësinë që më krijoni që herë pas here të përcjell përmes gazetës tuaj tek çdo qytetar i Tropojës apo dhe i dashamirësve të shumtë miq që ka Tropoja dhe që dëshirojnë zhvillimin e saj, se u bënë dy vite qeverisëse që ndajnë buxhetin kjo qeveri e majtë dhe as që i bie ndërmend se ku i bie Bashkia e Bajram Currit dhe Tropoja në tërësinë e saj, a thua se nuk jemi pjesë e këtij shteti, a thua se nuk jetojmë dhe punojmë e paguajmë taksa në këtë vend. Deri më tani kanë ardhur shumë ministra dhe zv.kryeministri ku kanë bërë premtime të mëdha dhe kanë ikur duke u mjaftuar me kaq dhe me një prerje shiriti të një segmenti të rrugës së Valbonës, rrugë kjo e nisur dhe pothuajse e përfunduar nga qeveria Berisha. Kaq kanë qenë investimet e kësaj qeverie prej dy vitesh në Tropojë, ndërsa në bashkinë e Bajram Curri as që është bërë fjalë për asnjë qindarkë investim për këto dy vite të kësaj qeverie! Unë personalisht përveçse pritjes që u kam bërë në zyrën time ministrave të kësaj qeverie që kanë ardhur në Tropojë dhe kanë shprehur dëshirën për të më takuar ku me kanë bërë dhe premtime konkrete, kam trokitur derë me derë në çdo ministri, tek zv.kryeministri dhe kryeministri, por vetëm premtime boshe dhe asgjë tjetër gjatë gjithë kësaj periudhe kohe të qeverise “Qeveria Rama”! Me këtë arrogancë që e shikon kjo qeveri Tropojën shpeshherë në biseda mes miqsh këtu në qytetin tonë qarkullojnë zëra “deri kur do durojmë këtë shpërfillje, ka ardhur momenti që të kërkojmë shkëputjen e t’i bashkohemi Gjakovës sepse ne si zonë në fakt jemi Malësia e Gjakovës”. Pra me pak fjalë, është një situatë krejtësisht e pakëndshme. Tropoja sot përballet me mungesë të investimeve, por dhe trajtimi skandaloz që po i bën kjo qeveri dhe ky kryeministër qytetarëve të Tropojës, që nga largimet masive politike nga puna, rritja e taksave, pagesat e faturave abuzive të shumta të energjisë elektrike dhe arrogancës me qytetarin e OSHEE-se dega Tropojë, heqja e ndihmës ekonomike për kritere të rëndomta që gjasmë paska pas dikur një makinë në pronësi apo ndonjë episod i ngjashëm i këtij lloji. Prej ardhjes në pushtet të Edi Ramës nuk ka asnjë vend të ri pune të hapur, por ka ndodhur e kundërta ku ka pas shkurtime drastike në administratë ku edhe ato pak vende pune që janë i bien njerëzit që nga Tirana, Korça, Tepelena dhe Mallakastra dhe i zëvendëson duke u mohuar mundësinë tropojanëve të zënë një vend pune. Mjafton të përmendim këtu Hidrocentralin e Fierzës ku e gjithë administrata që nga drejtori është nga Korça dhe çdo hallkë e kësaj administrate është e mbushur tani me të ardhur ose jabanxhinj siç i quajnë banorët. Kjo na kujton dhe një herë kohën e ndërtimit të kësaj vepre ku për ndërtimin e saj janë angazhuar mbi 12 mijë punonjës të ndryshëm që nga Azia e largët e deri në Tropojë, por është e papranueshme në kushtet e sotme që ka nevojë vetëm për shfrytëzim me kapacitet të plotë. Dua të theksoj që Hidrocentrali i Fierzë është administruar dhe menaxhuar prej më shumë se 30 vite në mënyrën më të mirë dhe me shumë profesionalizëm nga kuadro specialist të të gjitha fushave kapitale këto të burimeve njerëzore që ka dhe zotëron Tropoja. Ne kemi treguar se fal tyre drejtojmë një shtet të tërë dhe jo me një ndërmarrje, por qëllimet e këtij shteti përveçse diskriminues ndaj Tropojës dhe tropojanëve, janë mëse të qarta për të vendos në çdo cep të Shqipërisë administratorët e farefisit të ministrave të kësaj qeverie për të menaxhuar çdo qindarkë nga skema e korrupsionit e krijuar enkas. Kjo qeveri nuk iu beson socialistëve tropojanë të kryejnë këtë detyrë!
Bllokimi i lejeve të ndërtimit a e ka dëmtuar bashkinë që ju drejtoni. Gjykata Kushtetuese i zhbllokoi lejet e ndërtimit, por kryeministri Rama këmbëngul në të vetën për të mos lejuar dhënien e lejeve. Cili është komenti juaj?
Po patjetër që jemi prekur shumë nga kjo ndërhyrje nga heqja e se drejtës për dhënien e lejes së ndërtimit, ku është qartazi ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga pushtetit qendror në kompetencat e pushtetit vendor dhe marrja nëpër këmbë e autonomisë vendore e fituar nga kjo e fundit me shumë vështirësi gjatë këtyre 24 vitesh demokracie! Fal kësaj ndërhyrje për vitin 2014 që lamë pas pati ndikim jo pak për një bashki të vogël si ne, me një fond prej 13 milionë lekësh të reja mangut në buxhet të vitit që lamë pas, ndërhyrja tjetër që la pasoja të mëdha për ne është heqja e së drejtës për ne si pushtet vendor e vjeljes së taksës së biznesit të vogël dhe marrja përsipër për ta mbledhur vet nga ekzekutivi përmes drejtorive rajonale të tatim taksave që ishte një ndërhyrje tjetër kjo që përveçse shkeli autonominë vendore solli dhe pasoja për buxhetin e bashkisë që unë drejtoj sepse nga mos mbledhja e kësaj takse nga ana e strukturave të qeverisë, la mangut në buxhet të bashkisë së Bajram Currit një shumë prej 7 milionë lekësh të reja dhe që të dyja së bashku këta faktor lanë një shumë mangu në buxhetin e bashkisë së Bajram Currit për vitin 2014 prej 20 milionë lekësh të reja që do të thotë dështim i buxhetit për vitin 2014 dhe një shkak shumë i fortë për dështim të buxhetit dhe për vitin 2015. Nga mungesa e mbledhjes së këtyre të ardhura kanë ngelur kontrata të lidhura dhe të pashlyera që do të thotë që në buxhetin e këtij viti rëndojnë së tepërmi dhe nuk të lënë mundësi për asnjë investim me të ardhurat tona, pasi nga kjo qeveri tashmë e kemi humbur çdo lloj shprese, por dhe një rrugë që mund ta bënim vet tani nuk mundemi falë politikave qorre që qeveria ndërmerr po na bëhet pengesë shumë e madhe!
Një pyetje direkte. Sipas jush si është bashkëpunimi sot mes qeverisjen lokale dhe asaj qendrore krahasuar në qeverisjen e PD-së dhe të PS-së, jo vetëm si dëshmi e juaja por dhe kolegëve tuaj të majtë?
E shpreha dhe me sipër, nga kjo qeveri, Tropojës nuk i është dhënë asnjë qindarkë investim. Flas këtu me kompetencë dhe për 7-të njësitë e tjera të qeverisjes vendore të Tropojes ku tre prej tyre në fakt administrohen dhe qeverisen nga e majta, por që dhe ato ashtu si dhe ne nuk kemi mbështetjen e kësaj qeverie për zhvillimin e Tropojës. Dua të theksoj këtu se të majtët e kanë vështirë ta bëjnë këtë gjë publike dhe unë i kuptoj dhe mirëkuptoj, por e vërteta është kjo që unë po deklaroj dhe është shumë e lehtë për ta verifikuar dhe për ta vërtetuar. Mjafton që cilido të marrë të dhënat e financimeve nga qeveria këto tre vitet e fundit në drejtorinë e degës së Thesarit të Tropojës dhe aty do përballet çdokush i interesuar me zero lekë fonde në 8-të njësitë e qeverisjes vendore në Tropojë!
Cilat janë problemet me të cilët përballen sot qytetarët e Bajram Currit?
Vështirësitë dhe problemet që përballen sot qytetarët tropojanë janë nga më të shumtat që nga: papunësia si shkak dhe i mungesës së investimeve, arbitrariteti dhe terrori që përdori dhe vazhdon të përdorë OSHEE-ja në Tropojë, ku përveçse mbifaturimeve dhe faturave abuzive qytetarët po përballen dhe me një administratë të paaftë të zgjidhi hallet e tyre, por mbi të gjitha dhe shumë arrogante në komunikim me ta duke iu treguar policinë dhe burgun. Kjo është zgjidhja sipas tyre e halleve dhe raste ka pasur me qindra gjatë këtij të operacioneve arbitrare që ndërmori kjo qeveri, presionet largimet nga puna tërësisht politike, e thënë ndryshe të traumatizuar nga zollumqarët pushtetar të këtij pushteti të instaluar në Tropojë, etj, ku sikur të mos mjaftonin të gjitha këto shtohet dhe përjetohet qartë nga çdo qytetar tropojanë, shpërfillja që mundohet të bëjë ndaj tyre kjo qeveri dhe këta qeveritarë!
Keni pasur një vizitë nga disa zyrtarë të qeverisë si rreth. A mund të na thoni sa ata i kanë mbajtur premtimet dhënë para qytetarëve këtu dhe të zgjedhurve vendorë ?
Po është shumë e vërtet kjo që thoni Ju! Ka pasur vizita të shumta nga ministra, zv.ministra, zv.kryeministri, shumë deputetë të majtë të kësaj mazhorance ku disa prej tyre që kanë kërkuar të më takojnë dhe mua ku i kam pritur në zyrë dhe përcjellur me shumë kënaqësi dhe dashamirësi, në shenjë të krijimit të një fryme të shëndetshme për bashkëpunim. Sot jam i zhgënjyer sepse përveçse premtimeve boshe asgjë tjetër nuk ka pas nga këto vizita qeveritarësh, sepse koha tregon vet dhe vërteton mësë miri atë çka unë i bindur po shpreh, asnjë lekë për qytetarët e kësaj treve që jeton dhe derdh djersë njësoj si të gjithë po në këtë shtet!
Cilat janë disa nga projektet që keni si institucion dhe presin financimin dhe cilat prej tyre janë immediate ?
Që nga viti 2013 kemi të ndërtuara, të mbrojtura dhe të dorëzuara çdo vit pranë qeverisë shqiptare mbi 30 projekte të ndryshme zhvillimore ndaj po mundohem të radhisë disa më të rëndësishmet prej tyre me imediate si; rikonstruksion i plotë të bulevardit kryesorë të qytetit (Loti i dytë)!, rikonstruksion i plotë i Unazës së Lagjes “Partizani” (Loti i dytë)!, investimi tek ujësjellësi për qytetin (shtim prurjesh në kaptazhin kryesore të ujësjellësit të ri në “Qukun e Dunishës “Valbonë”, rikonstruksion i plotë i lagjes “28-Gushti”, i fushës ekzistuese të futbollit, si i vetmi qytet që vetëm nga mungesa e investimit në këtë fushë prej vitesh nuk kemi ekip futbolli pasi penalizohemi nga FSHF për standardet e kërkuara mbi këtë qëllim. Nevojitet rikonstruksioni i plotë i terreneve sportive në shkollat 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë dhe “Konferenca e Bujanit” terrene këto të përbashkëta për këto dy shkolla 9-vjeçare!. Kemi kërkuar fonde për rikonstruksionin e plotë të gjimnazit “Asim Vokshi” e vetmja shkollë e mesme në këtë qytet dhe që nuk është vënë dorë që nga ndërtimi i tij në vitin 1986!, të shkollës
9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë”!, të shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Bujanit” apo dhe rikonstruksioni i kopshtit Nr-1, i kopështit Nr-2, i Çerdhes së qytetit dhe stadiumit të futbollit!. Të tjera projekte që kanë nevojë për financime janë dhe thertorja e qytetit, rikonstruksion i plotë bashkëkohore i aksit rrugor nga varrezat e qytetit deri tek Alb-Telekomi!. Theksoj këtu se projekte të tjera që kanë nevojë për financime nga qeveria janë dhe bulevardi kryesor i qytetit, unaza e lagjes “Partizani”, janë financuar Faza e pare e tyre e ndarë kjo në Faza për shkak të tkurrjes së buxhetit të qeverisë së asaj kohe, ku për shkak të mos financimit të fazave të dyta po rrezikohet seriozisht financimi i parë pasi projektet kanë lidhje me njëri-tjetrin. Edhe segmentet e ngelura pa bërë deri tani janë në një gjendje të mjerueshme, gjithashtu projekti i shtimit të prurjeve në kaptazhin kryesore të ujësjellësit të ri nga Valbona në Qukun e Dunishës do zgjidhte përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm 24-orë për të gjithë banorët e Bajram Currit dhe rrethinave të tij, por dhe rikonstruksioni i Gjimnazit “Asim Vokshi” që ka që nga viti 1986 që nuk është vu dorë në të, është tejet i domosdoshëm që të financohet sa më parë! Këto katër projekte së bashku me rikonstruksion të fushës së futbollit ekzistuese dhe të terreneve sportive në mes dy shkollave 9-vjeçare “Konferenca e Bujanit”, “Besëlidhja e Malësisë”, më janë premtuar për financim nga ana e qeverisë me çeljen e fondeve të këtij viti, por deri tani asgjë konkrete ndonëse në portalin e tyre të investimeve të gjitha bashkitë janë përfshirë me alokim fondesh për këtë vit. Vazhdojmë të shpresojmë që deri nga fundi i muajit mars edhe ne të hyjmë dhe ta ndjejmë veten pjesë të kësaj harte, të kësaj Shqipërie!
Si është bashkëpunimi me drejtoritë rajonale në Tropojë në interes të qytetarëve. Kujtojmë këtu faktin që qyteti u la në errësirë prej disa muajsh duke sjellë mjaft problem jo vetëm në sigurinë e qytetarëve por dhe turistëve që vijnë çdo stinë?
Po është mëse e vërtet që për 7 muaj me radhë qyteti ynë u la qëllimisht politikisht në errësirë, ku pasiguria mbizotëroi në çdo cep apo në zemër të qytetit si për qytetarët ashtu dhe për turistët e shumtë që fatmirësisht preferojnë të vizitojnë Tropojën. U vështirësua ndërrimi i turneve në ndërmarrjet qe punojnë me tre turne, filluan të lulëzojnë vjedhjet dhe presioni në ngjitje dhe për plaçkitje apo grabitje, me një fjalë dalë nga dale po fillonin të gjallërohen bandat kriminale si pasojë e mungesës së këtij shërbimi kaq të domosdoshëm dhe jetik për çdo qytetarë dhe e gjitha kjo nga mungesa e dëshirës për të bashkëpunuar me ne si pushtet vendore me qëllimin e vobektë për të bërë politike me 20-30 apo 100 llampave të ndezura në qytet, por për ta plotësuar me se miri këndvështrimin e tyre dritëshkurtër nuk u mjaftonte vetëm kjo, por sa herë që kishte aktivitete kulturore, koncerte të ndryshme të organizuar nga ne si bashki në orët e vona të pasdites nga ora 19:00, punonjësit e OSHEE-se dega Tropojë urdhëroheshin të ndërprisnin energjinë elektrike Pallatit të Kulturës “Dardania”. Kjo dhe shumë të tjera veprime të pa papërgjeshme si kjo vërtetonin se nuk ishte parësore kryerja e detyrës me korrektësi, por ishin veprime të verbra ordinere dhe tërësisht politike dritëshkurtra pa asnjë të ardhme! U desh denonocimi pranë PDSH-se i tyre, por dhe tek kryeministri Edi Rama, që të normalizohej kjo situatë e turpshme e krijuar nga këta pseudopushtetarë të instaluar në Tropojë nga kjo qeveri! I gjithë pushteti i instaluar nga kjo qeveri në Tropojë, mbizotëron tek paaftësia dhe babëzia njëkohësisht!
A ka pasur në Tropojë raste të shkeljes së të drejtave të njeriut ose dhunës së ushtruar ndaj qytetarëve në qytetin e Bajram Currit apo në komunat e rrethit?
Po ka pasur raste të shkeljes së të drejtave të njeriut në Tropojë, madje të shumta kanë qenë ku mund të veçojmë arrestimet e shumta që janë bërë për llogari të aksionit qorr që po ndërmerr qeveria ndaj qytetarëve të saj ku preh e këtij arbitrariteti kanë rënë jo vetëm debitorët të pafajshëm, por dhe shumë punonjës të OSHEE-se dega Tropojë me akuza nga me qesharaket dhe për pasojë fëmijët e tyre dhe vet ata u ndihen të terrorizuar, humbën njëherë e përgjithmonë vendet e punës etj, por te ne ka dhe shumë e shumë forma të tjera të shkeljes së të drejtave të njeriut që nga largimet e dhunshme nga puna, prania e forcave policore të ndërhyrjeve speciale që shkaktojnë dhunë psikologjike jo vetëm tek fëmijët por dhe tek ne të rriturit!
Cilat janë investimet e realizuara nga ana juaj si Kryetar Bashkie gjate mandatit tuaj afro 4-vjeçar?
Që në fillim të mandatit tim jam ndeshur me vështirësi të një keqmenaxhimi të bashkise Bajram Curri pothuajse në të gjitha drejtimet ndaj dhe mu desh që si fillim të formatoj institucionin e Bashkisë Bajram Curri sipas një vizioni të ri duke u bazuar edhe tek programi im elektoral i shfaqur tek qytetarët gjatë fushatës sime për kandidim. U bë e mundur nga administrata e bashkisë Bajram Curri formatimi dhe miratimi i stemës, logos, flamurit dhe faqes zyrtare elementë këto të domosdoshme, specifikë të veçanta për çdo institucion. U bë formatimi i institucionit të Policisë Bashkiake duke e pajisur këtë sektor me mjet policie tip furgon, uniformë speciale për policinë bashkiake të domosdoshëm për paraqitjen dinjitoze të këtij sektori në bashki. Bëmë kalimin e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe pastrimit të qytetit në tërësi nga firma sipërmarrëse tek vet bashkia pasi firma nuk garantonte dhe nuk dha rezultatet e pritshme në menaxhimin e pastrimit për këtë qytet dhe për këtë u blenë mjetet e domosdoshme për të kryer këtë shërbim, blemë dhe pajisem qytetin me 230 kontinierë të vendosur në çdo cep të qytetit ku me parë nuk kishte asnjë, pajisem sektorin e shërbimeve me uniforma me logo, stemë dhe mbishkrim të Bashkise dhe rezultati ishte shumë i kënaqshëm. Bashkia Bajram Curri si i vetmi qytet në Shqipëri pastrohet 7 ditë e javës nga dy herë në ditë. Nga viti në vit rritëm arkëtimet në menaxhimin e mbledhjes së taksave të bashkisë duke i pesëfishuar arkëtimet dhe konkretisht i kemi gjetur në nivelin 70 milionë lekë të vjetra dhe janë çuar në vitin 2013 në 300 milionë lekë të vjetra element ky i punës së ndershme dhe korrekte duke menaxhuar çdo qindarkë. Për ne si bashki e vogël është një sukses të arrish të barazosh grandin me të ardhurat. Në infrastrukturën rrugore u kryen këto investime: rikonstruksion i plotë i segmentit të kryqëzimit të Llocit tek Kolgecaj deri tek porta hyrëse e spitalit te qytetit, rikonstruksion i plotë (faza e parë) e Bulevardit kryesor të qytetit, rikonstruksion i plotë (faza e parë) e unazës së lagjes ”Partizani”, i segmentit rrugor nga kryqëzimi i Dragobisë deri tek restorant “Sylbica” përfshirë këtu edhe 4 degë hyrëse të lagjes “Dardania”, i rrugës së lagjes “Gjongecaj” që nga stacioni i Fierzës deri tek ish dega Ushtarake (çerdhja e qytetit sot). U bë rikonstruksioni i trotuarëve dhe ndriçimi nga ish agjencia deri tek Karburant ”Hajdaraj”, rikonstruksion i plotë i 3 palë shkallëve në sheshin “Azem Hajdari” para Bashkise” Bajram Curri”, i komplet nyjeve hidrosanitare në shkollën “Besëlidhja e Malësisë”. U mundësua ndërtimi i ri i Pallatit të sportit të lojërave me dorë “Valbona” me parametra bashkëkohore, i shkollës së re 9-vjeçare “Ali Podrimja” me parametra bashkëkohore, instalimi i rrjetit shpërndarjes ana sekondare të ujësjellësit të qytetit “Bajram Curri” si dhe instalimi i rrjetit shpërndarës 20 KV në të gjithë qytetin e Bajram Currit.





