BEGZAD BALIU |
Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor... shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë jetës. Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij... Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare. (www.sa-kra.ch) Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE BEGZAD BALIU Hyrje Begzad Baliu (Makresh i Ultë - Gjilan, 1966): profesor universitar, albanolog, publicist, shkrimtar dhe editor. Ka qenë hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës (1996-2005); ndërsa tash është Profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit. Ligjërues në disa konferenca shkencore kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Autor i shumë veprave studimore nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, historisë, kulturës dhe publicistikës. Organizator dhe koordinator i shumë konferencave ndërkombëtare në institucionet universitare dhe shkencore të Prishtinës, Prizrenit, Shkupit, Tiranës, Korçës, Shkodrës, Varshavës dhe pjesëmarrës edhe në shumë konferenca të organizuara nga qendra të tjera ndërkombëtare. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve dhe Kritikëve, i Shoqatës Ndërkombëtare Letrare Pegas dhe i shumë shoqatave të tjera të kësaj natyre. Kryeredaktor i revistës shkencore “Shenjëzat” dhe “Educologia”, Prishtinë; anëtar i redaksisë së revistës ndërkombëtare “Malësia”, Podgoricë; anëtar i redaksisë së kolanës “Sociolinguistika shqiptare”; bashkëmentor i projektit të Universitetit të Varshavës “Kosova e pavarur në sytë e të rinjve të saj (shoqëria - kultura – politika)”; Ambasador i Paqes (2009); dhe i nominuar i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë për Çmimin e vitit 2008. Dy dekadat e fundit i është besuar përgatitja e shumë veprave të autorëve dhe trashëgimisë albanologjike: Jup Kastratit, Shefki Sjediut, Zenun Gjocajt etj. Veprat: Kafeneja ballkanike, dramë, Prishtinë, 1996, Shkodër, 2000, përkthyer në holandisht, 2000; italisht, 2003; kroatisht, 2012; Grua e dashuruar, poezi, Prishtinë, 1996; Ballë për ballë (Monografi për Agim Rashitin), Cyrih, 1992; Flamuri vjen nga Kosova, dramë, Prishtinë, 1994; Gjaku i lirisë (1981-1995) I, biografi për dëshmorët, (bashkautor), Prishtinë, 1996; Gjaku i lirisë (1981-1995) II, biografi për dëshmorët, (bashkautor), Prishtinë, 1997; Gjaku i lirisë, (1981-1995) III, biografi për dëshmorët, (bashkautor), Prishtinë, 1998; Gjaku i lirisë,(1981-1995) IV, biografi për dëshmorët, (bashkautor), Prishtinë, 2000; Kontributi i Eqrem Çabejt në fushë të onomastikës, monografi, Prishtinë, 2000; Gustav Majer dhe albanologjia, sprovë monografike, Prishtinë, 2000 dhe Tiranë, 2001; Onomastika e Gallapit, monografi, Prishtinë, 2003; Jup Kastrati për Kosovën, përmbledhje punimesh, (bashkautor), Prishtinë, 2004; Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, monografi, Prishtinë, 2004; Mbi autorësinë e veprës” Bibliografia e Skënderbeut”, polemikë, Prishtinë, 2005; Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, dokumente, (bashkautor), Prishtinë, 2005; Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit, monografi, Prishtinë, 2005; Çabej 1, Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë, Prishtinë, 2006; Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, studime, Tiranë, 2006; Bibliografia përmbajtësore e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë, 2008; Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve, studime, Prishtinë, 2009; Vareni kryengritësin e shenjtëruar, polemikë, Prishtinë, 2010; Kërkime albanologjike, sprovë për një histori të albanologjisë, Prishtinë, 2010; Referenca albanologjike, sprovë për një histori të albanologjisë, Prishtinë, 2010; Pesha e komunikimit, ese, (bashkautor), Prishtinë, 2010; Dhembje e bukur’, antologji e poezisë, bashkautor, Prishtinë-Paris, 2012; Onomastikë dhe identitet, studime, Prishtinë, 2012; Kujtesa letrare, ese, Prishtinë, 2013; Struktura e vlerave përfaqësuese, studime dhe ese, Prishtinë, 2014. Jeton në Prishtinë. PËR GRATË E NJË KONFERENCE SHKENCORE Ajo rri me duar në gji Në gjoks ka vënë kartelën “NN, prof. asc., Universiteti i Arizonës” E në qëndrimin e saj shoh Gjylën e Alisë Tek përkundë djepin në këndin e dhomës Ajo rri kujtueshëm në fund të radhës Në gjoks mban shënimin e varur “AA – prof. dr. në Universitetin e Oxfordit” E në kujtesën e saj shoh gruan e Artanit të vrarë Në fund të luftës së Kosovës Ajo flet në Foltore radhë e pa radhë Dhe fjalët i ngre në shprehje krenarie Në gjoks ka vënë tiketën “AB - prof. dr., në Universitetin e Munihut” E në pamjen e saj shoh nusen e Ademit Tek ekzaltohej para grave në dasmën e fshatit Ato rrinë ulur, flasin, meditojnë andej e këndej salle Unë i shoh me botën e fëmijërisë dhe tretem larg ndër malle Dhe shoh se si në sytë e mi shfaqen gratë e fshatit Gratë e fëmijërisë sime që këtu më ngjajnë në shkencëtare * Tek rrudhin gojën e mbyllin sytë përgjumur Tek flasin me drojë e gishtat trokasin me kujdes Më zgjojnë kujtimet e fëmijërisë Kujtimet për gratë e fshatit tek thonë Marre e zotit çka thamë, këtu qenka një djalë! E SHKRUAR MË 14 SHKURT Veje kokën në gjoksin tim dhe pusho Harro dhembjen qetëso zemrën dhe beso Beso njëherë se në jetë ka lumturi Dëshirëplotë mbahu dhe qëndro në qetësi Veje kokën në gjoksin tim dhe ëndërro Belkëputur brezëhumbur më pushto Fluturo dhe dallgëzohu në lumturi Agullohu vegullohu rrëshqit në zemër me qetësi Veje kokën në gjoksin tim më shtrëngo Aureolë vullkani ku zjarri vlon me ashpërsi Shtrëngohu fort mbahu dhe qëndro gjer në mbarësi Deri sa gjiri qumësht të pikojë KRETA Anije e stërlashtë Harruar mes oqeanesh Ankoruar mes Detit Mesdhe Kreta Me shekuj ka mbledhur mitet e kontinenteve Dhe rri mes detit të ngrohtë E nuk i afrohet asnjërit Kreta Atlantida nga vijnë mitet pellazgjike Dhe ngjiten maleve të Evropës Të përcëlluar nga deti, Kreta Detarë që nuk dinë notin Ciklopë që udhëtojnë deteve mija vjet Bëjnë natën e fundit para se të bashkohet kontinenti plak Kreta Barku i Penelopës Që pret kthimin e Odiseut dhe bashkimin e kontinentit plak Në pëlhurën e saj Kreta THONË NËNAT NË VARRIMIN E DËSHMORËVE Qani, thonë, qani me zemër Po loti mos t’u shihet Dheu ka nevojë për gjak Qani, thonë, qani me kujë Po kujën le ta dëgjojë vetëm zemra juaj Atdheu ka nevojë për trima Qani, thonë, qani Se nuk ka vdekje që se lëndon zemrën Po mos i lëndoni nënat Janë në muajin e shtatëzanisë DREJT BURIMIT (Pjetër Bogdanit) Më flasin më thërrasin më ftojnë në jetë Po deshe burimin nisu rrjedhës së lumit Unë e Bogdani: T'birtë e Atit e Shpirtit Shenjtë. Aty ish Dheu, Qiella, Deti e Zjarri e shpirti DHEU ku nisëm themelet e gjuhës përsëri QIELLA ku kërkonin amshimin për njeri DETI ku rritej rrënja dhe ngrihej maja mbi lartësi ZJARRI i pjekjes diellore në sy Shpirti ku kthehemi në shenjtëri. 1986 LUTJE Shën Mëri Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë brenda një shtëpie që e shtynte vala e Cunamit Është Eni Lutu për të! Shën Mëri Sot kam parë në gazetën ditore një fëmijë të shtrirë për bukën e gojës mes refugjatëve të Afrikës Është Eni Lutu për të! Shën Mëri Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë në Indi me duar të shtrira drejt Nënës Tereze Është Eni Lutu për të! Shën Mëri Mbrëmë kam parë në ëndërr Enin që përpiqej të më thoshte një fjalë Është Eni Lutu për të! Shën Mëri Mbrëmë kam parë në TV babanë e një fëmije tek lutej në portën e Parajsës Është babai i Enit Lutu për të! |
Home »
» Antologji e poezisë moderne shqipe:Begzad Baliu





