NEBIH BUNJAKU |
Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor... shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë jetës. Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij... Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare. (www.sa-kra.ch) Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE NEBIH BUNJAKU Hyrje Nebih Bunjaku është lindur më 15.5.1947 në fahatin Poliçkë të Dardanës, Republika e Kosovës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje, por pas shpërnguljes, e përfundoi në Malishevën e Gjilanit. Në Gjilan kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet për Gjuhë shqipe dhe letërsi i mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Tërë jetën ia kushtoi arsimimit dhe edukimit të fëmijëve nëpër shkolla të ndryshme, fillore dhe të mesme anembanë Kosovës. Krahas punës arsimore dhe edukative, shkroi dhe botoi poezi motivesh të ndryshme në shtypin e kohës. Përmbledhjet e tij poetike janë: ” Dalje nga balada”, 1994, “Gramatikë zemre”, 2004, “Terapia e dashurisë”,2005, “Një samit për simit” 2007, “Prushimë buzësh”, 2008, “Zemra nuk ka dimër”, 2009, “Testamenti i lotit”, 2012 dhe “Kopshti i shpirtit” (poezi për fëmijë), 2013. Nebih Bunjaku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Poezia e tij është prezantuar nëpër shumë libra të ndryshme antologjike. Është anëtar i Redaksisë së revistës “Ura”, që e boton Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës. Nebih Bunjaku jeton dhe vepron në Prishtinë. MILLI IM ËSHTË SHQIPËRIA Shpatës së Skënderbeut në Vjenë Jam e vjetër me shumë vlerë Emrin tash e kam Pranverë n’luft’ra t’ashp’ra ndër beteja ndriçoj natën si rrufeja kurrë s’luftova për muze veç për diell e Mëmëdhe në baltë kurrë s’e lashë Hirësinë Flamuri ilir t’valojë n’çdo stinë mua s’më ha asnjë limë jam relikt për historinë Kur Naimi më puthi në Vjenë në sy i pashë Skënderbenë më ndryshk malli në mërgim n’Bulevarde s’gjej ngushëllim tash pesë shekuj n’dhe të huaj të gjitha ëndrrat i shoh n’Krujë kur Mëmëdheu t’ketë nevojë jam e gatshme t’i bëj rojë ëndrra ime është Iliria milli im është Shpipëria SHTËPIA E LIDHJES N’Prizren n’zemër Shqipërie Besa dha Besën n’Kuvend në Sofër t’madhe historie Do të vdesim për këtë vend në Prizren u lidhën Zemarat u mboll fara e Pavarësisë në Histori u gdhendën Emrat në ngjizje gjaku të Lirisë Sylejman Vokshi Ymer Prizreni Abdyl Frashëri e Mic Sokoli Krenaria e mbarë këtij populli në Kuvend me Një Gojë foli ligjërojnë fjalë Perëndie ky Atdhe gjithmonë ka Zot Besa e Besës lidhet nyje n’vend të bukës hamë barot në gurë themeli u vu besa armaturë e ardhmërisë n’Shtëpi t’Lidhjes u shpall Fejesa midis vdekjes dhe Lirisë n’Prizren perëndoi hëna Lindi Dielli në Prizren n’kaptyll djepi bekoi Nëna me gjak mbrone Ju këtë vend LOTI I SHPIRTIT ÇAMËRI Loti i shpirtit Çamëri Lumë i dëbuar nga shtrati kush t’i ngatërroi ëndrrat djalli a lugati Çamëri Ti Lot i lotit kur do më shërohesh Perlë n’kujtimet tona kurrë nuk do harrohesh Çamëri Ti Lot i lotit e mërguar n’Atdhe n’Mallin tënd do kthehesh në Çamërinë e Re TRENI I DHIMBJES Një tren më i zi se futa binarëve jashtë kohës kudo barte dhimbje netëve me plot stuhi sa i përgjakur ky tren me pleq gra e fëmijë nxitonte drejt Bllacës nga ferri në ferr nëpër ëndrra mesjete pa shofer pa kondukter ngarkuar me dhimbje i verbër dhe pa orar netëve nxinte natën pa itinerar TESTAMENTI I LOTIT Në natën bizantine pa hënë Ne jemi plaga më e re e Gjergj Elez Alisë se hijet korb të zeza na rrëmbyen në prag të Shtëpisë na ka mbetur vetëm shpirti midis robërisë dhe Lirisë midis Jetës dhe vdekjes sot imazhi ynë varur grilave të Kuvendit është odisejada jonë! Testamenti i Lotit në Flakën e qiririt jeton lagur nga shiu ngrirë nga acari i dimirt lëbyrur nga dielli le të ndizen Qirinjtë që të ngrohet shpirti ynë në Dritën e Lirisë në Pentagramin e Mallit edhe zemra ka dhimbje nga ëndrrat e trishta për eshtrat e humbur në Ritualin e Pritjes nuk duam të jemi mjet kusuritjes në sofrën e djallit Liria nuk bën tregti as me hijen tonë as me vetveten as me robërinë Ne nuk jemi arna leckash për thasë lypësarësh tryezave bixhozxhinjsh Ne jemi Ajka e kombit bazamant në Flakën e Lirisë të humbur janë ata që ende kusuriten me djallin për tokat tona të shenjta |
Home »
» Antologji e poezisë moderne shqipe:Nebih Bunjaku





