Durimi ka kufi



       Përgatiti: Jeton KELMENDI





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



EDI SHUKRIU





            Hyrje

            Edi Shukriu lindi në Prizren më 22 tetor 1950. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Prizren, ndërsa studimet për arkeologji në Universtitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe titullin Doktor i Shkencave Historike e mori në Universitetin e Prishtinës (1990). Është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
            Është arkeologja e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi Sonte zemra ime feston (1972). Anëtare e PEN qendrës së Kosovës (2004-), Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973-). Mori pjesë në International Writing Program 2005, University of Iowa, USA (2005). Përfaqësohet në antologjitë e autorëve shqiptarë e të huaj.
            Deputete e Kuvendit të Kosovës (1992-1998, 2002-2004), Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës–UNMIK (2000-2001), Kryetare e Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës (2001-2004), Nënkryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (2004-). Ishte themeluese e Forumit të Gruas të LDK (1990) dhe kryetare e saj (1995-2000), si dhe organizatore dhe lidere e demostratave të shumta të grave kundër regjimit serb.

            Vepra letrare

            2004 Ancient Kosova, Museum of Kosova, Prishtina
            2004 Kosova antike, Muzeu i Kosovës, Prishtinë
            2000, 2003 Gra të shquara shqiptare, Teuta, Prishtinë
            1996 Dardania protourbane, Dukagjini, Peje (Çmimi “Gani Bobi”)
            1995 Historia e Kohës së Vjetër – Lindja e lashtë, Prishtinë

            Libra poetik

            2001 Përjetësi, Dukagjini, Pejë
            1990 Nënqielli, Rilindja, Prishtinë (Çmimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës)
            1985 Syri i natës, Rilindja, Prishtinë
            1980 Legjenda e Hasit, Naim Frashëri, Tiranë
            1978 Gjakim, Rilindja, Prishtinë
            1972 Sonte zemra ime feston, Rilindja, Prishtinë

            Drama

            1998 Kësulëkuqja e rrokaqiellit, Prizren
            1992 Lkeni i Hasit, Rilindja, Prishtinë
            1986 Kthimi i Euridikës, Rilindja, Prishtinë
            1995 Video-documentar: Prevent the war in Kosova
           
            Ko-autor

            1995 Kosova - National Report, Women's IV World Conference, Bejing, Prishtina
            1996 Kosova - The Hungry Future, Food Summit – Rome, Prishtina
            1997 Kosova and other Albanians outside Albania



Poezi

Edi Shukriu



KTHIMI NË PRIZREN

Ec përgjoj
në skuta kërkoj në ajër
diku janë strukur
e frymojnë

dëgjoheshin denbabaden
rrugëve të moshuara
hapëronin
deri te dyqani në Arastë
përreth Shatërvanit

e nxitonin tutje
S’është e mundur të zhduken
të gjitha llapashitjet e këmbëve
të zbathura
trake-truket e nallënave
e gjurmët e këpucëve me shoje

gjallërojnë
shtresumet e karabojës
te rrëzët e ledheve
frymojnë nga kalldërmi i çrrënjosur
e rikthehen nga pullazet e përgjumura
vrujojnë nga arkadat e rempujve
e hapërojnë në kohë

gurët e hamamit
i thithin në vete
e motohen


LIGJI I HAMURABIT

Neni 226: Nëse kirurgu... e shlyne damkln nga robi, le t’i priten duart.
Neni 282: Nëse robi i thotë të zotit: Ti nuk je zotëria im, le t’ja prejnë veshin.
Neni 231: Nëse është mbytur robi, le të ipet robi për rob.
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
ditën e djeshme
gishtërinjtë m’i shkurtuan
se damkën e mjerimit
tentova ta bëj të kaluar
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
mbrëmjen e djehsme
më gjymtuan,
se këngën e zogjve
desha nga e nesërmja
ta sjell në të sotmen
Më vranë në mëngjezin e sotëm
dhe në mbështetje të nenit 231
të të njëjtit ligj
më zëvëndësuan sipas tyre
me një rob tjetër
Të mjerët, nuk e dinë se ai jam përsëri Unë,
me njëmijë gishtërinj,
me njëqindmijë veshë
dhe
me një të vetme
dëshirë të çelniktë
të kalitur ndër brezni


QERREJA E ZJARRTË

Sado që na bindin
se qerrja e zjarrtë
është imagjinatë
Ne e vendosim në të
Diellin e flakët
dhe i shtrijmë duart
të përflakemi



PËRTEJ VETES

Përtej vetes me flatra ngrihem
zdirgjem errësirave të ferrit

nga thellësitë e kohës
njomem e ngopem me urtësi
e rrënjët kalben
therra shkurra e egërsirë ngel
shçirrem pa frymë sy zgurdulloj

përtej vetes me flatra ngrihem
se si më rrëmben marri e kohës


DEMI I GJOLIT

Nuk shkuam te Livadhet e Gjolit
Nuk shkuam asnjëherë -
aq më keq,
as që e dinim se e kishim pranë
Ishte aty diku,
para se ta shkel atë Dri plak
e të hapëron në Hasin e moteve
Nuk dinim për livadhet e bekuara
as të shkonim atje,
të thellonim njohuri
nga uji i Gjolit.
Mbase na kishte llahtarisur Demi -
Demi i Gjolit,
më i forti i të gjithë demave të ruzullit
Mbase vëllai i i atij Demi që rri në qendër të botës –
si na flisnin të moçmit
e ne veshët i kishim në lesh
Demi i Livadheve të Gjolit
frikëson me duritje veshshpuese,
por mbase një trimëreshë o trim
do të mund t’ia merrte zemrën
e të merrte pikë uji -
vetëm një pikë,
për ta na e drejtuar rrugën
Po ne, nuk arritëm as të dinim për Livadhet e Gjolit
as për Demin që mrizonte në hijen e Lismadhit,
e lëre më të niseshim atje –
në qendër të Labyrinthit
Aty pellazgët na lanë peng Demin
si e lanë në Kretë -
E kishim para hundës të mjerët,
e nuk e pamë të verbër
se nuk u rritëm sa duhet
dhe nuk na lanë
ta shohim Livadhin e Gjolit
e Demin që na pret atje
për ta njohur veten
O, po të kishim shkuar më parë
sa më të fortë do të ishim,
më të fortë se që qemë
duke bredhur shtigjeve të gjakosura
të Labyrinthit të Jetës
Kur nis të shkruhet Libri mbi Livadhin e Gjolit
e forcën e Demit që e ruan ujin e mençurisë
do të prehem e qetë,
do të prehem e qetë.
/Prishtinë, 20.3.09/



RRI ANASH NË MUNDSH

Derisa kohë e trazuar
spastron detin
dhe ua zë frymën brigjeve
Rri anash në mundsh
Nëse
ndërkohë
s’të vrasin brigjet


BUSTI ILIR

Sodis me ditë
me natë
bukuria më magjeps
Në përqafim të kohës
të solla unë
o
më more me vete
Buzeqeshja e vrarë
në mermer skalitur
Shikimi i zënë
vuajtjen ringjall
Sillet valle e fatit
Sy më sy soditemi
ti e veshur në mermer
unë mermer
Në ballin tënd pa rrulla
zhduken të miat
Syri i natës / Night’s Eye, Rilindja, Prishtinë, 1986


RINGJALLJA

Bini daulle të fisit bini
jeni bërë nga lëkurë e trupit tim
prandaj bini fort e më fort
le të pëlcasë pëlhurë e shpirtit
dhe zemra me të
mbase sjellin ringjalljen
Dua të vallëzoj
në ritmin e tingujve paganë
sa të prëgjaken thembrat
nga thepat e gurëve të zhvendosur
e trupi të përplaset
në muret e mendjes së mykur
Pastaj
le të më quajnë bishë
dhe le të qeshen gjarpërinjtë
aq më bën
Dua të bien daullet


TAKIM ME DETIN

(pas luftës në Kosovë)
Kur e sheh detin
vështroje me dashuri
si për herë të fundit
Nëse e sheh përsëri
herdokur
kujto se ndërkohë
ke mundur
të mos jesh


PALEOANTOPI

Kushërinj në të djeshmen
Kushërinj në të përditshmen
njeri tërheq prapa
tjetri nuk lë para
Sa herë që ngrihej
diçka i binte kokës
po
s’do të bëhej N j e r i
të mos provonte sërish


NGA MITRA E DHEUT

Dhembja e ringjallur vrujon
nga mitra e dheut
Shungullojnë thellësitë:
Durim... Durim...
të mos erret udha
t’u hapë shtigje të paudhëve
Durim! Uturin thirravajshëm Nëna
Durim tej durimit
se nata është e stërgjatë
e drita e agut ka zënë diku në thua
Durim! Përbejnë ninulat
Përben Syri i Mirë
që lë shtigje të ndriçuara
t’i theqafë të pabesët
Durim! Kullon qumështi
i gjirit të gulçuar
të mos gufojë gjaku nga dejt
Nga mitra e dheut
gulon urtia:
Durimi ka kufi


LARG VETES

Mes lisave që lëshojnë hije
nga dritë e perëndimit
simfoni gjethesh në qetësinë e amshueshme
Një puhi ndjell ndjenjën
e rehatisë vetmake
Mes thanave e pemëve dardhane
larg sybiruesve e veshbiruesve
larg vetes së shitur qytetërimit
Sa kohë duhet të ikën njeriu
që të jetë i lirë me veten?
Nëpër kokë përvidhen dhëmbë,
arrijnë gjarpërinjë e lidhen rreth fyti
Zogjve u rriten krahët,
pas çdo druri lugetërit zënë pritë
Frika këmbëve ua jep vrapin
andej nga kanë ikur,
larg vetes kah vetja

Related Posts: