Nënkryetari i Grupit Parlamentar të CDU-së në Bundestagun Gjerman, Andreas Schockenhoff, ka vdekur sot, në moshën 57 vjeçare, njoftojnë mediat gjermane.
Schockehoff ishte bashkëpunëtor i afërt të kancelares Angela Merkel dhe herën e fundit ishte në Kosovë muajin e kaluar.
Kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur ngushëllime, me rastin e vdekjes së Andreas Schockenhoff, nënkryetar i grupit parlamentar të CDU-së në Bundestagun gjerman.
Mustafa në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se sot shkoi nga kjo jetë njeriu që u shqua me parime dhe energji në zgjidhjen e problemeve shumë të ndjeshme në Ballkan. “Në mesditën e sotme ndërroi jetë dr. Andreas Schockenhof, nënkryetar i grupit parlamentar të CDU-së në Bundestagun Gjerman. Sot shkoi nga kjo jetë njeriu që u shqua me parime dhe energji në zgjidhjen e problemeve shumë të ndjeshme në Ballkan. Gjatë këtij viti u takova disa herë deputetin Schockenhof, i cili shquhej me përkushtimin e tij për demokraci, për zhvillim e prosperitet. Ishte një njeri i dashur, i sinqertë dhe një mik i madh i yni. Sot është një ditë e hidhur për të gjithë ne, që e njohëm dhe bashkëpunuam me dr. Andreas Schockenhof, por edhe një ditë në të cilën shprehim krenarinë që patëm rastin të kemi një mik të tillë”, ka thënë Mustafa.
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka shprehur ngushëllimet me rastin e vdekjes së deputetit gjerman Andreas Schockenhoff, të cilin e ka quajtur mik të madh të Kosovës.
“Sapo dëgjova lajmin e pikëllueshëm për ndërrimin e jetës së mikut të madh të Kosovës Andreas Schockenhoff. Ishte në Kosovë para disa ditëve duke përkrahur fuqimisht institucionet e reja dhe popullin e Kosovës. Schockenhoff ishte deputet me ndikim i Bundestagut gjerman që nga viti 1990. Ishtë i njohur për përkushtimin e tij ndaj afirmimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e integritetit territorial të Kosovës. Familjes së tij, Kancelares gjermane, Angela Merkel, bashkëpartiakëve të CDU-së, dhe gjithë popullit gjerman u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e një personaliteti të shquar të skenës politike gjermane dhe ndërkombëtare dhe një miku të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshëm të Kosovës i cili mbështeti fuqishëm vendin tonë drejt integrimeve europiane deri në çastet e fundit të jetës. U prefsh në paqe mik”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.