Ahmet Bajramaj është banor i fshatit Zall Bastar në Tiranë. Është 48 vjeç, për herë të parë është martuar në vitin 1986. Me dasmë të madhe, ashtu siç e do zakoni. Gruan e kishte nga i njëjti fshat, profesioni i saj, mami-infermiere. Aktualisht punon në qendrën shëndetësore të fshatit ku vazhdojnë të banojnë. Lindën njëra pas tjetrës, 3 vajza. Ahmeti e donte një djalë. Dilte e tepronte si arsye për t’a folur njëherë me gruan idenë për një…grua të dytë! Vite të tëra biseda, përplasje dhe më në fund.. Pas plot 20 vitesh martesë ai çon në shtëpi gruan e dytë me ‘konsensusin’ e së parës. Para se të martohej për të dytën herë, Ahmeti bëhej 5 vetë në familje, ndërsa tani janë 8. Vajza e madhe është 24 vjeçe, kurse djali më i vogël 8. Gruaja e dytë e ka gëzuar me dy djem. Ahmeti dhe dy bashkëshortet jetojnë në të njëjtën banesë dykatëshe, të cilën Bajramaj e ka të trashëguar nga i ati. Sipas tij, ato shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën. Ah, edhe një “hollësi”.. Gratë janë edhe kushërira, vajza tezesh. Marrëdhëniet intime? Mëse të mirëkuptueshme. “Përderisa arrita të martohesha dhe të kem harmoni në familje, nuk e kam problem këtë pikë, me radhë çdo gjë…” – thotë Ahmeti që si punë të përditshme bën rrugën Zall Bastar-Tiranë me një furgon “Ford” të kuq. Kur e pyesim a ka ndërmend të marri një grua të tretë, përgjigjja e tij është: “Çfarë nuk bën vaki, kërkesa kam pasur boll. Derën të hapur e kam…” Ky është Ahmeti nga Zall Bastari. Gjithçka për martesat dhe gratë e tij na i rrëfen më poshtë.
Z. Ahmet, jeni i vetmi në këtë fshat që keni dy gra në shtëpi apo ka edhe të tjerë?
Ka pasur të tjerë, momentalisht janë dy. Kanë qenë tre po njeri është larguar nga fshati ka zbritur në Tiranë. Këto gjëra janë bërë me mirëkuptime, por ka pasur edhe nga ato “aksidentalet”, një shokut tim për shembull i ngeli si “dopio gjashtë” në dorë, e kishte të dashur, ra shtatzënë dhe kështu iu bënë dy edhe atij.
Me gruan e parë, si jeni martuar?
E kam marrë me dashuri. Edhe ajo është banore e fshatit, punon infermiere-mami në qendrën shëndetësore të Zall Bastarit. Jemi martuar në vitin 1986.
Po me gruan e dytë?
Po edhe me të dytën me dashuri, të dyja i kam gjetur vetë. Kjo e dyta, përveç dashurisë, ka dhe një tjetër histori. Me gruan e parë kisha tre fëmijë, vajza, dhe të treja me operacion. Siç e ka zakoni, e doja një djalë, por edhe plaka më hëngri veshët, bëj një çun, bëj një çun, dhe kështu duhet t’i plotësoja dëshirën vetes dhe nënës. Pas martesës me gruan e dytë, kam bërë dy djem.
Bashkëshortja e parë si e priti vendimin tuaj për t’u martuar, e pati problem?
Jo, nuk është problem, tani me duar në qafë nuk të lë kush, por nuk është se nxori ndonjë problem të madh. Ato janë edhe kushërira me njëra-tjetrën. Këto nuk janë vendime që merren për 24 orë, kam ndenjur 4- 5 vjet duke punuar për këtë punë. Pengesë tjetër ishte dhe fakti që gruaja punonte mami, gjithë natën rrinte atje, priste lindje, ndërsa unë duhet të mbaja vajzat. Pra, të bëja si të thuash dhe rolin e nënës.
Po familja e vajzës nuk e ka problem këtë situatë?
Po çdo bëjnë ata? Ku do e çojnë fëmijën vajza? Janë të detyruar ta pranojnë, nuk kanë rrugë tjetër.
A është problem për vajzat në këtë fshat për t’u martuar?
Jo. Kjo situatë nuk ka lidhje me martesën e vajzave. Nuk është problem. Mund të ketë ndonjë tek-tuk që kanë kaluar moshën. Unë tre vajzat e mia i fejova për një vit.
Çfarë moshe ka pasur gruaja e dytë kur u martua me ju?
Unë isha 35, ajo ishte 19-20 vjeçe. U martuam në vitin 2001.
Është e vështirë për ju të mbani familjen, se tani jeni familje e madhe?
Po tani, çfarë vështirësie? Ja… janë shtuar një tre të tjerë. Nga pesë që ishim ne, u bënë dhe tre, vajtën tetë, mirë, pak nuk janë, por gjithsesi.
Të ardhurat në familjen tuaj cilat janë?
Puna që bëj unë, aq sa mund të çoj në shtëpi, veç kalojmë kohën, dhe gruaja e parë që punon në qendrën shëndetësore.
Nga komuna merr ndihmë?
30 mijë lekë të vjetra asistencë.
Bijat tuaja si e pritën martesën tuaj të dytë?
Nuk e patën problem se kam pasur komunikim të mirë unë me to. Nuk kam luajtur rolin e babit të rreptë. E madhja është 24 vjeçe, e martuar.
Fshati e ka përfolur martesën tuaj?
Ambient fshati, normalisht. Dhe gratë e fshatit me nusen, e pyesnin, se kishin hallin e tyre më shumë, mos i çonte dhe burri i tyre nesër në shtëpi.
Po për sa i përket martesës ligjore, ju jeni celebruar vetëm me gruan e parë apo jo?
Po, vetëm me të parën, pasi nuk ka ligj që të lejojë martesën me dy gra. Ndërsa fëmijëve me gruan e dytë u kam njohur vetëm atësinë.
Si shkojnë gratë me njëra-tjetrën, pasi ato jetojnë në një çati?
Shumë mirë. Punët i kanë të ndara.
Me të parën keni bërë dasmë?
Me të parën kam bërë dasmë, normale, të madhe, ndërsa me të dytën jo, asgjë, veç e mora e solla në shtëpi, kaq.
Po familjarët e gruas së dytë, e pranuan lehtë martesën tuaj?
Në fillim nuk e pranuan këtë lidhje, por më vonë u qetësuan e tani kemi marrëdhënie të mira. Dhe ata të gruas së dytë nuk është se e pranuan lehtë, por nuk kanë çfarë të bëjnë.
Të duket vetja i veçantë që ke dy gra në shtëpi?
Ç’i veçantë! Ambientohesh. Ka dhe nga ata burra që e dinë historinë time, më kanë ndaluar në rrugë, duke më thënë; ore si ia bëre që i ke mbush mendjen…
Ndihesh me fat që ke dy gra?
Jo, fati është si ta kërkosh.
A bëhen xheloze për njëra-tjetrën?
Po çfarë xheloze do bëhen ato tani? U mësuan. Edhe derr të jesh, do zbutesh.
Tani që keni dy gra, mendoni se mund të merrni një të tretë?
Po tani, çfarë nuk ndodh, kurrë mos thuaj kurrë. Derën e kam të hapur. Kërkesa kam pasur, në fshat e jashtë fshatit. I kam thënë unë: Kur të thyejë këmbën ndonjëra, prisni radhën.
Po familjet e nuseve e patën probleme?
Vjehrra e nuses së madhe e pati pak problem se normalisht është me mentalitet të vjetër, ndërsa unë i thoja, do të marr një tjetër veç këtyre dyjave. Aty pastaj heshti…
Kur linde djalë, u gëzove?
Normalisht që po. Ishte ajo që doja. Kam pas shumë vizita nga të dyja familjet e nuseve dhe të afërmit e mi.
Çfarë i afron tek ju kaq shumë?
Nuk e di, por unë në fakt nuk i kërcënoj, nuk i rrah. Nuk bëhet çdo gjë me dajak. Me fjalë bëhen punët.
Thatë që keni pasur kërkesa të tjera, sa keni pasur?
Po, kam pasur, por jo shumë, se nuk jam Berluskoni unë.
Ka ndonjë moment që bëhesh pishman?
Jo, i kam bërë me paramendim çdo gjë. 5-6 vjet kam folur çdo ditë me nusen e parë për të marrë këtë të dytën. Nga një çikë çdo ditë.