Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arseniy Avakov, ka deklaruar se tre tanke kanë kaluar kufirin nga Rusia në zonat e rebelëve, në lindje të vendit, dhe një luftim i ashpër është në zhvillim e sipër.
“Tanket hynë në Ukrainë bashkë me disa autoblinda të tjera përmes një pike kufitare të kontrolluar nga rebelët në rajonin e Luhanskut”, deklaroi Arseniy Avakov.
Forcat ukrainase reaguan dhe një luftim mes tyre dhe rebelëve është në zhvillim, saktësoi ministri.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një reagim të tijin lidhur me këto njoftime deklaroi se, hyrja e tankeve ruse në Ukrainë është vetëm një shpifje e qeverisë së Kievit.
Separatistët pro-rusë në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, që është dhe zemra e industrisë ukrainase, shpallën pavarësinë pasi mbajtën referendume muajin e kaluar, të dy të konsideruar si ilegjitim nga Kievi zyrtar.
Rebelimi në këto zona filloi pas trazirave që rrëzuan nga pushteti presidentin e zgjedhur të Ukrainës, Viktor Yanukovych, politikat pro-ruse të të cilit shkaktuan demonstratat masive në Kiev gjatë dimrit.
Zoti Avakov saktësoi më tej se kalimi i tankeve dhe autoblindave ishte bërë përmes zonës Djakovesë, një lokalitet në Luhansk, para se të mbërrinin në Donetsk.
Prej andje, shtoi ministri i Brendshëm, tanket u drejtuan për në qytetin Snizhne të enjten në mëngjes, ndërsa dy prej tyre vazhduan për në qytetin Horlivka, ku u sulmuan nga trupat qeveritare.
“Luftimi është në zhvillim. Nuk mund të them se cili do të jetë rezultati i tij, por një pjesë e autokolonës ruse është shkatërruar”, deklaroi ministri Avakov.
Ndërsa një zëdhënës i rebelëve tha për agjencinë ruse “Ria Novosti” se, ata po luftonin përballë 40 tankeve ukrainase në veri të Luhanskut. Sipas tij, tanket ruse u ndalën në fshatin Makarovo. /tch/