![]() |
| Portreti i shkrimtarit Sterjo Spasse, i dhuruar dje GKA-së |
I përhumbur në mendime, me një libër në dorë… Ky është imazhi i fundit për shokun e fakultetit, shkrimtarin shqiptar nga piktorja ruse Nikolaevna Zelinskaya – Plate. Një imazh që rikthehet në Shqipëri pas shumë dekadash. Fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve i është shtuar një tjetër vepër. Është fjala për një portret të shkrimtarit Sterjo Spasse, me titull “Albanian writer Sterjo Spasse”, realizuar nga piktorja ruse Raisa Nikolaevna Zelinskaya – Plate. Piktura i përket vitit 1959, në teknikën vaj në kanavacë, me përmasa 81×66 cm. Ajo i është dhuruar Galerisë Kombëtare të Arteve nga i biri i piktores, Felix Plate. Procedura e dhurimit dhe kostot e saj u mundësuan nga ambasadori i Shqipërisë në Republikën Federale Ruse, Sokol Gjoka, ndërsa akti i dhurimit u krye dje në GKA midis drejtorit Artan Shabani dhe diplomatit Shkëlzen Logu, përfaqësues i Ambasadës shqiptare në Rusi. Ky i fundit tregoi edhe historinë që mbart ky portret. “Ky portret është realizuar gjatë vizitës së fundit të shkrimtarit Sterjo Spasse në Moskë, ku ka takuar edhe miken dhe kolegen e tij të fakultetit, piktoren Raisa Nikolaevna Zelinskaya – Plate. Ne ndihemi të kënaqur që më në fund mundëm ta sillnim këtë portret në atdheun e shkrimtarit. Artistja ka qenë një mike e Shqipërisë, ashtu siç vazhdojnë të jenë edhe familjarët e saj. Unë uroj që ky rast të mos jetë i fundit dhe të pasohet nga gjeste të tilla”, tha Logu. Piktura e vlerësuar nga vetë dhuruesi 3 mijë euro do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit në GKA dhe do të jetë në standardet e duhura për ekspozim. Ndërsa drejtori i Galerisë, Artan Shabani, e cilësoi këtë vepër një vlerë të shtuar të koleksionit të GKA, por ai vlerësoi edhe gjestin e vullnetin e familjarëve të artistes të cilët e ruajtën dhe ia dorëzuan Galerisë Kombëtare. Ai theksoi faktin se ky dhurim përkon edhe me 100 – vjetorin e lindjes së shkrimtarit Sterjo Spasse. Sipas Shabanit, kjo nuk është hera e parë që Galerisë Kombëtare i dhurohen vepra. Emra si Jan Dibets, Omer Kaleshi, Artur Tashko, Lika Janko, Fondacioni “Lin Delia”, së fundmi Peter Pocs etj. i kanë dhuruar vepra dhe koleksione këtij institucioni.






