Përse na çmend futbolli ?!



Çarku që të vendos futbolli duket se është herë i veçantë, herë tragjik e herë ekstazë kur mendon se ka tifozë që nuk lëvizin as qepallat dhe nuk ja heqin sytë vetëm një fanelle që lëviz në fushë…!
Por emocioni dhe pasioni që të jep një ndeshje e zakontë futbolli, “normal” as që nuk mund të krahasohet me ‘gjullurdinë’ që krijon Kupa e Botës . Ndjenja për të është kaq globale sa që rezulton se është vështirë ta anashkalosh atë.
Njerëzit ndërpresin punën që kanë për të kryer për të parë ndeshjet ; studentët lenë mënjanë studimin për të bërtitur ; detyrimet lihen në mes të rrugës; shumë të tjerë harxhojnë para për të vënë baste. Njerëzit duken si të hipnotizuar dhe pak të lajthitur si të dashuruarit . Sepse për këtë bëhet fjalë : për hipnozën e të dashuruarit .
Frojdi e shpjegon : “si në hipnozë dhe në dashuri humbet gjykimi dhe përgjegjësia i kalohet tjetrit të cilit i ke dhënë të gjitha idealet”.
    Botërori -përtej marketingut dhe fitimit – përcjell momente të çmëndurisë së përgjithshme të legjitimuar; në të luhet duke luftuar, dhe luhet për të fituar. Eshtë një amfiteatër me emocione, rivalitet dhe konkurim. Por interesante është se skenari nuk përbëhet vetëm nga lojtarët dhe as nga terreni ku ata luajnë, por edhe nga spektatoret që zenë një hapësirë jo të paktë .
“Jemi gati- gati duke hyrë në një delir kolektiv !”, thotë psikoanalistja britanike Silvia Fendrik.
Por edhe për njerëzit e zakonshëm duket se nuk është aspak i ekzagjeruar përdorimi i fjalës “çmënduri” në lidhje me atë që ndodh në këtë ngjarje.
“Po, Botërori është një fenomen që na çmend të gjithëve nga një çikë”-thotë një ri  i cili studion dramë në Tiranë.
Në fillim të këtij evenimenti botëror, disa televizione në Shqipëri i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme transmetimit të emisioneve të posaçme. Njerëz veteranë, që janë marrë me sportin, njerëz të rinj që merren me të, artistë, aktorë, komentojë futbollin sikurse japin edhe njohuritë e tyre të mirfillta për Kampionatin Boteror, i cili gjithnjë ka funksionuar si fenomen i masave, që fshin ndryshimet mes njerëzve dhe operon si iluzion .
Duket se gjithkush në Shqipëri e njeh mirë futbollin botëror, sikundër edhe ka mijëra tifozë që prej vitesh kanë skuadrat e tyre në zemër.
   Shumica e shqiptarëve, ndonëse zemërthyer që vendi i tyre nuk ka shansin më të vogël që të hyjë në ndonjë botëror, kanë në preferencat e tyre skuadrat më në zë për momentin, si Anglia , Italia, Brazili, Gjermania, Holanda Argjentina etj. Bluza me emra të skudrave të tyre, numrat e sportistëve të tyre te preferuar, stema, deri edhe flamuj që i vendosin në makinat e tyre, janë më se të zakonta tash për tash nga shumë shqiptarë.
Lokalet, baret ne Tiranë dhe jo vetëm , kanë marrë masat që në orët e transmetimit te ndeshjeve , tifozët të ndihen mirë me kushtet e krijuara prej tyre, ekrane të mëdhënj…, birra të ftohta … dhe shume brohorima… , duket se do te shoqerojne netet ne kete qershor …!!!  Edhe këtë herë nuk kanë kanë munguar bastet e vënë në shuma të konsiderueshme të hollash .
Shumë psikoanalsitë e shpjegojnë futbollin si dëshirë për të shkatërruar tjetrin . Gjithçka lind nga dëshira për të fituar, sikurse u lejon njerëzve të nxjerrin jashtë vetes një konflikt të brendshëm . Nga ana tjetër forcohet edhe iluzioni që asgjë nuk u mungon, as si njerëz, as nga intuita, as nga zhdërvjelltësia mendore për të fituar në baste, as edhe nga  inteligjenca për të bërë komente për këtë apo për atë skuadër.
Duket se e gjitha është një lumturi e përgjithshme. Një formulë që rigjeneron.
Një studim i Fondacionit të Shëndetit Mendor në Britaninë e Madhe tregon se pjesa më e madhe , 64% e njerëzve mendon se futbolli i ndihmon të shprehin ndjenjat e tyre; 70 %, se të luash futboll është më mirë se ta shikosh të luhet , dhe 67%, se është më mirë që ndeshjet e futbollit t’i shikosh me miqtë dhe familjen.
Futbolli ka një impakt pozitiv në shëndetin mendor, pohojnë psikoanalistët. Në një anketim të zhvilluar në Norvegji , një nga katër të anketuarit pohoi se futbolli është një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së tij . Për ekspertët anglezë , Kupa e Botës ka efekte pozitive; një studim i realizuar në Skoci tregoi se gjate kampionateve botërore të futbollit ulet numri i të shtruarve në spital.
Njihet tashmë se ngjarjet e mëdha ngjallin entuziazmin dhe vemëndjen e komunitetit dhe kjo ka ekzistuar gjithnjë. Intimiteti i lojtarëve, mendimi se çdo veprim i tyre duhet të ketë një shpjegim, komentet për golat apo për humbjet e tyre bëhen globale, dramatike , fatdhënëse, kolektive , triumf apo dështim . Shfaqet një çast atë që bashkon një shoqëri dhe kur mund të arrihet një gjuhë e përbashkët . Dhe e gjitha është një fshikëllimë utopie që zgjat në rastin më të mirë një muaj. Pastaj jeta vazhdon sërish.
Psikoanalistja Hugo Litvinoff, thotë se: “pas shumë zhgënjimeve dhe pas dhimbjes që shkakton inferioriteti mbi të gjitha për fuqitë perendimore ,mundësia për t’u shprehur duket si një substanë ushqimore që ushqen dashurinë për veten.”.
Në epokën tonë, e cila karakterizohet nga individualizmi, përballja sportive mes vendeve nxjerr në dritë ndjenjën kombëtare. Shumë thonë se në fund të fundit e gjithë kjo gjullurdi nuk është gjë tjetër vecse një iluzion i përkohshëm dhe se lavdia , historia, e tashmja dhe e ardhmja e çdo vendi varen nga faktorë të ndryshëm dhe të largëta nga përmbajtja sportive.
Sigurisht që një farë të drejtë duhet të kenë ,por se harrojnë ose injorojnë faktin se iluzion nuk është ndonjë fjalë e keqe, se kapaciteti i iluzionizmit ka të bëjë me mundësinë e tolerimit dhe të shijimit të jetës .
Ndoshta asgjë e rëndësishme nuk ndodh në një kampionat botëror…!!!
Në Shqipëri, si gjithnjë edhe kësaj herë flitet me pasion për të tjerë kombe …!!!
Nuk mundet që edhe shqiptarët të jenë së bashku , jo për pasion …dhe as për nacionalizëm , por që në orët e pafund kur diskutojnë për të tjerët, apo kur tregojnë dijet që kanë për të tjerët, të bëjnë iluzion, të ngulmojnë, analizojnë, të krahasojnë se në se Shqipëria do të ketë ndonjëherë fat të shfaqet në ndonjë Botëror ?