Përplasje

EDMOND TUPJA
 

       
Eshtë krejt e qartë: asn jëherë nuk kemi për ta marrë vesh me 100% siguri se si filloi, u zhvillua e përfundoi përplasja midis personalitetit politik Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dhe personalitetit mediatik Adi Krasta. Një gjë dihet: që të dy i kanë emrat me nga dy rrokje (Edi & Adi), mbiemrat gjithashtu me nga dy rrokje (Rama & Krasta). Dihet gjithashtu se kanë deri diku temperamente të ngjashme, por, ndërsa i pari është thuajse përherë skllav i temperamentit të tij, i dyti nuk ka temperament skllavi. Sigurisht, në numrin e saj të djeshëm, “Panorama” hodhi më shumë dritë mbi këtë përplasje duke saktësuar se Edi Rama ka përdorur, në adresë të Adi Krastës, fjalët fyese “plehrë” dhe “legen” (terma të përhershëm të fjalorit të tij), ndërsa ky i dyti i ka thënë të parit: “Unë reagoj si të dua, sepse nuk jam i kapur nga mafia”. Në qoftë kështu, gazetari italian Alessio Vinci pati plotësisht të drejtë kur deklaroi botërisht: “Kryeministri Rama, për sjelljet e tij, duhet t’i kërkojë falje (…) gazetarit tonë Adi Krasta e më pas të gjithë shqiptarëve”. Megjithatë, asnjëherë nuk kemi për ta marrë vesh saktësisht me çfarë toni dy protagonistët i kanë folur njëri-tjetrit (sepse mënyra e të shprehurit – me ironi e cinizëm apo mllef e urrejtje – ka nganjëherë po aq rëndësi sa ajo çka është thënë), si vazhdoi përplasja për “rreth një orë” (saktëson e njëjta gazetë) dhe kush i vuri vulën i fundit. Asnjëherë nuk kemi për ta marrë vesh se ç’batuta të tjera u këmbyen vërtet midis dy protagonistëve dhe nëse pati ndonjë thërrime të vërtetë në thashethemnajën e krijuar me këtë rast (“Sa shumë njerëz ka që flasin prapa krahëve, – vëzhgonte Oscar Wilde-i para 100 e ca vjetësh, – por sa gjëra të vërteta që thonë!”). Së fundi, asnjëherë nuk kemi për ta marrë vesh se si u vendos paqja: me armëpushim konsensual, me lëshime të dyanshme, me kërkim faljeje të nënkuptuar apo gjithçka u la pezull. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: fusha e betejës apo, më saktë, mejdani (ndryshe nga ai ku u zhvillua dyluftimi midis Gjergj Elez Alisë dhe Bajlozit) qe një restorant. Një restorant ku të ftuarit ishin të gjithë shqiptarë dhe ku pati një krye-të-ftuar, një personalitet artistik me emrin ndërkombëtarisht kumbues, Tedi Papavrami, mbiemri i të cilit ka dyfishin e rrokjeve e të shkronjave të emrave Rama e Krasta. Përfytyroje veten, i nderuar lexues i vëmendshëm dhe i shqetësuar i kësaj rubrike, përfytyroje, pra, veten të ftuar nderi në një familje ku, ende pa filluar mirë dreka apo darka, nis sherri midis ftuesve (I love Sherr, my name is Sherr, Sherr is my home, let’s share our Sherr, do të kishte thënë ndonjë anglez flegmatik me humorin e tij karakteristik): sigurisht që ti do të ishe ndier shumë, shumë keq, madje i fyer! Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se u thanë e vazhdojnë të thuhen edhe gjëra të tjera, nganjëherë fort të shëmtuara, shpesh në trajtë thashethemesh, sigurisht, por me zë të ulët, si me një ndjenjë frike të nëndheshme. Frikë nga çfarë? Frikë nga kush? Me shumë gjasë nga diçka e paemër, nga dikush me emër. O Zot, qysh kur Heshtja na qenka bërë e para, kurse Fjala na paska përfunduar e dyta, për të mos thënë e fundit? A nuk na kujton (deri diku, natyrisht) klima psikosociale e krijuar nga kjo dukuri kohët e zymta të diktaturës hoxhiste kur shumë shqiptare dhe shqiptarë jo vetëm ulnin zërin, por gjithashtu krijonin simbole e kode komunikimi gojor për t’i shpëtuar përgjimit të veshëve të padëshirueshëm e keqdashës? Sidoqoftë, le të më lejohet të merrem pak më gjatë me sfidantët e përplasjes në fjalë: nga njëra anë, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, personalitet politik i paparashikueshëm në reagimet e tij, nga ana tjetër Adi Krasta, personalitet mediatik shumë i njohur. Tek i pari, prirjet e dikurshme artistike dremisin prej vitesh nën trysninë e ambicieve politike; tek i dyti prirjet artistike janë të dukshme, ndërsa mungojnë krejtësisht ambiciet politike; i pari prodhon, po e përsëris, prodhon politikë me synim mbajtjen me çdo kusht të pushtetit (A nuk thoshte Lenini se “është më e lehtë ta marrësh pushtetin sesa ta mbash atë”?), kurse i dyti krijon, po e përsëris, krijon spektakël (a nuk thoshte dikush që jeta nuk është spektakël artistik, por spektakli artistik është jetë?); ironia e të parit shpesh kthehet në cinizëm e sarkazëm, ajo është vrastare; qesëndia e të dytit është elegante dhe dashamirëse; i pari thyen, shemb, dërrmon; i dyti ngacmon, shkund, zgjon; i pari ka hijen e rëndë të shtrëngatave shkatërrimtare, i dyti ka hijeshinë e butë të flladeve këndellëse. Por, megjithatë, diçka ka ndodhur, për faj të diçkaje, për faj të dikujt, që ka krijuar në të shkretën Tiranë, në të shkretën Shqipëri, në të shkretën politikë shqiptare, krejt të çoroditur e mjerane, një atmosferë të rëndë ku mungon motivimi i së ardhmes, ku mungon oksigjeni i optimizmit, ku shpesh çdo rast për t’u çlodhur, për t’u gëzuar, për t’u argëtuar kthehet në shkak për t’u acaruar, për t’u tendosur, për t’u karfosur, siç qe rasti i freskët i përplasjes Rama-Krasta, për të cilën shumë shqiptare dhe shqiptarë flasin me zë të ulët, a thua se ndiejnë rreth e rrotull praninë e diçkaje të paemër, e dikujt me emër e me personalitet toksik, i cili po sundon vrazhdë mbi mendjet, mbi shpirtrat e tyre.