SALI BERISHA
Kryeredaktorit të gazetës “Panorama”!
I nderuar zotëri, në suplementin e gazetës “Panorama” të ditës së shtunë, dt 21/06/2014, në hyrje të shkrimit me titull: “Rrëfejnë dëshmitaret: Ja çfarë ndodhi mes Edi Rames dhe Adi Krastës – Detajet e sherrit …” shkruhet se: “bëhet fjalë për një zënkë mes personalitetesh, e amplifikuar më pas nga ish-kryeministri Berisha, si fillim me një status në ‘Facebook’ dhe më pas me një reagim të fortë në sallën e Parlamentit këtë të enjte”.
Duke shprehur respektin tim për autorin anonim të shkrimit, më duhet të saktësoj se ai në këtë shkrim gabimisht më atribuon merita që për hir të së vërtetës nuk më përkasin mua. Kjo sepse nuk jam unë që kam nxjerrë në fillim apo për herë të parë faktin se Rama, në darkën e 14 majit, në shpërthimin e tij skizoid ndaj Adi Krastës, ka humbur kontrollin. Kjo meritë u takon disa të tjerëve, që me guxim botuan në faqet e gazetave dhe hapën emisionet e lajmeve televizive të tyre dhe informuan publikun për skandalin dhe detajet e tij disa ditë para botimit të statusit tim në “Facebook” më datë 16 qershor. Sipas këtyre mediave, në këtë darkë ditëlindjeje, ku ishin të pranishëm disa ministra, Edi Rama kishte agresuar brutalisht me fjalët më fyese gazetarin e njohur Adi Krasta vetëm e vetëm se ai kishte cituar dhe mbështetur në një koment të tij në “Agon Channel” një deklaratë timen në Parlament, ku unë e denoncoja si mafie mediatike Edi Ramën për favoret e paligjshme që ky po i bënte me frekuencat publike kompanisë “Digitalb”, në të cilën thuhet se është aksioner. Mediat kishin njoftuar se gazetari i njohur Krasta kishte reaguar me dinjitet të plotë dhe në proporcionin e duhur ndaj shpërthimit të pakontrolluar të Ramës, duke dëshmuar kështu guxim qytetar dhe burrëri.
Po kështu, mediat kishin informuar se Edi Rama në akses krize kishte shpërthyer me fjalët më të rënda, si “pro……”, “ku….”, ndaj zonjave Kumbaro dhe Veliaj vetëm se ato ishin përpjekur të qetësonin Ramën kur ai ishte turrur gojëhapur për të kafshuar drejt Krastës.
Pra, cilitdo që i intereson e vërteta, mjafton që të lexojë shkrimet e gazetave dhe dëgjojë kronikat e lajmeve televizive për skandalin e darkës së 14 majit, për të kuptuar se në statusin tim në FB të datës 16 qershor nuk ka absolutisht asnjë amplifikim. Të vetmen gjë që unë kam shkruar dhe që mediat nuk e kanë thënë, është se bashkëshortët e zonjave, aq rëndë të ofenduara nga Rama, nuk reaguan dhe nuk lëvizën vendit dhe kjo është plotësisht e vërtetë. Shtoj këtu se deri më datë 19 qershor, ditën e diskutimit tim në Parlament, Rama vetë dhe asnjë nga të lënduarit apo dëshmitarët e darkës së prishur për tetë ditë me radhë nuk kishin bërë asnjë reagim, asnjë mohim të atyre lajmeve, kishin heshtur të gjithë, përveç mureve.
Mendoj se kjo është ngjarje sa e rëndë, po aq dhe ngjarje e shëmtuar. Në asnjë vend të lirë nuk ndodh që kreu i ekzekutivit të shpërthejë me sharje prej ordineri ndaj vartëseve apo qytetarëve. Ky është abuzim i rëndë me pushtetin. Në vend që të japë dorëheqjen ose minimalisht t’u kërkojë falje publike atyre që ka lënduar me sharjet e tij, atyre që u prishi darkën me krizën e tij dhe në tërësi publikut shqiptar, Rama, si recidivist dhe i papërgjegjshëm, përdori pushtetin për të mohuar breshërinë e sharjeve të ulëta, skandalin e tij të radhës. Unë do vlerësoja z. kryeredaktor që, në interes te informimit më të saktë të lexueseve të gazetës suaj për këtë ngjarje të rëndë të botoni këtë shkrim në këtë gazetë.
Me konsideratën time të lartë dhe respekt, Sali Berisha