Kohë për individualistin! Kundër psikologjisë së turmave

Nga Gëzim Tushi

Padyshim, diskutimet për thellimin e natyrës personaliste të njeriut dhe tendencën e qartë dhe të fortë të mbivlerësimit të individualizmit, si shfaqje sociale e përgjithshme e dukshme e kuintesencës së postmodernitetit në shoqërinë shqiptare, janë problem dhe tema dhe të mprehta. Në të vërtetë për shkak të natyrës historike të shoqërisë tonë, diskutimi rreth tyre shpesh është i paqartë dhe për pasojë edhe idetë që e shoqërojnë këtë debat vazhdon të jetë delikat dhe problematik. Diskutimi rreth këtyre çështjeve nuk është vetëm teorik por mbi të gjitha me vlerë sociale dhe orientuese për “rivendosjen” e piketave të duhura të funksionimit modern të raporteve midis individit dhe shoqërisë. Kjo për ne është imperative, sepse ne jemi shoqëri që për shkak të së kaluarës tonë kolektiviste, mënyrës së të jetuarit në “turmë sociale” të drejtuar nga lart, e kemi vështirë të gjejmë formulën e duhur, të vendosim ekuilibrat e nevojshme të raporteve midis individit dhe shoqërisë.
Për këtë arsye sot në shoqërinë tonë ndeshesh me ide dhe praktika konfliktuale e kontroversale, që variojnë nga sjelljet ultra të personalizuara dhe ultra individualiste të frymëzuara nga prirja e thellë liberale e jetës shoqërore, e shfaqur shpesh edhe në forma evidente të anarkisë sociale. Nga ana tjetër, ka ende ide e koncepte të gabuara për të ngulur këmbë në “vlerën” e natyrës kolektiviste dhe mënyrës supersociale të të jetuarit, si recidiva të bujshëm të rishfaqjes herë pas here të koncepteve dhe moduleve të ndryshkura të shoqërisë totalitare dhe “njeriut anonim”.
Këta të fundit akoma nuk i janë laruar fantazmave të jetës së ndërtuar mbi bazën e “hipnozës kolektive” dhe “njeriut social”, por pa identitet personal dhe formë të papërsëritshme e të individualizuar të jetës. Padyshim, është e qartë që shoqëria jonë në thelbin e kontradiktave të tranzicionit dhe të përplasjes së ideve liberale dhe konservatore për natyrën e individit dhe të shoqërisë, duket qartë që është duke rindërtuar modelin e vet, e cila ka si bazë idenë që mënyrat dhe format e ndryshme të bashkimit shoqëror të njerëzve, nuk mund të mënjanojnë njeriun individualist, i cili në qëndër të jetës së vet ka interesat personale të sintetizuara në esencën e dukshme të “vektorit egocentrik”.
Padyshim, duhet të mësohemi të jetojmë me të vërtetat e “hidhura” të kohës postmoderne dhe jo të nanurisim njerëzit me gënjeshtrat e “ëmbla” ideologjike të modelit të shoqërisë superkolektiviste e totalitare. Pavarësisht se në kohën moderne edhe shoqërisë dhe njeriut tonë po i ndodhin fenomene që duket sikur janë në thelbin e tyre “rrëshqitje gjeologjike të shpirtit”, që po shkaktojnë tërmete me natyrë sociale dhe brenda natyrës së njeriut bashkëkohor, nuk mund të mungojë besimi se vetëm në rrugën e vlerësimit të individit dhe natyrës individualiste të njeriut mund të kemi më shumë mundësi që të ndërtojmë “shoqërinë racionale dhe funksionuese”.
Është fare e natyrshme fakti që sot ka një debat të madh social dhe shqetësim të përgjithshëm nga njerëzit tanë, për zgjerimin e agresionit individualist të njeriut dhe zvogëlim të përmasave të shoqërisë të shoqëruar me zbehje evidente të relacioneve sociale në shoqërinë tonë. Problemi sot është vënë teorikisht dhe praktikisht në qendër të diskutimeve dhe rreth tij jepen gjykime të njëanshme me natyrë herë konservatore e supersociale dhe herë liberale e superindividualiste. Të parët janë kundër zmadhimit të konceptit të shoqërisë, dhe kërkojnë ridimensionimin e përmasave të tij duke e bërë atë më të përshtatshme për individin dhe qëllimet individualiste. Të dytët kanë frikë nga zgjerimi i dimensionit individualist të njeriut.
Personalisht më shqetëson fakti që në shoqërinë tonë, megjithë dimensionin e ri të spikatur që ka marrë psikologjia e individualizmit, si sinjal i sigurt i ndryshimit të kohës dhe si esencë dominante e thelbit të faktit që jetojmë në suazën e epokës moderne, ka shumë raste kur qëndrimi ndaj individit dhe raportet e tij me të tjerët, me shoqërinë janë nën ndikimin e “mbetjeve toksike” të psikologjisë së jetës supersociale, të ndikimit të formave arkaike të jetës së përbashkët të njerëzve të dikurshëm të organizuar në mënyrë të detyruar dhe me forma dhelparake që individi të mbetej në turmë dhe vetëm pjesë e determinuar e saj. Kjo do të thotë se në shoqërinë tonë edhe pse gjërat kanë ndryshuar në lidhje me natyrën e kohës postmoderne akoma çështjet e raportit të individit me shoqërinë, të njeriut individualist me nevojat e socialitetit të perceptuar si jetë në turmë, akoma nuk trajtohen drejt deri në fund.
Në shoqërinë shqiptare, problemi i kuptimit të drejtë të raporteve të lirisë individuale dhe ekzistencës morale të psikologjisë së turmave, pengon ndjeshëm aftësitë për të interpretuar drejt nevojën e rindërtimit ndryshe të raportit midis “vetes”, të “tjerëve” dhe shoqërisë në tërësi. Sepse si shoqëri po përballemi me kalimin nga koha kur të gjithë ishim të inkuadruar në jetën sociale si “turmë unike” ideologjikisht e ngjashme dhe strukturalisht uniforme, e bashkuar me dhunë në organizimet supersociale, pa të drejtë zgjedhje individuale, në kohën kur siç po duket qytetarët mendojnë se kanë të drejtë të zgjedhin pa kufizime, të kërkojnë të drejtë të barabartë për të qenë të përfshirë pa dallime në ato organizime e grupe sociale që dëshirojnë individualisht.
Epoka moderne në shoqërinë shqiptare ka ardhur me determinimin që ajo nuk ka më në qendër të saj “turmën sociale” të kuptuar si totalitet social, as organizimet artificiale politike e sociale, por individin si të tillë. Unë mendoj se këtë optikë të shikimit individualist të jetës, të vlerësimit prioritar të vlerës së individit mbi “turmat gri” apo organizimet me natyrë militante, regjionale e lokale, duhet ta bëjmë objekt të mbështetjes së përgjithshme. Vlerën parësore krijuese e individit mbi natyrën amorfe të turmave dhe psikologjisë së tyre retrograde e penguese, e ka vënë në dukje Frojdi që në kohën e vet.
Individin e shkëputur nga turma, ai e konsideroi si “Hero” në kohën e vet. Ne këtë lloj njeriu që shfaqet si qytetar individualist, duhet ta vlerësojmë akoma më shumë tani kur kemi hyrë në epokën postmoderne, dhe për pasojë individualizmi është bërë gati “ideologji sunduese” në ndërtimin e të gjithë marrëdhënieve në jetën e sotme personale e sociale.
Koncepti për individualizmin si “akt heroik” i individit, duhet ta kuptojmë sipas kontekstit të sotëm. Që do të thotë se  “Heroizmi” duhet të mbesë në esencë një gjë që lidhet me aftësitë e individit për të qenë ndryshe. Kjo kërkon që përfytyrimin për “Heroin” dhe rolin e tij social ta vlerësojmë jo me përfytyrime kalorsiake, asketike e groteske të heroizmit, sepse thelbi i tij në kohën e sotme, është i shfaqur në guximin e njeriut, që synon individualisht të jetë “dikushi” dhe jo “askushi” dhe që këtë e realizon përmes hapit të guximshëm të “daljes nga psikologjia e turmave”.
Natyrisht duhen njohur dhe trajtuar drejt tipologjia, dinamika moderne e ndikimit të psikologjisë së turmave në jetën e sotme. Sidoqoftë pavarësisht dialektikës së kësaj dukurie, në kohën tonë, më duket se në thelb viktima të psikologjisë së turmave, gjithmonë janë ata individë që sipas sociologut të njohur Gustave Le Bon, “nuk e kanë mbyllur procesin e evoluimit individual”. Kjo do të thotë se nënshtrimi ndaj psikologjisë së turmave, është tipar i njerëzve që nuk kanë individualitet, që nuk kanë personalitet të spikatur dhe nuk kanë mundur të sigurojnë sovranitetin e vetes përballë turmës apo ndikimit të të “tjerëve”.
Nuk duhet harruar që ne vijmë nga një shoqëri që për një kohë të gjatë u mësua më mënyrën kolektiviste të të jetuarit, mënyrë e cila e persekutoi çdo tendencë të njeriut për të qenë individ me individualitet, me sovranitet dhe mënyrë të personalizuar jetese.  Në shoqërinë tonë forca e turmës jo vetëm ka qenë e fortë mbi njeriun por ka qenë determinante mbi tërë kufijtë e individualitetit dhe personalitetit të njeriut. Këtu e ka burimin pjesa e madhe e dëshpërimit, pakënaqësisë së disa qytetarëve me lirinë, demokracinë dhe mungesën e të drejtës së pakufizuar të zgjedhjes.
Çdo njeri mund të ketë shumë dëshira për të zgjedhur, por në asnjë rast pa vlerësuar raportin midis të dëshiruarës nga qytetari dhe të mundshmes që vjen nga liria si “realitet i realizuar”. Individi, jeta qytetare dhe funksionimi normal i shoqërisë shqiptare nuk është i mundur të realizohet, në se nuk ekziston ajo që Zhak Atali e quan “dëshirë e vërtetë qytetare për të jetuar së bashku”. Kjo zgjidhje është një relacion që ruan raportet e drejta sociale të ekzistencës dhe funksionimit jo të shoqërisë të perceptuar si turmë që sundon mbi individin, por si mundësi e organizimit dhe funksionimit të “shoqërisë racionale”. Në të njëjtën kohë kjo mënyrë e organizimit të “shoqërisë racionale” që bazon sjelljet individuale në rendin juridik garanton të drejtat dhe liritë e individit, nga rreziku i nënshtrimit pasiv ndaj një shoqërie që nuk e meriton të ekzistojë nëse mekanisht synon dhe praktikisht kërkon të riprodhojë psikologjinë e turmave dhe mjetet mesjetare të nënshtrimin e individit ndaj saj…