I këndon patriotizmit, trevave shqiptare, vlerës, traditës,dashurisë. E shikojmë shpesh për vite me radhë të pranishëm në skenë, në ekrane, në evenimente të ndryshme që shoqërojnë jetën e përditshme. Me një eksperiencë të gjatë në fushën e muzikës, kryesisht të rrymës folk. Zëri i tij na bënë të ndiejmë në shpirt tingujt dhe melodinë e këngës popullore duke depërtuar thellë në ndjenjën e gjithsecilit. Ky është këngëtari Selim Paja, i cili thekson se folklori është shumë i pasur dhe me tingujt e muzikës po i pasqyrohen akoma më tepër vlerat. Në intervistën për gazetën “Tirana Observer” këngëtari Selim Paja na rrëfen planet e afërta të tij në fushën e muzikës si dhe emocionet që ka marrë pas publikimit të çdo kënge. Qëndrueshmëria në tregun muzikor shqiptar, kërkesa e madhe për muzikën popullore ka bërë që këngëtari Selim Paja të jetë shumë i kërkuar për koncerte dhe evenimente të ndryshme. Për 70-vjetorin e Çlirimit të atdheut ai është i ftuar në Miçigan në një koncert të organizuar nga z.Hysen Elmazaj, presidenti i kompanisë “Albanian Entertainment” i cili organizon koncerte për shqiptarët në SHBA.
Zoti Paja, si e keni nisur karrierën tuaj dhe prej sa vitesh jeni i pranishëm në tregun e muzikës popullore shqiptare?
Është tashmë një rrugë e gjatë ndër vite në të cilën kam ecur i shoqëruar nga tingujt e muzikës popullore. Kur e kujtoj habitem sesi kanë kaluar kaq vite pa u ndarë nga kjo magji që ende dhe sot e kësaj dite më mban të mbërthyer në krahët e saj. Rrugën e muzikës e kam nisur qysh në moshë shumë të vogël si anëtar i grupit folklorik te shkollës në klasë të dytë e pastaj si solist i këtij grupi në festivale të ndryshme midis shkollash. Kam rreth 10 vjet që jam i pranishëm në tregun muzikor shqiptar, si fillim në interpretimin e këngëve të ndryshme në zhanrin e muzikës popullore deri në nxjerrjen e këngës time të parë ´´Djali ynë po djeg shaminë´.´Besoj se këngëtari është me këmbë në tokë kur u reziston luhatjeve dhe vështirësive të tregut.
Ju jeni këngëtar i muzikës popullore, si priten ato gjatë eventeve të ndryshme?
Këngët e mia mendoj se janë pritur shumë mirë nga publiku dhe fansat e mi. Ato janë të kuptueshme si në tekst ashtu dhe në muzikë. I kam kënduar dashurisë patriotizmit, ndjenjave, jetës, vlerave dhe traditave shqiptare. Përpiqem që ato të jetë sa më të kapshme, të këndueshme nga çdo njeri. Ky është një çelës suksesi që të bën të jesh gjithmonë pranë artdashësit dhe spektatorit tënd. Sot dëgjojmë edhe këngë që në pamje të parë duken shumë të bukura, por nuk shkojnë dot te publiku dhe nuk janë në fërshëllimën e njerëzve.
Cili është mendimi juaj për muzikën folklorike në përgjithësi, a po ruhen ende traditat?
Përsa i përket folklorit mendoj se është shumë i pasur, dhe me tingujt e muzikës po i pasqyrohen mw tepër vlerat. Ne ndër vite kemi krijuar dhe kemi sot një thesar që është si puna e ajsbergut vetëm një përqindje të vogël të tij kemi shfrytëzuar. Janë mijëra e mijëra perla që nëse shfrytëzohen dhe shërbejnë si bazë për krijimtarinë e kultivuar ne ende do të vazhdojmë të kemi muzikë të pastër dhe dashur për të gjithë. Por duhet të ruhemi nga imitacionet, nga keqpërdorimet e veglave muzikore vend e pa vend sa për të krijuar pak aheng dhe të ngrenë duart lart njerëzit. Jo. Një këngë e bukur nëse është e bukur në çdo drejtim të saj këndohet, kërcehet, bëhet pjesë e jetës. Nuk të bën as klarineta, as saksi të kërcesh. Të bën muzika që kompozohet dhe sillet përmes këngës te spektatori.
Keni pasur eksperienca të ndryshme bashkëpunimi. Mund të veçoni ndonjë këngëtar të preferuar?
Është mëse e vërtetë që në këto dhjetë vite të karrierës time si këngëtar kamë patur bashkëpunime të suksesshme nëpër koncerte dhe vente te ndryshme sa me këngëtar të zonës së Myzeqesë, por edhe më gjerë. Kam bashkëpunuar dhe kënduar me këngëtar që janë me emër dhe janë futur në atë rrethin e ngushtë që quhen yjet e muzikës shqiptare. Nuk dua të veçoj emra konkret edhe pse pyetja juaj e kërkon diçka të tillë. Ne këngëtarët jemi shumë të ndjeshëm. Nëse do të veçoja dikë patjetër që dikush tjetër do të mendoj që me atë nuk jam ndjerë komod në të kënduar, ndërkohë që sinqerisht çdo bashkëpunim është një përvojë e re dhe e pasur në jetën time si këngëtar. Gjatë bashkëpunimeve tona ne japim dhe marrim nga njeri-tjetri.
Çfarë është muzika për ju?
Do të përgjigjem në mënyrë të shkurtër dhe të thjeshtë: muzika për mua është një bashkudhëtar i jetës time. Do të jetë me mua sa të kem frymë në këtë jetë.
Cilat janë planet tuaja gjatë këtij sezoni veror?
Vera dihet që është jo vetëm stina e dasmave, fejesave, gëzimeve familjare, por është edhe stina e ne këngëtarëve. Ndaj do të jem, si gjithë kolegët e mi këngëtarë, aty ky do të ketë gëzime, aty ku do të ketë organizime koncertesh në sheshe të qyteteve, apo edhe buzë detit.
Ndërkohë që pas ftesave për koncerte në Greqi dhe Itali, janë të shumëllojshme dhe evenimentet në të gjitha trevat e Shqipërisë. Pas përmbledhjes time në CD të këngëve të reja dhe të vjetra në periudhën e vjeshtës, e rëndësishme është të theksoj ftesën e kompanisë “ALBANIAN ENTERTAINMENT” për festën e 70-vjetorit të çlirimit në 29nëntor të këtij viti dhe veçanërisht nga presidenti i kësaj kompanie, të cilin unë e falënderoj shume z.Hysen Elmazaj, i cili është shumë i njohur në organizimin e shumë koncerteve të suksesshme në SHBA./to






