NGA DHURATA HAMZAI
Kryeministri më i kulturuar i Ballkanit, ndër të paktit që kishte kryer universitetin e Harvardit, Fan S. Noli, politikan, orator, poet, muzikolog, përkthyes i shquar, është përkujtuar dje nga Akademia e Shkencave dhe fondacioni kulturor që mban emrin e tij. Konferenca shkencore u mbajt me rastin e 90-vjetorit të kryesimit të qeverisë shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1924. “Fan S. Noli-kryeministër” ka qenë tema që studiues të njohur nga Akademia e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike trajtuan përmes kësaj konference të posaçme shkencore.
Për herë të parë studiuesit zbulojnë dhe nxjerrin në pah dritëhijet e këtij personaliteti të shumanshëm. Në konferencë mori pjesё edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, si edhe Hirësia e tij, Kryepiskopi prof. Dr. Anastas. Akademik Jorgo Bulo hapi konferencën dhe Dhimitër Anagnosti, president nderi i fondacionit “Fan S. Noli”, regjisor i njohur dhe ish-ministër i kulturës në fillim të viteve 1990 përshëndeti të pranishmit duke iu lënë fjalën studiuesve të mirëfilltë për të plotësuar profilin e Fan S. Nolit. Biografi i Fan Nolit, autor i shumë librave dhe monografive, prof. dr. Nasho Jorgaqi, përmes kumtesës që i kushtohej muajve të parë të qeverisjes së Nolit, solli fakte dhe detaje nga vështirësitë e panumërta që hasi kjo qeveri, duke iu referuar si dokumenteve, arkivave dhe shtypit të atyre viteve.
Në kumtesën e tij e cila botohet e plotë në faqen 18-19 sot në Shqiptarja.com. profesor Jorgaqi zbardh ditët qeverisjes së kryeministrit Fan s.Noli mes bisedave të diplomatëve të huaj duke u përpjekur me ccdo kusht që të njihej qeveria e tij. Më tej, Prof. dr. Paskal Milo u përqendrua në aspektet diplomatike të kryeministrit Fan Noli. Sipas tij, “Noli ishte një diplomat i përkryer me cilësi të shkollës së diplomacisë klasike e moderne, por mbi të gjitha me një kulturë enciklopedike. Prfesor MIlo tha se “Arritjen më të madhe në karrierën diplomatike, siç edhe e ka pohuar vetë, Noli e ka patur kur Shqipëria u pranua anëtare në Lidhjen e Kombeve, në dhjetor 1920.
Thuajse të gjitha qeveritë shqiptare të viteve të para të 1920-ve e dëshironin ta kishin si ministër të Jashtëm, por ai pranoi vetëm në njërën prej tyre të bëhej shef i diplomacisë shqiptare e për një kohë të shkurtër”. Fan Noli ishte i pari ministër i jashtëm i Shqipërisë deri në atë kohë që kishte një formim e kulturë të plotë perëndimore, që nuk vinte nga administrata e vjetër osmane, por nga Universiteti i Harvardit, sipas Milos, i cili shtoi se “Një profil të lartë prej diplomati manifestoi Noli si kryeministër në gjysmën e dytë të vitit 1924. Në krye të qeverisë liberal-demokrate ai kërkoi njohjen e qeverisë nga Fuqitë e Mëdha e vendet fqinje; u shpreh për fqinjësi të mirë e marrëdhënie miqësore, mbrojti integritetin territorial të Shqipërisë, zgjidhi një çështje kufitare të mbetur pezull ndër vite dhe mbrojti me pathos e profesionalizëm të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e Çamëri”.
Pëllumb Xufi: Tentativa e dështuar e Nolit si politikan
Prof. dr. Pëllumb Xhufi trajtoi aspekte politike të revolucioni të vitit 1924, duke e konsideruar këtë si “tentativë të dështuar të betejës për progres në shoqërinë shqiptare”. Sipas prof. Xhufit, “në fillim të viteve 1920, kur Fan Noli u përfshi në jetën politike shqiptare si përfaqësues i shoqërisë “Vatra”, në Shqipëri mbetej pa u realizuar një nga objektivat parësorë të Lëvizjes Kombëtare: çrrënjosja e feudalizmit dhe zhdukja nga skena politike e klasës së vjetër të bejlerëve e të bajraktarëve, të komprometuar keqas me “regjimin e vjetër”. Përfaqësuesit e kësaj klase kishin mundur t’i mbijetonin kolapsit të Perandorisë Osmane dhe pavarësimit të Shqipërisë, duke iu përshtatur rrethanave të reja e sidomos duke shitur interesat e vendit tek të huajt.
Pikërisht, lufta midis krahut konservator, obskurantist e antikombëtar, të përfaqësuar nga Ahmet Zogu, dhe krahut liberal e demokrat, të përfaqësuar nga Noli, i jep përmbajtjen betejës politike që u zhvillua në Shqipëri në vitet 1920-1924. Noli është akuzuar vazhdimisht për rolin e tij në revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Por ai vetë asnjëherë nuk është penduar për përfshirjen e tij në një lëvizje, e cila u përkrah nga liberalë e demokratë të padyshimtë, si Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Ali Këlcyra dhe vetë Faik Konica, apo nga figura me emër e prestigj të madh në popull, si Bajram Curri e At Gjergj Fishta. Nga ana tjetër, në shkrimet e mëvonshme, Noli ka pranuar përgjegjësitë e tij e të shokëve në dështimin e revolucionit të vitit 1924. “U armiqësova me çifligarët, kur thashë se do bëj reformën agrare, u armiqësova me fshatarësinë, kur nuk e bëra atë”: kjo frazë e Nolit i jep kuptim karrierës së tij të pafat politike”.
Aktiviteti patriotik i Nolit në Amerikë
Prof. dr. Hamit Kaba u përqendrua për veprimtarinë dhe qëndrimet e Nolit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kumtesa e Kabës trajtoi mbrojtjen që i ka bërë çështjes shqiptare Noli dhe “Vatra” gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe qëndrimin në dukje kontradiktor të Nolit, për shkak të mbështetjes dhe mbrojtjes së idesë për të krijuar një qeveri në emigracion të drejtuar nga kundërshtari i tij më i madh, Zogu, dhe nga ana tjetër, mbështetjes që Noli dhe Vatra u dhanë qeverive të Frontit Nacional Çlirimtar, duke filluar nga ajo që u doli nga Kongresi i Përmetit e më mbrapa.
Aktiviteti politik i “Vatrës” në mbështetje të çështjes kombëtare filloi të rritej sërish, pas hyrjes së SHBA në luftë, në dhjetor 1941, dhe sidomos pas alarmit të shkaktuar nga kërkesat greke për Shqipërinë e jugut, të shprehura zyrtarisht nga qeveria greke në emigracion dhe deklaratës së Britanisë së Madhe të dhjetorit 1942, e cila e linte të hapur problemin e kufijve të Shqipërisë. Sipas prof. Kabës, Noli bënte pjesë në kategorinë e shqiptarëve të rrallë që e ndërtojnë jetën mbi bazën e parimeve të shëndosha morale e politike, ku arsyet kombëtare qëndrojnë mbi të gjitha.
Nolin mund ta konsiderojmë pa frikë si politikanin më nacionalist shqiptar. Në rrethanat kur në Shqipëri ishte mbajtur Kongresi i Përmetit dhe forcat e brendshme kishin fituar superioritet, kur qeveria amerikane e konsideronte të rëndësishëm përfaqësimin e forcave të rezistencës në Shqipëri dhe kur ngjarjet po shkonin në favor të LNÇL, Noli dhe “Vatra” e tërhoqën mbështetjen për Zogun, dhe njohën përfundimisht këtë forcë të vërtetë të rezistencës në vend dhe qeverinë e saj të krijuar në Përmet, Berat e më tej”.
Shaban Sinani: Letërsia tjetër e Fan Nolit
Prof. dr. Shaban Sinani, me temën “Viti 1924 në poezinë e Nolit, solli konstatimet e tij për një përpjekje për të kufizuar dhe shtrembëruar krijimtarinë e Nolit përmes manipulimeve ekstra-letrare. Sipas Sinanit, “në çerekshekullin e fundmë vendi i poezisë së Fan Nolit në përdorim shkollor është kufizuar. Në studime është gjithnjë e më e qartë prirja për ta zvogëluar përmasën dhe vendin e saj, pa ndonjë kujdes për koherencë kriteresh në mënyrën e leximit të letërsisë së traditës.
Nëse do të kërkohej një shpjegim pse ky dyshim herë i drejtpërdrejtë e herë i mbuluar për vlerat e poezisë së Nolit, përgjigjja është e thjeshtë: fajin e ka viti 1924, fajin e ka revolucioni. Në një mënyrë a një tjetër është shumë e dukshme përpjekja për ta rivendosur poezinë e Nolit në një kalendar të pavend, anakronik, duke i bartur asaj një rol aposteriorik të pavërtetueshëm. Megjithëse Noli i shkroi poezitë e ciklit biblik vite pasi ishte detyruar të linte vendin e të mërgonte në Perëndim, saktësisht prej vitit 1926 deri më 1932; në një kohë kur ishte thellësisht kritik ndaj vetes dhe ndaj përmbysjes politike të vitit 1924, vërehet një tentim mashtrues për t’i rrënjosur lexuesit bindjen e pathemeltë se ai u bë poet për të frymëzuar e përgatitur revolucionin. Me një zhvendosje të lehtë në kalendar, vetëm dy a tri vjet, cikli biblik i Albumit është paraqitur si frymëzuesi i revolucionit, megjithëse dihet fare mirë se Noli i shkroi ato poezi në një periudhë të mëvonshme, kur fjala mund t’i shërbente vetëm për ta gjykuar revolucionin.
Sipas këtij studiuesi të letërsisë, “kjo prishje e skemës së komunikimit të poezisë së Nolit, duke i ndryshuar lexuesin e parë, ka për qëllim programimin e leximit tek brezat e sotëm. Kur Noli vendosi të shkruante në poezi një histori të revolucionit që kishte udhëhequr, duke gjetur analogjitë më të drejtpërdrejta midis tij dhe historisë së lindjes së krishterimit, ai e kishte marrë vendimin e moskthimit më në politikë. Në një letër drejtuar mikut të tij F. Konica në vitin 1933 Noli shprehej: Dua që t’a dini mirë punën dhe kështu të muntni t’a shiguroni qeverinë tonë, që këllëçi im politik është varur në muze, dhe nuk del s’andejm kurrë më. A ishte poezia e Nolit poezi politike? Duke ia paravendosur revolucionit, siç ndodh shpesh sot, sigurisht që po.
Sepse poezia politike, për vetë natyrën dhe funksionet e saj, ka për qëllim të ndërhyjë dhe të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve. Por, duke e vendosur në një kalendar të saktë, duke e historizuar atë, identifikimi i poezisë së Nolit si poezi politike duket tepër i sforcuar. Më pranë së vërtetës ngjan mendimi i Arshi Pipës, i cili, në artikullin Bariu i popullit, qysh në vitin 1944, vërente se Noli, si të gjithë të mëdhenjtë tanë, i tejkalon caqet e letrarit të thjeshtë, tue u shkri në nji personalitet politik-fetar mâ të gjanë. Në fund të konferencës u promovua një CD me fjalime dhe kompozime të Fan Nolit, përgatitur nga akademik Vasil S. Tole./shqiptarja






