Salih Kabashi -
France
Te kjo udhë e te kjo laticë e vogël livadhi para dy vitesh ka pasur deklamime poezish të poetëve të bazenit të Mesdheut. Në livadh pat zbritë një poet i Ballkanit. Koxha mplakë e më shumë rrezbitë, më shumë nga sëmundjet se nga vitet, ai, duke artikuluar turbullt fjalët e verzet, duke i lidhur ato me shumë vështirësi e gati pa kuptim, duke mos arritë assesi të mbajë nën sundim tekstin në fletët që i ngatërroheshin… ai kishte përfunduar paraqitjen e tij pa u kuptuar nga të pranishmit nëse i kishte ra apo nuk i kishte vajtur deri në fund asaj që kish marrë ta lexonte.
Poetët e Mediteranit që në këtë katund plot art e histori mblidhen një herë në çdo vit, në atë laticë livadhi, pranë lumit të vogël, nën degë pemësh që lajnë degët, pipat e gjethet duke parë veten në pasqyrën e ujit të qetë, në ato çaste asaj mbrëmjeje korriku po ndjeheshin keq. Ata po ndjenin dhimbje jo pse po iu ikte mesazhi poetik i kolegut të tyre, as pse nuk ia merrnin vesh gjuhën ballkanikut, por pse para tyre po shihnin si po rrënohej, dhimbshëm, ashiçare, sikletshëm, me trup e me mendje – njëri nga ata.
Poeti pastaj la poetët në vazhdimin e mbrëmjes letrare në atë laticë livadhi. Dikush e ndihmoi të ngjiste shkallët e të dilte në rrugë. Në rrugë atë e morën në shoqërim nata dhe vetmia e saj.
Këmbët e pasigurta po e çonin verrishtes teposhtë. Ishte nata e fundit e tij me njerëzit. Ishte e marte. Ishte natë.
Pastaj ai do të shpallej i humbur.
Organizatorët e festivalit poetik kishin alarmuar policinë. Atë nuk e gjetën për katër ditë e net me radhë . E gjetën të shtunën pasdite. Ai, i shtrirë pranë një përroi, me njërën dorë nën kokë, pa shenja jete e pa gjurma dhune, tashmë e kishte mbyllur tragjikisht ditën e fundit të takimeve poetike bashkë me kapitullin e fundit të jetës së vet.
*****
Menjëherë pas lajmit për vdekjen, e kisha ngarkuar veten me domosdonë që të marr vesh diçka më shumë lidhur me humbjen e tij. E kisha njohur për së gjalli. Kishim pasur momente të një afrimi e bashkëpunimi, por edhe periudha të shkurtëra largimi. Kemi qeshur së bashku. Unë qeshja me seriozitetin e tij që mendoja se nuk i kishte hije. Edhe me përpjekjen e tij që të fshinte pjesë të biografisë së tij komuniste dhe të vishej me gëzof disidenti. Kam qeshë shumë me nivelin e tij shumë të ultë drejtshkrimor, për recitimet e tij monokordike e pa kurrëfarë melodie, për prirjet e tij që vjershave të tij të bukura t’u shtonte edhe aso kushtuar prijësve komunistë e në dekadat e fundit edhe atyre religjiozë…
(Para katër vitesh e kisha takuar në bufenë e Radio Kosovës, atje ku, ç’prejse dihet, « mblidhen si magartë në Pukë » shkrimtarë, poetë, gazetarë…, dembelë, fort të dobët e të patalent, vetëm rrallë herë e vetëm tek-tuk ndonjë i mirë.
Ishin me kafe e pije tjera përpara. Vapë bënte. Katedralja aty afër po ndërtohej, punëtorët në pikë zhegu po digjeshin mbi muret e lartë…
Pa ua dhënë dorën dhe ende pa u përshëndetur si duhet, duke e shikuar atë, iu thashë :
- Marre për ju ! turp ! argatët e katedrales nuk kanë ramazan e kanë etje. Si nuk iu shkon mendja t’u çoni një kënatë ujë…Kot lavdoheni se gjoja kisha po ndërtohet pasi ju për këtë i kishit bërë peticion Ibrahim Rugovës…
Të gjithë patën qeshur. Ai më pat këputur një të sharë…).
****
Dje, më në fund, shkova dhe u ndala në Lodéve. Pak pa u mbyllë zyrat e Voix de la Mediterranées, u futëm brenda dhe gjetëm zonjën Laetitia. I shtrova një rafal pyetjesh derisa erdha te interesimi im kryesor që nga ajo dhe nga kolegët e saj të merrja vesh diçka më shumë rreth një vdekjeje në ditë feste. Laetitia u befasua. Iu kujtua momenti i humbjes, i erdhi në mend rrëmuja e paniku që kishte kapluar organizatorët… Pastaj bashkë me të shkuam në një nga sallat e komunës ku drejtori i festivalit poetik kishte caktuar një takim lidhur me fondet e me vullnetarët që do të vihen në shërbim të takimeve të sivjetme poetike mesdhetare.
Tash për poetin e vdekur po flisnin, ato, Laetitia dhe Marina që e gjetëm aty. Fol ato fol unë, lotët mbushën sytë e dy grave. Aq sa të dyjat qanin me lot shi. Qanin dhe më hidheshin në përqafim. Qanin e qeshnin. Më përjetonin si njeriun që po i ngushlloja pas një trishtimi që kishin ndjerë dy vite më parë.
Homazhet në dyvjetorin e vdekjes së çuditshme të poetit të Ballkanit në Lodéve duket se i fillova unë. Kështu thanë dhe për këtë më falënderuan këto dy zyrtaret e Festivalit, zonjat Marina e Laetitia.
Me to bëmë foto. Me Marinen vizituam dhe fotografuam vendin ku poeti i vdekur dy vite më parë kishte lexuar për së mbrami herë në jetën e tij. Marina ka qenë e fundit nga njerëzit që i kanë dëgjuar zërin poetit të tretur në natë. I kishte telefonuar të nesërmën në mëngjes. Ai e kishte ngritur telefonin…
Dalin pengesat, tmerrësisht të pakuptueshme : Marina nuk dinte shqip, i treturi ku me ditë në ç’vend nuk dinte as frengjisht, as anglisht dhe… alzheimeri…
Policia që e gjen trupin pa jetë pas katër ditë kërkim katër kilometra larg vendfestivalit… Marina ende, edhe dy vjet pas ngjarjes është në gjendje shoku. Prandaj sypërlotur tërë kohën rrinte mbështetur për mua.
Tani unë u bëra më i pasur me miqsi të reja. Jo vetëm me këto dy gra të mrekullueshme, por edhe me vetë Festivalin Voix de la Meditéranée, të cilit sivjet do t’i bëhem pjesë .
PS
Paradite në Séte kam vizituar shtëpinë e lindjes dhe varrin e poetit të madh francez, Paul Valery. Është i njohur midis tjerash për një fjalim të gjatë e të famshëm kushtuar paraardhësit të tij në Akademinë franceze, poetit Stéphane Mallarmé. Përgjatë gjithë diskursit ai atij nuk ia kishte përmendur emrin as vetëm njëherë…
Paradite në Séte kam vizituar shtëpinë e lindjes dhe varrin e poetit të madh francez, Paul Valery. Është i njohur midis tjerash për një fjalim të gjatë e të famshëm kushtuar paraardhësit të tij në Akademinë franceze, poetit Stéphane Mallarmé. Përgjatë gjithë diskursit ai atij nuk ia kishte përmendur emrin as vetëm njëherë…





