Greqia dhe Kina nënshkruajnë 19 marrëveshje strategjike partneriteti


Nëntëmbëdhjetë memorandume dhe marrëveshje biznesi janë nënshkruar në Athinë, në kuadër të vizitës së kryeministrit kinez Li Keqjang. Marrëveshjet, me vlerë të përgjithshme 6,5 miliardë dollarë, përfshijnë turizmin, detarinë, infrastrukturat, transportet dhe produktet bujqësore. Sot, dy kryeministrat, Samaras dhe Li Keqjang do të vizitojnë portin e Pireut, ndërsa pasdite do të shkojnë në Kretë. “Qëllimi i vizitës time është të promovojmë bashkëpunime praktike në çdo sektor. Ne do të inkurajojmë kompanitë kineze të investojnë në Greqi. Mendojmë se investimi në vendin tuaj përbën investim për të ardhmen”, deklaroi gjatë vizitës së tij në Parlamentin grek, kryeministri kinez. “Synojmë në miqësinë, bashkëpunimin, stabilitetin, eksportet, investimet; ta sjellim Kinën më afër Europës dhe anasjelltas”, vuri në dukje kryeministri grek, Antonis Samaras, në përgjigje të një pyetjeje gjatë deklaratave të përbashkëta pas takimit me homologun e tij kinez, Li Keqjang, në pallatin ”Maksimou”. Samaras tha se hapi i parë i madh u bë me investimin në portin e Pireut dhe se ka shumë gjëra të tjera që po diskutohen. Kryeministri theksoi bindjen e tij se Evropa e kupton që Greqia është një hallkë lidhëse natyrore me Kinën, ndërsa përsa u përket pritshmërive, vlerësoi se “mund të krijohet një nyje transporti të njerëzve dhe mallrave, madje edhe një nyje energjitike ndërmjet Evropës dhe Kinës”. “Është një marrëdhënie strategjike, që do të avancojë hap pas hapi me axhendë konkrete dhe planizim”, tha kryeministri, duke sqaruar se nuk është fjala për “një bashkëpunim oportunist”, por një marrëdhënie strategjike”, që do të thotë “interesa afatgjatë të të sjellin më afër në bazë të përhershme”. Siç vuri në dukje Samaras, ajo që e krijon këtë marrëdhënie strategjike është fakti se “Greqia mundet të bohet porta hyrëse e Kinës në Europë, që të jetë edhe pikënisja e një korridori të plotë investimesh të Kinës, si rrjetet hekurudhore, dhe të bashkojë portet e Greqisë me portet e Evropës”. Nga ana e tij, kryeministri kinez tha se “është vizita ime e parë në rajonet jugore, si kryeministër i Kinës. Në Greqi përjetoj ndjenja miqësore. Greqia dhe Kina janë vende tepër të lashta, me qytetërim të madh; njeri vend ndriçonte Lindjen dhe tjetri Perëndimin, me kontribute kolosale në zhvillimin e njërëzimit. Gjatë trazirave në Libi, qeveria greke ndihmoi për riatdhesimin e mijëra qytetarëve kinezë. Ju falënderojmë. Kur Greqia u përball me krizën, Kina kishte besim në mundësitë e saj për ta kapërcyer. Gjithashtu, Kina është e gatshme të ndihmojë, marrëdhëniet mund të jenë reciprokisht të dobishme”. Kryeministri kinez i shprehu publikisht falënderimet homologut të tij grek për rikthimin e Greqisë në tregjet financiare me emetimin e bondeve në muajin maj dhe deklaroi kënaqësinë për reformat që po zbatohen në vend. “Emetimi i suksesshëm i bondeve, thekson se populli grek mund ta kapërcejë krizën e borxhit publik. Qeveria kineze mbështet qeverinë greke. Kur Greqia të emetojë bonde të reja, Kina do të marrë pjesë, duke inkurajuar në të njëjtën kohë konsumatorët kinezë të blejnë produkte greke”