Kaq vite që bëni “Zonë e Lirë”, a ka pasur raste që iu është mërzitur ky format?
Asnjëherë. Do ta kisha braktisur menjëherë po të isha mërzitur. Unë e dashuroj këtë koncept.
Nëse do të ishit në pozitat e shikuesit, për çfarë arsye do ta shikonit ‘Zonë e Lirë’?
Për mënyrën sesi përthyhet aktualiteti. Ka një stil në atë emision që mua më josh shumë kur e shoh si teleshikues.
Shpesh disa nga të ftuarit tuaj janë shndërruar në fenomene, rasti më i fundit është ai i Ardit nga Durrësi, është ky qëllimi juaj apo ndodh për shkak të popullaritetit që ky emision ka?
Për të dyja arsyet them unë.
Kur mendoni se një personazh e ka konsumuar veten në televizion?
Kur nuk ka më asgjë për të na thënë.
A është ‘Zonë e Lirë’ një hapësirë për njerëzit e zakonshëm, i promovoni ju ata?
Patjetër. Vetëm me një kusht: Të zakonshëm por interesant. Ndryshe është ‘boring’.
Jeni pa komplekse, kjo duket dhe nga të ftuarit tuaj, a mendoni se është e tepërt për një emision shqiptar, të ftoni pornostare?
E tepërt? Fare! Shumica e banorëve të këtij vendi vuajnë ende nga frustrimet seksuale. Në shkollat tona edukimi seksual është ende tabu. Kjo është sipas meje dhe një nga arsyet themelore të prapambetjes mendore dhe shoqërore që ka Shqipëria. Ndaj pornostaret janë mëse të mirëpritura në studiot televizive. Jo të gjithë guxojnë t’i ftojnë dhe ky është shansi im.
Çfarë mendoni se ka për të rrëfyer një poronostar, apo një striptiste në një show që ndiqet edhe nga adoleshentët?
Gjithçka që ka të bëjë me jetën. Adoleshentët më shumë se kurrë duhet të çlirohen seksualisht. Vetëm kështu ata do të mund të përballojnë me qejf jetën e adultit.
A mendoni se është një risi për talk show shqiptar ku disa femra performojnë topless?
Sigurisht që po. Për arsyet që përmenda pak më lart.
Mendoni se me atë çfarë ofroni në ‘Zonë e Lirë’ keni thyer disa tabu në Shqipëri?
Mendoj se po, por efektet mendoj se do të ndjehen pas disa vitesh.
A janë me të vërtet shqiptarët kaq të çlirët kur vjen puna për tema delikate si seksi apo pornografia?
Nuk e di. Por di që pa seks nuk ka jetë. A nuk përpiqen çdo ditë të gjithë të joshin dhe të jenë të joshur? Pse nuk duhet të përballen me këto gjëra edhe kur ato shfaqen në ekran? Në çfarë shoqërie jetojmë vallë?
Është përfolur shumë edhe puthja jush me pornostaren gjatë emisionit, a ishte një puthje
pasionante apo mediatike?
Ec e mere vesh ku mbaron kufiri i njërës dhe ku fillon i tjetrës.
A do të shikojmë ndonjëherë seks live në ‘Zonë e Lirë’?
Nuk e di. Nuk bëj plane për të ardhmen.
Në kaq vite ‘Zonë e Lirë’ keni trajtuar nga temat politike e deri tek showbizi, cilat tema i përshtaten më së miri emisionit?
Nuk janë tema. Janë aktualitete. Gjithçka që është aktuale dhe interesante i përshtatet.
Çfarë historie apo subjekti duhet të ketë një personazh që të bëhet pjesë e këtij show?
Nuk e vendos unë. Varet nga aktualiteti. Promo plus aktualitet është parimi i konceptit.
Cili është personazhi që nuk do ta ftonit kurrë në ‘Zonë e Lirë’ dhe pse?
Nuk ekziston!
Nëse do të kishit si të ftuar Arian Çanin në talk show tuaj, cila do të ishte pyetja e parë që do ti bënit?
Kur e ke bërë për herë të fundit plak?!
Personazhi më i mërzitshëm që keni pasur ndonjëherë në studio?
Edi Rama!
A do ta shikojmë më Ramën në ‘Zonë e Lirë’?
Rama ka ardhur shumë herë në studio, por dikush e bindi se nuk duhet të vinte më. Dhe nuk erdhi më. Por është i lirë të vijë kur të dojë. Derën e ka të hapur nëse ndërron mendje.
Cilin emision shqiptar shikoni ju si konkurrent në Shqipëri?
Asnjë. Ka ndonjë që përpiqet ndoshta instiktivisht të imitojë, por pa sukses. Çdo imitim brenda të njëjtit fshat është i destinuar të dështojë që në nisje. Por kjo nuk është puna ime. Përderisa ka akoma pronarë ekranesh që harxhojnë paratë e tyre për formate të dështuara, aq më keq për ata.
A ka formate të cilat Çani i ndjek kur nuk është i lirë, cilat janë ato?
Në përgjithësi nuk shoh ekrane shqiptare. Nuk më thonë gjë. Shoh vetëm lajmet tek Abc News dhe kaq.
Më mirë Opinion apo Top Story?
“Opinion” sigurisht. As nuk krahasohen. Fevzo është gazetar.
Gjithnjë i rezervuar për jetën tuaj private, pse keni vendosur ta mbani atë larg mediave?
Sepse detyra dhe kënaqësia ime është të rrëfej jetën e të tjerëve.
A është xheloze bashkëshortja juaj teksa ju shikon që putheni me femra të tjera?
Jo! Pufi është yll bote. Nuk vuan Pufi nga vese të tilla humanësh të dobët.
A ka pasur momente ku puna që bëni ju ka lëkundur marrëdhënien në çift?
Fare, përkundrazi.
Prej vitesh jeni i martuar, cili është sekreti i të pasurit një show kaq popullor si dhe një marrëdhënie të shëndetshme me partneren?
Këtë nuk ta them. Sekret (qesh).
A jeni penduar ndonjëherë që jeni martuar?
Asnjëherë.
Jeni një tip në dukje shumë i çlirët, a jeni kështu dhe në të përditshmen tuaj?
Jam më i çlirët akoma jashtë ekranit. Po kur u takuam bashkë, ndodhi që më gjetët të sëmurë dhe pa libido. Ma bëni hallall! Hallall?! Hahaha. Po këtë hallall ç’e kisha?! Tmerr!
Keni kohë që nuk mbani më lodrat e djalit në tavolinën tuaj tek ‘Zonë e Lirë’, a është rritur ai tanimë?
Po ai është rritur. Por tani do mbaj lodrat e gocës.
A ndjeheni të kompleksuar kur mendoni se puthjet tuaja apo skena të tjera i ndjek dhe djali juaj?
Jo. Djali im është yll bote. Ai di ta ndajë punën nga qejfi.
Kohët e fundit ju kemi parë edhe tek filmi ‘Tirana 14’, sa u përshtat ju si aktor?
Atje luajta veten time. Pra nuk mund të flasim për aktrim profesional. Por megjithatë ishte ok.
Ju kemi parë dhe herë të tjera që keni provuar aktrimin, kjo do të thotë që në një të ardhme pas ‘Zonë e Lirë’ do t’ju shikojmë në teatër apo në filma artistik?
Pse jo! Jeta vetë është teatër.
Gjithnjë me të zeza, a keni menduar ndonjëherë të ndryshoni veshjen tuaj?
Jo, nuk bën. Do të ishte një super gabim. Po të ndryshoja veshjen, pra formën, do të ndryshoja përmbajtjen. Sepse ku e dini që përmbajtja është vetëm formë. Uau! Sa bukur e thashë. Je t’aime Arian.
Kur nuk është në transmetim, si e kalon kohën e lirë Çani, pasionet, hobet?
Sekret.
Kohët e fundit keni ardhur në një formë të mirë trupore, a mund të na thoni dietën tuaj?
Quhet Lida e Sil’houte. Jua rekomandoj.
Pushimet tuaja ideale?
Nuk ka.
Kur do ta mësojë anglishten Çani?
Anglisht?! Po unë e qaj anglishten. Ju i besoni vërtet të gjitha ato që unë them në ekran?!
Bluetooth