A ra Lazarati?

Habjon Hasani


Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje është e domosdoshme për të identifikuar më së pari se çfarë kuptohet me “rënie”. Ra miti se policia nuk shkel dot rrugicat e fshatit. Ra miti se parcelat me bimën e shtrenjtë nuk preken. Ra miti se laboratorët e vilave janë të paarritshëm. Le të supozojmë teorikisht se në këtë moment se policia e ka fituar betejën deri më tani dhe tri mitet e më sipërme aktualisht kanë rënë plotësisht. Pra po supozojmë se territori, parcelat dhe banesat janë objektiva tërësisht nën kontrollin e uniformave blu. Ky supozim është shumë i avancuar kur mendon se operacioni është ende në zhvillim. Por le ta marrim teorikisht të mirëqenë.
Edhe sikur të ishte kështu, zor se mund të thuhet se Lazarati ka rënë, pasi ka një element në gjithë këtë histori që ngre shumë pikëpyetje. Elementi delikat, nuk vjen nga parametrat e Lazaratit, por nga parametrat e aksionit: Janë angazhuar 800-1000 forca policore në këtë aksion, deri më tani.
Për një vend si Shqipëria ky është përqëndrimi më i madh i forcave policore të bëra ndonjëherë brenda një perimetri sa ai i Lazaratit. Rreth 22 për qind e kapacitetit operacional-ndërhyrës të policisë së shtetit ndodhet sot në vetëm një fshat. Kjo shifër në vetvete mbart dhe problemin mbi pyetjen e shtruar.
S’do mend se ky përqendrim policor nuk mund të vazhdojë të qëndrojë aty shumë gjatë dhe në mënyrë konstante. Pas përmbylljes së operacionit forcat duhet të shpërndahen, apo jo?
Kështu që pyetja dhe problemi që shtrohet për zgjidhje është: Sa forca policore duhen lënë në Lazarat për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të pastruar terrenin?
Sa policë duhen lënë në korrik? Po në gusht? Po pas një viti? Po pas 2 vitesh?
Në të vërtetë kjo është sfida e vërtetë e këtij operacioni. Pra nuk është në vetvete sfida për të futur shtetin në fshat. Lazaratasit nuk janë prej hekuri, janë tokësorë dhe ata, njerëz, përballë mobilizimit shtetëror s’mund të bëjnë çudira. Një operacion i përqendruar, me siguri që i zmbraps, apo dhe i ç’mobilizon; e ‘krasit’ fshatin, por vështirësia nuk është asnjëherë një aksion, apo akti, por garantimi i procesit, i vijimësisë.
Është në dilemë pra aftësia e Lazaratit për të ripërtërirë veten, pas kësaj goditje, në ditët, muajt në vazhdim, kur përqendrimi policor, me siguri nuk do të jetë kaq i lartë sa ky i 48 orëve të fundit.
Është procesi në muajt në vijim dhe jo akti i 48 orëve të fundit sfida e vërtetë me Lazaratin.
Nëse pyet “mjeshtrat” apo lojtarët e vjetër në tregun e kanabisit, ndryshe nga sa dëgjon në media, tregojnë se nuk ka lulëzuar në 8 vitet e fundit kultivimi dhe tregtia e kanabisit në Lazarat. Fillimet e para si strukturë e organizuar janë rreth vitit 2001, pra rreth këtij viti, Lazarati funksiononte si Kartel, me të gjitha hallkat, me Baronët, Financuesit, Logjistikën e Transportit, Kontaktet e blerësve, ndërmjetësit, mekanikë që modifikonin automjetet biologë për eksperimentimin dhe përshtatjes së varietetit ‘hollandez’ në kushte shtëpie me prozhektorë etj etj.
Por ka një të vërtetë për Lazaratin në lidhje me 8 vitet e fundit. Sidomos pas vitit 2010, parcelat nisën të shtoheshin dhe të shumëfishoheshin në mënyrë të ndjeshme. Flitej me hektarë tashmë, vetëbesimi u rrit aq shumë sa “vreshtin e ruante frika” dhe kultivuesit, duke u ndjerë të mbrojtur dhe të paprekshëm, ose më saktë duke u ndjerë të “licencuar”, në ndryshim nga më parë, nuk bënin më kujdes për të kufizuar ekspozimin. Demonstrimi u bë arbitrar, gati sa nuk u shpall zonë e lirë narkotrafiku ky fshat.
Ky është realiteti i krijuar atje sidomos pas vitit 2010, pra afro 1 dekadë pasi ky biznes kishte nisur strukturimin e mirëfilltë në Lazarat. Nga ana tjetër kjo periudhë koinçidoi dhe me një kërkesë të fortë dhe presion të fortë nga vendet fqinje dhe tregjet evropiane për hashashin shqiptar dhe gjithçka shkonte në harmoni, shqiptarët punonin të qetë të pashqetësuar dhe shisnin nëpër Evropë një bimë shumë të kërkuar dhe thuajse të legalizuar në këto vende në sasi kolosale. Duke marrë dhe fitimet kolosale. Çka do të thotë se sidomos pas vitit 2010, Lazarati përfaqësonte tashmë jo thjesht një strukturë, por një super-strukturë dhe jo thjesht një strukturë.
Tashmë kjo superstrukturë, ka lidhjet, eksperiencën, milionat e eurove të ëena mënjanë, bosët e saj (jo ata që keni parë në TV këto 2 ditë, ata janë përgjithësisht roje ose magazinierë), disponon lidhjet matanë vendit, disponon njohjet e duhura ndër radhët e policisë, por dhe të politikës. Por mbi të gjitha, superstruktura, ka të qartë dhe diçka të thjeshtë: Njeh mirë nevojën dhe kërkesën e çmendur që vjen nga tregjet evropiane për kanabisin shqiptar dhe ia di mirë leverdinë kësaj kërkese.
Ndaj dhe, ‘superstruktura’, duke disponuar kapacitetet, njohuritë dhe lidhjet e duhura, me siguri që nuk do rreshtë, por thjesht do modifikojë metodat e saj për të dalë tek i njëjti qëllim. Do i sofistikojë, do i maskojë më mirë.
Kjo është sfida e vërtetë e Lazaratit dhe derisa ende nuk kemi hyrë në këtë etapë, pyetja “A ra Lazarati” duket ca si e parakohshme dhe ndoshta përgjigja e vetme në këtë moment do të ishte: Pikëpyetje.