Zoti i Detit: Një shpjegim ligjor dhe historik për përplasjet me Kinën

Një jurist britanik ka vdekur 360 vjet më parë. Po pse ai është në qendër të luftës së Kinës me Vietnamin për naftën në det? Ajo që po ndodh është një përplasje mes dy nocioneve tradicionale të ligjit të detit, atij të detit të hapur dhe ligjit të detit territorial
KEITH JOHNSON, Foreign Policy

Një nga burrat përgjegjës për përplasjen diplomatike dhe ushtarake që po ndodh pikërisht tani në Detin e Kinës së Jugut është një jurist anglez, i famshëm për një traktat masiv që ai shkoi me dorë në Latinisht dhe i famshëm për gjetjen e një harte detare misterioze, tashmë të famshme, të prodhuar në Kinë. Megjithëse ai ka vdekur 360 vjet më parë, argumentet ligjore që Xhon (John) Selden parashtroi për të justifikuar rrëmbimin e oqeaneve nga shtetet njësoj sikur të ishin copa tokash janë shumë të përdorura sot.
Dhe ky është një problem i madh, pasi përqafimi nga ana e Kinës së ideve të Selden po sjell një përplasje ballë për ballë mes besimit të Amerikës se rrugët detare të botës duhet të jenë të hapura për të gjithë dhe këmbënguljes së Kinës për të drejta ekskluzive kontrolli të një pjese të këtyre rrugëve.
Kjo do të thotë se ajo që është në lojë në luftën mbi dërgimin nga ana e Kinës të platformës së naftës në ujërat pranë brigjeve të Vietnamit, nuk është thjesht për disa fuçi me naftë, por për një sistem global që ka sjellë ngritjen e Perëndimit dhe nëse ky sistem do të jetojë apo do të vdesë.
“Sjellja e kinezëve vë në pikëpyetje parimin bazë të lirisë së lundrimit në favor të një përqasjeje konservatore kontinentale ndaj detit”, thotë Alessio Patalano, një specialist në çështjet detare të Azisë Lindore në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Kjo situatë ka sjellë përballje këtë muaj, për shkak të dërgimit nga ana e Kinës së një platforme detare vetëm 190 kilometra larg brigjeve të Vietnamit, zonë që të dyja vendet e pretendojnë. Anijet kineze dhe ato vietnameze janë përplasur në mënyrë të përsëritur; protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Vietnam, duke shënjestruar biznese nën pronësi kineze. Shtetet e Bashkuara kanë qortuar Pekinin për sjellje “provokative” dhe “agresive” dhe aksidenti ka acaruar marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha të botës.
Por a ka të bëjë e gjitha kjo me një jurist anglez të vdekur prej kohësh? Çështja shkon pas në kohë te një duel ligjor i pistë mes anglezëve dhe holandezëve herët në vitet 1600. Holandezët qenë fuqia më e madhe tregtare dhe detare e botës në atë kohë; anglezët nuk qenë. Dhe askush nuk ishte kërcënuar më shumë nga ngritja e holandezëve sesa anglezët. Më 1667-n, holandezët u ngjitën në lumin Tejms dhe dogjën të gjithë flotën angleze.
Duke pritur që të siguroheshin që oqeanet e botës të mbaheshin të hapur për biznes, juristi holandez, Hugo Grotius, shkroi “Deti i Hapur” më 1609-n. Ai argumentoi se asnjë vend nuk mund të ketë nën pronësi detin e hapur, për shkak se hapësirat oqeanike janë trashëgimi e të gjithë njerëzimit.
“Çdo komb është i lirë të udhëtojë në çdo komb tjetër, të bëjë tregti me të”, këmbënguli ai. Kjo kishte hapur një argument ligjor për interes të vetë argumentuesit, pasi mbështeste interesat e një cope të vogël toke në brigjet e Detit të Veriut, por si argument pati shumë efikasitet.
Anglia kërkoi një përgjigje ligjore për argumentin e Grotius dhe në vitin 1635 e mori këtë nga publikimi i Xhon Selden: “Deti i Mbyllur”. Selden argumentoi se ujërat pranë brigjeve të një mbretërie të tilla si ujërat që holandezët dhe anglezët supozohej se i kishin të përbashkëta, në fakt mund të pretendohen si territor kombëtar.
“Deti, nga ligjet e natyrës apo kombeve, nuk është i përbashkët për të gjithë burrat, por në gjendje për t’u kthyer në Dominion privat apo pronë, njësoj si edhe Toka”, shkroi ai.
Mbreti Çarls (Charles) I e dashuroi këtë ide, pasi i dha atij një mënyrë për të luftuar holandezët dhe për të zgjeruar pushtetin mbretëror, në një kohë kur Parlamenti po bëhej kryeneç. (Në fakt, Parlamenti ia preu kokën atij disa vite më vonë). “Mbreti i Britanisë së Madhe është Lord i Detit përreth, si një pjesë e pandashme dhe e përgjithmonshme e Perandorisë Britanike”, shkroi Selden.
Kjo nuk ishte një ide tërësisht e re: perandori më të vjetra, përfshi Romën, Spanjën dhe Portugalinë, qenë përpjekur për të vënë “gardhe” në copa deti, për të mbajtur larg rivalët ushtarakë dhe tregtarë. Por traktati i Selden mbijetoi për shumë shekuj, si përpjekja më e madhe për të kundërshtuar Grotius, ideja e të cilit përbën bazën e ligjit aktual ndërkombëtar dhe ligjit të detit.
Ironikisht, vetë britanikët e braktisën nocionin e Selden në favor të atij të Grotius sapo holandezët morën kurorën britanike gjatë revolucionit të lavdishëm.
Pas kësaj, Britania ishte e interesuar në promovimin e idesë se deti i hapur dhe i lirë është i domosdoshëm bashkë me kalimin e papenguar të anijeve tregtare apo ushtarake. Dhe kjo vijoi për disa shekuj, deri sa pa dëshirë Britania ua kaloi stafetën Shteteve të Bashkuara herët në shekullin e 20.
Kjo e gjitha ka rëndësi edhe sot, për shkak se njësoj si zombit, idetë e Selden po ngrihen nga varri falë Kinës. Është e qartë se shumë nga argumentet ligjore që Selden bëri për Mbretin Çarls për t’u përdorur kundër holandezëve, sot po përdoren nga Pekini kundër fqinjëve të vet në Paqësorin perëndimor – dhe kundër Shteteve të Bashkuara.
Udhëheqësit kinezë po flasin gjithnjë e më shumë për “integritet territorial”, kur diskutojnë mbi Detin e Kinës së Jugut. Kinezët pretendojnë pak a shumë të gjithë sipërfaqen e këtij deti që gjendet brenda “linjës me nëntë pika”, një hartë e mjegullt që duket se emëron shumicën e detit si territor kinez. Për shumë vite, studiuesit kinezë kanë propaganduar idenë e “territorit blu”, të ishujve në det të hapur dhe ujërave përreth, si dhe idenë se këto hapësira duhet të jenë pjesë fizike e Kinës. Këtë javë, gjenerali më i lartë i Kinës tha pak a shumë këtë në Pentagon.
“Dua të theksoj, në fund, se për territorin, i cili na është lënë në duar nga paraardhësit tanë, ne nuk mund të përballojmë të humbasim as edhe një centimetër”, tha gjenerali Fang Fenghui në lidhje me mosmarrëveshjet në detet e Kinës së Jugut dhe Kinës së Lindjes. Homologu i tij, gjenerali Martin Dempsej (Dempsey), kreu i shefave të shtabeve, tha se lëvizja e SHBA-së në Paqësor është konceptuar për të mbrojtur lirinë e lundrimit dhe tregtisë.
Interesi i Pekinit për të kthyer detet e afërta me të në territor kinez, është, në rrënjë, një lëvizje e tëra për sigurinë. Për shumë shekuj, udhëheqësit në Pekin janë shqetësuar më shumë për sigurimin e krahëve të vet në tokë nga barbarët, mongolët e të tjerët. Asnjë kërcënim real nuk erdhi nga deti deri sa britanikët dhe europianët e tjerë shfaqën papritur anijet e tyre të luftës në vitet 1840 dhe hapën një shekull poshtërim, duke pushtuar territor kinez, duke rrëmbyer privilegje tregtare dhe rrjedhimisht duke rrënuar perandorinë e lashtë.
Siç e tha Peter Dutton, drejtor i Institutit të Studimeve Detare të Kinës në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA-së, para Kongresit më herët këtë vit, Kina tashmë po kërkon të sigurojë krahun detar të mbrojtjes së vet duke rrëmbyer një brez territori në det të hapur. Kjo shpjegon, në pjesën më të madhe, lëvizjet agresive për të vendosur platformat e naftës në ujërat vietnameze, për të ndërtuar baza ushtarake në ishujt pranë Filipineve dhe për të krijuar zona të mbrojtjes ajrore mbi ishujt e drejtuar nga Japonia.
“Kinezët janë ndier prej kohësh të dobët nga ana e detit dhe strategjia e tyre aktuale detare synon ta reduktojë këtë dobësi duke zgjeruar një unazë kontrolli detar në periferi të Kinës”, tha Dutton.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Kinës dhe studiues që nga fillimi kanë mbrojtur vendosjen e platformës detare, me argumentin se ajo është pranë një ishulli, për të cilin thonë se është pjesë integrale e Kinës, megjithëse edhe Vietnami pretendon pronësinë e ishullit. Argumente të ngjashme janë dhënë në Pekin mbi ligjshmërinë e ndërtimit të aeroporteve pranë Filipineve apo patrullimit agresiv të ishujve Senkaku, për të cilat ka mosmarrëveshje me Japoninë. Media zyrtare kineze po përdor tashmë termin “integritet territorial” për të përshkruar përpjekjet e Kinës që të ushtrojë kontroll mbi gjërat që nuk janë në të vërtetë territor dhe që në terma teknikë, nuk janë pjesë integrale e Kinës.
Dhe kjo shpjegon rritjen e pakënaqësive në Uashington, i cili për dekada ka dërguar anije lufte në ujërat e pretenduara nga miq e armiq, për të ritheksuar të drejtën ndërkombëtare të lirisë së lundrimit, gjë që është thelbi i aftësisë së Amerikës për të qenë superfuqi botërore.
“Ajo që kinezët po bëjnë këtu, është duke shënjestruar në fakt thelbin e interesit kombëtar amerikan”, thotë Gabriel Kollins (Collins), një analist sigurie dhe ekspert mbi çështjet detare të Kinës.
Ironikisht, SHBA-ja mund t’i vendosë idetë e Selden në përdorim, në përballjen aktuale me Kinën, vëren Xhejms (James) Holmes, një profesor i strategjisë te Kolegji i Luftës Detare të SHBA-së.
Nëse SHBA-ja i merr argumentet ligjore kineze ashtu siç janë dhe përqafojnë nocionin e Selden, se ujërat e largëta detare janë në të vërtetë territor kombëtar, shkroi ai, “kjo do të tregojë se flota kineze e peshkimit, Roja Bregdetare e Kinës dhe Marina e Ushtrisë Popullore Çlirimtare janë fajtore për një agresion ndërkufitar të stilit të vjetër”, kur ata hyjnë në zonat ekskluzive ekonomike të vendeve të tjera.
Kjo mund të nënkuptojë magazinimin e Grotus dhe ideve të detit të hapur për ca kohë, thotë ai, por mund ta bëjë më të lehtë të kuptuarin se çfarë është në lojë në përplasjet detare në Detin e Kinës së Jugut – dhe ndoshta mund t’i hapë rrugën një zgjidhjeje me negociata, njësoj siç ka ndodhur me fqinjët e Kinës nga ana e tokës.