Porodina në dallgët e jetës

Gani Q. Çuçllari[1]



Shtypshkronja Kotti
Korçë 2011
(Dhuruar nga vetë autori)

Fragmente
f.6
Duke përshkruar me nota idilike fshatin, Ganiu thotë:
Në ahurët e bagëtive lopa, kali, delja, dashi, përtypnin jonxhë kashte, bar, elb, koçkull, tërshërë, sipas shijes së tyre. Kishte fshatarë, që kujdeseshin shumë për bagëtine e tyre dhe donin, që secili t’i kishte më të mirat në fshat.
Po në dimër si ishte fshati? Dëbora mbulonte gjithçka. Punët ishin pakësuar, rakia, vera, dukagjini, ziaretë e dimrit si petkat, tarhani, pastërmaja prej viçi ose dele, ishin ushqimi bazë shoqëruar me turshi lakër, domate, arme, piperka etj.
Kishte edhe nga ata që ishin gjuetarë të mirë për lepuj, thëllëza, drozela, mëllenja, etj.
Peisazhi i Porodinës, kaq i bukur tregon se ka tërhequr vëmëndjen edhe të huajve.
Gjatë Luftës së Parë Botërore në vitet 14-18 tek çezmat e fshatit ku ishin 5 me ujë shumë të ftohtë ishte vendosur një batalion i ushtarëve austro-hungarezë.

f.62
Në fshat, gjatë dimrit plakat i kishin përgatitur zahiretë e dimrit si trahan, petka, turshi, pastërma sipas kushteve ekonomike. Gjatë beharit thanin kumbulla, bënin oshafë. Zakonsiht kur vinin miq, gatimet ishin më të mira por lakrorët, byrekët, përvëlaqe, dhallanik, oshamare, mëmëligje, revani, baklava, dollma, pothuajse bënin të gjithë. Buka ishte zakonisht misri ose e përzier me grurë por jo gjithmonë grurë. Porodina si kemi thënë ka shumë vreshta dhe prodhonte raki, verë që dimri të kalohej  sa më mirë

f.93
S’ka si vendlindja. Gjuha e folur është mjaft e pasur. Flitet një toskërishte e kulluar. Çdo fshat ka të veçantën e vet në të folur. Ende ruhen disa fjalë me origjinë sllave si ulicer, plevicë, selishte, mezhdë, Bollovicë, Gjyricë, Kumantr, Konom, Bettce, etj por ka edhe fjalë të trashëguara nga turqishtja si aksham, sabah, sinor, taksirat, kësmet, yrnek, surat, jabanxhi, musëndër, hamam, kurban, kiamet, lemeri, eksiq, ugar, haber, mexhiliz, hallall, pishman, jagallëk, bela, biçimsëz, damlla, shejktan, firaun, xhevap, damalug, nishan, sevda, sebep, kusur, adet, bostan, çorbë, dajak, fakir, gajle, hesap, konak, mide, sandallie, shilte, xhenet, etj

Në fshat ka edhe shprehje të bukura simbolike - filozofike si:
Mos më shiko si kau i Rexhos (me inat)
Mos leh si qeni i Hajros (mos fol shumë)
Je bërë si viçe e Rrapos (mos u shëndosh shumë)

f.10
Kthimi i vendit nga të krishterë në myslimanë ka qenë tepër i vështirë dhe i egër.
Në kadastrën e qytetit të Korçës dhe në biseda me ata që merren me historinë, janë gjetur dokumenta të shkruara që djali trashëgimtar i pronës kishte emrin Hajri ndërsa babai Dhimitër dhe nëna Pandorë. (1630-1650).

f.13
Në vitet 1925-38 kanë emigruar në Australi, Amerikë, Argjentinë mbi 65 të rinj të moshës 25-30 vjeç.

f.38
Baba Hyseni, i Melçanit, duke përkëdhelur mjekrën tha:
“Ky që kemi në mes është vellaçkoja ynë, Mihali i Gramenos, që në zemër ka shqipen, në krah dyfekun dhe në torbë fishekët.
Po a e dini çfarë ka sjellë? Abetaren shqip. Ta lëçitni vetë, por ta lëçitin edhe shpirtra të tjerë, se bibla jonë është ABC-ja e gjuhës sonë”.

f.40
Ishte janar 1944, në burimet e Vashtëmisë. Nexhipi dhe disa shokë pritën disa nga shokët e Shtabit të Përgjithshëm. Në ato kohë të ftohta nxora paguren e rakisë:
“Ngrije një gllënjkë, i thashë kryesorit, pa e ditur se ishte Enver Hoxha. Ai, si e ngriti rakinë, tha: Xhaxha, luftën ne do ta fitojmë dhe siç pimë këtë raki do të pijmë dhe gjakun e armikut. Rroftë Shqipëria!”…

f.42
Emigrantët kudo që janë, kërkojnë një grusht me dhe nga vendlindja, një degë mani, një brengë zemre, një ujë burimi, një lot malli dhe veçanërisht vështrimin e nënës.

f.46
Mendja ecën larg, trupi mbetet në vend. Udhëto ku të duash me mendje por te materialja do të kthehesh dhe idealen e lë mbrapa.
Njeriu ka dhe parandjenjë, përfytyron, ëndërron, dëshiron, lidh objektin me subjektin, trupin me shpirtin, idenë me materien. Njeriu njeh arën dhe farën, i punon i mbjell dhe i korr.
Unë them se bestytnitë dhe parandjenjat nuk kanë shenjë barazie,disa tregojnë se kur kullosnin bagëtinë tek mezhda e Qerivanit uleshin dhe i zinte gjumi- të tjerë në Kumano se në varret e grekut kur kullosnin bagëtinë uji ishte aq i pastër. Dukej sikur vendi dhe uji lëkundej.
Njeriu mediton përditë. Kërkon të njohë të panjohurën, të dijë atë që nuk e dinte.
F.47
Në kohën e cooperatives, një brigadier urdhëroi që toka e kishës të lërohej e mbillej. Sa u vu plugu i parë, qetë ndalën dhe bujku i shkretë mbeti i paralizuar dhe më pas vdiq. Bestytni apo rastësi?
Një djalë i vogël po bëhej 5-6 vjeç dhe nuk fliste. Prindërit e sollën në Porodinë tek kisha dhe fjetën një natë. Në mëngjes fëmija foli dhe sot i shërben me devocion kishës. Ky është Vaska që të gjithë e njohin për përkushtimin e tij.

f.52
Kujtoj, kur nuk binte shi bënim një vajzë dordolec, e mbulonim me shpendra dhe këndonim:
Rona rona peperona
Bjer o shi në arat tona

Ne fëmijët shkonim me dordolecin derë më derë, na jepnin miell, gjalpë, djathë.
Mbi dordolecin hidhnim ujë, ato që grumbullonim i gatuanim në një familje, oshmare, e cila bëhej shumë e shijshme dhe na e ndanin neve fëmijëve. Lutja jonë shpresonim të merrej parasysh nga ana e Zotit për të sjellë shi. Loznin hapsan (lojë që kërkonte të ishe shumë i shpejtë se ta kapte shoku rob).

f.84
Reforma agrare u mori tokë 6 familjeve dhe u dha 14 të tjerave. 5 familje u planifikuan të bëheshin kulake por kjo s’u realizuar kurrë sepse ky fshat ishte shumë i lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare. Si kam theksuar dhe më lart, për hir të së vërtetës asnjë nga bijte e fshatit nuk u arratis, nuk u dënua politikisht dhe nuk u internua.

f.86
Njerëzit mbetën me shpresë se do të vinin ditë të mira. U premtua se do hanë me lugë floriri, por një pjesë përdorën lugën e drurit.

f.88
Kur dikush do të martonte djalin, i planifikonin 15 kg mish Ç’të bënte fshari i gjorë.
Të gjithë e donin ndryshimin dhe ndryshimi erdhi por fshatarët nuk arritën atë që dëshironin. Prona nuk shkoi te i zoti, filloi shkatërrimi i çdo gjëje të ekonomisë kooperativiste. Edhe tjegullat e stallave të blegtorisë u ndanë në bazë frymësh. Ju premtua se fondi rezervë i kooperativës do të ndahej dhe do të marrin kush ka punuar bile edhe ata që kishin vdekur do të shpërbleheshin, asgjë nuk u bë veç u mashtruan. U nda toka me ligjin 7501, blegtoria u shpërdorua, pothuajse nuk u vlerësua asgjë.
Kalimi në formën e re të ekonomisë private solli me vete vështirësi e probleme të cilat secili gjeti rrugën e mënyrën e vet për ta kthyer në efektive, kjo periudhë hapi dyert e emigracionit të madh në Greqi, Itali, Angli, Gjermani, Amerikë e deri në Asutrali.

f.98
Citat nga Foqion Postoli te “Lulja e kujtimit”
“Tani është pasdite nga Korça, dielli duket se po përëndon dalngadalë në kodrat e Porodinës. Dielli do të lindë e do përëndojë sa të jetë gjallë bota e njerzimi. Ai do të përshëndesë det e qiell, mal e fusha, pyje e liqene. Do të përshëndesë fshatra e qytete, pleq e të rinj, do të përshëndesë edhe vendlindjen time. Brezat do t’i lenë vendin njëri-tjetrit, jeta do të vazhdojë.”

f.102
Varri i Hasan Porodinës ndodhet në vendlindje, në Porodinë. Dielli që lind në Moravë, edhe sot, e përshëndet në varr. Nuk i harrojnë brezat që i kanë përcjellë te njëri- tjetri amanetet e tij:
“Në doni të jeni bashkë, mësoni! Në doni pasuri, punoni! Në doni liri, luftoni! Bëjini të trija!”



[1]Me autorin kam ndarë dhomën gjatë vitit 1968 ndërsa jepja mësim matematike n ëish teknikumin e Minierave dhe Gjeologjisë në Prrenjas

Përgatiti për Tetova News: Bardhyl Selimi

Related Posts: