Ndëshkimi
Fotografi shqetësuese u publikuan nga Siria, ku tregoheshin trupat e dy burrave të ekzekutuar në kryq. Përse një ndëshkim i përdorur në Romën e lashtë, po shfaqet në luftën civile të Sirisë
Alison Gee, BBC
Një tabelë e varur rreth trupave të përgjakur shkruante: “Ky burrë luftoi kundër myslimanëve dhe vendosi një pajisje shpërthyese këtu”. Fotot tregojnë disa njerëz, përfshirë edhe fëmijë, që i vështrojnë nga afër viktimat, teksa të tjerët vazhdojnë normalisht punët e tyre në veri të qytetit Raqqa. Trupat qëndruan të varur në qendër të sheshit për dy ditë, raportojnë vëzhguesit e të drejtave të njeriut. Një grup xhihadist, Shteti Islamik në Irak dhe Levanti (ISIS), mendohet të jetë përgjegjës.
Në një rast të ngjashëm në mars, burrat u ekzekutuan fillimisht dhe pastaj u varën në kryqe për t’u parë nga publiku. “Amnesty International” ka dokumentuar fillimisht një rast kryqëzimi në Jemen në vitin 2012, kur një grup islamik shpalli fajtor një 28-vjeçar, i cili instalonte pajisje elektronike në makina, që i ndihmonin amerikanët t’i gjurmonin. Ai u ekzekutua më parë dhe pastaj u var.
Sheikh dr. Usama Hasan, studiues islamik dhe kërkues i lartë në Studimet Islamike në Fondacionin Quilliam në Londër, thotë se kjo formë e ndëshkimit vjen nga leximet e Kuranit. Vargu 33 i librit të pestë të Kuranit thotë: “Dënimi për ata që nxitin luftë kundër Allahut dhe të dërguarit të tij, është as më shumë as më pak sesa kryqëzimi, vrasja, prerja e duarve apo dëbimi nga vendi”.
Por Hasan shprehet se ky paragraf nuk duhet lexuar kaq ngushtë. Ai citon vargun pasardhës që shprehet: “Përveç atyre që pendohen përpara se të dënohen. Atëherë Allahu është i Mëshirshëm dhe fal”. Vargjet e Kuranit që tingëllojnë shumë të ashpra, gjithnjë ndiqen nga mundësia e faljes dhe pendimit, si cilësi të Allahut. “Këto grupe priren të jenë shumë të ashpra dhe të pamëshirshme, prej kësaj cilësohen si ekstremisht joislamikë dhe shumë larg prej shpirtit të islamit.
Për Hasan, kryqëzimi nuk ka vend në botën moderne. Ajo që ndodhi në Raqqa është cituar si një paralajmërim për këdo që vë në dyshim autoritetin e Isis, sugjeron studiuesi.
Pavarësisht se kryqëzimi përmendet në Kuran, ai luan një rol më të madh në Bibël. Teksa islami njeh Jezusin si një profet, ai nuk beson ashtu siç bëjnë të krishterët, se Jezusi u kryqëzua.
Kryqëzimi ka qenë një formë ekzekutimi në Perandorinë Romake shumë kohë përpara lindjes së Jezusit. “Shembulli më i njohur është Spartaku”, tha profesoreshë Meri Bird (Mary Beard), duke iu referuar skllavit dhe gladiatorit romak, që vdiq në vitin 71 para Krishtit, duke çuar në revoltën e skllevërve.
“Kur Krazus i dha fund rebelimit të skllevërve, ai e mbushi Rrugën Appia me kryqëzime”, shprehet ajo. Vlerësohet se 6000 nga ndjekësit u vranë në atë rrugë.
Shën Pjetri mendohet se kërkoi që të kryqëzohet mbrapsht, sepse ai nuk e ndiente veten aq lart sa të vdiste në të njëjtën rrugë si Jezusi; ai gjithashtu do të humbte ndjenjat shumë shpejt në atë pozicion.
“Në Republikën Romake, në Romën e shekullit 1 para Krishtit, kryqëzimi ishte një formë standarde e ndëshkimit”, shprehet Bird, një historiane klasike në Universitetin e Kembrixhit. “Nëse do të ishit një qytetar romak, ju nuk do të kryqëzoheshit. Shën Pjetri u kryqëzua në Romë, por në martirizimin e Pjetrit dhe Palit, ndryshimi është se Pali ishte një qytetar romak, ndërsa Pjetri nuk ishte.”
Mendohet se Palit iu pre koka, një mënyrë më e shpejtë dhe më e pëlqyer vdekjeje. Megjithatë ekzistojnë raste edhe më të hershme të kryqëzimit sesa në Perandorinë Romake, si për shembull varjet në pemë.
Fjala latine “crux”, e cila përkthehet kryq, kishte në fillim një kuptim më pak specifik, duke iu referuar çdo objekti në të cilin vareshin viktimat. Kostandini, një perandor romak i krishterë, e ndaloi kryqëzimin në shekullin e katërt pas Krishtit, por 1000 vjet më vonë, u rishfaq si një mënyrë e vrasjes së të krishterëve në Japoni.
Në vitin 1597, 26 të krishterë u varën në Nagasaki dhe në fund të shekullit, qindra të tjerë u ekzekutuan në të njëjtën mënyrë. “Arsyeja përse preferohej kryqëzimi, është se përveç varjes, viktimat ekspozohen dhe turpërohen në sytë e të tjerëve”, shpjegon Timon Screech, një profesor i historisë japoneze në Shkollën Orientale dhe Studimet Afrikane në Londër.





