Që nga vala e populistëve euroskeptikë, tek lidershipi i Merkelit. “Reagimi është i domosdoshëm, duke filluar që nga siguria sociale. Në Francë, triumfi i Le Pen mund të sjellë fundin e BE-së”
Jetë apo vdekje. Kjo është sot zgjedhja e Europës. Eshtë një udhëkryq fatal, thotë Ulrich Beck, një ditë pas cunamit populist që doli nga zgjedhjet e Kontinentit të Vjetër: nga njëra anë fundi i “dogmës së masave të kursimit”, nga ana tjetër vetë mbijetesa e BE-së. Për sociologun gjerman, tashmë hapet një ndeshje e vështirë që megjithatë ka vetëm një emër: atë të Europës së qytetarëve dhe rritjes ekonomike, atë të një Europe të cilës më në fund i duhet dhënë një fytyrë. Që nuk mund të jetë ajo e Angela Merkelit.
Profesor Beck, jemi përballë rezultateve shumë të ndryshëm mes tyre. Socialistët fitojnë në Gjermani dhe Itali, por pësojnë një humbje të rëndë në Francë, populistët fitojnë në Francë dhe Britaninë e Madhe, por ndalen gjetkë. Cfarë bilanci bëni ju?
Nëse perspektiva është ajo e të ardhmes së kontinentit, atëherë duhet thënë që rezultati më i rëndë është ai i Francës, me triumfin e Marine Le Pen. Ka përmasa të tilla që nuk mund të konsiderohet thjeshtë një paralajmërim. Nuk duhet nënvlerësuar, sepse mund të heqë mbështetjen e Parisit për procesin europian. Pasoja mund të jetë fundi i BE-së, qoftë edhe sepse pa Francën nuk mund të dilet nga kriza. Sa i përket Britanisë së Madhe, duhet theksuar që asnjë prej partive tradicionale nuk është shprehur fort në favor të Europës. Nga kjo kuptohet që nuk është e këshillueshme t’u rrëmbehen euroskeptikëve fjalët e ditës. Zgjedhësit preferojnë origjinalin.
Por ai i populistëve nuk është një bllok homogjen. Janë të pamundura aleancat mes Ukip, Frontit Nacional, mbështetësve të Beppe Grillos dhe Jobbikut. Gjë që i bën populistët më pak të fortë në Strasburg, në krahasim me rezultatin e zgjedhjeve.
Po, nuk mund të ketë një grup parlamentar unik dhe as janë të mundura format e tjera të bashkërendimit. Dhe është në fakt i rëndësishëm, që të krijon mundësinë të mbrohesh nga ajo që unë e quaj “kritika paradoksale” e populistëve. Por më duhet ta përsëris: rezultati tregon gjithashtu që Europa si e tillë kuptohet nga pjesa më e madhe e qytetarëve.
Në Gjermani, euroskeptikët e AfD janë ndalur tek 7%. A mund të thuhet që në një farë mënyre Angela Merkel e përthith vetë populizmin gjerman?
Në fakt rezultatet në Gjermani janë inkurajues. Partitë e mëdha që janë në favor të Europës kanë konsoliduar shumicën e tyre, shifrat e AfD nuk janë të tilla që të shkaktojnë shqetësim. Eshtë e vërtetë, kjo ka të bëjë edhe me qasjen e kancelares, që unë e kam quajtur “merkelvielizmi”, domethënë aftësia për të mbrojtur nga njëra anë interesat kombëtarë, dhe nga ana tjetër, duke marë përsipër frikërat e qytetarëve, apo duke krijuar përshtypjen se i merr seriozisht. Por tani, loja e vërtetë që hapet është ajo për presidentin e Komisionit Europian: qoftë per Junckerin, qoftë per Schulzin, është themelore që të respektohet vendimi i qytetarëve. Në një farë mënyre, kemi mundësinë t’i japim një fytyrë Europës. Do të ishte fatale nëse do të futeshin kandidatë të tjerë, si shprehje e negociatave “të nëndheshme”. Do të shkatërrohej shtytja demokratike që erdhi nga këto zgjedhje, duke krijuar zhgënjime të rinj mes zgjedhësve. Në qendër të kësaj loje është pikërisht kancelarja. Kur të shohim që Europa do të ketë një fytyrë, do të kuptojmë që nuk është ajo e Merkelit.
Ka qenë edhe një votë kundër masave të kursimit…
Jo më kot Merkeli e ka “relativizuar” tashmë axhendën e saj të shkurtimeve. E bën me shumë mendjemprehtësi, duke lidhur sukseset e dukshëm të kursimit me një ngadalësim të zinxhirëve, siç u pa edhe gjatë udhëtimit të fundit që bëri në Greqi. Pastaj, të dy kandidatët për president të Komisionit e kanë thënë qartë që nëse zgjidhen, prioritet do të kenë krijimin e vendeve të punës. Schulz ka parashtruar një gamë të gjerë nismash, ndërkohë që ato të Junckerit mbeten propozime tradicionalë, por si njëri, si tjetri nisen nga supozimi që problemi nuk është më euro, por papunësia, mbi të gjitha mes të rinjve, apo politika sociale. Eshtë një temë që më parë nuk ishte.
Mos doni të thoni që jeni bërë optimist?
Jo, kategoritë e optimizmit dhe pesimizmit vetëm sa janë zhvendosur dhe përzierë. E sigurtë është që është hedhur poshtë dogma e rreptësisë fiskale. Do të ketë investime të rinj në favor të vendeve më të goditur nga kriza, një lloj kokteili që bën bashkë shkurtime dhe investime. Eshtë themelore të dimë se çfarë përgjigjesh duhet të japim sot edhe për ata që sot dalin jashtë projektit europian.
Të shumtë janë komentet që Euro është e ndarë më dysh.
Sigurisht, dhe jo prej zgjdhjeve të fundit, për shembull mes vendeve të BE që janë brenda eurozonës dhe atyre që nuk janë, sepse të gjithë vendimet e rëndësishëm merren ekskluzivisht nga të parët. Ndarja tjetër ka të bëjë me pabarazitë, mes europianëve të Kategorisë së Parë dhe atyre të Kategorisë së Dytë, që nuk bëjnë “detyrat e shtëpisë”. Sot kemi nevojë për një perspektivë sigurie sociale, jo vetëm mbi bazën e kombësisë, por mbi bazë komunitare. Duhet të kryhet më në fund transformimi i Europës së elitave në Europë të qytetarëve: kjo është rruga e vetme.






