Nga Ilirian Zhupa
Përmbledhja me intervista “Shkrimtarët e shekullit” është një ngjarje e rrallë në letrat shqipe. Dhe jo vetëm në to. Botime të tilla antologjike, mes shumësisë së shfaqjeve letrare, çmimeve të shtuara kombëtare e ndërkombëtare, gjuhëve dhe shijeve, të afirmuarës dhe të mbuluarës, suksesit të përkohshëm apo të përjetshëm, të vërtetë apo të rrejshëm, mbeten gjithësesi botime me strukturë të hapur. Të hapur në rrafshin e vlerave, tendencave, hapësirës dhe kohës. Botime të tilla, janë tablo që pikturojnë botën, e sjellin atë para teje të gjallë si një fiksim i çastit dhe perspektivës; si gjallim me karakter përgjithësues e vetanak.
Një libër me 29 autorë. Mund të ishin dhe më shumë, por mund të ishin edhe më pak. Sepse, një libër i tillë me strukturë të hapur, është një vepër, por edhe një proces. Është një dëshirë, por edhe një mundësi. Si rrathët mbi ujë që shtrihen pafundësisht, pavarësisht se syri ynë nuk e kap dot as hapësirën përqethëse të tyre dhe as pafundësinë e pasqyrave ku ata pikturohen. Përmes këtij botimi, kanë ardhur në Shqipëri jo thjesht veprat, por baballarët e tyre. E kanë shënuar në hartë Shqipërinë Ata, jo thjeshtë “fëmijtë” e tyre që kuturisin botën; kanë folur posaçërisht për të, kanë ndërtuar një urë njerëzore kryekrejt për shqiptarët. I kanë pranuar shqiptarët në studiot e veta dhe kanë shpjeguar laboratorin e vet krijues, posaçërisht për ta, në shqip. Me dashurinë e pakusht dhe pasionin e palodhur të Rudina Xhungës. Autorë të famshëm si Salman Ruzhdie, që këmbëngul se “është gjithnjë një numër i vogël librash që futen nën lëkurën tënde”; Orhan Pamuk, i cili shkruan “për ta zbuluar botën”; Amos Oz, që flet për “ konfliktin si një luftë, midis së drejtës dhe së drejtës”; Doris Lessing, që ka “pasur të bëjë me njerëz që kishin një pikëpamje shumë romantike për Shqipërinë”; Roberto Saviano, që është i ndërgjegjshëm se kur “sulmon qeverinë, e di se do të ketë baltë kundër teje”; Jonathan Franzen, që është i bindur se “ në fund të ditës, asnjë nga ne nuk ia del”; Arthur Japin, që këmbëngul se “edhe ata që bëjnë ligësitë më të mëdha, veprojnë nga mirësia”; Atiq Rahimi, që thotë se “ vendi im i vetëm, toka ime e vetme është fleta e bardhë”; Alberto Bevilacqua, që e di se “ne jemi një esencë e vogël, në një esencë të pafund”; Fabio Volo, që konstaton se “tashmë ka më shumë njerëz që shkruajnë, sesa njerëz që lexojnë”; etj., etj.
Ata flasin me shumë dashuri për njeri-tjetrin, nuk i besdis “hija” e njeri-tjetrit. Menaxhuesit e tyre, ndryshe nga tanët i bëjnë llogaritë me shekujt dhe jo me çastin. Kjo besoj mund të ndodhë dhe ndër ne, nëse krijuesit tanë do i rrethonim me më shumë dashuri. Letërsia mund të na kthente ne sërisht fytyrën njerëzore, nuancat dhe intimitetin e humbur, siç thotë shqip, David Grossman.