MONIKA SHOSHORI STAFA
Gjuha shqipe ka një pasuri dialektesh për t’u pasur zili dhe lloje të ndryshme të të folmes shqip. Kostandin Kristoforidhi ka qenë një nga njohësit më të shquar të tij. Në Shqipëri kanë ardhur shumë albanologë, të cilët kanë dhënë vlerësime dhe nga më të lartat për këtë njeri të Historisë sonë të Letërsisë dhe jo vetëm, të gjuhës shqipe, por dhe një rilindës mirëfilli, që me punën e pashoq na la një trashëgimi të jashtëzakonshme kombëtare. Studimet që na lanë këta prijës të identitetit tonë kombëtar e që me gjakun e tyre të helmuar nga hordhia e huaj dhe e brendshme, nuk u ndalën për asnjë çast të tregojnë me kompetencë e zotësi se cila ish e ëmbla gjuha jonë shqipe dhe dialektet e rralla të saj që bënë të kthehen për ta parë, riparë, studiuar dhe dashuruar një plejadë e tërë shkencëtarësh dhe studiuesish, veçanërisht nga Europa Qendrore e shtete si Austria apo Gjermania. Një numër i madh prej tyre kanë ardhur që nga Lufta e Parë Botërore për të studiuar shqipen dhe derivatet e saj dhe aq e bukur ishte kjo tërheqje ndaj shqipes sa me vete nuk morën vetëm dijet për një gjuhë të rrallë dhe të lashtë duke dëshmuar rrënjët e një kombi të vjetër ballkanik, por edhe emocionet që lindin mes një të huaji kurioz për botën e fshehtë të një vendase që merr pamje idilike pikërisht prej këtyre thesareve që këto autoritete të larta të gjuhës sonë, na kanë lënë ende të panjohura si duhet, sidomos nga brezat e këtyre viteve të vështira postkomuniste. Kostandin Kristoforidhi njihte jo vetëm karakteristikat themelore të toskërishtes e të gegërishtes, por dhe dukuri të holla të këtyre dialekteve. Ai është dhe dialektologu i parë shqiptar. Dialektet kryesore të tonat janë ato gegë dhe toskë, të cilat i gjen që në fillesat e hartimit të abetareve të para të gjuhës shqipe. Dhe studiuesit mendojnë se po të sistemohen të gjitha këto dukuri dialektore që gjenden ndër vepra të shumta shqipe, mund të hartohej një atlas dialektologjik i pasur për shqipen. Librat që janë përkthyer me shumicë ndër dekada në gjuhën shqipe nga autorë të njohur të ndryshëm, lexohen qartë si dukuri dialektesh të pasura e njëkohësisht dhe të veçanta. Një gjë e tillë duket në përkthimet e Kristoforidhit dhe në veprat origjinale të tij që përbëjnë pasqyrën më të plotë e më të saktë të dukurive dialektore të shqipes në shekullin e kaluar dhe K. Kristoforidhi është përcaktuar dhe si dialektologu i parë shqiptar. Po t’u referohemi shumë veprave të përkthyera nga të mëdhenjtë e gjuhës, duket se shqipja shënjohet të jetë një gjuhë e begatë për nga të folmet me dialekte. Puna e dialektologut nuk është një punë e thjeshtë, duke filluar nga mbledhja e materialit në terren, sistemimi teorik e përgjithësimi i të dhënave, duke i përdorur më parë praktikisht në përkthime deri te botimi këtyre arritjeve teorike në veprat e tij origjinale. Dialektologu duhet të udhëtojë në çdo kënd të vendit dhe materialet duhen mbledhur në çdo pikë të banuar të tij, në Veri dhe Jug të Shqipërisë. Për të përdorur dialektet duhet një siguri dhe rreptësi e madhe shkencore për të paraqitur të gjitha dukuritë e dialekteve në mënyrë origjinale. Po si mund të arrihet kjo? Ka shumë tregues për të radhitur një vepër me një gjuhë të pasur në të folmen e saj. Mbështetja në gjuhën e popullit, përpjekjet për të dhënë variante toske dhe gege sa më të përgjithshme e më të afërta, duke ruajtur me të gjitha mundësitë edhe afrinë e tyre me traditën shkrimore të mëparshme të shqipes e bën dialektologjinë një nga thesaret e specialiteteve të gjuhës shqipe, një pasuri me të cilën vërtet provojmë dhe krenohemi për një identitet thellësisht të mirëqenë në këto vise. Kristoforidhi është njeriu që shpjegon më tej se, “gjuha shqipe ndahet në dy dialekte, në gegërishte dhe toskërishte, ndërsa dialektet e tjera të arvanitasve ose labërive dhe të çamëve janë degëzime të toskërishtes. Ndër dy dialektet thuhet nga studiuesit, gegërishtja është më e pastër e më e pasur, ndërsa toskërishtja, më e butë dhe më e rregullt. Ata pranojnë faktin se gegërishtja, duke qenë më e pasur dhe më e pastër, më origjinale është dhe si rrjedhim prototip i gjuhës shqipe. Njohja e dialektit gegë është e domosdoshme për çdo shqiptar ose albanolog që do të dallojë rrënjën e fjalëve. Por dialekti toskë, sipas tyre, ka muzikalitetin e një gjuhe më të përpunuar dhe vlera e saj qëndron gjithashtu dhe në pikat e takimit që kjo ka me gegërishten. Dallimet mes tyre janë në leksik, në shqiptim, në fonetikë, morfologji dhe në ndërtim. Megjithatë, duhet të shtojmë se pavarësisht ndryshimeve, gegët dhe toskët kuptohen shumë mirë njëri me tjetrin, pavarësisht notave të humorit që përfshijnë jetën tonë të përditshme. Në fakt, në studimet e shkencëtarëve shqiptarë apo dhe albanologëve të huaj, kërkimet e vërteta dialektologjike shqiptare fillojnë mjaft herët, që nga mesi i shekullit të 19. Me punën e tyre ata kanë lënë pas, dy variante letrare të dialekteve shqiptare: atë të Veriut dhe atë të Jugut. Duke punuar me sukses në terren, kanë mbledhur materialin dialektikor shumë të pasur në fakt, vërtetësia e të cilit assesi nuk mund të vihet në dyshim. Gjuha e mbledhur prej tyre nga goja e popullit dhe e përpunuar ishte një gjuhë e kuptueshme, e pasur dhe e mesme nga pikëpamja e bazës dialektikore. Me punën e tyre ata bënë që ajo të përhapet shpejt në të gjithë Shqipërinë dhe ky është një tjetër kontribut i tyre. Nuk ka gjë më të bukur se gjuha juaj, më është shprehur në një intervistë një albanolog i shquar, i thyer tashmë në moshë, gjermani Vilfrid Fidler, ca muaj më parë. Shikoni, nuk mund të thuhet se është më e vështirë se gjuhët e tjera. Vështirësia kryesore e shqipes së atëhershme, e viteve ’57, kur unë erdha për herë të parë në Shqipëri, ishte se nuk ekzistonte një shqipe standarde. Sipas tij, ishte e vështirë ta mësosh se nuk kishte metoda, e nëse nuk ekziston një standard si mund ta mësosh një gjuhë? Unë tani e kam mësuar bashkë me konsolidimin e standardit, shtonte ai, i kujdesur të theksonte fort punën e fuqishme të bërë nga studiues skrupulozë dhe tekanjozë, hera-herës, në fanatizmin për të mbrujtur thesarin e identitetit kombëtar. Albanologu gjerman, Fidler, ka ardhur herët në Shqipëri, në vitin e largët 1957, në rrugën e shumë të tjerëve nga Gjermania dhe Austria, të pasionuar pas gjuhës shqipe dhe pasurisë së saj, ndryshe nga të tjerat. Me motivin për të mbledhur këngë popullore shqiptare, aty ai mësoi të dashurojë dhe gjuhën shqipe duke i devijuar qëllimit për të cilin u gjend në Shqipëri. Ndoqi atë që më pas u bë dhe pasioni i tij, shumësi i emrave në gjuhën shqipe. Përkthyes i disa librave të Kadaresë në gjermanisht, si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo dhe një vëllim tregimesh të tij, Fidler shpjegonte qetë-qetë se përse duhet ne të krenoheshim me gjuhën tonë, duke u nisur jo vetëm nga dukuritë e dialekteve, por dhe nga ndërrimi i gjinisë së emrave që e formojnë shumësin, trajtat e shquara të tyre etj. Sipas tij, mund të thuhet me bindje se gegërishtja dhe toskërishtja, për sa i përket fonetikës janë shumë të ndryshme. Janë shumë më të ndryshme se p.sh. gjuhët sllave midis tyre, por kjo nuk e pengon aspak kuptimin dhe të kuptuarit midis tyre. Sipas tij, gegërishtja ka hundore, ka zanore të gjata që toskërishtja nuk i ka. Albanologu gjerman mbron tezën se zhvillimi i gjuhës është një proces i zhvillimit politik dhe historik të vendit. Në fakt, në gjithë këta vjet procesesh evoluimi të demokracisë në Shqipëri, ka pasur debate mes gjuhëtarëve shqiptarë, që në gjuhën shqipe të kish më shumë elemente të gegërishtes, duke pretenduar shumë prej tyre se ajo është dhe e folmja e parë shqipe. Për ta dhe Fidler, gegërishtja ka një muzikalitet krejt tjetër. Edhe poezia merr një karakter krejt tjetër, shprehej ai i nënqeshur. Poetët që shkruajnë në gegërisht mund të punojnë me gjatësinë e zanoreve, ndërsa shkrimtarët toskë nuk kanë mundësi ta bëjnë, e mbyll ai shpjegimin. Fidler është vetëm një nga ata albanologë të fundit që flet me simpati dhe pasion kur bëhet fjalë për një gjuhë të vjetër të gadishullit të Ballkanit, në një kohë kur katedrat e albanologjisë në Austri dhe Gjermani, përjetuan pika të rrezikshme në kufirin e ekzistencës së tyre, në një kohë kur gjuhët e vjetra ballkanike po rrezikojnë zhdukjen edhe nga degët mësimore, duke mos iu kushtuar vëmendja e duhur dhe përkujdesja si një pasuri që s’duhet lëshuar. Aq e rëndësishme është të njohësh gjuhën tënde dhe po aq sa e domosdoshme është dhe të kuptosh ç’pasuri kombëtare përbën ajo, zgjatej më tej në shpjegimin e tij Fidler, albanologu gjerman. Po mirë, thotë ai, gjuha tani është standardizuar, do të thotë është fiksuar, d.m.th. gjuha letrare e sotmja është kjo, që ne po flasim. Debatet për të janë të kota tek nisin herë pas here. Tani çdo shkrimtar mund të shkruajë siç ka dëshirë. P.sh. Martin Camaj ka shkruar në gegërisht dhe jo një gegërishte e standardizuar, por një gegërishte shumë private, që është përzier me elemente dialektore, por ama shqipja e standardizuar, është një shqipe që duhet ruajtur qoftë dhe për të huajt. Një shqipe e bukur dhe e pasur, si dhe gjuhët e tjera, janë kur ju doni t’i mësoni ato. Pse nuk ka dy anglishte? Jo, një dini ju, jep argumente të tjera gjermani i butë. I mungojnë gjë dialektet asaj? Jo, padyshim. Por ruhet një dhe një e vetme për ty, për mua, për të huajin. Kështu që ruajeni gjuhën tuaj standarde se u bën mirë ju, i bën mirë asaj, i bën mirë krenarisë suaj kombëtare. U ndjeva mirë pas këtij bashkëbisedimi, por akoma më mirë, ndjeva se ndihej gjuha ime e ëmbël shqipe.