Nga Vitiola Shkurti
Profili i poetes, botueses dhe gazetares Afroviti Gusho
Nëse bëhet fjalë për aktivitete që lidhen me artin e fjalës, ajo nuk mund të mungojë. Është e pranishme kudo, mes të afërmish e miqsh, që gjithmonë kanë për të ndarë një mendim me të. Atë pasdite e gjej në krye të tavolinës, duke debatuar me entuziazëm mbi projektin e rradhës, realizuar nga shoqata që e drejton prej vitesh. Për pak muaj mbush pesëdhjetë vjeç, por për nga energjia që përcjell duket sikur ka mbetur tek të njëzetat. Kjo grua di ta menaxhojë kohën në mënyrë perfekte, duke u marrë me disa aktivitete njëkohësisht. Botuese, poete dhe drejtoreshë e një OJF-je shqiptare, Afroviti Gusho nuk di të ndalet.
Midis matematikës dhe letërsisë
E diplomuar në universitetin e Tiranës, në degën e matematikës, fill pas studimeve nisi punën në arsim, ku qëndroi për tre vjet. Studimet në degën e matematikës nuk u bënë arsyeja që profesioni i jetës të mbetej po aty. Të gjithë i habit fakti se si një matematikane mund të meret me gazetari dhe aq më tepër të shkruajë poezi. Asaj nuk i bën përshtypje një habi e tillë. Nëse e vështron me dyshim, përgjigjen e ka gati. “Të dyja më kanë tërhequr si lëndë që kur isha gjimnaziste dhe ato janë të ngjashme me njëra-tjetrën më shume sesa duken. Ashtu siç matematika kërkon fantazi dhe eksplorim në vetvete, edhe letërsia kërkon imagjinatë”, thotë Afroviti.
Në kohën kur iu kultivua dashuria për librat, mundësitë për të zgjedhur ishin të kufizuara. Ishin vitet ’80, periudhë kur klasikët si Lermontovi e Pushkini mbizotëronin në letërsi. I ka mbetur peng pamundësia e zgjedhjes së lirë, ndaj ka vendosur ta kompensojë. Sot lexon shkrimtarë bashkëkohorë duke u përpjekur të kuptojë çdo mendim të modernëve, që dikur i kishte të ndaluar.
Autore e disa librave me poezi, kujton se librin e parë “Qetësi e egër” e ka botuar në një shtypshkronjë me plumb në qytetin e Korcës. “Atëherë ishin të pakta shtëpitë botuese, kishte pak eksperiencë në këtë fushë dhe unë gjeta një redaktor që më “sakatoi” disa nga poezitë që doja më shumë”, tregon me nostalgji. Një tjetër përmbledhje me poezi e promovoi në Panairin e Prishtinës, ku u shit pothuaj i gjithë tirazhi. Për këtë Afroviti u është mirënjohëse edhe miqve kosovarë, të cilët e promovuan në mënyrën më të mirë të mundshme librin e saj.
Themeluesja e gazetës së parë në qytet
Ishte viti 1994, kur ndërmori një nismë jo të vogël për vendin dhe kohën. Me ndihmën e bashkëshortit, themeloi gazetën e parë lokale në Pogradec, që deri më sot ka mbetur e vetmja për qytetin. Vitet që hodhi një hap të tillë përkuan me ndryshimin e madh në Shqipëri, kur sistemi i demokracisë së shumëpritur i zu vendin komunizmit sfilitës. Ishin vitet që sollën një ndryshim rrënjësor në mendësinë e njerëzve. Dhe ky ndryshim kaq evident, e shtyu Afrovitin të vrapojë drejt lirisë së shprehjes për ti dhënë zë mendimit të lirë. Që nga ajo kohë, figura e Afrovitit u bë shumë e dashur, dhe mund të themi se atë sot e njohin të gjithë si gruan që i dha jetë shtypit të shkruar në qytet. Gazeta “Nositi” u bë zëri i intelektualëve të kohës. Dhe pati sukses të menjëhershëm, jo vetëm për qenien si e para në Pogradec. Për në tepër ngase tematika mbi të cilën fokusohej, ishte tepër aktuale duke nxjerrë në pah shumë nga problematikat e qytetit. Përveçse në Korçë dhe qytete të tjera përreth, arriti të shtrihet edhe përtej kufirit, pikërisht në Strugë, atje ku ka shumë shqiptarë dashamirës të fushës të letrave e të artit në përgjithësi. Kjo ishte një arritje e madhe për Afrovitin, pasi në atë kohë nuk ishte aspak e thjeshtë të shpërndaje një gazetë lokale jashtë kufirit. Për plot 15 vjet gazeta e kreu më më së miri misionin e saj si gazetë lokale. Prej tre vjetësh “Nositi” nuk është më në qarkullim. Arsyen pse gazeta nuk qarkullon më në treg, Afroviti e lidh së pari me shkaqe ekonomike.
“Ne e financonim vetë gazetën dhe vetëfinancimi kërkon të ardhura të mëdha. Kriza e viteve të fundit preku edhe bizneset që reklamonin në gazetën tonë. Ndaj mundësitë ekonomike nuk po na mjaftonin për ta çuar përpara”. Megjithatë, fakti se media sociale po avancon me ritme të shpejta, mbetet një tjetër arsye e mbylljes së “Nositit”. “Njerëzit e kanë më të lehtë ta gjejnë informacionin që duan online, sesa të shpenzojnë para duke blerë një gazetë”, shpjegon ajo.
Nuk e fsheh aspak dëshirën për ta risjellë gazetën e saj. Nëse kjo realizohet, do preferonte ta vendoste fokusin tek ideja sesi një qytet i vogël dhe me pasuri natyrore mundet të avancojë, dhe jo të mbetet aty ku është sot. Dëshiron të krijojë një atmosferë optimiste, sidomos për të rinjtë e qytetit, që shpesh nuk e gjejnë veten në vendin e tyre dhe kërkojnë një të ardhme diku gjetkë.
Anët e mira të provincës
Ama, për vete nuk pendohet që s’është zhvendosur në ndonjë qytet të zhurmshëm, ku mundësitë për të ecur përpara janë padyshim më të mëdha. Si një person që mendon pozitivisht dhe shikon më të mirën e gjërave, ajo gjen te provinca atë që s’do e gjente në asnjë metropol të botës: qetësinë shpirtërore. Megjithëse jeton në Pogradec, ky fakt nuk e ka penguar aspak për tu marrë me krijimtari dhe aktivitete sociale. Një grua që ka ditur ti shmanget rutinës, që zor se mund ti shpëtosh kur jeton në provincë. Prej 10 vjetësh drejton shoqatën “Unë, gruaja” që siç e tregon edhe emri që mban, vëmendjen e ka tek gruaja. Çdo vit kjo shoqatë organizon projekte në ndihmë të barazisë gjinore, fuqizimit të rolit të gruas e përfshirjes së saj në jetën sociale. Afroviti është gjithmonë e gatshme për të ndihmuar gratë, të cilat i mendon si forca kryesore e një shoqërie.
Me shtëpinë botuese që ka në Pogradec, puna i ecën mbarë. Libri që ka botuar së fundmi ka për autore një 14 vjeçare nga qyteti i Pogradecit, Rea Bitrin, e cila shkruan me nota fantastiko-shkencore për bashkëmoshatarët e saj. Po e ndihmon për të botuar librin e dytë dhe është entuziaste për faktin se Rea është një talent i ardhshëm i Pogradecit. I lexohet në sy besimi që ka tek talentet e reja. E ka rrëmbyer pjesa kur flet për rininë dhe vetëm zëri i një kolegeje që e thërret në emër, e kujton se ka takimin e rradhës me gratë e shoqatës. Largohet, duke të krijuar ndjesinë se në jetë, nëse punon fort dhe me pasion, ia del të mos plakesh kurrë.








